“TURMA”
Ose një këndvështrim befasues i shkrimtarit Ilr Mati në novelën e tij me titullin e mësipërm për turmat e popullit dhe hallet e tij në ditët...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/turma.html
Ose një këndvështrim befasues i shkrimtarit Ilr Mati në novelën e tij me titullin e mësipërm për turmat e popullit dhe hallet e tij në ditët që jetojmë.
Nga Skifter Këlliçi
Kur disa vjet më parë,në faqet e një të përditshmeje lexova se në bazë të një tregimi të publicistitit Ilir Mati do të realizohej një film dokumentar italian, u befasova. I larguar prej kaq vitesh nga atdheu në SHBA, kisha lexuar, ndonëse jo shpesh, disa ese të goditura të tij, sidomos për probleme te ditës. Veç kësaj, kur një vit më pas u ndodha për dy javë në Shqipëri, shokë të mi më thanë se Ilir Mati, ose ai gazetari simpatik me syze, shquhet edhe për reportazhe interesante për natyrën mahnitëse të vendit tonë që transmetohen në disa kanale televizive.
Ishte kjo arsyeja që atëherë më shtyu ta takoj dhe të bisedoj më gjatë me të rreth krijimtarisë së tij publicistiko-letrare. Dhe biseda qe e këndshme e plot humor që na e ndjellin sidomos ngjarjet vorbulluese që sjell sidomos problemet e mprehta shoqërore, rrjedhojë e luftës tejet të ashpër politike që në Shqipëri vazhdon e do të vazhdojë, me sa duket, për shumë kohë, po kaq e ashpër.
Dhe gjatë kësaj bisede mbeta i befasuar kur Iliri më dhuroi një libër të tijin-novelën “Turma”, që e kishte botuar disa vite në parë. Më gëzoi fakti se këtë radhë miku im në krijimtarinë tij letrare kishte zgjedhur prozën e gjatë, ose “artilerinë e rëndë”, siç quhet rëndom në letërsi. Madje, krijimin e tij e kishte quajtur me modesti novelë, kur me 178 faqet e saj, me shkronja të imëta e, për më tepër, me linjat nëpër të cilat vërshon përmbajtja e vrullshme e librit të tij, ai mund të quhet pa frikë roman dhe ajo që është e rëndësishme, roman serioz. Shkurt, që me debutimin e tij të parë në këtë gjini autori godet në shenjë.
Kanë kaluar plot nëntë vjet nga ajo ditë, dhe ndërkohë kohe Ilir Mati ka botuar edhe novelën tjetër “Periskopi”, dy libra me shënime udhëtimi, ”Një shqiptar në botën etruske’ dhe “Stela e Lemnonit”, pa lënë mënjane dokumentarë televizivë, kushtuar viseve anekënd vendit tonë dhe Kosovës, madje dhe natyrës së vendeve të tjera që viziton herë pas here.
Por të ndalemi të novela “Turmat”. Ajo që më tërhoqi në këtë prozë të gjatë ishte origjinaliteti në zbërthimin e idesë që ai i kishte vënë vetës përpara-të pasqyrojë në mënyrë kronologjike zhvillimet e ngjarjeve dramatike në vitet e fundit të diktaturës komuniste deri në vitet e para të shekullit të 21-të. Të them të drejtën, detyrë jo fort e lehtë, sidomos për një shkrimtar që provon forcat për herë të parë në këtë gjini. Nuk i thonë shaka, kur mendon se këto ngjarje shtjellohen në harkun kohor të gati 20 viteve.
Por Ilir Mati, edhe pse i papërvojë, ka gjetur “marifetin”se si t’i shpëtojë kësaj vështirësie objektive. Në themel të veprës së tij vë dy personazhe, që janë Zhaku,
dhe Ana, dy të dashuruar që ai, pasi na i bën të njohur me disa ngjarje që pasqyrojnë rininë e tyre të trishtë gjatë viteve të funddiktaturës, i përdor si udhërrëfyes nga mesi i librit, e deri në fund, kur ngjarjet përftojnë një intensitet të ankthshëm dramatik e, pse jo, edhe tragjik.
Në rrjedhën e ngjarjeve Zhaku dhe Ana duket sikur e marrin përdore lexuesin për ta shpënë aty ku ata mendojnë se fokusohen pikat më kulmore të kronikës së këtyre viteve.
E vërteta është se faktet që shpalosen në novelë, nuk janë të panjohura për lexuesin. Ne kemi përjetuar, p. sh. vetë, trysninë mizore të diktaturës që kishte depërtuar në çdo qelizë të jetës sonë, që na detyronte të mbijetonim duke mbyllur gojën, qoftë edhe për ankimin më të vogël kundër qeverisë në radhët e gjata që në mesnatë për dy-tri shishe qumësht, dhjetë kokrra vezë, një kile mish, sepse na priste burgu, orët e punës së rëndë fizike që duhet të regjistroje për të marrë, ose edhe për të mos marrë, një apartament me një dhome e kuzhinë, internimet, burgimet…më së fundi shpërthimin e revoltave pas shpalljes së pluralizmit demokratik që sollën rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, shpalljen me bujë të qeverisë së parë demokratike se toka t’i kthehet pronarit, tragjedinë e rënies së skemave piramidore, eksodet masive, pritjet në radhët e gjata të prindërve nëpër dyert e ambasadave ku trajtoheshin jo rrallë me përçmim…
Janë dukuri që janë trajtuar në sa e sa vepra letrare që botohen çdo vit në Shqipëri. Këto dukuri, në një mënyrë a tjetër, trajtohen edhe në këtë novelë. Por, veç atyre që përmenda më lart, Ilir Mati, falë përvojës si gazetar dhe fantazisë krijuese, arrin t’i përshkruajë me origjinalitet këto motive të njohura dhe, jo vetën të mos na mërzisë, po të na detyrojë ta ndjekim me kërshëri rrëfimin e tij tronditës në faqet e kësaj novele, që përshkohet nga tone satirike, ironike dhe sarkastike.
Do ta ilustroj këtë me disa shembuj:
Turma ka rrëzuar përmendoren e diktatorit. Por skulptorin që e ka krijuar, e mundon diçka. Që kjo shtatore të mos shitet me kile, por… me gjymtyrë, që ajo t’i shitet nëpunësit të një ambasade, i cili, nga ana e vet, do t’ia shesë pronarit të një galerie të huaj që mbledh shtatore të diktatorëve të të gjitha vendeve. ”Nëse punonjësi i ambasadës nuk dëshiron të blejë të dy këmbët dhe të dy duart e shtatores, unë i bëj propozimin që të blejë gjysmë koke, sepse kështu bëhen dy komplete kokëprofil-dorë –këmbë dhe kemi mundësi ta shesim dy herë veprën. Sigurisht edhe në të mirën e revolucionit.”
Paradoks që të bën të buzëqeshësh…
Dhe të mendosh se ky skulptor më pas rikujton se si mundi me kaq vështirësi të bëjë kopjen në allci të fytyrës së diktatorit, se si me një mijë sakrifica arriti që të mos dëmtonte, qoftë edhe një cipë të vogël të “lëkurës” së saj, që mund të kishte sjellë si pasojë që të gjente prehje në skëterrë.
Shembulli i dytë:
Me fitoren e demokracisë një ish-kryeredaktor i gazetës më të madhe të partisë në pushtet bëhet papritur kryeredaktor i gazetës opozitare. ”Ky gazetar së bashku me të shoqen punonjëse e sektorit të propagandës shtetërore, jepnin prova të besnikërisë së re, duke tradhëtuar dhe goditur mjeshtërisht shokët e vjetër, -shkruan autori. -Këtë punë bënë derisa mblodhën para dhe u larguan me tërë familjen për në Amerikë, në ata vend të cilin e kishin sharë dhe urryer për dhjetëra vjet. Justifikimin e kishin në majë të gjuhës:”Ishim të detyruar të mbijetonim në diktaturë dhe në pasdiktaturë”.
Shembulli i tretë:
”Drejtori i vetemëruar i Universitetit, -shkruan autori, – filloi të shesë diploma falso. Atë e ndoqën më pas falsifikatorë vulash dhe dokumentesh shtetërore të gjithfarshme, më të suksesshme dhe më të besueshme, rezultuan dokumemtet e të përndjekurve politikë, të të munduarve dhe të torturuarve nga diktatura. Në Muzeun Historik u hap madje edhe pavioni i kësaj shtrese të popullsisë. Kaq shpejt dhe kaq shumë u shtua numri i të persekutuarve nga diktatura, sa që të vuajturit e vërtetë humbën midis tyre, ose mbetën përjetësisht të persekutuar”.
Shembulli i katërt:
Një qytetar i quajtur Filip kërkonte tokën e rrëmbyer nga diktatura dhe që me fitoren e demokracisë, ishte zaptuar nga dikush tjetër. Nuk kishte si ta vërtetonte, sepse regjistri i kadastrës ishte zhdukur.
”Gjatë proceseve gjyqësore, -shkruan autori, -Filipi i cili dëshironte të gëzonte të drejtën e trashëgimit të pronës së familjes, ndeshi në një pengesë të tmerrshme. Ai nuk mund të vërtetonte identitetin e tij. Trupi gjykues nuk i njohu pasaportën, sepse duhej të provohej se nuk ishte e falsifikuar. Por edhe prova nuk mund të bëhej, se edhe regjistrat e e gjendjes civile kishin humbur… Në fund të muajit të tretë në gjykatë u paraqit një tjetër person i cili tha se edhe ai ishte Filipi. Kështu që çështja u komplikua. Por personi i dytë nuk u paraqit më kurrë, sepse i shkreti Filip papritur vdiq nga pika në krahët e gruas së tij”.
Shembulli i pestë:
Zhaku me Anën takojmë dy kolegë, të cilët i ftojmë ata një drekë të papërballueshme për xhepat e tyre. Por kolegët pranojnë të paguajnë, sepse “ishin agjentë të grumbullimit të parave të firmës më të madhe rentiere…”. ”I keni çnderuar njerëzit, u keni vjedhur votën, por tani i keni prekur në palcë, në paratë e kursimet e vëna me sakrifica të mëdha. Turma që jeni mësuar ta poshtëroni, do të shkaktojë tmerre të papara…”, janë fjalët e Zhakut. ”E po, derisa turmat nuk i kanë humbur paratë, ne hamë aragosta e karkaleca deti. Ti vazhdo me moralin tënd e ne vazhdojmë me moralin tonë. Mos më pyesni si e kam fituar milionin e parë , ka thënë Fordi. ”, përgjigjet pa skrupull njeri nga kolegët.
Shembulli i gjashtë:
Kur njerëzit presin me orë të tëra, para ambasadave, si dikur në dyqanet e kohës së diktaturës” Na poshtërojnë e na vënë në radhë, -thotë një personazh i romanit , – turma të gjata, që ka dhjetë vjet që fjalën jokomunitar e përdorin si sinonim i së keqes. Ka dhjetë vjet që në popull thuhet: “Vafsh në konsullatë!”, në vend të shprehjes: “Vafsh në djall!”
Me shembuj të tillë, kuptimplotë është mbushur kjo novelë:gjatë periudhës së diktaturës, të trishtë, tragjikë, por, për fat të keq, edhe gjatë periudhës paskomuniste, me shembuj, jo rrëllë edhe më të trishtë, të gërshetuar nga paradokse nga më absurdët, siç e vumë re dhe më sipër, madje edhe më tragjikë, kur bëhet fjalë për jetë njerëzish që shuhen në përpjekje për të kapërcyer detin, që vriten nga banda, me armë që i mbajnë për t’i shkrehur mbi trupa të pafajshmish, sikur t’i përkëdhelnin e të bënin shaka , sepse “shteti, siç thekson autori, jo vetëm nuk është në gjendje të mbrojë interesat e qytetarëve të tij, por përkundrazi…Një qeveri që nuk mbron interesat e shtetasve, domethënë qeveris keq”.
“Do të na duhet shumë kohë të flemë me armë nën jastëk. U kthyem në barbarinë tonë shekullore…”. Flet kështu një personazh i novelës. Dhe flet në emër të turmës, të asaj që u ngrit kundër peshës së rëndë të diktaturës, që e shembi atë dhe pret prej kaq vitesh që të shijojë frytet e kësaj demokracie e cila vihet në lëvizje nga politikanë që ende e shohin atë nga lart poshtë.
Novela “Turma”, e publicistit dhe shkrimtarit Ilir Mati shquhet, siç mund të vihet re edhe me shembujt që dhamë më sipër, për paraqitjen e shumë dukurive, siç përmenda më sipër, herë në mënyrë sarkastike, herë ironike, herë në stilin e reportazhit, të pamfletit, të esesë, sepse edhe autori, vjen nga radhët e publicistit.
E ndërtuar me përthyerje të stilit modern, me sentenca të lashta, e ndërthurur edhe me poezi që paraprijnë çdo kapitull, novela fiton ritëm të brendshëm që lehtëson leximin, i cili rrjedh plot ritëm nga faqja në faqe.
Autori mund të kishte mënjanuar ndonjë sentencë, a dëshmi, siç i quan ai, që shërbejnë si parathënie e novelës, por frenojnë lexuesin pa nisur ta lexojë atë, mund të kishte punuar edhe më me kujdes për t’i bërë më ritmike poezitë e fillimkapitujve. Por këto janë vërejtje që nuk cenojnë vlerat e novelës “Turma”.
Me të Ilir Mati futet në botën e prozës së gjatë me hap të sigurt dhe të rëndë, që le gjurmë, siç besoj e ka bërë edhe e vepra të tjera që ka botuar, por që nuk pak pasur rast t’i lexoj, sepse prej vitesh ndodhem larg atdheut.
Mbi të gjitha në paraqet një vepër në të cilën problemet që trajton dhe që u mundova t’i argumentoj me citime nga libri, janë po ato, në mos të përkeqësuara edhe më shumë në Shqipërinë e ditëve tona.