Të punosh dhe studiosh në Gjermani, çfarë duhet të dini për të aplikuar

Të gjitha hapat që duhet të ndiqni për të emigruar në Gjermani Si pasojë e krizës ekonomike qindra shqiptarë kanë emigruar dhe vazhdojnë të ...

Të gjitha hapat që duhet të ndiqni për të emigruar në Gjermani


Si pasojë e krizës ekonomike qindra shqiptarë kanë emigruar dhe vazhdojnë të emigrojnë jashtë vendit. Tashmë kur edhe fqinjët tanë si Greqia dhe Italia janë prekur rëndë nga kriza, qytetarët shqiptarë po interesohen për shtete të tjera të Bashkimit Evropian, një ndër to është edhe Gjermania, e cila njihet si vendi që i ka rezistuar më së miri krizës dhe ka njohur zhvillim ekonomik. Ka disa emigrantë që sot kanë fatin të disponojnë leje qëndrimi afatgjatë, ose “rezident afatgjatë”, siç parapëlqehet të quhen, që janë stabilizuar tashmë në Gjermani, apo Austri; dy vende që ose janë prekur fare pak, ose i rezistojnë
jashtëzakonisht mirë krizës, duke ofruar shanse punësimi. Ndërkohë ka qytetarë të tjerë që duan të aplikojnë rishtazi për studim dhe punësim.

Studim dhe punësim

Studimet në Gjermani janë për të huajt çelësi i suksesit të tyre në tregun e punës. Ky është rezultati i një studimi të prezantuar pak kohë më parë në Berlin, Instituti i Ekonomisë Gjermane Këln (IW). Të huajt, që studiojnë këtu, kanë shanse shumë të mira për të gjetur punë të paguar mirë në Gjermani. Sepse të ashtuquajturit të huajt e arsimuar, sipas studimit të institutit ekonomik të afërt me punëdhënësit, zotërojnë kualifikime shumë të kërkuara. Studiuesit nënkuptojnë në radhë të parë kualifikimet në fushën e inxhinierisë, matematikës dhe shkencave natyrore, që janë shumë të kërkuara nga ndërmarrjet e nivelit të mesëm dhe koncernet industriale në Gjermani. Agjencia Federale e Punësimit në Gjermani, ndonëse më shumë e interesuar për punësim në sektorët profesional si: Elektrikë, Mekanik apo Hidraulik vazhdon të kërkojë edhe infermierë dhe kujdestarë për të moshuarit, dy prej profesioneve për të cilat vit pas viti shpreh nevojën për plotësime të vendeve të lira të punës. Përparësi për kandidatët në këto fusha përbën mosha, që duhet të jetë mbi 22 vjeç dhe përvoja e punës, ndërsa kontrata e punësimit zgjat për një periudhë kohore prej 18 muajsh. Agjensitë e punësimit kanë edhe faqe të tyren në internet, facebook ku ju mund ta shtoni në listën e miqve tuaj dhe të informoheni herë pas herë për vendet e lira të punës, si për shembull në linkun:https://www.facebook.com/AgjensijaEPunsimitNeGjermanyPerTeRinjete?hc_location=timeline. Pasi të keni zgjedhur një vend të përshtatshëm pune, mund të filloni me procedurat e aplikimit për punë sipas informacioneve që ne kemi kërkuar dhe publikuar në numrin e sotëm të gazetës.

Si aplikohet për vizë

Si rregull, të gjithë të huajt duhet të pajisen me vizë për qëndrime më të gjata sesa tre muaj apo qëndrime që çojnë në punësim fitimprurës. Përjashtim nga ky rregull bëjnë shtetasit e BE-së dhe ZEE-së (Zonës Ekonomike Evropiane), si edhe shtetasit e Zvicrës.
Shtetasit e të gjitha vendeve të tjera, të cilët planifikojnë të qëndrojnë më gjatë në Gjermani, duhet të aplikojnë për vizë në një mision kompetent, përpara sesa të mbërrijnë në vend. Kërkesat për vizë duhet të miratohen nga autoritetet përkatëse për të huajt në Gjermani, d.m.th., autoritetet e të huajve në vendin ku aplikuesi ka për qëllim të kërkojë qëndrimin. Formularët e aplikimit për vizë afatgjatë (më shumë sesa tre muaj) mund të merren falas nga misionet përkatëse apo edhe në internet. Formularët e dorëzuar duhet të jenë në variantin origjinal (të paktën dy kopje) në gjuhën që kërkohet nga misioni i dhënë. Ju lutemi, kontaktoni paraprakisht me misionin, për të mësuar se cilët formularë kërkohen saktësisht. Zakonisht, procedura e miratimit zgjat tre muaj dhe, në disa raste edhe më shumë, duke qenë se autoritetet për të huajt këshillohen shpesh me autoritete të tjera (p.sh., me Agjencinë Federale të Punësimit).

Leje qëndrimi

Që prej vitit 2005, pas hyrjes në fuqi të aktit të ri gjerman për imigracionin, të huajt kanë nevojë vetëm të pajisen me lejen e qëndrimit, e cila iu jep atyre të drejtën të punojnë, në vend që të duhet të marrin më vete lejen e qëndrimit dhe lejen e punës. Ju duhet të aplikoni e të merrni lejen e qëndrimit dhe të punës përpara sesa të hyni në Gjermani nga ambasada ose konsullata gjermane në vendin tuaj. Procedura e kërkon që si fillim bëhet aplikimi për lejen e qëndrimit (e cila ofron, gjithashtu, të drejtën për të hyrë në tregun e punës) që merret nga ambasada gjermane në vendin ku kandidati jeton. Së dyti ambasada ia kalon aplikimin zyrës së imigracionit (Auslaenderbehoerde) në vendin ku duhet të kryhet puna për miratimin fillestar. Zyra e imigracionit, në bashkëpunim me zyrën lokale të punës (Arbeitsamt), që lëshon lejen, merr vendimin e saj. Së treti  në rast se aplikimi i kandidatit miratohet, ambasada i lëshon vizë hyrjeje kandidatit.
Së katërti  pas mbërritjes në Gjermani, shtetasi i huaj dhe çdo anëtar i familjes që e shoqëron duhet të aplikojë për lejen e punës dhe qëndrimit në autoritetin vendas për të huajt.

Kërkesat

Për t’u kualifikuar për një leje gjermane pune, kërkesat bazë për punësim në një shoqëri gjermane janë si vijon: punëmarrësi i mundshëm duhet të punësohet me kritere të barabarta me ato të një punëmarrësi gjerman; nuk ka shtetas gjermanë apo shtetas të tjerë evropianë që të mund të zënë pozicionin e punës; zakonisht, punëmarrësi duhet të zotërojë diplomë universitare apo një kualifikim të ngjashëm. Për disa pozicione ka kërkesa të posaçme. Shoqëria gjermane duhet të jetë e regjistruar në Autoritetet e Punës në Gjermani dhe të aplikojë për një Numër Regjistrimi Korporate; aplikim për lejen e qëndrimit (me të drejtë hyrjeje në tregun e punës). Përgjithësisht, që të aplikoni për leje qëndrimi, do t’ju duhet: të aplikoni të paktën tre muaj apo më shumë përpara udhëtimit tuaj; tri kopje origjinale të formularit të aplikimit të plotësuar për Leje Qëndrimi, të plotësuara në gjuhën që kërkohet nga misioni gjerman në vendin tuaj të origjinës
tri foto (bardhezi ose me ngjyra) në formatin që tregohet në aplikim; një pasaportë, vlefshmëria e së cilës vazhdon për të paktën 10 muaj të tjerë pas ditës së largimit nga Gjermania, me dy faqe bosh; për personat e kualifikuar dhe me kualifikim të lartë: një kontratë me një shoqëri gjermane; dëshmi të kualifikimeve arsimore dhe profesionale të përkthyera në gjuhën gjermane.


Zyra e punësimit në Gjermani

Agjencia Federale e Punësimit (Bundesagentur für Arbeit – BA www.arbeitsagentur.de) është ofruesi më i madh i shërbimeve të tregut të punës në Gjermani. Ajo ka një rrjet prej më shumë se 700 agjencive dhe zyrave të degëve në mbarë vendin. Detyrat kryesore të BA-së janë puna praktike dhe vendet e trajnimit, këshillimi për karrierë dhe sigurimin e përfitimeve duke i zëvendësuar të ardhurat e punësimit të tilla si me pagesën e papunësisë dhe pagesat e falimentimit. Zyra për përfitime familjare (Familienkasse), e cila siguron dobi të fëmijëve, është gjithashtu pjesë e agjencisë federale të punësimit.


Si të kërkohet punë në Gjermani

Për momentin po publikojmë vetëm disa lidhje ku mund të drejtohuni rreth temave të lidhura me çështjet se si të kërkosh punë në Gjermani. Lista e disa adresave të rëndësishme për punësim janë: Agjencia Federale e Punësimit www.arbeitsagentur.de; Ministria Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale www.bmas.de; Konfederata e Sindikatave Gjermane www.dgb.de dhe Instituti për hulumtime të punës


Studimet në Gjermani

Universitetet gjermane dhe diplomat e tyre janë të njohura ndërkombëtarisht dhe janë një tregues relevant për punëmarrësit. Sistemi i studimeve në Gjermani është realizuar sipas reformës së Bolonjës në Bachlor dhe Master. Diploma fillestare është Bachelor dhe më pastaj në mënyrë vullnetare mund të vazhdohet në thellimin e studimeve në Master. Të dy studimet janë të pavarura dhe përfundohen me diploma të njohura globalisht. Me një diplomë të realizuar në Gjermani ju keni një biletë të mirë për të ardhmen tuaj dhe me iniciativa personale mund të punoni në të gjithë botën. Nëse keni në plan të studioni në Gjermani:
  1. Hapi i parë që duhet të ndërmerrni është identifikimi i një institucioni gjerman në të cilin dëshironi të studioni
  2. Më pas duhet të bëni aplikimin për një vizë studenti pranë ambasadës gjermane në vendin tuaj të paktën 3 muaj para
  3. Ambasada gjermane më pas ia dërgon për të marrë një mendim aplikimin për vizë autoritetit përgjegjës për trajtimin e të huajve në qytetin ku ndodhet universiteti
  4. Ambasada gjermane e lëshon vizën për hyrje në momentin që autoriteti përgjegjës për trajtimin e të huajve jep miratimin.

Punëtorët me kualifikim të lartë

Gjermania po bën përpjekje vitet e fundit për të nxitur lëvizjen drejt saj të punëtorëve me kualifikim të lartë. Ndërkohë që punëtorët me kualifikim të ulët e kanë ende të vështirë të përftojnë lejen e punës në Gjermani, punonjësit me kualifikim të lartë duhet ta kenë më të lehtë të fitojnë qëndrimin e përhershëm. Profesionet që kanë kërkesa më të mëdha janë ato të shkencave të natyrës (biologë, kimistë, fizikanë), inxhinierë, profesorë dhe personel shkencor në fushat e teknologjisë së lartë. Akti gjerman i imigracionit, parashikon se personave me kualifikim të lartë iu jepet leja e qëndrimit dhe leje për të punuar që në fillim, në vend të lejeve pesëvjeçare të punës, siç ndodhte më parë. Ata duhet të kenë një ofertë konkrete pune dhe të marrin lejen nga agjencia gjermane e punësimit. Ata do të raportojnë në ambasadën gjermane në vendin e tyre, për të marrë lejen e punës dhe qëndrimit. Anëtarët e familjes që hyjnë në Gjermani me punonjësit me kualifikim të lartë që janë pajisur me vizë ose anëtarët e familjes, të cilët janë bashkuar me ta më vonë në Gjermani, mund të fitojnë, gjithashtu, të drejtën për të punuar në Gjermani, çka do ta bënte më të lehtë për familjet që të zhvendosen në Gjermani. Për të huajt që kanë hyrë në Gjermani me vizë kombëtare dhe planifikojnë të zgjasin qëndrimin e tyre, duhet që leja e përkohshme e hyrjes dhe qëndrimit, e përfshirë në vizat e tyre, të ndryshohet në një titull qëndrimi më afatgjatë përpara përfundimit.


Bum kërkesash për mjek, ja kriteret

Në shumë spitale gjermane mungojnë mjekët dhe personeli mjekësor. Specialistët nga jashtë janë gjithmonë të mirëseardhur. Por jo çdo mjek i huaj lejohet të punojë menjëherë në Gjermani. Para se mjekët të vijnë në Gjermani për të punuar, ata duhet të kapërcejnë pengesën e gjuhës. Kusht është, që ata të kenë të paktën nivelin e gjuhës B1, ideale është B2. Falë ligjit të ri gjerman për njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë shtetit që hyri në fuqi më 1 prill 2012 marrja e lejes për të punuar si mjek në Gjermani, nuk lidhet më me shtetësinë e mjekut. Megjithatë, mjekët nga vendet jashtë BE-së duhet t’i nënshtrohen një testi aftësie. Në Gjermani nuk është e mirë vetëm pagesa, por edhe mundësitë e arsimit dhe të trajnimit janë më të mira. Ndihmë mjekëve të huaj u jepet edhe për të përballuar sfidat me autoritetet e ndryshme në Gjermani: zyrat e të huajve, zyrat tatimore, apo komisionet për provimet mjekësore. “Ne përpiqemi që të organizojmë jo vetëm kurset e gjuhës gjermane dhe t’i ndërmjetësojmë mjekët, por gjithashtu edhe t’u ndihmojmë pak për t’u orientuar në Gjermani,” thotë Andreas Bernhardt nga Medunited Akademy, për Deutsche Welle. Pas kursit të specializuar për mjekë “B2 Plus Med” mjekët e rinj nga Rumania, Shqipëria dhe Rusia kanë gjetur punë në Gjermani.

Related

Biznes 3782014441247680840

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item