Hiqni dorë nga shenjtëria e Ariel Sharon
Një libanez që përjetoi rrethimin e Bejrutit argumenton se udhëheqësi izraelit që u nda nga jeta ishte një kriminel lufte dhe kurrsesi një p...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/hiqni-dore-nga-shenjteria-e-ariel-sharon.html
Një libanez që përjetoi rrethimin e Bejrutit argumenton se udhëheqësi izraelit që u nda nga jeta ishte një kriminel lufte dhe kurrsesi një paqedashës
Këndvështrim
RASHID KHALIDI, Foreign Policy
Gjatë pushtimit izraelit të Libanit më 1982, të gjithë ne që jetonim në Bejrutin Perëndimor të rrethuar, ishim të vetëdijshëm se ushtarakët e Izraelit po kërkonin të eliminonin udhëheqësinë e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OCCP) dhe nuk kishin probleme në rast se vrisnin edhe një numër të madh civilësh në këtë proces. Ne e dinim këtë nga bombardimi ajror i zonës përreth Universitetit Arab të Bejrutit, ku OCCP kishte shumë nga zyrat e veta. Dhjetëra pallate u rrënuan.
Kur u afrua fundi i bombardimit dhjetëjavor izraelit dhe rrethimit të Bejrutit, një ndërtesë me refugjatë shumë blloqe larg shtëpisë sime në lagjen Sanajeh u shkatërrua tërësisht nga ajri, duke vrarë dhjetëra vetë. Menjëherë pas sulmit, vëzhgova kasaphanën në terren bashkë me një vit. Pasi u largova për në shtëpi, dëgjova një shpërthim tjetër të stërmadh – ishte një makinë bombë, sipas të gjitha gjasave, e shpërthyer pranë ndërtesës së shkatërruar në mënyrë që të vriste njerëzit që u përpoqën të shpëtojnë të mbijetuarit. Miku im shpëtoi për pak nga vdekja.
Ky dhe shembuj të tjerë të veprës së arkitektëve të pushtimit izraelit të Libanit, i famshëm mes tyre Ariel Sharon, nuk u treguan nga media amerikane dhe izraelite me rastin e lajmit për vdekjen e tij. Në vend të kësaj, ne na thanë se Sharon qe “i debatuar” dhe se palestinezët kishin kritika për të, por se ai ishte një “hero”, një “mbrojtës i paepur i sigurisë së Izraelit” dhe në mënyrë më groteske, “një paqebërës”.
Në shtator 2012, New York Times publikoi një editorial me rastin e 30-vjetorit të masakrave në kampet e refugjatëve Sabra dhe Shatila, gjatë të cilave ushtria e Izraelit bëri sehir ndërkohë që aleatët e vet libanezë vranë gati 1,400 palestinezë dhe civilë libanezë të paarmatosur dhe të pambrojtur.
Artikulli, i cili bazohej te dokumente të sapopublikuara nga arkivat shtetërore të Izraelit, zbuloi detaje të reja mbi rolin e Sharon në masakër dhe një përgjegjësi diplomatike jo të drejtpërdrejtë amerikane mbi këto krime.
Por New York Times nuk e raportoi këtë detaj në lajmet mbi vdekjen e Sharon. Në vend të saj, ajo ripublikoi një apologji të vitit 1983 nga Sharon për pushtimin e Libanit prej tij, që solli mbi 50 mijë të vrarë, në shumicë, civilë.
Lufta e Libanit që Sharon, si ministër i Mbrojtjes, bëri më shumë se kushdo tjetër për ta nisur, solli një katastrofë pa fund për palestinezët, libanezët dhe në këndvështrimin e shumicës së izraelitëve në atë kohë, të vetë Izraelit.
Pushtimi i Libanit të Jugut nga Izraeli që zgjati deri në vitin 2000, intensifikimi që ndodhi me luftën civile libaneze, masakrimi i një numri të stërmadh njerëzish të pafajshëm dhe vdekja e qindra ushtarëve izraelitë e mijëra luftëtarëve të tjerë, të gjithë këto janë gjerësisht përgjegjësi e Sharon.
Ndikimi i thellë i Sharon në Lindjen e Mesme u zgjat shumë përtej Libanit. Nëse krijimi i një shteti palestinez me të vërtetë sovran, të pavarur, me vijimësi dhe të aftë sot nuk është i mundshëm – siç besojnë shumica e vëzhguesve me trishtim – kjo është gjerësisht një arritje e tij. Që kur ai u emërua ministër i Bujqësisë më 1977 deri sa doli nga skena politike e Izraelit pas një ishemie në vitin 2006, ai ndoshta bëri më shumë se çdo udhëheqës tjetër izraelit për ta bërë kolonizimin e Izraelit të Bregut Perëndimor të Pushtuar dhe Jerusalemit Lindor Arab një sukses tronditës.
Sharon fluturoi mbi këtë rajon me një helikopter për të zgjedhur vendet për kolonitë e reja, e gjitha ndërsa krijonte mjete novatore për të vjedhur tokë nga pronarët palestinezë. Si kryeministër, ai vijoi këtë proces ekspansioni, i cili e ka kthyer Bregun Perëndimor në një djathë zviceran plot vrima në tërësi të dominuar nga vendbanimet izraelite në pothuajse çdo majë kodre. Krahas kësaj ai kreu tërheqjen e njëanshme nga Rripi i Gazës ndërsa ruajti kontroll drakonian mbi të nga jashtë, rrjedhimisht duke e kthyer zonën në burgun më të madh në botë.
Zëvendëspresidenti Xho Bajden (Joe Biden) e lavdëroi sot Sharon si një “udhëheqës historik” që ishte dedikuar për arritjen e paqes. Thjesht kjo ide është qesharake. Sharon e nisi karrierën si komandant ushtarak i mirënjohur për sulmet e pamëshirshme mbi civilët e pafajshëm – si masakrimi në Bregun Perëndimor në fshatin Kibia më 1953, kur njësia e tij komando 101 hodhi në erë shtëpitë me gjithë banorët brenda, duke vrarë 69 vetë.
Sulmi solli dënimin e parë në histori nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së për Izraelin. Ai nuk ishte një incident i izoluar: në të vërtetë, ai themeloi një sjellje “sy për sy” që u zbatua në dhjetëra raste si dhe në faktin që udhëheqësia e Izraelit në mënyrë sistematike mbylli sytë përballë asaj që po ndodhte në terren. Kjo përqasje ka karakterizuar përgjigjen e Izraelit ndaj çdo rezistence përballë ekspansionit të saj që nga themelimi i shtetit.
Sharon ishte emblematik për refuzimin e Izraelit për të pranuar se rezistenca palestineze ishte një përgjigje e pashmangshme ndaj themelimit me dhunë të një shteti për hebrenjtë dhe përzënies së vazhdueshme të qindra mijë palestinezëve. Në vitet e fundit ai u bë punëdhënësi më i sofistikuar përdorimit figurativ të “terrorizmit” për të poshtëruar këtë rezistencë.
Cilësimi i jo vetëm atyre që morën armët kundër Izraelit, por i të gjithë palestinezëve si “terroristë” mund të shihet në transkriptin e një takimi mes Sharonit, ministrave të tjerë izraelitë dhe të dërguarit amerikan Morris Draper më 17 shtator 1982, në mes të masakrave në Sabra dhe Shatila.
Morris Draper: Njerëzit armiqësor do të thonë, sigurisht IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) do të qëndrojnë në Bejrutin Perëndimor dhe do të lënë libanezët të shkojnë dhe të vrasin palestinezët në kampe.
Ariel Sharon: Pra ne do t’i vrasim ata. Ata nuk do të lihen atje. Ju nuk do t’i shpëtoni ata. Ju nuk do të shkoni të shpëtoni këto grupime të terrorizmit ndërkombëtar.
MD: Ne nuk jemi të interesuar të shpëtojmë asnjë nga këta njerëz.
AS: Nëse nuk doni që libanezët t’i vrasin ata, ne do t’i vrasim ata.
Të gjithë ata të pranishëm në takim, amerikanë dhe izraelitë, e dinin se nuk kishte luftëtarë të OCCP-së në kampe. Më shumë se 15 mijë luftëtarë të organizatës ishin evakuuar nga Bejruti javë më parë në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Nëse ndonjë nga këta luftëtarë të stërvitur – që i patën rezistuar rrethimit të Izraelit në Bejrut për gati dy muaj – do të ishte i pranishëm, ata që kryen masakrat nuk do të mund të operonin pa asnjë pasojë.
Megjithatë, gjatë këtij takimi 90-minutësh me Draper, Sharon përsëriti gënjeshtrën e mijërave “terroristëve” që patën mbetur pas largimit të OCCP. Ai përdori termin “terroristë” 39 herë, si pjesë e një kërcënimi të pandërprerë për Draper, të cilit i patën thënë të kërkonte që Izraeli të tërhiqte menjëherë forcat e veta nga Bejruti Perëndimor. Në vend që të pranonte kërkesën e Draper, Sharon rezistoi, duke u dhënë kasapëve brenda kampeve shumë më tepër orë kohë për të kompletuar punën e tyre të pamëshirshme nën dritën e raketave ndriçuese që ushtria e Izraelit i hodhi për të ndriçuar territorin e vrasjeve.
Sot, media amerikane dhe izraelite po përgëzojnë pikërisht këtë njeri. Është e vështirë të imagjinosh që një trajtim i tillë lavdërues mund të jepet për ndokënd tjetër që ka një listë kaq të gjatë krimesh nën emrin e tij. Por dukshëm, fakte të tilla të paleverdishme nuk janë të mikpritura. Në një botë më të drejtë, ai do të kishte përfunduar përballë Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë.