Studimi nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit Raporti i frikshëm, 14% e nxënësve pinë marijuanë në shkollë
Driçim Çaka 42% e nxënësve nuk ndihen të sigurtë në mjediset e tualeteve të shkollës Mësuesit, jokorrektë, përdorin metoda tradicionale Jo ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/studimi-nga-inspektorati-shteteror-i.html
Driçim Çaka
42% e nxënësve nuk ndihen të sigurtë në mjediset e tualeteve të shkollës
Mësuesit, jokorrektë, përdorin metoda tradicionale
Jo vetëm cigare dhe pije alkoolike, por edhe marijuanë. Raporti më i fundit i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit nxjerrë në pah problemet që kanë nxënësit, duke ngritur një shqetësim të madh për shoqërinë shqiptare. Janë 14% e nxënësve që pinë marijuanë në mjediset e shkollës, ndërkohë që kjo shifër mund të jetë më e lartë, nëse merren për bazë dhe të dhënat jashtë saj. Në studimin e ISHA-s janë pyetur nxënësit e 3 shkollave të Tiranës dhe konkretisht në gjimnazin “Besnik Sykja”, në shkollën e mesme profesionale “Arben Broci” dhe shkollën 9-vjeçare “Kamza e Re”. Përveç marijuanës nxënësit nuk ngurrojnë që të pinë cigare (22%) dhe pije alkoolike (38%) në shkollë. Po kështu brezat e ardhshëm nuk ndihen të sigurtë në mjediset e shkollës dhe rreth 42% e tyre lënë orët e mësimit.
Mësuesit, jokorrektë
Ekipet e inspektimit të ISHA-s kanë vëzhguar orë mësimore dhe kanë studiuar dokumentacionin përkatës (plane ditore, regjistra, produkte të nxënësve). “Një pjesë e mësuesve parashikojnë kohën për zhvillimin e veprimtarive që lidhet me njohuritë e reja, përsëritjen etj., por kjo nuk është bërë normë për të gjithë. Pavarësisht se mësuesit shprehen që nxënësit janë të niveleve të ndryshme, kanë vështirësi e probleme, ata nuk pasqyrojnë në planin ditor asnjë të dhënë për këto mangësi dhe nuk planifikojnë veprimtari të veçanta për këtë kategori nxënësish”, – thuhet në raport. Mësuesit parashikojnë detyrat e shtëpisë, të cilat përzgjidhen nga grupi i ushtrimeve, por ato nuk jepen sipas niveleve të nxënësve. Ka edhe raste kur detyrat e shtëpisë nuk përfshihen në tekstin mësimor dhe u jepen nxënësve me shënime të hollësishme. Përgjithësisht, mësuesit nuk përcaktojnë kriteret dhe kërkesat për një vlerësim objektiv të nxënësve. Mësuesit planifikojnë pak miniteste për të evidentuar mangësitë/dobësitë e nxënësve apo shkallën e arritjes së objektivit minimal të orës së mësimit, madje ka mësues që nuk njohin teknikën e hartimit të tij. Nga vëzhgimi i disa orëve mësimore në lëndë të ndryshme, rezulton: Mësimi zhvillohet kryesisht sipas metodës me në qendër mësuesin, me pyetje-përgjigje dhe përdoren pak teknika e strategji për të realizuar gjithëpërfshirjen. Nxënësve u jepet pak mundësi për të ndërvepruar e për të qenë aktivë në këtë proces, pasi puna përqendrohet tek nxënës të veçantë dhe jo tek e gjithë klasa. Mësuesit e organizojnë orën mësimore duke kaluar nga e njohura tek e panjohura, sipas parimit të rimarrjes, duke bërë një kalim të natyrshëm në informacionin e ri, por në disa raste ndodh që ora e mësimit nuk ka një fokus të qartë. Mjetet mësimore, të përdorura në orët e vëzhguara, lidhen drejtpërdrejt me arritjen e objektivave mësimorë. Mësuesit e ciklit fillor janë të familjarizuar me përdorimin e mjeteve didaktike (petëza, fisha, elektrik dore, plastelinë) dhe marrin pjesë aktive në krijimin e tyre. Mësuesit përdorin rrallë laboratorin virtual në procesin e mësimdhënies, edhe pse është një mjet që lehtëson e mbështet të nxënit. Në përgjithësi, përdorimi i mjeteve didaktike gjatë procesit mësimor është i paktë, madje në disa raste nuk u evidentua përdorimi i tyre, edhe pse ishte e nevojshme; këtë e tregojnë edhe analizat e kontrollit të drejtorisë, ku nuk mungojnë shprehje të tilla, si: “Mësuesja duhet të aktivizojë ndonjë mjet mësimor që t’i shërbejë orës së mësimit”.
Rekomandimet
Drejtoritë e të gjitha gjimnazeve, por veçanërisht të atyre ku janë identifikuar probleme, në bashkëpunim me stafet pedagogjike duhet:
- të ngrenë të gjitha organet kolegjiale në shkollë dhe të monitorojnë funksionimin e tyre, në përputhje me Dispozitat Normative në Arsimin Parauniversitar
- të planifikojnë veprimtaritë jashtëshkollore duke u mbështetur në interesat e nxënësve dhe mjedisin social të shkollës;
- të hartojnë rregulloren e brendshme të institucionit sipas formatit. Drejtoritë e shkollave në bashkëpunim me stafet pedagogjike dhe qeverisjen lokale dhe me policinë e komunitetit të planifikojnë ndërhyrje të përbashkëta për garantimin e mjediseve të sigurta në shkollë dhe veçanërisht në mjediset e tualeteve. Drejtoritë e shkollave në bashkëpunim me stafet pedagogjike, nxënësit dhe prindërit të zhvillojnë së bashku veprimtari edukimi kros+ekstrakurrikulare brenda hapësirave kurrikulare të lejueshme për ta si: projekte kurrikulare, module, veprimtari jashtëshkollore etj, të cilat synojnë krijimin e një klime pozitive dhe zgjidhjen e konflikteve. Drejtoritë e shkollave në bashkëpunim me komunitetin e prindërve, me mjekë, me mësues lëndorë dhe kujdestarë, me mësues të lëndëve që lidhen me shëndetin, me psikologun e shkollës të zhvillojnë veprimtari që trajtojnë rëndësinë e shëndetit, motivimin për të nxënët, duke trajtuar veçanërisht tematikat e mëposhtme si:
- përdorimi i marijuanës dhe drogave të tjera;
- pirja e duhanit
- konsumimi i alkoolit
- lënia e orëve të mësimit
- diskriminimi racor.
Shkollat private
Nga vëzhgimi i dokumentacionit, rezulton se ekzistojnë amzat që nga periudha e krijimit të shkollave, por në shumë shkolla jopublike ato kanë mangësi në plotësimin e tyre, si: nuk është bërë siglimi i amzave të mbyllura apo mungojnë shënimet për nxënësit e larguar, disa amza janë plotësuar me laps etj. Ka korrigjime notash të pasigluara nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollës. Ka parregullsi në plotësimin e rubrikave të ndryshme, si: mungojnë temat e orëve mësimore të kryera nga mësuesit, nuk shkruhen rregullisht detyrat e shtëpisë në kolonën përkatëse si dhe raste të vlerësimeve josistematike. Një pjesë e shkollave jopublike nuk disponojnë dokumentacion të rregullt të lëvizjeve dhe të regjistrimit të nxënësve dhe largimet e tyre nuk janë shoqëruar me shpjegimet përkatëse. Dosjet e mësuesve janë të plotësuara në mënyrë të pjesshme. Disa prej tyre përmbajnë vetëm fotokopjet e noterizuara të diplomave dhe listat e notave si dhe ndonjë CV të punëkërkuesve, por mungojnë në këto dosje: certifikata trajnimesh e kualifikimesh të mësuesve të punësuar, librezë pune, librezë shëndetësore, librezat e kontributeve, dëshmitë e shkallës së kualifikimit në arsim (për mësuesit që i disponojnë) etj.
Nga zhvillimi i 1435 pyetësorëve me nxënës të klasave të XI-ta dhe XII-ta, rezulton se:a) 22% e nxënësve, (312 nxënës) nuk ndihen të sigurt në mjediset e shkollave;b) 42% e nxënësve, (600 nxënës) nuk ndihen të sigurt në mjediset e tualeteve të shkollës;c) 28 % e nxënësve, (401 nxënës) grinden mes tyre në shkollë dhe rreth saj;d) 22% e nxënësve (322 nxënës) konsumojnë pije alkoolike;e) 38% e nxënësve, (559 nxënës) pinë duhan në mjediset e shkollës dhe jashtë saj;f) 14 % e nxënësve, (203 nxënës) përdorin lëndë narkotike të tipit marijuanë;g) 42% e nxënësve, (744 nxënës) lënë orët e mësimit./standard