Teknologjia dhe televizioni po shkatërrojnë fëmijërinë e brezit të ri

Tashmë fëmijët rriten në një ambient virtual duke marrë për bazë edukative të gjitha informacionet e pakontrolluara që i ofron teknologjia ...



Tashmë fëmijët rriten në një ambient virtual duke marrë për bazë edukative të gjitha informacionet e pakontrolluara që i ofron teknologjia e zhvilluar e ditëve të sotme


Mënyra jonë e jetës, por edhe ambienti jonë ka ndryshuar shumë në dhjetëvjeçarin e fundit. Kështu është shtuar trafiku rrugor dhe dendësia e ndërtimit, gjë që ka bërë, që fëmijët të mos munden të luajnë në rrugë apo në vende të tjera, përveç vendeve posaçërisht të parashikuara për lojë. Hapësira ku fëmijët mund të luajnë, shpalosin imagjinatën apo aktivitetin fizik dhe mundësitë e tyre për ta njohur ambientin në mënyrë aktive dhe ta "zotërojnë" atë janë jashtëzakonisht të kufizuara.
Fëmijët janë të aftë për të përpunuar vetëm një sasi të kufizuar informacioni dhe si rrjedhojë, pjesa tjetër thithet nga truri i tyre ashtu siç është duke u marrë si bazë në jetën e përditshme. Televizori me ndërrimin e shpejtë të pamjeve shkakton një vërshim ngacmimesh, të cilat janë shumë të dëmshme për fëmijët e vegjël. Rezultati është që fëmijët reagojnë për këtë me shqetësim.
Tashmë është e ditur nga të gjithë që teknologjia është duke shkatërruar fëmijërinë e brezit më të ri. Fëmijët janë të përqendruar vetëm përpara kompjuterit apo televizorit duke mos patur interes as në librat shkollorë apo jashtëshkollorë dhe as në lojërat zbavitëse në natyrë me bashkëmoshatarët e tyre. Tashmë fëmijët rriten në një ambient virtual duke marrë për bazë edukative të gjitha informacionet e pakontrolluara që i ofron teknologjia e zhvilluar e ditëve të sotme. Aktiviteti fizik është pothuajse i vdekur, ai mendor po ashtu! Kjo sigurisht është një perspektivë tragjike, por fatkeqësisht e vërtetë. Çështja nuk është lokale, por ndërkombëtare. Në çdo vend haset i njëjti problem: kush po i rrit fëmijët e sotëm? Sa ndikim kanë prindërit në këtë prirje ndaj teknologjisë dhe a mund të bëjnë ata diçka për ta ndryshuar? Mos ndoshta kemi hyrë në një epokë ku ana negative dhe tragjike e teknologjisë është e pashmangshme? Mos ndoshta fëmijët nuk janë më në dorën e prindërve? Studimet dhe sondazhet e fundit të kryera pikërisht për këtë çështje shqetësuese tregojnë qartë se një në pesë fëmijë që ndjek kopshtin parashkollor është i trashë! Ky nuk është një përfundim pesimist dhe i ekzagjeruar. Mësuesit e sportit dhe mjekët e fëmijëve vërejnë përveç kësaj, që lëvizjet e shumë fëmijëve janë të pamjaftueshme dhe se shumë të rinj kanë një qëndrim të keq të trupit, që mund të çojë deri te dëmtimi i shtyllës kurrizore. Dhe i kujt mund të jetë faji? Të gjithë e imagjinojnë përgjigjen!
Mënyra jonë e jetës, por edhe ambienti jonë ka ndryshuar shumë në dhjetëvjeçarin e fundit. Kështu është shtuar trafiku rrugor dhe dendësia e ndërtimit, gjë që ka bërë, që fëmijët të mos munden të luajnë në rrugë apo në vende të tjera, përveç vendeve posaçërisht të parashikuara për lojë. Hapësira ku fëmijët mund të luajnë, shpalosin imagjinatën apo aktivitetin fizik dhe mundësitë e tyre për ta njohur ambientin në mënyrë aktive dhe ta "zotërojnë" atë janë jashtëzakonisht të kufizuara. Në këtë mënyrë, nevoja për lëvizje natyrore është e penguar për të mos thënë e pamundur. Gradualisht industria e krijimit të video lojërave është kthyer në një biznes tejmase fitimprurës duke bërë që prodhimi i këtyre të fundit të rritet çdo ditë e më shumë, i cili nëpërmjet reklamimit mediatik po bëhet edhe më i fortë. Sot qëndron në dispozicion një ofertë e gjerë e mediave. Mediat zënë një vend mjaft të rëndësishëm dhe të gjerë në përditshmërinë e natyrshme të fëmijëve. Këtu bënë pjesë televizori, radio, CD-Player, videolojërat dhe videofilmat, DVD, revistat, Handys dhe kompjuteri, i cili qëndron në krye të listës falë mikut të tij besnik, internetit. Konsumi mediatik do të thotë kufizim për aktivitetin trupor. Për këtë arsye, fëmijët dhe të rinjtë duhet të mësojnë aktivisht si të sillen me këto media. Faktikisht me sjellje nuk nënkuptohet që të dinë të shërbhen me këto media dhe t'i shfrytëzojnë ato si burime informacioni e zhvillimi, por para së gjithash, të mësojnë masën e duhur të shfrytëzimit të tyre dhe kufirin e hollë që ekziston tashmë midis përdorimit, qoftë për arsye argëtimi apo informimi dhe obsesioni, i cili të kthen në një person të varur ndaj tij.
E pranishme duhet të jetë loja, lëvizja, ecja, biseda, pse jo dhe zënka dhe takimet me shoqëri, aktivitete këto që ndihmojnë në strukturimin fizik dhe psikologjik të fëmijëve dhe të rinjve. Nëse fëmijëve iu afrohet mundësia të qëndrojnë e të luajnë në oborr, në hyrje të shtëpisë, në rrugë apo park lojërash, mund të harrojnë në këtë mënyrë ato emisione e filma aq të "rëndësishëm" në televizor. Në fakt, prindërit në këtë rast kanë diçka në dorë. E rëndësishme është që fëmijëve t'u krijohet mundësia që të takohen me shokë apo të ftojnë fëmijë të tjerë që të vijnë të luajnë me ta në shtëpi. Fëmijët kanë mjaft fantazi dhe zotërojnë vetinë e jashtëzakonshme që të krijojnë lojëra nga hiçi për të zbavitur njëri-tjetrin dhe nuk kanë gjithnjë nevojë për një përkujdesje të vazhdueshme. Fëmijët që shikojnë shumë televizor shpesh nuk kanë asnjë veprimtari tjetër. Televizori për ta kthehet në një "shok" virtual dhe i vetmi argëtim në monotoninë e ditës së tyre. Nga ana tjetër, prindërit e shikojnë atë si shpëtimtar që në shumicën e rasteve kthehet në dadon e fëmijëve. I vendosin përpara kësaj "kutie magjike", e cila i mban të lidhur pas saj.
Rreziku, që këta fëmijë të shëndoshen dhe të shushaten është shumë i madh, sepse lëvizin shumë pak dhe mjerisht një pjesë e tyre hanë edhe sheqerka e patatina përpara televizorit. Në të njëjtën mënyrë vjen rreziku, që fëmijët pa zgjedhur dhe pa kontrolluar të shikojnë çdo gjë që transmetohet. Të gjithë e dimë se disa Talkshows, që transmetohen në mëngjes ose në orët e para të mbrëmjes nuk janë në asnjë mënyrë të përshtatshëm për fëmijë. Skenat e dhunës që paraqiten nëpër filma, mund të shkaktojnë tek fëmijët frikë dhe agresivitet. Megjithatë këto programe e filma nuk janë kërcënimi i vetëm për ta. Ka shumë filma për fëmijë dhe të rritur që nuk janë aspak edukativ, madje mund të jenë të dhunshëm ashtu si filmat për të rritur. Atëherë çfarë mund të bëhet për këtë çështje kaq delikate? Sigurisht që në këtë rast përgjegjësia i bie prindërve pasi edhe programet për fëmijë duhen kontrolluar dhe duhen lejuar për një orar të caktuar.
Programet televizive dhe fëmijët
Fëmijët janë të aftë për të përpunuar vetëm një sasi të kufizuar informacioni dhe si rrjedhojë, pjesa tjetër thithet nga truri i tyre ashtu siç është duke u marrë si bazë në jetën e përditshme. Televizori me ndërrimin e shpejtë të pamjeve shkakton një vërshim ngacmimesh, të cilat janë shumë të dëmshme për fëmijët e vegjël. Rezultati është që fëmijët reagojnë për këtë me shqetësim. Fëmijët e vegjël nuk munden gjithashtu ta bëjnë dallimin në mes të vërtetës dhe trillimit. Dhuna në televizor i tremb dhe i frikon ata. Aftësia për të përpunuar informacionin, për të bërë ndryshimin nga realiteti tek filmi apo për të perceptuar situatat e ndërlikuara fillon të zhvillohet diku rreth moshës 9-vjeçare. Ndërsa, fëmijët nën këtë moshë mund të sugjestionohen, madje edhe nga mesazhet publicitare duke mos ditur se si të dallojnë përbërjen e të vërtetës që shfaqet nëpër këto lloj mesazhesh.
Fatkeqësisht, këtu qëndron edhe problemi më i madh. Trasmetuesit dhe kanalet televizive financohen nga blloqet publicitare, kështu që ndërprerja e filmave për fëmijë është e paevitueshme, pavarësisht dëmit psikologjik që mund të shkaktojë tek fëmijët.
Të rinjtë janë blerësit më të mëdhenj të informacioneve që janë të dedikuara posaçërisht për një publik të caktuar. Në ditët e sotme është e pamundur shmangia e publicitetit, kështu që e vetmja zgjidhje është që prindërit të diskutojnë me fëmijët mbi kuptimin dhe qëllimin e këtyre mesazheve publicitare në mënyrë që ata të zhdërvjelltësohen dhe të bëhen më të aftë për të përpunuar informacionet e shumta.
Marrëdhëniet me televizorin
- Televizori nuk duhet të zëvendësojë kurrsesi nevojën e fëmijës për sport dhe lëvizje.
- Lëvizja dhe loja në natyrë janë baza e zhvillimit të shëndetshëm.
- Fëmijët (por edhe të rriturit) nuk duhet të hanë para televizorit.
- Televizori nuk ka vend në dhomën e fëmijëve.
- Emisionet për fëmijë duhet të kufizohen dhe të kontrollohen nga prindërit.
- Fëmijët duhet të shikojnë televizor kur t'i kenë kryer detyrat e shtëpisë, madje edhe ndonjë punë të vogël në shtëpi.
- Fëmijët e vegjël nuk duhet të lihen vetëm para televizorit. Edhe vetë programet speciale për fëmijë munden nganjëherë të shkaktojnë frikë.
- Është shumë e rëndësishme që prindërit të diskutojnë me fëmijët e tyre rreth atyre që shohin në televizor.
- Televizori nuk duhet të jetë dado i fëmijëve.
- Për fëmijët e vegjël duhen zgjedhur me kujdes emisionet dhe filmat vizatimorë.
- Edhe emisionet parapërgatitore për shkollë mund të jenë ndonjëherë të dëmshme për fëmijë të një moshe të caktuar, pasi mbingarkojnë trurin e tyre të njomë me informacione të vështira për t'u kuptuar dhe në këtë mënyrë mund të shkaktojnë edhe demoralizim.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Related

Teknologji 60019133010553129

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item