Shqiptarët si harabelat, që bredhin botën

Një shqiptare në “Theatrical Outfit’s” në Atlanta/ Autorja e re sjell në teatër jetën e saj si emigrante… Jonida Beqo Jonida Beqo ishte vetë...

Një shqiptare në “Theatrical Outfit’s” në Atlanta/ Autorja e re sjell në teatër jetën e saj si emigrante…

Jonida Beqo
Jonida Beqo ishte vetëm 18 vjeçe kur la Shqipërinë, për të emigruar drejt SHBA-së. Për vajzën që ishte rritur në një vend ndryshimesh, rënia e komunizmit më 1991-shin, nisja e spastrimit jugosllav më 1998-n, lënia e atdheut ishte si një udhëtim drejt një bote ëndrrash. Pikërisht ëndrrat kërkonte të gjente Jonida në SHBA. Prej vitesh ajo jeton në Atlanta, dhe tashmë është bërë një protagoniste e njohur e jetës artistike të vendit. Teatri “Theatrical Outfit’s” do të vendosë në skenë më 10 nëntor shfaqjen e saj të quajtur “Harabelat”, një gërshetim i tre zhanreve – poezisë, kërcimit dhe aktrimit. Shfaqja e cila ka pasur një premierë në këtë teatër, është pritur mirë nga kritika, e cila shkruan në faqen zyrtare të këtij teatri “se është një shfaqje që nuk duhet humbur, nga një grua e talentuar shqiptare”. Regjia e kësaj pjese të shkruar nga Beqo është nga artisti Justin Anderson dhe produksioni nga Tom Key. Titulli i shfaqjes “Harabelat” është një simbolikë për të gjithë të shkuarën e saj dhe njerëzit që kanë pasur të njëjtën udhë. “Harabelat në Shqipëri quhen zogjtë që bredhin gjithë botën dhe nuk vihen re”, thotë ajo për mediat vendase. Shfaqja e Jonidës është frymëzuar nga jeta e saj. Historia e një vajze, e cila kërkon të nxjerrë në pah identitetin e saj në një tjetër vend, dhe të realizojë ëndrrat e saj, është një histori e vjetër për njerëzimin. Por sado e vjetër, kjo është një histori që përsëritet shpesh, ashtu siç është rasti i Jonidës. Pjesa e saj është një himn për jetën njerëzore, e cila do të shpaloset përmes vargjeve të poezisë, kërcimit por dhe detajeve të tjera të zgjedhura nga Beqo. “Harabelat” e Beqos, të rrëmbejnë teksa e gjen veten në 90 minutat e kësaj shfaqjeje duke jetuar botën e bukur të një gruaje, e cila nuk kërkon t’i nënshtrohet fatit por lufton me të. Ajo nuk ka frikë nga ikjet, rrugët e reja që do t’i dalin përpara po vazhdon dhe ecën e bindur se instinkti i saj do ta çojë diku. Ajo e ka njohur dhimbjen herët. Në vendin e saj (Shqipërinë) fëmijët rriten me këtë ndjenjë. Fëmijëria dhe adoleshenca e saj kaloi duke dëgjuar histori njerëzish që iknin, e që nuk ktheheshin më. Ajo shpresonte se një ditë jeta e saj do të ishte ndryshe, larg këtyre historive që i ngjallnin trishtim. Ajo ishte e bindur se një ditë ashtu si harabelat që shihte të iknin tej qiellit përtej dritares, do të shkonte diku… Ndoshta ajo çfarë e bën të dashur pjesën e Beqos është pikërisht ajo çfarë ajo tregon në këtë pjesë. “Harabelat” në njëfarë mënyre janë një rrëfim autobiografik i një vajze që ka guxuar dhe që ka ditur të ndërtojë profilin e saj artistik në një vend si SHBA. Si emigrante, Jonida ka punuar fillimisht si rrobaqepëse dhe ka ndjekur njëkohësisht studimet për kostumografi. Kostumografinë e shfaqjes ajo e ka realizuar vetë. Tek “Harabelat” nuk do të mungojnë edhe elementet si makina qepëse, dhe të gjitha mjetet që i duhen një rrobaqepëse për të realizuar një fustan, apo kostum, për t’u përdorur si metafora që presin dhe qepin historinë. Ato janë “personazhet e tjera” në këtë peizazh që ndryshon vazhdimisht. Pjesa shpalos fije shumëngjyrëshe të udhëtimit të kësaj vajze nga Ballkani i luftës në fundin e viteve 1990 në Jugun e Amerikës të viteve tona, duke na dhënë gjithë botën e saj plot kurajë, shpresë, besim e dashuri. Përpara se të depërtonte në teatër, Jonida është e njohur në qarqet letrare si poete, me pseudonimin “Gypsee Yo”, emër të cilin do ta përdorë dhe gjatë kësaj shfaqjeje. Ajo është fituese e një sërë çmimesh letrare si “Southern Queen of Slam” (2008), “Atlanta’s Slam Champion” (2006 – 2009). Prej disa vitesh, ajo punon si kostumografe dhe thotë se gjithnjë mundohet të gjejë një ngjashmëri mes personazhit dhe kostumeve që krijon. E tërhequr nga ngjyrat, ndjeshmëria e saj si poete ndihet dhe në veshjet që realizon. Ajo ka punuar si kostumografe për një sërë shfaqjesh që janë ngjitur në skenë në Atlanta. Tashmë vajza që janë mësuar ta shohin si njeriu që u jep jetë përmes kostumeve personazheve në shfaqje të ndryshme në qytetin e Atlantës, do të ngjisë në teatër një pjesë të sajën, që ka ngjallur shumë kureshtje në media. Por sa autobiografike është kjo pjesë? “Harabelat” është një koleksion poezish dhe tregimesh nga eksperienca ime si emigrante. Kjo pjesë është një rrëfim autobiografik, ku përfshihen shumë detaje të historisë të të qenët shqiptar. Stili në të cilin unë shkruaj është realizmi magjik, me fjalë të tjera historia është e vërtetë, por tregimi është magjik”, thotë Jonida.

Related

Diaspora 6395035270850598233

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item