Emigracioni: Njerëzit lëvizin lirisht, por kush paguan?

 Nga Paul Collier Planet për të kufizuar përfitimet për rumunët dhe bullgarët në njëfarë mënyre shkurajojnë emigrantët e rinj, por Britania ...

 Nga Paul Collier


Planet për të kufizuar përfitimet për rumunët dhe bullgarët në njëfarë mënyre shkurajojnë emigrantët e rinj, por Britania ka një argument të fort në anën e saj për të nxitur kontrolle më të forta.
Sa rumunë dhe bullgarë do të vijnë në Britani mbasi kontrollet tranzitive të hiqen në janar? Si ekonomist që ka shkruar një libër mbi emigracionin, Exodus, mua ma bëjnë vazhdimisht këtë pyetje. Përpara se të përgjigjem, më lejoni të vë në dukje një përfitim pak të ccmuar të emigracionit masiv nga Evropa lindore: ajo e ka shkëputur emigracionin nga raca. Të paktën është e mundur që të sugjerohet se emigracioni duhet të kufizohet pa ndezur akuza për racizëm.
Për dekada me radhë, debatet e Britanisë mbi emigracionin kanë qenë dinake, të kryera nën hijen e lumenjve të gjakut të Enoch Povvell. Në të formuluarit e politikës së emigracionit që ka kuptim brenda BE-së, ne gjithashtu mund të mendojmë më qartësisht mbi emigracionin global.
Emigracioni kombinohet shpeshherë me globalizimin dhe përshkruhet si i pashmangshëm. Por globalizimi ka të bëjë me rrjedhjen e tregtisë, ideve dhe investimeve që po u mundësojnë vendeve më të varfra të arrijnë ato më të pasura - mendojeni Kinën si përfituesja më e madhe. Në kundërdallim, emigracioni modern nxitet nga dallimet e mëdha në të ardhura. Teksa vende më të varfra si Bullgaria dhe Rumania fillojnë e e marrin veten, emigracioni ka për të pësuar rënie.
Për shembull, gjatë gjysmëshekullit të kaluar - epoka e madhe e globalizimit - emigrimi ndërmjet vendeve të pasura ka rënë sa i përket përpjestimit të popullatave tona. Brenda Bashkimit Evropian të zgjeruar ne po jetojmë në një fazë të përkohshme të emigracionit të lartë, jo një agim të ri të pleksjes masive.
Ndërkohë që në afat të gjatë, emigrimi ka për t’u ngadalësuar, në afat të gjatë ne jemi të gjithë të vdekur, siç ka vrojtuar ftohtë Kejnesi. Ne duhet t’u kushtojmë vëmendje horizonteve më të shkurtra. Një rezultat i rëndësishëm i hulumtimeve moderne është se derisa hendeqet e të ardhurave të mbyllen, emigrimi nga vendet më të varfra përshpejtohet.
Arsyeja e përshpejtimit është e qartë. Akti i emigracionit është i kushtueshëm: emigranti po bën një investim. Por teksa diasporat sendërtohen, ato veprojnë si  një komitet mirëpritës për emigrantët e mëtejshëm, duke ulur kostot e emigrimit. Vendimi i David Cameron për t’u mohuar emigrantëve rumunë dhe bullgarë përfitimet sociale për tre muajt e tyre të parë duhet të ndihmojë medoemos që ta bëjë emigrimin paksa më tepër të kushtueshëm.  Veprimi parandalues, përpara se diasporat të krijohen, e bën ndryshimin më të frytshëm.
Por në afat të gjatë, e drejta për të emigruar brenda përbrenda Evropës për punë apo përfitime duhet të modifikohet. lëvizja e lirë e njerëzve brenda Evropës është një arritje e madhe, por ashtu si me lëvizjen e lirë të mallrave, ajo është e rrënjosur në parimin etik të reciprocitetit. Gjermania eksporton në Francë pa kufizime tregtare; Franca eksporton në Gjermani pa barriera tregtare, dhe kjo është reciprokisht e dobishme. Disa qindra mijëra qytetarë francezë jetojnë në Britani; disa qindra mijëra britanikë jetojnë në Francë: të dyja shoqëritë përfitojnë nga ky shtim i lirisë. Duke e ngritur lëvizjen e mallrave dhe njerëzve mbi parime, ne kemi shmangur burokracinë e ulët që do të lipsej për ta bërë reciprocitetin një kërkesë matematikore - mendoni ç’do të nënkuptonte lejoni që të hyjnë vetëm aq sa ata lejojnë që të hyjë.
Hyrja e vendeve të Evropës jug-lindore në BE nuk është thjesht një mundësi e zgjeruar për përfitim të ndërsjellë; ajo është një kontribut i rëndësishëm për të stabilizuar këto shoqëri dhe për t?u mundësuar atyre që të marrin veten. Por një eksod i forcës së tyre të punës në Britani është shumë larg nga reciprociteti praktik.
Kjo është një pasojë e pavëmendshsme e një objektivi tjetër - atij të stabilizimit të fqinjëve të Evropës Perëndimore. Dhe, përnjëmend, ky nuk është as nmjë eksod i punonjësve të rinj më të shkëlqyer dhe më energjik nga Rumani dhe Bullgaria, gjë e cila do të ndihmonte në konvergjencën e tyre. Është, pra në interes të Evropës si një e tërë që rregullat e lëvizjes të modifikohen për të oranuar çështjet që parashtron hyrja e vendeve që janë shumë më të varfëra.
Sugjerimi i z. Cameron se rregullat duhet të lidhen me konvergjencën e suksesshme të të ardhurave është një ide dyfish e mirë. Jo vetëm që ajo pajtohet me shtysën ekonomike themelore të emigrimit, por ajo ofron një objektiv të qartë me anë të të cilit qeveritë e vendeve që hyjnë në BE mund të gjykohen nga vetë qytetarët e tyre.
Javën e kaluar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, misioni themelor i së cilës është të ndihmojë vendet që hyjnë në BE të konvergojnë, raportoi se reforma e politikës ekonomike ka hyrë në një ngërç. Ekonomisti i parë i BERZH-it, Erik Berglof, lëshoi një thirrje për një përpjekje të ripërtëritur reformuese e cila do të riniste konvergjencën.
Ato qeveri evropiane që kanë në duar ekonomitë të cilat nuk ofrojnë shpresë të besueshme për konvergjëncë  po zhgënjejnë popujt e tyre, dhe vendet e tjera evropiane nuk duhet të vihen para përgjegjësisë për t?u shndërruar në një shtëpi të dytë. Britania nuk ka për të qenë e vetme në kërkesën që rregullat të rishikohen. Të gjitha vendet e Evropës veriore janë të përfshira: për shembull, më herët gjatë këtij muaji unë mora një ftesë nga Ministria holandeze e drejtësisë për të ligjëruar në një seminar.
Ajo që po përvijohet turbullt në horizont është aderimi i mundshëm i Turqisë, një vend i varfër ky me një popullatë më të madhe se sa çdo vend në BE. ne nuk kemi asnjë mënyrë për të parashikuar se sa turq do të zgjedhin të emigrojnë drejt Britanisë, po aq sa nuk mund të parashikojmë se sa rumunë dhe bullgarë do të vijnë këtu. Sillni ndërmend se sa të gabuara qenë parashikimet për emigrimin e polakëve. Por qipriotët turq, të cilët për shkak të një anomalie historike kanë patur prej kohësh të drejtën e hyrjes, me siguri zgjedhin që të vijnë. Tani janë ka shumë më tepër qipriotë turq dhe pasardhës të tyre në Britani se sa ç’ka në Qipron Turke.
Megjithatë, ndërkohë që të gjitha vendet e Evropës veriore kanë të njëjtin hendek në të ardhura me vende si Rumania, Britania ka joshje të përshqueshme dhe kështu ka për qenë e udhës që të negociojë një trajtim të posaçëm. Gjuha është një barrierë për emigrimin, por kohët e fundit, anglishtja është bërë gjuha e folur e rinisë evropiane. Po qe se ju do të ishit një rumun i ri, ku do të zgjidhnit të shkonit, në Finlandë apo në Britani?
Ndërkohë që hendeku në GDP është zakonisht një autorizim i arsyeshëm për mundësitë ekonomike, ky nuk ka qenë rasti në recesionin e tejzgjatur evropian. Për shembull, spanjollët e rinj po shpërngulen në Meksikë, një vend shumë më i varfër, sepse ajo që ka më tepër rëndësi është puna. Me tregun tonë fleksibël të punës, Britani përshquhet në Evropë se ofron mundësi punësimi: emigrantët, pra, kanë për të marrë rrugën në atë drejtim.
Në fund, është dhe efekti Londër. Kandaja, si shoqëri emigrantësh që është, ka mësuar prej kohësh se si të manaxhojë këtë proces me ndjeshmëri. Vendi u kërkon përiodikisht emigrantëve që të nguliten në vende të ndryshme për të shmangur përqëndrimet në grumbuj. britania mund të ketë nevojë që të bëjë të njëtën gjë.
sa të shqetësuar duhet të jemi ne që një fluks nga Rumania dhe Bullgaria ka për të qenë dëmtuese për Britaninë? Nga provat që kemi parë, efektet ekonomike afatshkurtra ka gjasa të jenë të parëndësishme. vetë emigrantët përfitojnë duke u paguar më tepër në Britani nga ç’do të ishin paguar po të kishin qëndruar në vendlindje, dhe pikërisht ata duhet të marrin pjesën e luanit të përfitimeve të gjindshme ekonomike.
Ka për të patur letra nga drejtues të kompanive të cilët do të thonë sa produktivë kanë gjasa të jenë emigrantët. Por firmat britanike kanë fituar një lloj vartësie nga punësimi i emigrantëve të motivuar dhe jo nga zgjidhja e sfidës më të madhe, asaj për të shndërruar të rinjtë tanë në punonjës të frytshëm. Një ish Drejtor Ekzekutiv i General Motors e kishte zakon të pretendonte se ajo që është e mirë për General Motors është e mirë për SHBA-në. Por ndjesi të këtilla i shërbejnë vetëm Drejtorëve Ekzekutivë.
Sicc tregon një raport i kohëve të fundit  të OSBE-së, Britania ka bërë një punë të tmerrshme në aftësimin e rinisë së saj. Ndoshta vetëm duke i lënë firmat pa emigrantë ato do të shohin në sy përgjegjësitë e tyre sociale.

Paul Collier është Profesor i Ekonomisë dhe Politikave Publike në Shkollën Blavatnik të Qeverisjes në Universitetin Oxford.

Related

Lajme 4610958741587537059

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item