Misioni – Ja se si do të shkojnë njerëzit në Mars

Të gjitha detajet e misionit të parë njerëzor në planetin e kuq, i cili parashikohet të ndodhë në vitin 2040 Në 20 vitet e fundit është thën...

Të gjitha detajet e misionit të parë njerëzor në planetin e kuq, i cili parashikohet të ndodhë në vitin 2040

Në 20 vitet e fundit është thënë aq shumë herë që do të mund të shkojmë në Mars saqë nuk po e besojmë më. Por tani, për herë të parë, e dimë saktësisht se si do të shkojë udhëtimi i parashikuar në vitin 2040, falë një studimi të detajuar të një misioni njerëzor në planetin e kuq, që revista italiane “Panorama” ka mundur të zbulojë. Kryetari i këtij raporti është italiani Xhiankarlo Xhenta (Giancarlo Genta), profesor në Politeknikumin e Torinos. Xhenta dhe grupi i tij janë caktuar nga Akademia Ndërkombëtare e Astronautikës (IAA) për të përgatitur studimin i cili quhet “Studimi kozmik i bardhë”. Realizimi i misionit në Mars do të bëhet i ditur gjatë këtij muaji në Uashington, në mbledhjen e të gjitha agjencive hapësinore të botës dhe Cospar, komitetit botëror për kërkimet hapësinore. Është pohuar se këtë herë, kjo gjë do të bëhet seriozisht. Në 40 vitet e fundit në Mars janë dërguar mbi 50 sonda, por vetëm një në dy ka arritur të ketë sukses. Disa prej tyre janë: Viking, Pathfinder, Surveyor, Opportunity, Mars Espress, Nozomi, Curiosity (ajo që aktualisht po eksploron planetin) dhe Maven (e nisur rreth para dy javësh). Sondat kanë përgatitur rrugën drejt një bote të panjohur, e vëzhguar nga teleskopë terreni dhe e imagjinuar nga fantashkenca. Sot, falë këtij misioni robotik, ne mund të planifikojmë edhe misionin që do të bëhet në të ardhmen në planetin Mars. “Eksplorimi nuk është vetëm një gjetje shkencore, por më shumë se kaq: eksplorohet për të njohur një territor dhe njëkohësisht për të shkuar atje. Është hapi i parë për të krijuar një qytetërim ndërplanetar, në të cilin njerëzit do të jetojnë në trupa të tjerë qiellorë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtojmë nga kufizimi i resurseve që kërcënojnë të ardhmen tonë”, thotë Xhiankarlo Xhenta.

Misioni njerëzor në Mars
Dihet se Marsi është afër Tokës dhe me teknologjinë që ne disponojmë ai është si të thuash prapa “derës” sonë. Po a ka kuptim që në një periudhë krize si kjo që po kalojmë të ndërmarrim një sfidë të tillë? “Së pari, kriza që ka përfshirë Europën e që është ende shumë e fortë, nuk i ka prekur të gjithë në të njëjtën mënyrë dhe shumë vende tashmë kanë dalë prej saj”, përgjigjet Xhenta. “Gjërat janë të ndryshme në nivel global. Në dekadat e fundit, rritja globale ka qenë e dukshme dhe mendoj se një projekt i madh me një teknologji të lartë ndihmon për të kapërcyer krizën. Ulja në Hënë i dha një lloj nxitje teknologjisë për të mbështetur dekada rritjeje të pandërprerë. Ky është pikërisht ai lloj investimi që do të jetë në gjendje të përshpejtojë rimëkëmbjen globale”. Për realizimin e projektit duhet të punohet në mënyrë intensive për të paktën 20 vjet. Hapi i parë do të jetë ndërtimi i një rakete bërthamore, që përdor energjinë e bërthamave të amercio. Më pas, kur astronautët të mbërrijnë në Mars, duhet të gjejnë mundësinë e qëndrimit dhe të udhëtimit të kthimit. Do të planifikohen një seri misionesh me ngarkesa që do të dërgohen para se njerëzit të shkojnë atje. Kur ekuipazhi të hyjë në orbitën e Marsit, do të gjejë një kapsulë që do t’i transportojë ata në sipërfaqe. Atje do të jenë sondat me të gjitha pajisjet e dobishme. Gjatë qëndrimit të tyre në Mars, astronautët duhet të mbrohen nga rrezet kozmike, me ndërtimin strehimeve mbrojtëse sipërfaqësore ose të realizuara nën sipërfaqe. Ata do të ushqehen me ushqime të gatshme dhe të thata (që do të kthehen në normale me shtimin e ujit). Puna e tyre do të konsistojë në marrjen dhe analizimin e materialeve (gurë, tokë, akull) dhe në udhëtimin me Rover për të rikërkuar format e jetës, aktuale apo të kaluara, objekte dhe materiale të reja të çmuara. Nuk duhet të harrohet fakti se mungesa e zgjatur e gravitetit mund të sjellë probleme të ndryshme tek organizmi i astronautëve, sidomos te muskujt dhe qarkullimi i gjakut. Por me ta në bord do të jetë edhe një mjek i cili do të ketë përgjegjësi të mëdha mbi shëndetin e tyre, pasi në rastin kur edhe vetëm një astronaut mund të sëmuret keq, i gjithë misioni hapësinor vihet në rrezik. “Padyshim që misioni në Mars do të ketë rreziqe të larta, por kur t’ia dalim të krijojmë struktura të përhershme, gjithçka do të përmirësohet”, pohon Xhenta.

Eksplorim kurioziteti
Xhovani Binjami (Giovanni Bignami), astrofizikani dhe eksperti i eksplorimeve hapësinore, beson se misioni i parë në Mars nuk do të jetë i vetmi: “Pas vizitës së parë, duke përdorur atë që ne kemi mësuar dhe duke shfrytëzuar materialin e mbetur në Mars, do të kthehemi. Herën e dytë ne do të kemi një bazë gjysmë të përhershme, jo vetëm një strehë emergjente: do të jetë e madhe, e fuqishme, e sigurt dhe nën presion. Mbase do të ketë tunele llavash, ashtu si në Tokë dhe në Hënë ose zgavra vullkani apo burime vullkanike nëntokësore poshtë ujit. Eksplorimet e mëtejshme do të planifikohen për të arritur në një vend të pranueshëm për shtëpinë tonë të dytë në Mars”. Atje mendohet që shkretëtira të kthehet në një tokë të premtuar për mbijetesën afatgjatë të llojit tonë. Planeti Mars duhet të ngrohet dhe të pajiset me një atmosferë e një fushë magnetike, duke futur format e para të jetës, insekte dhe bimë të thjeshta, dhe më pas organizma kompleks, gjitarë të vegjël. “Përpjekja për të sjellë jetë në planetin Mars do të ishte një ndërmarrje e një periudhe gjeologjike me një kohë shumë të gjatë dhe shumë të çmueshme”, përfundon Binjami. Tani për tani duhet të jemi të kënaqur që do të mund të marrin posedimin e planetit të kuq.


Është hapi i parë për të krijuar një qytetërim ndërplanetar, në të cilin njerëzit do të jetojnë në trupa të tjerë qiellorë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtojmë nga kufizimi i resurseve që kërcënojnë të ardhmen tonë

Në dekadat e fundit, rritja globale ka qenë e dukshme dhe mendoj se një projekt i madh me një teknologji të lartë ndihmon për të kapërcyer krizën. Ulja në Hënë i dha një lloj nxitje teknologjisë për të mbështetur dekada rritjeje të pandërprerë

Related

Shkencë 6637169930879448993

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item