Maks Velo: Masakra e qendrave urbane, nuk zhbëhet më

Aida Tuci Dyndjet pa kriter të popullsisë së veriut janë shkaku kryesor, sipas Maks Velos, të kaosit urbanistik.  “Nëse heqim një vijë imagj...

Aida Tuci
Dyndjet pa kriter të popullsisë së veriut janë shkaku kryesor, sipas Maks Velos, të kaosit urbanistik. “Nëse heqim një vijë imagjinare në Fushë-Krujë dhe ndajmë Shqipërinë në dy pjesë, nuk ka asnjë jugor që të ketë marrë një copë tokë mbi atë vijë dhe tërë veriorët kanë zbritur deri në Butrint”. Asnjë nuk guxon të flasë hapur për këtë çështje. Gjithçka bëhet për të mbuluar “pushtimin” e tokave nga të ardhurit. Sigurisht që kjo nuk do të thotë që është kundër lëvizjes demografike të popullsisë nga fshati në qytet, por gjithë ky proces duhej bërë në mënyrë të disiplinuar. Nga kjo lëvizje e pakontrolluar u shkatërruan jo vetëm “pushtuesit” që lanë tokat e mira dhe zbritën në kënetat e Durrësit, por dhe vetë të pushtuarit. Akoma më shumë qyteti. E thënë qartë, qytetet shqiptare janë bërë pre e kaosit urban, një realitet i pranuar edhe nga vetë ata që duhet t’i bëheshin barrierë kësaj masakre; arkitektët. Një zë i fortë publik si Maks Velo e drejton gishtin e fajit tek kolegët e tij arkitektë dhe urbanistë për masakrën e këtyre 20 vjetëve.Ndërtimet masive pa asnjë kriter, shkatërrimi i bregdetit dhe qendrave urbane, janë në themel të librit më të rëndësishëm të arkitektit Maks Velo, titulluar “Betonizimi i demokracisë”, botim i UET Press. Libri përmbledhartikuj, intervista e studime të 20 viteve të fundit të arkitektit Maks Velo, ku trajtohen çështje të mprehta dhe problematika të arkitekturës urbane dhe planifikimit të territorit. Libri shoqërohet me ilustrime me katër ngjyra (foto, skica etj) dhe dokumente të ndryshme. Shqipëria betonarme vërtet u realizua në sinkron nga bashkëpunimi pushtet-ndërtues dhe individ, por janë arkitektët që kanë vënë firmën e tyre si profesionistë në të gjitha ndërtesat që kanë mbirë si kërpudha në çdo cep të vendit. Një sistem i korruptuar sipas Velos, i ngritur mbi këto shtylla, që i la dorë të lirë shkatërrimit masiv të hapësirës publike.


Arkitekti: Ja kush janë fajtorët e kaosit urban në qytetet tona
Ç’vend zë në tërësinë e botimeve tuaja libri “Betonizimi i demokracisë”, botuar së fundmi nga UET Press, zoti Velo?
Ky është një nga librat më të rëndësishëm, sepse është një përmbledhje e një punë 20-vjeçare. Pjesa e shkrimeve dhe intervistave nis me shkrimin e parë të botuar në vitin 1994 dhe mbyllet me shkrimin që mban dhe titullin libri i botuar në vitin 2012. Pra siç kuptohet libri është përmbledhje e 78 artikujve, ku unë kam trajtuar çështje të ndryshme të arkitekturës urbane dhe planifikimit të territorit. Krahas shkrimeve dhe intervistave në libër është bashkangjitur dhe një studim mbi arkitektin Qemal Butka dhe mbyllet me letrën e Shoqatës së Arkitektëve dhe një diskutim timin.
Ky botim voluminoz është njëfarë enciklopedie, një kujtesë dhe një vështrim i të gjitha problemeve të arkitekturës urbane të këtyre 20 vjetëve. Janë probleme që unë i kam ndjekur hap pas hapi dhe i kam ngritur vazhdimisht. Jam shumë i gëzuar që doli, edhe pse e di që do kem kundërshti dhe pasoja nga njerëz që nuk duan të thuhen dhe të trajtohen këto probleme.
Përse mendoni kështu? Çfarë provokon ky libër sipas jush?
Nëse heqim një vijë imagjinare në Fushë-Krujë dhe ndajmë Shqipërinë në dy pjesë, nuk ka asnjë jugor që të ketë marrë një copë tokë mbi atë vijë dhe tërë veriorët kanë zbritur deri në Butrint. Është pikërisht kjo arsyeja sipas meje, që polli këtë masakër urbane. Për këtë nuk flitet kurrë. Mungojnë statistikat që do të hidhnin dritë mbi kaosin urban në qytetet tona. Dhe kjo bëhet me qëllimin për të mbuluar pushtimin e tokave nga të ardhurit. Kjo nuk do të thotë që unë nuk jam dakord me lëvizjet demografike të popullsisë nga veriu në jug, por kjo mendoj se duhej bërë me rregull. Kështu si është bërë lëvizja e popullsisë janë dëmtuar edhe vetë “pushtuesit” që lanë tokat e mira dhe zbritën poshtë Fushë-Krujës, nëse do i referohemi asaj vijës imagjinare që kemi hequr në hartë. Ky është një mentalitet që na u la trashëgim nga otomanët. Meqë nuk kishim kë të pushtonim, nisëm të pushtonim veten tonë.
Ne si popull vuajmë nga sëmundja e precedentit; meqë ai tjetri vodhi duhet të vjedh dhe unë, meqë ai tjetri vrau, duhet të vras, meqë ai tjetri ndërtoi, duhet të ndërtoj dhe unë etj,. etj.
Po faji i kujt është për këtë masakër urbane, siç thoni ju?
Nëse një vend ka 400 mijë ndërtime pa leje dhe afërsisht 200 mijë të prishura, ky është faji i mosfunksionimit të shtetit, është faji i politikës. Por unë mendoj se përgjegjësia më e madhe u bie arkitektëve profesionistë. Për ta ilustruar arsyen pse, po ju jap një shembull: Drejtoresha e Urbanistikës që firmosi ndërtimin e mbikalimi tek “Zogu i Zi”, e njëjta firmosi edhe prishjen e tij. Pas kësaj, me ngut u eliminua Instituti i Urbanistikës. Nëse projektimi i objekteve edhe mund të bëhet nga studio të veçanta autorësh, urbanistika nuk bëhet pa një Institut Shtetëror. Besoj se Instituti u shkri pikërisht për këtë gjë, për t’u dhënë mundësi disave që të pushtojnë pa asnjë kundërshtim kudo. Por kjo nuk i shfajëson arkitektët. Çdo godinë e ndërtuar ka një autor, ka një histori dhe mban firmën e një profesionisti dhe që të jemi realistë, ka arkitektë që janë pasuruar duke lejuar këtë masakër për hir të parasë. Kontributin më të madh në këtë shkatërrim të arkitekturës së qyteteve e kanë kryetarët e bashkive dhe komunave, të cilëve iu dha e drejta e fjalës së fundit. Çdo qytet u bë me mendjen e kryetarëve të bashkive dhe komunave, që janë krejt injorantë në fushën e arkitekturës urbane.
A ka shpresë për përmirësimin e kësaj situate?
Pyetja e parë që duhet ngritur është: A ka shpresë ky vend që ta ndalë kaosin urban në këtë moment, që më pas të mund të mendojmë për të vënë rregull? Disa herë është thënë se do të ndalohen legalizimet, por akoma dhe sot ato vazhdojnë. Ende vazhdon të ndërtohet vend e pa vend pa leje. Pa i thënë stop ndërtimeve nuk mund të shkohet më tutje. Megjithatë, unë mendoj se kjo që kemi bërë nuk zhbëhet më.
Jemi kthyer si të thuash në një model të keq të arkitekturës urbane?!
Do t’ju tregoj diçka për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Para një vitit erdhi në Shqipëri një grup studentësh të një universiteti arkitekture në Gjermani. Arsyeja e vizitës së tyre ishte të vizitonin rrugën “Komuna e Parisit” si modeli që nuk duhet ndjekur kurrë në një qytet. Pra, ne jemi kthyer në shembullin më të keq në botë sesi nuk duhet ndërtuar. Vitet e fundit vihet re dhe një tendencë tjetër e tmerrshme; ndryshimi i “fytyrës” të çdo ndërtese të vjetër. Kemi ndërhyrjet e jashtme në hotelin e Pogradecit, që ia kanë humbur origjinalitetin ndërtesës. Ashtu ka ndodhur edhe me Postën Shqiptare. Për hir të modernes bëhen ndërhyrje që nuk i përshtaten karakterit të ndërtesës, e kjo tendencë po përhapet shumë.
Asgjë e mirë nuk është ndërtuar në këto 20 vjet në këtë vend sipas jush?
Sigurisht që ka dhe elemente mjaft pozitive, por ato janë aq të pakta sa mbyten nga lumi i madh i ndërtimeve pa leje.
Në libër ju sillni dhe shumë skica si e ëndërroni ju Tiranën, apo si do ta kishit ndërtuar një godinë ose një tjetër…
Janë ilustrime dhe skica të miat që vijnë në këtë libër në formën e propozimeve. Ato janë ide për salla teatrore, koncertore, vila, hotele, salla polivalente, salla sportive të mbyllura etj. Por lexuesi do të hasë në libër edhe reflektime të mia personale, mbi të cilat unë kam patur vërejtje në të shkuarën dhe me kalimin e viteve qëndrimi im ka ndryshuar.
Titulli: Betonizimi i demokracisë. 20 vjet artikuj, intervista, studime.
Autor: Maks Velo
Botimet: UET Press


Pjesë nga libri 
Zgjedhjet nuk po ecin siç duhet. Më duket sikur janë të betonizuara. Asgjë nuk i shpëton dot. Ajo që është kryesore dhe qartësisht e dallueshme është mosbesimi. Asnjëra palë nuk i beson palës tjetër. Të gjithë besojnë se të gjithë të tjerët ua kanë me hile, me akraballëk, se patjetër i vjedhin… Vjedhja është bërë nocion primar i postdiktaturës. Në diktaturë vjedhja ishte zëvendësuar me spiunimin. Denoncimi ishte një lloj i ri vjedhjeje nga “njeriu i ri socialist”.
Ka mosbesim, se ka vjedhje! Dhe sikur të mos vjedhin, nuk i beson më njeri… Sepse demokracia u kuptua si zaptim, si pushtim, si pasurim. Pasurim pa punuar. Dhe këtu doli që ai që mund të pushtohej dhe të shitej më lehtë, ishte territori. Ne u futëm në epokën moderne me fondin osman të banimit dhe shfrytëzimit social. Në 500 vjet nuk u ndërtua asgjë.
Pavarësia, Mbretëria, më pas pushtimi, Lufta e Dytë; dhe erdhëm në socializmin vetëvrasës ku prodhuam armë dhe bunkerë. Në fund të shekullit të 20-të jemi populli më i prapambetur në Europë, pa projektues të aftë, pa ligje, pa pushtet lokal.
Në vitin 1991 u fillua nga më të voglat: nga barakat. Barakat mbinë dhe u shtuan njëra pas tjetrës, deri sa “kapën për fyti” qytetet. Në të njëjtën kohë, me to filluan dhe morën përhapje “shtesat” nëpër pallate. Kushdo që mundej shtonte horizontalisht apo vertikalisht volume të pakuptimta duke mos respektuar asnjë ligj, apo rregull. Dhe çuditërisht këto shtesa i legalizonte “ALUIZNI”.
Tani janë të hipotekuara dhe as nuk bëhet fjalë për të sjellë ansamblet, kryesisht në Tiranë, në gjendjen e mëparshme. Shembull i paprecedentë në historinë e urbanizmit botëror është shpërfytyrimi i vilave të “Aviacionit” në Tiranën e re, apo atyre të “Xhenios”.
Qytetet tona më kujtojnë një portret të Pierre Bruegel-it të një fytyre të shpërfytyruar nga gungat gangrenoze. Krahas saj filloi zhvendosja e paplanifikuar dhe kaotike e popullsisë, kryesisht të zonave veriore. E gjitha u legalizua me ligje, të cilat i bënë akoma më të pazgjidhshme mbivendosjet e vazhdueshme të pronës.
E gjithë historia mesjetare dhe moderne e Shqipërisë ka vetëm një argument, tjetërsimin e pronës. Deri sa vijmë në kërkesa absurde që disa fshatra duan si pronë male e dete deri në 260 km katror. Krijojnë dhe “Kuvende të Djalërisë” (patjetër atdhetare), që t’i mësojnë edhe këta të rinj që mos t’u binden ligjeve themelore të shtetit.
Ç‘do të bëhet sikur tërë fiset dhe komunat të bëjnë edhe ata të njëjtën gjë: të formojnë edhe ata “Kuvende Djalërie”, dhe të kërkojnë male e fusha e liqene e dete se “u takojnë me fermane sulltanore”?
Demokracia ka si bazë të saj menaxhimin e territorit. Territori u përket të gjithëve, është pronë e të gjithëve. Pronësia mbi territorin nuk mund të jepet kështu, sikurse vepruam ne. Lëvizja e pakontrolluar, e pastudiuar, e paplanifikuar e popullsisë ishte vrasja e demokracisë. Është shumë e vështirë, gati e pamundur të riparohet. Dhe kjo u bë tërësisht për qëllime politike.
Ai që e udhëhoqi këtë, kujtonte se bënte mirë, ndonëse, në fakt, ishte vetëvrasje. Kjo lëvizje duhej bërë e kontrolluar, pa shkelur rregullat dhe ligjet e pronësisë.
Pati disa të këqija. E para, u braktisën zona dhe territore nga më të mirat, që është zor të rikuperohen. Shqipëria, nga shtet bujqësor-blegtoral që ishte, tani nuk është asgjë: as bujqësor, as blegtoral, as industrial.
Jemi shteti i qejfit dhe i kafeneve!
Duke qenë të varfër dhe të paditur bënë pushtime të rastësishme dhe ato që investonin, ishin pa asnjë plan. U krijuan konflikte të panumërta, që gjeneruan vrasje dhe gjakmarrje.

Related

Libri 3079610254404051119

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item