Filozofia që na duhet sot - Ismet Toto

 “Am Anfang Watr die Tat” (Në krye qe veprimi) GOETHE Spencer-i thoshte se filosofia është shkenca e shkencave. Dhe meqënëse qëllimi i shken...



 “Am Anfang Watr die Tat” (Në krye qe veprimi) GOETHE

Spencer-i thoshte se filosofia është shkenca e shkencave. Dhe meqënëse qëllimi i shkencës është lumturia, edhe lumturia s’mund të ketë tjetër qëllim, veçse lumturinë dhe sigurimin e saj. Ç’do të thotë lumtëri? Cilat janë elementet e saj? Ja disa: Punë, shëndet, mirërrojtje vetjake dhe e përgjithshme, liri veprimi, mendimi, ndërgjegjeje etj. Njohja që na udhëheq për në fitimin e këtyre të mirave dhe shkenca që me siguri dhe pandërprerje na ndrit udhët e një përmirësimi të tërësisë kombëtare – ja, me pak fjalë, tërë shkenca dhe tërë filozofia që na duhet sot. Çapi i parë, për sigurimin e një jete të lumtur, është dashuria e jetës. Po, që ta duam jetën, s’arrin vetëm ta nderojmë, po edhe ta çmojmë. Duhet ta mbajmë lart. Jeta është kaq e shenjtë, saqë për të ruajtur shenjtërinë e saj, sakrifikon akoma dhe veten në altarin e saj. Jeta, që lihet të bjerë, të çnderohet, të tradhtohet, është jetë errësire, jetë skllavërie, jetë shtaze, jetë verbërie. Jeta që nuk është gati të sakrifikohet tek duhet dhe kur duhet; nuk është jetë; është jetë rrezile, e poshtër, e ndyrë, e përgërtë! Shokë miq! Mbajeni lart jetën! Shumë lart! Vetëm ahere do ta ndaloni rënien e saj dhe do të ndjeni turp, hidhërim, tmerr për çdo gjë që përpiqet ta çnderojë. Që të mbahet lart jeta, duhet të ndalohet rrëzimi i saj. Kant, Comte, Bergson, Freud etj,… oh! Këto filozofira s’janë filozofia që duhet në çastet tragjike. Mendimi i thellë, kompleks, i futur në rrënjët, në shkaqet e jetës, më të paduruar, më të errët. Drita e madhe e ditës së re. Drita që shkëlqen në errësirën e piksur, të trashë, të paçarë të shekujve. Drita që zbulon agimin e një epoke tjetër të panjohur, të ndershme, të lumtur. Lëvizje! Në qoftë se do të ulim kokën vetëm mbi faqet e pasosura të teorive, lumi që na mori! Mbi ne, mbi ëndrrat tona, mbi lumturinë tonë, do të shkojne vite, epoka, shekuj sa të ndezim një kandile të varfër në kalivet e mizerjes sonë mendore! Me pak mendim, me pak truajtje, më tepër lëvizje, më tepër kurajo! Udha e jonë s’duhet të shkojë nga fushat. S’kemi kohë për një udhë të tillë. Për të arritur qëllimin tonë, nuk do të shkojmë nga udhërat dhe monopatet e fushavet e të malevet, po do të fluturojmë nga bregu në breg, si zogj me krahë hapur.

* * *
“Ne krye qe veprimi!” Vepra! Fakti! Lëvizja! Puno për lumturinë e njeriut dhe për shpëtimin e shoqërisë, pa u çlodhur, pa u tallandisur as një çast. Një e rreme zotëron rreth e rrotull. Mos shiko as prapa, as djathtas, as mengjazi; shiko drejt përpara. Puno me ballë lart, me sytë përpara dhe kënaqësinë tënde, ëndrrën tënde, gjeje në kornizën e një pune të tillë. Në çdo punë ka, pak a shumë, një krijim. Krijimi është kënaqësia më e madhe. Eshtë vjersha e jetës. Artisti, poeti, s’kane nevojë për duartrokitje, s’kanë nevojë për shpërblime. U arrit vepra. Kur kjo filozofi do të zaptojë shpirtrat tanë, janë të tepërta të gjitha ato porosira që quhen morale, të gjithë titujt. “Elemëntet e lumturisë së jetës gjenden brenda në jetë” thoshte Guyuai, menduesi frëng më i madh e me i freshkët i shekullit të shkuar. Dhe u bërtiste të rinjve: “Mos u mundoni kot të mbushni kokat me njohje, që s’do t’ju duhen. Në kokat tuaja mos të hyjë asnjë njohje që nuk bën ndonjë shërbim, që nuk bie nonjë dobi në jetë e në lumturi. Gjërat e kota të mos e zënë vendin e gjërave të dobishme”.

* * *
Jeta është e shenjtë, po shenjtëria dhe pastërtia e jetës janë më të shenjta. Mendo lirisht. Mos prit gjë as nga qielli, as nga dheu, as nga shteti, as nga shoqëria. Qëndro në këmbët e tua dhe mbështetu vetëm mbi vetëhe tënde. Mos ec as djathtazi, as mëngjazi. Ti je qendra. Ti je e ardhmja. Mos le të të çfrutojë njeri dhe tjetri. Këta i ndan vetëm mëria dhe zihen vetëm me jorganin, i cili u gris dhe u bë për të frëngëlluar. Mbaji të lira e të pastra duart e tua për këtë punë! Kërko dritë dhe shpërndaj dritë. Rri i pastër dhe mos u tremb! Do të bëhesh i fortë dhe do të japësh fuqi. Po të qëndrosh në vend, je një burim energjie të pasur. Po të shkasësh herë djathtazi, e herë mëngjazi, bie viktimë e mirësisë tënde. Të marrin me të mirë, kur u hyn në punë. Çfrutojnë ndjenjat e tua fisnike që të realizojnë qëllimet e tyre të errta dhe pasionet e tyre të ndyta. Dhe njëri dhe tjetri! Hiq udhën tënde dhe lëri mënjanë. Ti shiko punën tënde. Le që fryma krijonjëse e përpjekjes tënde të shpërndahet në të gjitha drejtimet, që të mundë një ditë të fryjë era jote në Atdheun e ëndëruar. Mos le të ta vjedhin të tjerët pasurinë tënde morale. Shpërndaje vetë ti. Do të shohësh, se si do të përhapet shpejt – shpejt, edhe sa më shpejt që të përhapet, kaq më shumë do të shtohet pasuria morale e shpirtit tënd të nxehtë e të ndritur. Dëgjo se ç’thotë Carlyle-i: Po të gjesh përpara një të rreme që të mundon, hidhju përsipër dhe përmbyse. Të rremat dalin përpara që të përmbysen”. Karakter! Karakter! Duke dëgjuar këtë fjalë, tani mos sill ndër mend kuptimet aristoteliane ose teofrastiane ose labyeriane. Dhe që të shpjegohemi mirë-mirë, mos bjer ndër mend as edhe përcaktimet më filozofike, më të rënda e më të thella të mësuesit gjenial të Koenigsbergut. Sot për sot mendo e fol vetëm për karaktere morale. Kjo arrin. Kjo njohje e karakterit moral arrin boll-boll që të zotërojë ideja se njeriu ndjen nevojën të gjejë përsëri pikat e mbështetjes së tij vetëm në veten e tij, kjo ide e autonomisë njerëzore zotëron gjithnjë. Dhe atje ku zotëron, ka bërë triumfe e mrekullira. Atje ku janë zhvilluar dhe imponuar karakteret morale, interesi shoqëror dhe ideali shoqëror kanë dhënë luftën e fundit dhe kanë fituar. Ndjenja e sakrificës, guximit, autonomisë, lirisë së mendimit dhe përgjegjësisë, u forcuan, burokratia u dobësua, frika e abuzimit të lirisë u paksua, gjurmimet dhe provat u shtuan, u shumuan të gjitha mundësitë e zhvillimit të fuqive natyrale njerëzore dhe të virtyteve shoqërore. Jeta fitoi burrime të reja dhe njeriu i së ardhmes hyri në udhën e lindjes së tij… Ta them edhe një herë, o shok: çdo gjë që të bësh, ta bësh vetë. Çdo gjë që të kërkosh, ta gjesh vetë brenda në veten tënde. Mos humbit, mos u shpërndaj. Bashko të gjitha fuqitë e tua, dëndëro rradhët e tua, nderju dorën shokëve të tu, qëndro nën flamurin e brezit tënd. Kij mendjen të mos e pësosh si e ke pësuar dikur!

1934

Related

Kultura 6387817717444901317

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item