50 fakte të rralla nga jeta e Sokol Olldashit

Karriera në politikë, si u njoh me bashkëshorten, hobet në sport, muzika dhe pasioni për poezinë Sokol Olldashi ishte një ndër politikanët m...

Karriera në politikë, si u njoh me bashkëshorten, hobet në sport, muzika dhe pasioni për poezinë


Sokol Olldashi ishte një ndër politikanët më të spikatur jo vetëm të Partisë Demokratike, por i gjithë klasës politike. Ai u përfshi me lëvizjen e dhjetorit në vitin ’90, ku që në atë kohë ai u bë anëtar i Partisë Demokratike si dhe anëtar i mbledhjes themeluese të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. I ardhur nga gazetaria, Olldashi hyri që herët në politikë, përmes strukturave të PD, për të qenë një ndër zërat më të fuqishëm në këtë parti, një polemist shumë i zoti dhe një zë ndryshe dhe në Partinë Demokratike në të cilën ai u rrit si politikan. Nga Maji i vitit 2002 deri më Shtator të 2007-ës, Olldashi mbajti postin e Kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në vijim, nga muaji maj 2005-Maj 2009 ai ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës si dhe anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002. Gjithashtu nga qershori i vitit 2001, Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një herë përfaqësues i qarkut të Durrësit dhe në dy legjislaturat e fundit përfaqësues i qarkut të Fierit. Gjatë karrierës së tij politike, Olldashi ka mbajtur postin e Ministrit të Brendshëm, gjatë drejtimit të së cilës ai shënoi suksese të rëndësishme në luftën kundër bandave më të rrezikshme kriminale. Ai ka mbajtur gjithashtu postin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, duke shndërruar infrastrukturën rrugore së Shqipërisë në një infrastrukturë me standarde europiane. Ai do të mbahet mend si i pari zyrtar i lartë i PD që dhe në zhvillimin më të fundit politik në Shqipëri la vulën e tij, teksa bëri thirrje për protesta masive kundër armëve kimike siriane që të mos vinin në Shqipëri. Gazeta “Tirana Observer” boton sot në një raport special 50 fakte nga jeta e Sokol Olldashit.


Sokol Olldashi duke ndjekur punimet e autostrades Tirane-Elbasan, rruge qe i mori dhe jeten

1. Sokol Olldashi lindi më 17 dhjetor 1972 në qytetin e Durrësit.
2. Ai vdiq më 20 nëntor 2013 në një automobilistik në Krrabë. Jeta e tij u shua në moshën 41-vjeçare.
3. Sokol Olldashi ishte i martuar me Enkeleda Olldashin dhe kishte dy fëmijë.
4. Ai ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, gjithashtu edhe një nga figurat më të nderuara të Partisë Demokratike.
5. Shkollimin e mesëm e kreu në vendlindje, Durrës, ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995 dhe në vitin 2004 Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave.
6. Ai ishte njohës i gjuhës angleze dhe italiane.
7. Që nga koha e studimeve fillon të punojë si gazetar në Albania, Rilindja Demokratike, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe bëhet kryeredaktor i televizionit ATN
8. Më pas Olldashi zgjidhet në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dhe në vitin 2001, zgjidhet deputet në Parlament.
9. Në vitin 2005 i ngarkohet detyra e Ministrit të Rendit, të cilën e dorëzoi për t’u kandiduar në postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë më 2007.
10. Pas humbjes për kreun e Bashkisë së Tiranës, nga viti 2007, mbajti postin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Shqipërisë.
11. Në korrik të 2013, pas humbjes së zgjedhjeve elektorale nga Partia Demokratike, dhe dorëheqjes të Sali Berishës nga posti i kryetarit të partisë, ai kandidon për kryetar partie, përballë Lulzim Bashës.
12. Këto zgjedhje ishin mjaft të debatuara për mos korrektesë, dhe Olldashi nuk fiton. Për këtë ai lëshon një numër kritikash të ashpra në drejtim të lidershipit të Partisë Demokratrike.
13. Sokol Olldashi ishte nga personalitete që hyri në politikë nga dera e gazetarisë. Ai u shqua menjëherë si një nga politikanët më të mençur, më energjikë dhe me batutën brilante për çdo rast.
14. Për gazetarët, Sokoli ishte politikani i preferuar, një thesar me informacione dhe mjeshtër i përdorimit të tyre. Për gazetarët e brezit të tij ishte një mik me të cilin mund të konsultoheshin dhe me të cilët ai konsultohej për çdo veprim, ndante argument të rëndësishëm apo edhe biseda të zakonshme e rutinën e përditshme.
15. Për të rinjtë demokratë, të cilët i drejtoi në kohë të vështirë opozitare, Sokol Olldashi ishte modeli i kurajos dhe i qytetarisë, dy cilësi që e drejtuan Sokol Olldashin të pranonte me qetësi dhe dinjitet humbjen përballë Edi Ramës në vitin 2007.
16. Atëherë nuk kishte kaluar shumë kohë kur po me këtë qetësinë e tij emblematike, Sokol Olldashi kishte fituar një nga zonat me delikate zgjedhore, në Shijak dhe me po kaq qetësi, për gati dy vjet, si Ministër i Brendshëm drejtoi luftën kundër krimit të organizuar.
17. Në 6 vitet e fundit në detyrën e Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi ka prekur vetë çdo kilometër të çdo rrugë të re të ndërtuar në vend.
18. Në më pak se një dekadë, Sokol Olldashi mori mbi vete përgjegjësi të mëdha për të përmbushur me një vrull dhe pasion të pazakontë për shumë bashkëmoshatarë të tij, me një ide të qartë për çfarë ishte dhe ku do të shkonte.
19. Si ministër i Transporteve, ai ka dhënë kontributin e tij në ndërtimin e autostradës Tiranë- Elbasan, aty ku edhe u nda nga jeta. Për këtë është krijuar një grup në Facebook, i cili kërkon që të mblidhen 1 milion shqiptarë për të propozuar që rruga Tiranë- Elbasan të marrë emrin “Sokol Olldashi”.
Karriera politike
20. Ai u përfshi me lëvizjen e dhjetorit në vitin ’90, ku që në atë kohë ai u bë anëtar i Partisë Demokratike si dhe anëtar i mbledhjes themeluese të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
21. Nga Maji i vitit 2002 deri më Shtator të 2007-ës, Olldashi mbajti postin e Kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në vijim, nga muaji maj 2005-Maj 2009 ai ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës si dhe anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002.
22. Gjithashtu nga qershori i vitit 2001, Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një herë përfaqësues i qarkut të Durrësit dhe në dy legjislaturat e fundit përfaqësues i qarkut të Fierit.
23. Gjatë karrierës së tij politike, Olldashi, kur ishte ministër Brendshëm, shënoi suksese të rëndësishme në luftën kundër bandave më të rrezikshme kriminale.
Sfidat politike
24. Sokol Olldashi do të mbahet mend gjatë për sfidën që i bëri njërit prej deputetëve më të fuqishëm në Kuvendin e Shqipërisë Agron Duka, mbi të cilin fitoi në vitin 2005, por dhe për përballjen me kryeministrin aktual Edi Rama në zgjedhjet vendore të vitit 2007 për bashkinë e Tiranës, duke humbur garën me të.
25. Teksa përballoi fushatën me shumë dinjitet, pavarësisht se humbi në mënyrë jo të drejtë, Sokol Olldashi mbetet një ndër zërat më të fuqishëm ndryshe në PD, kritik i fortë brenda partisë në funksion të ringritjes së PD, debatues i fortë në Kuvend dhe në media, si dhe një mik i jashtëzakonshëm i gazetarëve, kolegu i të cilëve kishte qenë deri para pak vitesh.
26. Ndërsa do të mbahet mend si i pari zyrtar i lartë i PD që dhe në zhvillimin më të fundit politik në Shqipëri la vulën e tij, teksa bëri thirrje për protesta masive kundër armëve kimike siriane që të mos vinin në Shqipëri.
Poezitë
27. Sokol Olldashi ishte i aposinuar edhe pas letërsisë, dhe veçanërisht poezisë. Ai ka shkruar një numër të madh poezisë. “Do të ndez më pas një qiri/ Një cigare me qiririn të ndez/ E paketën në plis do ta fsheh/ Që ta pi pasi të vdes”. I njohur për dashurinë e tij për duhanin, që nuk e ndante nga dora. Sokol Olldashi ka shkruar me mjeshtëri një poezi për vdekjen. Që sigurisht do ta takonte një ditë, por jo aq shpejt, jo mbrëmjen e 20 nëntorit 2013.
Sekreti i nënës së Olldashit
28. Nëna e Sokol Olldashit në një rrëfim të jashtëzakonshëm vite më parë ka treguar jetën e saj në ish-Bllok, deri tek internimi i familjes në Selenicë, por edhe një sekret të Sokolit. ‘Kur udhëtoja me fëmijët për në Selenicë, ku na kishin internuar, im bir Sokoli ishte betuar me vete: “Një ditë do të vij ndryshe nëpër këtë rrugë”. Dhe ashtu ndodhi. Sot Sokoli është “Qytetar nderi i Selenicës”.
Njohja me Enkeledën dhe familja
29. Megjithëse u njohën në bankat e Fakultetit të Drejtësisë, dashuria mes Sokolit dhe Enkeledës lindi pas përfundimit të studimeve, ku të dy kishin zgjedhur profesionet e tyre. Ai megjithëse kishte mbaruar studimet për Drejtësi kishte zgjedhur të bëhej gazetar, kurse ajo pedagoge në fakultetin ku vetë kishte qenë studente.
30. “Shoqëria e punës atëherë ishte ndryshe nga ajo e fakultetit, ku marrëdhëniet ishin më të sinqerta. Prandaj, ka qenë kjo njëra nga arsyet që unë fillova të shoqërohesha më shumë me Kolin pas mbarimit të shkollës”, ka deklaruar përpara disa vitesh në një intervistë për “Tirana Observer”, Enkeleda Olldashi.
31. Më pas lidhja e tyre u konsolidua dhe pas dy vitesh ata u martuan. “Emrat të dy fëmijëve Enkelejda ia ka lënë t’ua vendosi bashkëshorti, Sokoli, i cili u ka vënë emra që mbanin fiset ilire. “Sokoli është shumë patriot. E më vjen pak keq ta them, por të dy i ngjajnë atij e jo mua”, ka thënë Enkelejda Olldashi.
32. Megjithëse ai pati qenë nga drejtuesit e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht edhe ministër i disa prej dikastereve më të rëndësishme, sipas bashkëshortes së tij, Sokoli asnjëherë nuk fliste në shtëpi për punët e tij, por kohën që mbetet ia kushtonte totalisht familjes.
Ana tjetër e Olldashit
33. Në një intervistë dhënë para disa kohësh për revistën “One”, Olldashi ka rrëfyer edhe anën tjetër të tij. “Supozimeve” se, Sokoli nuk para qesh, ai është i përgjigjur kështu në këtë intervistë: “Është perceptim i gabuar. Kushdo që më njeh sadopak, e di që unë vetëm “i sertë” nuk jam. Aq më pak përpiqem të tregohem autoritar me njerëzit. Nuk besoj se autoriteti buron nga të qenit harbut. Unë natyrisht që qesh, por kur ka diçka për të qeshur. Nuk qesh dot kot, dhe as nuk shtirem dot sikur qesh. Nëse ky është faj…”
34. Ana e tij më pak e panjohur kanë qenë vitet e tij të fundit, 2004-2007. Udhëtime të gjata me familjen, pa plane dhe prenotime. “Ndalojmë aty ku lodhemi, hamë aty ku na merr uria, dhe flemë aty ku na zë nata”, një metodë tepër interesante për t’ju larguar asaj rutine të përditshme, që nuk lë gjë për ti shijuar”, ka pas deklaruar ai.
35. Sipas Sokolit gazetar, “i paanshëm nuk kishte qenë kurrë, ndërsa i pavarur po”. U luhat kështu një copë herë, midis artikujve dhe ndjenjave, ndërsa ngeli përfundimisht në politikë, dhe si dihet deri kur…
36. Në këtë intervistë Olldashi ka treguar se atij i pëlqenin emrat shqiptarë, dhe të tillë ua ka vënë edhe dy djemve të tij. I madhi quhet Glauk dhe i dyti Kleit, të dy emra me prejardhje ilire.
37. I pyetur nëse është një person që nuk kënaqet kurrë dhe kërkon “vetëm perfekten”, Olldashi i është përgjigjur në këtë mënyrë: Unë nuk kërkoj perfeksion dhe as mendoj se jam i tillë. Jam njeri si të tjerët, me cilësitë e mia, por edhe me veset e mia. Besoj tek e mundshmja dhe kjo më bën njeri optimist.
38. Olldashi ka treguar se është tifoz i thekur i futbolli pas Juventusit dhe Italisë. Ai ka theksuar se ndeshjet e Juves i shikonte gjithnjë vetëm.
39. Në lidhje me futbollin ai ka deklaruar se shkonte edhe ndonjëherë në stadium për të parë Tiranën kur president i këtij ekipi ishte Bamir Topi dhe gjithashtu edhe për të parë ndeshjet e kombëtares shqiptare.
40. Olldashi ishte shumë i lidhur me muzikën. I pëlqente muzika barok, rok, bluz, muzika italiane dhe pjesë të veçanta të folkut shqiptar. Çelentano dhe Led Zepelin ishin këngëtarë më të preferuar. Si aktor pëlqente Robert de Niron.
41. I pyetur nëse ka urrejtje dhe pëlqime në jetë, ai i është përgjigjur kështu: Nuk ka asgjë që urrej, kurse lista e gjërave që më pëlqejnë është aq e madhe sa do të më duheshin ditë t’i shkruaja. Për shembull, më pëlqejnë jashtëzakonisht udhëtimet me makinë. Tri vitet e fundit (2004-2007) pushimet e mia janë një udhëtim i gjatë me familjen, pa asnjë plan dhe pa asnjë prenotim. Ndalojmë aty ku lodhemi, hamë aty ku na merr uria dhe flemë aty ku na zë nata. Është metodë shumë e mirë për të parë ato pjesë që rutina e përditshme nuk të lë t’i shijosh. Urrej avionët dhe të gjendurit në lartësi.
42. Olldashi ka deklaruar në një intervistë të tijën se për hërë të parë ka punuar ka qenë sektori i hidro-meteoroligjisë, që merrej me matjen e thellësive detare. “Kam punuar sezonal, tre muaj në pushimet e verës pas përfundimit të vitit të tretë gjimnaz”, ka pas deklaruar ai për punën e tij të parë.
Aksidenti
43. Shpejtësia e automjetit
Në momentin e aksidentit, drejtuesi i mjetit po udhëtonte me shpejtësi 45 km/h. Ndërkohë që sipas ekspertizës, në kushte atmosferike të rënduara, siç ka qenë në momentin e aksidentit dhe në një kthesë të fortë, siç është konstatuar nga këqyrja e vendit të ngjarjes, automjeti duhet të lëvizte me shpejtësi më pak se 20 km/h
44. Sinjalistika rrugore
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është konstatuar se ekziston sinjalistika vertikale, e cila tregon drejtimin e kthesës në të majtë. Megjithatë, sipas ekspertëve, mungon sinjalistika horizontale.
45. Rripi i sigurimit
Gjatë ekspertizës, ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka pasur të vendosur rripin e sigurimit.
46. Mungesa e barrierave mbrojtëse në rrugë
Raporti i ekspertëve autoteknikë ka nxjerrë edhe një përfundim tjetër, mbi gjendjen e pareteve anësorë të rrugës. “Nga enti pronar i rrugës nuk janë vendosur barrierat e sigurisë në pikat kritike, të cilat rrisin sigurinë e përdoruesve të rrugës në qarkullim”.
47. Që prej ditës së aksidentet, Sokol Olldashi nuk mungon nëpër kronikat televizive dhe në faqet e shtypit të shkruar. Disa merren ende me shkaqet e aksidente, ndërsa në shumë raste të tjera flasin miqtë e tij për jetën e tij dhe projektet politike.
48. Sokol Olldashi ndërtoi me kujdes gjithçka në jetën e tij. Makina ishte e vetmja pakujdesi që Sokoli i lejoi vetes… deri në fund.
49. Homazhet për Sokol Olldashin mblodhën të majtë dhe të djathtë dhe me qindra qytetarët morën pjesë në varrimin e tij. Ky fakt i thjeshtë tregon më së miri rëndësinë që kishte Olldashi në skenën politike, por edhe faktin që ai ishte mjaft popullor dhe i respektuar nga qytetarët.
50. Me vdekjen e Olldashit, PD humbi një personalitet dhe një deputet të afirmuar, një zë ndryshe brenda saj, politika humbi një politikan të jashtëzakonshëm, familja njeriun e dashur, deputetët kolegun e tyre, të afërmit mikun e mirë dhe të kudogjendur.

Related

Lajme 1469136314035384920

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item