Botimi in memoriem Mihal Ciko, rrëfimi i panjohur: Viti ‘42, si shpëtoi Aleksandër Moisiu nga holokausti

Dje, në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit u promovua libri kushtuar baritonit të parë shqiptar, mjeshtrit Mihal Ciko. Drejtori i TOB,...

Dje, në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit u promovua libri kushtuar baritonit të parë shqiptar, mjeshtrit Mihal Ciko. Drejtori i TOB, Ilir Kerni: Ky mjeshtër më nxit të vë një qëllim: të ndërtoj një muze për artistët kontribuues në histori

Kavalieri Ciko, zëri i parë


“Shiko, unë kam lojtur në shumë skena të botës, kam falënderuar spektatorët për pritjet që ndoshta nuk i kam merituar, për duartrokitjet e tyre. Kam pasur shumë gëzime, por të gjitha këto jo në vendin tim. Kam një keqardhje të madhe për këtë që s’ndjeva ndonjëherë duartrokitjet në teatrin shqiptar, ngrohtësinë dhe kënaqësinë e veçantë që do të më jepnin njerëzit e vendit tim. Dhe këtë që s’e pata unë, uroj që ta keni ju, kolegët e mi”. Me këto fjalë i drejtohej aktori Aleksandër Moisiu në një bashkëbisedim, të riut bariton Mihal Ciko, në vitin 1943. Ngjyrat e një kujtimi janë shpesh si fjalë biblike që përsëriten e përsëriten derisa njeriu shkon bashkë me to. Si duket, artistit Mihal Ciko kjo i pati ndodhur, pasi edhe sot përmenden këto fjalë që shpesh i pati përsëritur nga takimi që ai kishte me aktorin Aleksandër Moisiu, rendur pas brengës jashtë atdheut, ndërsa këngëtari kthehej në Shqipëri.
Këtë bisedë dhe njohjen ja si e ka kujtuar Ciko: “Pas Luftës së Parë Botërore, ndodhesha në Bukuresht, në koloninë shqiptare të atjeshme. Aty takova për herë të parë Moisiun tonë. Ardhja e tij në këtë qytet ngjau në rrethana disi jo të zakonshme. Vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore e gjetën atë pranë kufirit gjermano-francez. Kishte rënë rob. Përpiqej t’u provonte francezëve se s’ishte gjerman, se ishte shqiptar dhe si të tillë s’kishin pse e mbanin. Por si duket s’mundi. Gjeti më në fund një rrugë tjetër. Lajmëron Viktor Eftemiun, poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e madh më origjinë shqiptare, që ishte atëherë edhe kryetar i Shoqërisë së Intelektualëve Shqiptarë në Mërgim në Bukuresht. Ky i fundit ndërhyri pranë autoriteteve. Kolonia shqiptare dërgoi dokumentet që provonin kombësinë shqiptare të Moisiut. Kështu, Aleksandri lirohet dhe për mirënjohje, vjen në Bukuresht, ku jep një seri shfaqesh për nder të kolonisë shqiptare.
Aty ne e rrethuam jo vetëm me respektin dhe simpatinë si një njeri të madh të skenës botërore, por më tepër si bashkatdhetar tonin. Kjo e kënaqte atë edhe më shumë. Sa i gëzuar ndjehej ai ndërmjet nesh. Paraqitej kudo si shqiptar dhe kjo pati një efekt të madh politik se atëherë grekërit, në mitingjet e tyre shoviniste, duke pretenduar që Korça e Gjirokastra janë të tyret, thoshin se shqiptarët s’kanë kulturë e njerëz të shquar. Gazetat Rumune atëherë shkruan shumë për Moisiun dhe emri i tij u bë sinonim i shqiptarit, i Shqipërisë”, kjo është kronika e vitit 1965 që Mihal Ciko na ka lënë si gjurmë për një histori të gjatë, që flitet dhe sot jo vetëm për aktorin e madh Aleksandër Moisiun por edhe plejadën e mërgimtarëve që mbajtën kulturën shqiptare në kryeqytetin rumun.
Tërhoqëm këtë pasazh si vëmendje për një “zë nga fillesa”, libër që dje u promovua në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit, mbi jetën dhe artistin Mihal Ciko, shkruar nga Thimi Çollaku. Një botim që përmbledh si historinë zyrtare ashtu dhe pjesë të një jete kalvar që pati baritoni Ciko duke jetuar në epoka kruciale për historinë shqiptare. Titulli i librit dedikim, “Një zë nga fillesa” përmbledh thelbin e gjithë ç’ishte e për çfarë kujtohet Mihal Ciko.
Ndër fjalët në takim, ishte dhe ajo e Ilir Kernit, cili duke pasur parasysh këtë rast kujtimi tha se do të qëllim të menjëhershëm hapjen e një Muzeu me suvenire, sende, e dokumente të personaliteteve të operas dhe baletit, si model historie. Mes të tjerëve, kompozitorja dhe pedagogia e muzikës, Erjona Rushiti do të mbante më gjatë fjalën e saj duke renditur kontributet e mjeshtrit Ciko në historinë e klasikes në Shqipëri, si fillesë e nxitës i parë në këtë gjini. Rushiti, referuar edhe librit, ka kaluar në pak minuta gjithë kronologjinë e jetës artistike të Mihal Cikos, të gjitha në një emërues: Kavalieri Ciko, një zë i parë për të gjitha. Në vitin 1920 kthehet në Shqipëri, në moshën 18 vjeç, nga Bukureshti ku lindi, pasi prindërit ishin emigruar.
Me këtë vullnet të rikthimit, Ciko mbahet mend se ngjiti për herë të parë gruan shqiptare në skenë, duke u parë sot si nxitës i emancipimit të saj; për herë të parë u panë buqeta me lule për artistin, nxitur prej Cikos, si organizator; për herë të parë u vunë në skenë klasikët, duke u mbajtur mend artisti që blinte muzikë deri në Francë për t’u realizuar në skenën shqiptare; insistoi për ngritjen e sallave teatrore; nxitës për të dërguar të rinjtë jashtë për të studiuar; krijoi korin e parë, ishte po firma e Cikos; në vitin 1943 dhe pse në kushte lufte, krijoi kuartet e para…
Në vitin 1953 interpreton në operan “Rusallka” të Dargonirzhskit, në rolin e rëndësishëm të mullistit, te “Nusja e shitur” e Smetanës (1956) vjen në rolin e Krushinës, babait të Marzhenkës, një rol i dorës së dytë, por veçuar për interpretimin e Cikos. Në “Kavaleria Rustikana” të Maskanjit (1958) Mihal Ciko ka rolin e Alfios, vlerësuar si portret interesant. Për rolin e doktor Malatestës nga opera “Don Paskuale” u tha për mjeshtrin Ciko: interpretuar me vërtetësi dhe korrektesë vokale e skenike. Libri zë gati 400 faqe ku përshkruhet dhe rrëfehet një jetë artisti, si rast për të kuptuar nga brenda qenies së si transformimi dhe epokat nuk vijnë rastësisht, pa paraardhës!/standard

Related

Letërsi 1860156960627277565

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item