“Diktatura arkitektonike” e Gruevskit - ARTUR ZHEJI
ARTUR ZHEJI Para ca javësh ndesha në Shkup disa turistë nga Shkodra, që po fotografonin të mahnitur skulpturat gjigande të Filipit të Maqedo...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/diktatura-arkitektonike-e-gruevskit.html
ARTUR ZHEJI |
Para ca javësh ndesha në Shkup disa turistë nga Shkodra, që po fotografonin të mahnitur skulpturat gjigande të Filipit të Maqedonisë dhe, pak dhjetëra metra më tej, monumentin ciklopik të Aleksandrit të Madh, të birit të Filipit. Shkodranët më përshëndetën dhe vazhduan më tej, duke shkrepur foto të shumta simbas stilit japonez dhe m’u dëgjua se dikush tha: “Këtu filloka qyteti, pjesa shqiptare e Shkupit keka fshat!” dhe kish relativisht të drejtë.
Dy ditë e dy net rresht e shëtita metër pas metri dhe ngeshëm këtë qendër të re të kryeqytetit të Republikës së Maqedonisë dhe fill më pas fillova të shfletoj mbi projektin e Kryeministrit Gruevski. Kostot e hatashme të këtij projekti, arkitektët e panumërt dhe shpërthimin e neoklasicizmit dhe stilit të frymës perandorake të shekujve të kaluar.
Në të vërtetë, nuk di të ketë në Europë një projekt të këtyre përmasave dhe që ka si qëllim rindërtimin e historisë së një vendi, përmes arkitekturës, monumenteve dhe objekteve masive të kultit.
Një vend i vogël, që duket se kërkon me të gjitha energjitë dhe burimet e veta natyrore e financiare, të bëjë një revolucion identitar të një tipi të ri dhe të pasprovuar kurrë më parë në këto 60 vitet e fundit.
Deri këtu, përpjekja “titanike” e Gruevskit dhe e maqedonasve që e pasojnë me një zell të dukshëm, është pa dyshim mallëngjyese. Maqedonia e sotme duket se përjeton thellë e deri në themel psikozën e një konspiracioni ndërkombëtar të fqinjëve me dhëmbë të mprehtë, si Greqia, Bullgaria dhe Shqipëria…
Dhe kërkon shpëtim, pikërisht aty, në pikën e saj më të dobët: Identitetin Historik.
Sepse gjuha maqedonase, për shembull (dhe ky nuk është ndonjë zbulim), është praktikisht një gjuhë krejt bullgare me disa “barbarizma” periferikë serbo-kroatë. Është një e dhënë historike gjithashtu e njohur, se pikërisht për këtë veçori jo të rastësishme gjuhësore dhe jo vetëm, si edhe pretendimet historike të Mbretërisë së Bullgarisë për këto treva të konsideruara bullgare, u shndërruan edhe në një nga shkaqet e Luftës së Dytë Ballkanike. Ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë, e më pas, Greqisë, Rumanisë dhe Turqisë, të cilat shqyen territoret e atëhershme bullgare, në një luftë të shkurtër dhe të përgjakshme. Bashkëjetesa e Maqedonisë së sotme me Mbretërinë Jugosllave e më pas me Republikën Federative të Jugosllavisë, të cilët kishin interes të shpiknin kombin sllavo-maqedonas, për të larguar sa më shumë asociacionet me identitetin bullgar të kësaj treve, krijoi farën e një shteti të ri, i cili mbas Kosovës është shteti më i ri europian, me vetëm 23 vite pavarësi.
Pikërisht për këtë, shumë gjëra që ndodhin në këtë shtet të ri, i cili konsiderohet ende si një shtet me një ekuilibër sizmik ndërnacional të paqëndrueshëm (mjaftojnë të kujtojmë se ky shtet u lëkund si ashkël nga operacionet ushtarake të viteve 2000-2001, të udhëhequra nga UCK-ja e Ali Ahmetit), vlerësohen nga bashkësia ndërkombëtare si xhestualitete foshnjore të një Republike fëminore. Të një shteti pra, që dukshëm po vrapon drejt pubertetit dhe kësisoj mbetet e paorientuar sa duhet. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian duket se gjykon se integrimi në Europë është çelësi, që do t’i zgjidhë brenda standardeve të shumtën e problemeve ndëretnike të kësaj Republike, kryesisht me shqiptarët dhe shumë marrëdhënie mbetur pezull me fqinjët, pikësëpari me Greqinë.
Mirëpo, në këto dhjetë vitet e fundit, erërat fryjnë ndryshe. Bashkimi Europian po i largohet ndjeshëm Bashkimit Europian të madh dhe gjithëpërfshirës dhe vendet e Ballkanit Jugperëndimor, si Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, do të duhet të ndërtojnë në ndërkohë edhe një gjeopolitikë të vetën rajonale, për së paku edhe 10-15 vitet e ardhshme, me shpresën që erërat do të ndryshojnë sërish drejt zgjerimit të frymës integruese të BE.
Por gjithashtu, përtej fjalëve dhe retorikës, askush nuk garanton dot që në ndërkohë të njëjtat erëra mund të bëhen edhe më të acarta, e pra, Europa e Bashkuar t’u shtojë drynave të tashëm të tjerë dryna në dyert e saj të jashtme.
Dhe këto vende pra rrezikojnë të ngelen si dele të humbura në oborrin e pasmë të “Kështjellës së Madhe” të Bashkimit Europian për një kohë të papërcaktuar.
Me sa duket, Kryeministri aktual maqedonas me një back-ground politik të shkollës “patriotiko-nacionaliste” nga më radikalet, VMRO-DPMNE, rithemeluar së fundmi në vitet ’90 nga Ljupco Georgevski, mbasi ka hequr dorë nga integrimi me Bullgarinë, doktrinë kjo fillestare e partisë së tij të origjinës, por jo më e partisë së tij të sotme, ka vendosur të themelojë një “dinasti” të re politike, kulturore dhe etike.
Për një Maqedoni të pastër dhe të maqedonasve. Kështu lexohet në kodet semiologjike që përçojnë monumentet dhe apostrofimi i ri identitar, që është sot e shprehur masivisht në këtë arkitekturë të re, ngritur mbi një histori të re, që kërkon të imponohet me gurë, mermer dhe harqe triumfi për beteja të panjohura nga historia klasike.
Ndonëse duket si një sipërmarrje donkishoteske dhe Gruevski është shumë i ironizuar për këtë, ai në të vërtetë po realizon një provokim real dhe të paprecedentë, duke përdorur masivisht monumentet, harqet e triumfit, skulpturat kolosale, muralet dhe panteonin e Etërve të Maqedonisë, jo thjesht si fasadë, por si themel të një Republike të Re.
E cila është simbas tij, nga A-ja te ZH-ja, vetëm maqedonase dhe vetëm sllave, përfshi këtu vetë Aleksandrin e Madh, i cili gjindet i rrethuar nga hajdukët apo komitët e shekullit të XVIII, me Metodin dhe Cirilin, të derdhur në qindra e qindra miliona euro që shpenzohen hareshëm nga taksat e Republikës maqedonase, me salltanete të thekshme mermeri monarkist.
Duhet thënë se në të vetën, e pra në qëllimin e tij politik dhe “historik”, Gruevski nuk është sharlatan në bëmat e tija, përkundrazi, është pa dyshim “gjenial” në gjetjen e tij, në guximin e kushtueshëm që po merr formë dhe po hedh shtat përpara syve të të gjithëve.
Kur sheh në Republikën e Shqipërisë ngrehinat tona minore arkitektonike të këtyre 23 viteve të fundit dhe shkatërrimin e atyre pak gjërave thelbësisht autentike që trashëguam, kupton mjerimin që peshon këtej kufirit që na ndan. Por kjo është një çështje tjetër.
Shqiptarët në Maqedoni janë zyrtarisht mbi 25% në regjistrimin e vitit 2002, në të vërtetë të gjithë e dimë që janë shumë më tepër. Ata janë njëkohësisht edhe taksapagues e, për pasojë, edhe bashkëfinancues të drejtpërdrejtë të “diktaturës arkitektonike” të Gruevskit, që u mohon atyre, shqiptarëve pra, qoftë edhe një tullë të vetme në ngrehinën e kësaj “ushtrie” monumentesh. Të cilat janë ngritur të dëshmojnë për gjëra dhe fakte që kanë pak apo aspak lidhje me të vërtetën historike maqedonase si të tillë.
De facto Gruevski me këtë projekt e ka ndarë kryeqytetin, Shkupin, edhe më tej dhe edhe më thellë në dy pjesë:
a. Në pjesën osmane, të godinave osmane, pra dhe të minareve të xhamive të vjetra dhe të reja, me gurë të gdhendur apo qerpiç dhe pa kurrfarë urbanistike europiane
b. Dhe në pjesën e Epërme, në anën tjetër të lumit Vardar, Shkupin aleksandrin, perandorak dhe neoklasicist. Kuptohet me urbanistikë dhe sistem oksidental deri në xhelozi dhe detaje të kushtueshme.
Kjo ndarje krijon një supremaci elokuente. Porse kjo elokuencë është njëkohësisht tejet e rrezikshme. Ka diçka të ngjashme në këtë “elokuencë” të fabrikimit të monumenteve, që të kujton Kosovën, ku dhe dihet që shumë manastire ortodokse janë rindërtuar këta dy shekujt e fundit mbi themele të kishave katolike, besim mjaft i përhapur nga shqiptarët përpara islamizimit të tyre. Por edhe kjo është një histori tjetër.
Unë personalisht nuk e kam fshehur ndonjëherë simpatinë time të veçantë për Ali Ahmetin, liderin e rëndësishëm shqiptar të Maqedonisë, ndonëse me Menduh Thaçin, kryetarin e sotshëm të PDSH, kam njohje të vjetër dhe që kur ish gjallë Arbën Xhaferi.
Simpatia e thellë dhe e qëndrueshme për Ali Ahmetin lidhet me luftën që ai udhëhoqi dhe që solli parashtrimin e Marrëveshjes së shkëlqyer të Ohrit, që e ngriti bashkëjetesën shqiptaro-maqedonase në një nivel të respektueshëm, moral dhe ligjor të standardeve europiane.
Mirëpo kjo Marrëveshje e Ohrit, sot me moshë 13-vjeçare, ka mbetur në pothuajse 2/3 e saja e paplotësuar dhe e parespektuar. Shumë pika apo nene që duheshin realizuar, i kanë tejkaluar afatet kohore, për të mos thënë që duken të harruara. Grindjet dhe “lufta” ndërshqiptare për pushtet është mjerisht në Maqedoni, si dhe kudo ndër ne, më së shumti grindje interesash politike për pushtet.
Interesat themelore kombëtare, si pasojë e kësaj grindjeje të ashpër, kanë mbetur në plan retorik, duke krijuar një terren të “mrekullueshëm”, për “doktrinën Gruevski”, që realisht i shndërron shqiptarët në masën e tyre të gjerë dhe me pak përjashtime në një dukuri më së shumti rurale sesa qytetare. Shqiptarët duken të vetizoluar në Tetovë, Gostivar apo Kërçovë dhe duket sikur “shkëlqimi” europianist i Shkupit, sot më vezullues se kurrë, i komplekson. Mirëpo ky “kompleks” është krejt në të kundërt të historisë reale të shqiptarëve. Të historisë së tyre të vjetër apo moderne.
Të përqendruar në betejën e votës, që bëhet një betejë gjithmonë e më e ashpër, për shkak të dasive gjithmonë e më të ashpra ndërmjet partisë së Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, liderët shqiptarë të atjeshëm pra, janë përqendruar më së shumti në terren. Në fshatrat dhe lagjet, ku prej dhjetëra ose qindra vitesh shqiptarët janë shtyrë dhe shtrënguar të jetojnë, që në kohën e Mbretërisë Jugosllave. Duke zbrazur dhunshëm asokohe qendrat urbane të Shkupit, Ohrit apo Manastirit për shembull, si pasojë e disa programeve dhe spastrimeve etnike antishqiptare historikisht të dokumentuara.
Këto “zbrazje” të dhunshme dhe të paraprogramuara të qendrave më të rëndësishme urbane, të cilat u rimbushën fill më pas, me një logjikë të qëllimshme asimiluese, me sllavo-maqedonas të fshatrave më lindore të ish-provincës, së ish-Mbretërisë Jugosllave, mbeten sot të ngrira në të njëjtat pozicione.
Në një lloj kuptimi, kjo që po bën sot Gruevski, është vazhdim me mjete të tjera i “pushtimit historik” të kryeqendrës urbane të kryeqytetit, me një histori të “Re”, por kësaj radhe me ushtarë, gjeneralë, komitë, mbretër dhe perandorë të gurtë dhe monumentalë.
Dhe, edhe kësaj radhe, pa shqiptarët etnikë dhe historikë në themelet apo qoftë edhe në tullat e mureve të saja.
Një “spastrim de facto etnik” kulturor, etnografik, gjuhësor dhe historik i mirëfilltë. Të paktën në tendencën e vet substanciale. Derisa edhe Nënë Terezën, që nuk e shndërruan dot në Maqedonase sllave, e kanë lënë thjesht një xhuxhe, ndonëse madhështia e saj, në qytetërimin e sotshëm perëndimor është shumë më e ndritshme se kalorësit hajdukë bullgaro-maqedonas. Nënë Tereza, gjithkush e di në botë, ka një madhështi të pabujshme dhe njëkohësisht superiore në raport me “heronjtë” ruralë kryengritjesh të panjohura. Kryengritje, apo bëma dhe gjëma, të rishkruara për qëllime të pastërta të retorikës politike të kohës së sotme, me qëllim krijimin jo pa sukses të frymës së etnisë superiore.
Sllave–maqedonase kuptohet.
Nuk e kuptoj dot pra, ndonëse dua të prirem nga më pozitivja, se përse anashkalohet me lehtësi kjo që po ndodh ditë pas dite në Shkup nga partitë shqiptare. Ndërkohë që ato fyhen dhe përgjaken elektoralisht ndaj njëri-tjetrit, nuk kanë ende as edhe një gjykim apo qëndrim bindës për këtë falsifikim kolosal që konsumohet krejt pranë godinave të qeverisë apo Parlamentit ku ata punojnë përditë.
Se besoj ia vlen të shqetësohesh në lidhje me atë që po ndodh me kryeqytetin e tyre, me qeverinë e tyre, me taksat e tyre dhe me historinë e tyre autoktone. Autoktone së paku 10 shekuj më të hershëm se të ardhurit sllavë në Ballkan, që ngrenë sot statuja “heronjsh historikë” të adoptuar, por që datojnë së paku 1000 vite më parë se mbërritja e sllavëve në Ballkan.
Ballkani mahnitës për çudirat që prodhon çdo shekull, po e prodhon një çudi të re të spastrimit apo falsifikimit kulturor me pasoja të rrezikshme, edhe këtë fillim shekulli.
Pa e humbur besimin te liderët shqiptarë që votohen në Maqedoni, është besoj koha që të lënë pas sharjet monstruoze ndërmjet tyre.
Sepse monstrat e një historie të falsifikuar u janë ndërtuar në mes të Kryeqytetit.
Të mermerta dhe të shtrenjta.
Dhe përgjithësisht të hirshme dhe absolutisht arrogante!
Nuk do të doja që një ditë të thuhet sërish për shqiptarët se:
Ata dinë të fitojnë Luftën, por si gjithmonë humbasin Paqen.