Gjithçka nga dashuria
Sopranoja Ermonela Jaho ndodhet në Londër, për të ngjitur në skenën e Royal Opera House rolin e Manon. Në një intervistë për “Shqip” ajo tre...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/gjithcka-nga-dashuria.html
Sopranoja Ermonela Jaho ndodhet në Londër, për të ngjitur në skenën e Royal Opera House rolin e Manon. Në një intervistë për “Shqip” ajo tregon për herë të parë zhgënjimet dhe historinë e saj të dashurisë…Rruga drejt suksesit dhe xhelozitë që ka gjetur në Shqipëri…
Ermonela Jaho hap sezonin e ri për vitin 2014 nëRoyal Opera House në Londër. Ajo interpreton rolin e Manon, të Jules Massenet, një nga rolet më të mira në operën botërore. Ajo është ngjitur në skenën prestigjioze të teatrit londinez, në Covent Garden, dje në mbrëmje, dhe do të vijojë të interpretojë në datat 17, 21, 24 dhe 28 janar. Ermonela Jaho është një zë i fuqishëm shqiptar dhe i nderuar që vijon të shkëlqejë në skenat më të mira të botës. Më tej, ajo do të interpretojë në skena dhe vende të tjera si Bruksel, Nju Jork, Metropolitan, Berlin etj. Në këtë intervistë, ajo na rrëfen në konfidencë çelësin e suksesit të saj, rrugën drejt muzikës, dashurinë dhe planet e afërta për një koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit…
Cilat janë angazhimet tuaja të momentit?
Në këtë moment, jam duke u përgatitur për produksionin e operës të Jules Massenet, një opera franceze ku bëj rolin e Manon në teatrin prestigjioz Royal Opera House, të cilën e ndiej si shtëpinë time, sepse kthehem gjithmonë për të interpretuar. Nganjëherë do ta konsideroja si një termometër, sepse fakti që kthehem vazhdimisht do të thotë se ende nuk jam “plakur”. Në muajin janar kam pesë shfaqje të Massenet në Opera House të njëjtin produksion që unë e kam bërë dhe në muajin e kaluar në La Scala, më pas do të jem në Paris me një koncert tjetër, më pas në Bruksel, në Nju Jork, Metropolitan, Berlin, Hamburg, përsëri do të vij në Londër në muajin qershor-korrik me operën Bohem etj., etj. Është një jetë gjithmonë në lëvizje.
Si ia dilni mbanë? Nga vjen e gjithë kjo energji?
E dua shumë të kënduarit. Ju tregoj në konfidencë. Unë kam qenë si fëmijë tepër i mbyllur. Emocionohesha vetëm me një të parë, imagjinoje të dalësh para skenës dhe në mënyrë instiktive, automatike, kur këndoja fshehurazi para pasqyrës ndihesha e lirë, e lumtur dhe prindërit e mi të mrekullueshëm kur më panë që po këndoja më regjistruan në Pallatin e Pionierëve. Kam qenë 5-6 vjeçe. Kjo ishte një lloj terapie, mund të them, megjithëse duket si një lloj kontrosens, sepse në momentin që ti je kaq e turpshme, është e vështirë të dalësh para mijëra spektatorëve sepse nuk arrin të mbash emocionin. Mua muzika, këndimi, më ka liruar shpirtin. Është një liri shpirtërore të cilën kur e njeh, kur e kupton që e ke tek vetja, nuk e braktis dot dhe kjo më ka udhëhequr deri tani. Ndonjëherë lodhem ngaqë iki nga një vend në një tjetër dhe them më mirë po e lë, mjaft këndova por në momentin që rri një ditë ose dy ditë pa kënduar, ose nuk jam në skenë, më mungon diçka, kam një lloj ankthi, më mungon tamam ajo liria shpirtërore për të cilin fola. Muzika mua më çliron shpirtin.
Si u gjendët në rrymën e muzikës klasike?
Kur fillova në Pallatin e Pionierëve doja të isha si Parashqevi Simaku, Nertila Koka dhe më thoshin se i ngjaja Parashqevisë dhe me pëlqente, se doja të isha në qendër të vëmendjes, të isha e bukur si ajo. E doja për muzikën e lehtë, sepse të jem e sinqertë në atë kohë nuk e kishim atë kulturë dhe njohuri për muzikën operistike, të paktën po flas për familjen time, familje ushtarakësh. Ngaqë doja të vazhdoja shkollë muzike, kam bërë 8-vjeçare dhe më pas liceun, për të cilin në atë kohë duhej të bëje një konkurs nga pjesët që duhej të çoje në konkurs, ishin dhe dy arie nga opera. Në fakt, kur kam dëgjuar për herë të parë muzikë klasike në televizion, kam thënë: “Po këta ulërasin”? Unë dua të jem si Parashqevi Simaku. Por gjithsesi bëra ato ushtrimet e para, mësova pjesën që duhej të interpretoja dhe për herë të parë kam shkuar në Teatrin e Operës dhe Baletit kur kam qenë 14 vjeçe. Në atë kohë i thashë vëllait të madh, më ço se dua të shoh drejtpërdrejt për çfarë bëhet fjalë. Ka qenë Traviata. Nuk kuptoja shumë, sepse nuk e njihja, por ju betohem se ashtu siç është ajo dashuria me shikimin e parë, e tillë ishte dhe dashuria për t’u bërë këngëtare lirike me dëgjimin e parë. Pasi kam dëgjuarTraviatën, kam marrë frymë lirshëm, kam qarë në fund dhe pse nuk e dija përse bëhej fjalë. Muzika më udhëhoqi dhe i thashë tim vëllai se nuk do të vdes pa e kënduar një herë Traviatën. Unë do të bëhem këngëtare operistike dhe aty filloi rruga ime drejt muzikës klasike. Është diçka aq e thellë, edhe pse ne na duket në momentin e parë se kush po ulëret, por është një lloj muzike e tillë që kur i hyn në brendësi, është aq filozofike, aq e ndjerë. Janë ato ndjenjat humane të idealizuara, ndjenjat universale nga kompozitorë të jashtëzakonshëm që kanë arritur dhe e kanë përshkruar aq bukur, prandaj dhe ne pas qindra vjetësh shkojmë në opera, sepse kanë thënë diçka të vërtete, diçka të sinqertë. Kur fillova të merrja njohuritë e para për muzikë operistike ndihesha si në shtëpi. Edhe sot e kësaj dite kam një lloj katarsis dhe shoh këtë ëndrrën e Ermonelës që jo vetëm këndova Traviatën, dhe po e këndoj akoma, çka do të thotë se ëndrra u realizua, por është prapë një ëndërr që ti e sheh që realizohet bashkë me mua.Traviatën, e kam kënduar për herë të parë kur kam qenë 17 vjeç, tani jam 39, nuk e fsheh moshën dhe sa herë e këndoj është një ëndërr që e shoh të rritet bashkë me mua…
A vazhdon të mbetet Traviata e preferuara juaj, meqë ishte ajo e cila ju futi në botën e muzikës klasike?
Të jem e sinqertë po. Me kalimin e kohës e kam kuptuar se të gjitha operat dramatike e kanë atë forcën shpirtërore, sakrificën që e kanë femrat shqiptare. Unë kam parë nënën time, gjyshet tona dhe sakrificën që bëjnë gratë shqiptare. Këtë e kam vënë re kur isha e vogël. Atëherë nuk e kuptoja sepse isha fëmijë, por në njëfarë mënyre, fëmija është si një lloj sfungjeri që thith shumë, dhe atë eksperiencë, atë lloj mbylljeje në vetvete në fëmijëri, e kam kthyer në një lloj arkivi dhe të gjithën e kam marrë në të mirë dhe në të keq duke e përdorur në skenë.
Cili është çelësi i suksesit tuaj?
Çelësi i suksesit është sinqeriteti dhe të besosh në atë që po thua, sepse zëra të bukur dhe të mëdhenj ka plot nga gjithë bota dhe nuk është vetëm zëri im. Të gjitha rolet dramatike i pëlqej, sepse kur është një skenë dramatike në opera, unë e interpretoj atë me emocion të natyrshëm, me një emocion të cilin unë në jetën reale nuk e tregoj. Kur ke një dhimbje apo ke humbur një person të dashur, në opera mbaj mend mënyrën sesi qajnë shqiptarët dhe vetvetiu, më vjen ndërmend dhe e bëj pjesë të interpretimit tim. Por kjo e prek publikun, sepse vërtetësia është diçka që ti e ke jetuar, bën pjesë në folklorin tonë. Bëhem njësh me rolin që interpretoj, sepse gjej veten. Unë shikoj anglezët të cilët janë shumë diplomatë, të ftohtë sepse shoh dhe publikun nga një vend tek një tjetër, por fundja janë qenie humane dhe po i kape çelësin e zemrës, sepse muzika është gjuhë e zemrës, nuk i lë dot pa prekur as ata. Ky është çelësi i suksesit tim.
Muzika është një dashuri e juaja. Por përveç kësaj, si e dashuron Ermonela partnerin e saj, njeriun e zemrës?
Personin e zemrës e kam shokun më të mirë. Ne jemi rritur bashkë, që të vegjël, kemi qenë në Pallatin e Pionierëve. Edhe në këtë rast është muzika në mes. Kemi studiuar bashkë muzikë. Ai aktualisht merret me një profesion tjetër, jetojmë në Amerikë. Ai më thotë se është krenar për mua, por dhe unë jam po aq krenare për atë. Sepse të bësh këtë profesion, të jesh gjithë kohës e ikur nga njerëzit që do, nga familja dhe nëse nuk ekziston kjo dashuri nga të dyja anët, nuk mund të funksionojë vetëm nga njëra anë. Dhe unë e dua jashtë mase njeriun e zemrës time. Në fakt, është hera e parë që e them publikisht dhe mund të them se kur dua, e bëj 100%, dua totalisht dhe kur zhgënjehem po ashtu zhgënjehem tërësisht.
Sa të vështirë e keni pasur për të arritur këtu ku jeni sot? A keni pasur pengesa për të arritur këtë sukses që ju keni sot?
Dashuria e madhe për të kapur këtë ëndërr është shoqëruar paralelisht me një zhgënjim, me një vuajtje të jashtëzakonshme. Unë fitova një konkurs në Shqipëri për t’u perfeksionuar në Akademinë Montevana kur shkova në Itali dhe aty më braktisën dhe ata njerëz që më kishin marrë. Nuk më vjen zor të them se kam provuar urinë, mbijetesën që nganjëherë thosha ia vlen apo nuk ia vlen të vazhdoja më tej në rrugën që kisha nisur. Jam rrëzuar disa herë nga pengesat me të cilat jam përballur. Ndoshta m’u desh dhe të rritesha para kohe, por filozofia ime ishte: në qoftë se pasioni është kaq i madh, kjo ëndërr është kaq e madhe për t’u arritur atëherë dhe vuajtja, sakrifica duhet të ishin po kaq të mëdha”. Dhe sikur të viheshe në provë nga fati sa herë kisha vështirësi të mëdha, mendoja se për të arritur ëndrrën duhet të kapërceja dhe këtë dhe çdo vështirësi tjetër që hasja rrugës. Por mund të them jo me keqardhje se çdo gjë ia vlejti, sepse vetëm në momentin që rrëzohesh, atëherë kur të dhemb mbi lëkurë mund të kuptosh vlerën e gjërave dhe merr forcë. Ka qenë një rrugë e vështirë, por dhe është akoma, sepse jam në qendër të vëmendjes.
Kur ka qenë hera e fundit që keni interpretuar për publikun në Shqipëri dhe a keni pasur ftesë apo a prisni të keni një të tillë për të interpretuar para publikut shqiptar në një skenë shqiptare?
Unë kam kënduar në Shqipëri para disa vitesh, kam ardhur dy apo tre herë. Por eksperienca nuk ka qenë shumë pozitive.
Përse?
Një lloj xhelozie të cilën e kuptoj, sepse kush merret me art duhet të jetë ambicioz, ta ketë ambicien sa Himalajet kur i thonë, por mosrespektimi i personave që më bënë ftesën ose moskorrektësia ka qenë një eksperiencë jo e mirë. Kam pasur nja dy episode jo të këndshme, por qofshin të kaluara. Fundja e dua Shqipërinë ashtu si familjen, me të mirat dhe të këqijat e saj. Për momentin më është bërë një ftesë nga drejtori i ri Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, dhe kemi ndërmend të bëjmë diçka të bukur për vitin 2014. Gjithashtu kam folur dhe me kolege të tjera siç janë Gëzim Myshketa, një tjetër këngëtar, artist shqiptar i mrekullueshëm apo Sajmir Pirgu, apo Orjana Kurteshi etj., për të bërë diçka të bukur në mënyrë të pakushtëzuar vetëm të ndihemi që ajo opera ka dyert e hapura si krahët e një nëne që pret fëmijën e saj kur i vjen nga larg, kur i kthehet në shtëpi. Vetëm në atë mënyrë, kur artistët do gjenden të respektuar nga bashkatdhetarët e tyre, sidomos nga një institucion i tillë unë personalisht do kontribuoj në mënyrë të pakondicionuar duke ofruar eksperiencën time. I duhet treguar brezit të ri, të jemi të prekshëm për ta dhe të japim një lloj mesazhi, besimi se asgjë nuk është e pamundur. Çdo gjë është e mundur, vetëm duhet të kemi dëshirë dhe pasion. Nuk them t’u tregojmë rrugën, sepse secili duhet ta bëjë vetë atë, të ketë eksperiencën e vet, por të përcjellim mesazhin e vërtetë, të shohin rezultatin e atij personi që është bërë dikush, që flet të njëjtën gjuhë, që ka studiuar në të njëjtën shkollë, njeh mentalitetin e tyre, t’u japësh modelin. Dhe ne duhet të jemi modeli pozitiv dhe i prekshëm për ta. Këto janë plane shumë të bukura që kemi për momentin të cilat shpresojmë t’i realizojmë në vazhdim.
Në një nga intervistat e dhëna në median shqiptare jeni shprehur se do hapni një shkollë për muzikë klasike për të mësuar të rinjtë…?
Nuk ka qenë se do ta hapja unë shkollën, sepse i dhanë dhe ngjyra politike, por e vërteta ishte se unë këndoja në atë periudhë në arenën e Veronës, në hapjen e festivalit erdhi edhe Presidenti i Italisë, Napolitano, dhe duke folur për Shqipërinë disa persona që merreshin me Bashkimin Europian konstatuan se Shqipëria ka nxjerrë disa artistë dhe pse mos të hapet një shkollë e “belle canto-s” në Shqipëri, në Tiranë, dhe më kërkuan nëse kisha mundësi për të qenë një lloj urë lidhjeje për këtë projekt, të cilin unë e tentova, por për arsye objektive apo subjektive e gjitha përfundoi këtu.
Edhe sikur të kishte qenë një ide e juaja do ishte për t’u përgëzuar fundja, sepse mund të ketë shumë të talentuar në Shqipëri të cilët nuk kanë mundësi ose nuk e dinë se ndoshta e kanë talentin për t’u bërë këngëtarë operistikë…
Për mua është një ëndërr tjetër që dua ta realizoj që të bëj të mundur me ndihmën e kolegëve të mi që sa më shumë mundësi t’u jepen të rinjve shqiptarë duke dhënë dhe ne eksperiencën tonë duke i marrë dhe duke i ballafaquar në konkurse dhe me konkurrencën që është nëpër botë. Sepse ne kemi shumë talente, por duhet t’u japësh shpresën dhe mundësinë sepse mund të këndosh në shtëpi, t’i biesh pianos dhe të jesh gjeni në shtëpi, por nëse nuk të jepet mundësia mbetet në dhomën tende. Dhe unë e di mirë se çfarë do të thotë të të japin atë mundësi, sepse e kam pritur me vite kur kisha ato problemet e mia dhe ia di vlerën e jashtëzakonshme dhe ky është një detyrim për ne si artistë, të cilët kemi arritur diçka, ta bëjmë edhe për brezin e ri.
Si ndiheni teksa bashkëpunoni me artistë të tjerë shqiptarë në skenat botërore? A vijnë ato si planifikime apo rastësisht dhe a keni ndonjë bashkëpunim të mundshëm në ditët në vazhdim?
Bashkëpunimet kanë qenë momentet më të bukura të karrierës sime. Unë kam kënduar me Gëzim Myshketajn, me Sajmir Pirgun, me Inva Mulën, kanë qenë në kor dhe këngëtarë të tjerë dhe vijnë në mënyrë krejt të rastësishme, sepse secili punon me agjenci më vete. Është një lloj lehtësimi të punosh me artistë nga vendi yt. P.sh kur kemi interpretuar Traviatën, këtu në Londër me Sajmirin, unë në rolin e Violetës dhe Sajmiri në rolin e Alfredos, mund të tregoj një moment i cili tregon shumëçka. Në momentin e fundit kur Violeta është e sëmurë dhe po vdes, ndërsa unë duhet të jem tepër e lodhur, sepse është dhe ai make up, apo gjatë interpretimit më bien flokët në fytyrë më duhet t’i bëj shenjë kolegut që të më kapë në një mënyrë të tillë apo të më largojë flokët që unë mos të kem vështirësi në të kënduar dhe këtë gjë Sajmiri e kuptoi vetëm me një vështrim ndryshe nga sa ndodh me tenorët e tjerë. Pra është një komunikim krejt i kuptueshëm dhe pse pa fjalë dhe shenja. Kjo do të thotë të kesh të njëjtën gjuhë, kulturë, kuptohesh menjëherë. Ka diçka të veçantë të cilin nuk mund ta përkufizoj, por është diçka magjike dhe bashkëpunimet me artistët shqiptarë do t’i konsideroja si më të bukurat e jetës sime në skenë.
Si do ta përkufizonit vitin që lamë pas, 2013?
Unë jetoj përditë dhe përpiqem të shijoj çdo gjë të bukur dhe pozitive ashtu sikurse dhe negative, të gjitha janë pjesë e jetës. Viti që lamë pas ka qenë si nga ana profesionale dhe personale mjaft i mbarë për mua. Ndërsa për ta marrë në një pamje më globale për sa i përket vendit mendoj se kemi bërë shumë arritje, duhet të jemi të kënaqur për gjërat e bukura dhe pozitive që kemi arritur, por nuk duhet të harrojmë asnjëherë gabimet që kemi bërë, sepse në këtë mënyrë mësojmë si të përmirësojmë më tej imazhin e vendit tonë. Mund të tingëllojë tepër nostalgjike, por gjithmonë kur dalim jashtë vendit, ne si artistë ju si gazetarë e secili prej nesh duhet të kemi parasysh se prezantojmë jo vetëm veten tonë, por dhe vendin tonë. Pra në tërësi mendoj se viti që lamë pas, ka qenë vit i mirë, por edhe më i mirë mendoj do të jetë 2014 dhe uroj të jetë vërtet kështu.
Driada Hoxha
2014 tashmë për Ermonela Jahon ka shënuar arritjet e para. Së fundi është përzgjedhur si një nga anëtarët e Komitetit të Nderit të Paris Opera Awards 2014, i cili është një konkurs prestigjioz që në mesin e 50 këngëtarëve më të mirë lirikë, vetëm 10 prej tyre do të shkojnë në finalen e madhe, e cila mbahet më 14 nëntor 2014.