Erdogan pranon: Disa prej regjistrimeve telefonike janë autentike

Regjistrime telefonatash të kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan, flasin për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Por, kryeministri shpreh...


Regjistrime telefonatash të kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan, flasin për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Por, kryeministri shprehet optimist për fitoren në zgjedhjet komunale që mbahen së shpejti.

Ai, nën trysni për shkak të akuzave për korrupsion, ka konfirmuar autenticitetin e dy telefonatave, të cilat janë regjistruar nga njerëz të panjohur dhe që sipas vlerësimit të kritikëve dëshmojnë ndikimin e paligjshëm të Erdoganit në një proces gjyqësor dhe në tenderë publikë.
Erdogan ka pranuar autenticitetin e një telefonate në të cilën flet me ish ministrin e Drejtësisë, Sadullah Ergin, për një proces kundër sipërmarrësit të mediave - kritik ndaj regjimit - Aydin Dogan. Në bisedë Erdogan shpreh zemërim për shpalljen të pafajshëm të Doganit. Ergin e qetëson duke iu referuar instancave më të larta për vazhdimin e procesit gjyqësor.
Kryeministri turk deklaroi se është "krejt normale" t'i kërkojë një ministri drejtësie të ketë në vëmendje një proces të caktuar gjyqësor.
Dogan shihej me zemërim nga pushteti pasi grupi i tij mediatik pati informuar për një skandal me dhurimet në qarqet e partisë islamiko-konservatore në pushtet - AKP. Menjëherë më pas grupi mediatik u dënua me një gjobë miliardëshe për shkak të shkeljeve të supozuara fiskale.
Në një regjistrim të dytë flitet për tenderin për ndërrimin e një anijeje lufte. Tenderi fillimisht ishte fituar nga koncerni industrial Koc, por qëndrimi i tij gjatë trazirave të parkut Gezi në Stamboll pati ngjallur zemërimin e Erdoganit. Në telefonatë kryeministri i thotë sipërmarrësit Metin Kalkavan, që megjithë mbarimin e afatit të paraqesë një ofertë konkurrente. Vendimi për Koc më vonë u anulua.
Për Erdoganin skandali i vërtetë është përgjimi. Për aksionet e përgjimit dhe hetimet për korrupsion kundër qarqeve qeveritare kryeministri dhe njerëzit e tij bëjnë përgjegjës lëvizjen e predikuesit Fetullah Gulen, i cili jeton në SHBA, si dhe njerëzit e tij në strukturat e policisë dhe drejtësisë. Erdogan e akuzon ish aleatin e tij politik se kërkon ta rrëzojë nga pushteti, pasi ka marrë disa masa kundër shkollave private të kësaj lëvizjeje.
Pas bërjes publike të akuzave për korrupsion, Erdogan urdhëroi transferimin e mijëra policëve, gjykatësve dhe prokurorëve. Në të njëjtën kohë ai arriti të kalonte në Parlament një ligj të ri për drejtësinë, i cili forcon rolin e Ministrisë së Drejtësisë në përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve.
Megjithë bërjen publike të bisedave telefonike kompromentuese dhe dyshimeve për korrupsion, Erdogan shprehet optimist për fitoren në zgjedhjet komunale që mbahen pas tri javësh. Nëse partia e tij AKP nuk del sërish forca kryesore politike në zgjedhjet e 30 marsit, ai do të dalë nga politika aktive, citon agjencia e lajmeve Anadolu kryeministrin turk. /DW/Telegrafi/

Related

Botë 4856713235108647364

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item