Shpirtin e kam aty ku jam

Wallace Stevens I ftohtë me vartësit, me botuesit, me gruan Elsie dhe me të bijën Holly, shkrimtari amerikan Wallace Stevens na ka përcjellë...

Wallace Stevens

I ftohtë me vartësit, me botuesit, me gruan Elsie dhe me të bijën Holly, shkrimtari amerikan Wallace Stevens na ka përcjellë poezinë më të akullt që njohim. Ajo është e kulluar, lakuriqe, pa nevojën e një gjuhe të vështirë, nuk i shkel syrin as kritikut, as lexuesit. Nga ai qelq i tejdukshëm hasim të dy sytë e njeriut që na mësoi të shohim, qartë dhe kulluar, dheun dhe qenien, të hënën dhe të dielën, muzikën e nevojshme dhe akordet mashtruese, kuptimin e çiltër e jo atë të përshtatshëm të gjërave, thjesht qenien. Një engjëll i domosdoshëm, një fëmijë i cili çohet mes turmës dhe na flet çiltër për kostumin e ri të mbretit.



Nuanca mbi një temë të Uilljamsit

Kurajë të çuditshme
më jep o yll i moçëm:

Fillikat, ndrin në agun,
ku nuk të bie pjesë!

I.
Ndriço i vetëm, ndriço lakuriq, ndriço si bronx
që nuk më pasqyron fytyrën e asnjë pjesë thellë
qenies sime, ndriço si zjarr që s’pasqyron asgjë.

II.
Mos mirr pjesë në asnjë njerëzim
nëse të mbulon me dritën e tij.
Mos ji lugati i mëngjesit,
gjysëm-njeri e gjysëm-yll.
Mos ji aspak i mençur
si konia e një vejusheje
apo si një kalë i plakur.


Lundrimi pas drekës

Më dhemb fjala përbuzje.
Barka ime e vjetër vjen rrotull një paterice
e s’di të marrë udhë.
Është koha e vitit.
Është koha e ditës.

Ndofta e kam nga dreka e ngrënë
Apo nga dreka që duhej të hanim.
Por unë jam, sidoqoftë,
njeriu më i papërshtatshëm
në vendin më ogurzì.

Mon Dieu, dëgjoje lutjen e poetit.
Romantika duhet të jetë këtu.
Romantika duhet të jetë atje.
Kudo asaj i duhet të jetë.
Por, mon Dieu, kurrë nuk rri dot

e kurrë nuk kthehet sërish romantika.
Kjo velë e rëndë historike
në blunë më bajate të liqenit
në barkën që më sjell të vjellët
është shakaja më e pakripë…


Nuk është aspak çfarë ngjan.
Është vetëm si ndjehesh, të thënit
Shpirtin e kam aty ku jam,
të thënit Vela tundet nga era e dobët,
apo Sa bukur shket uji sot. Është

të fshish tërë njerëzit e të bëhesh bebëza
e timonit madhor dhe t’i japësh, kështu,
një shtytje të lehtë velës së poshtër
me anë të dritës, me anë të si ndjehesh,
teh i bardhë, e t’i hysh i ndritur ajrit veror.


Kartolinë nga vullkani

Fëmijët që do na ngrejnë eshtrat
nuk do dinë kurrë sesi ato dikur
vraponin porsi dhelprat kodrave

dhe se vjeshtës, kur ajri i mprehtë
mprehej dhe më nga era e vreshtit,
ato patën jetë e frymerrnin brymën.


Nuk do dinë fëmijët se ne, me eshtrat,
lamë shumë më tepër se aq, lamë pamjet
e gjërave që mbetën, lamë çfarë ndjemë


e çfarë pamë. Retë e pranverës rendin
sipër kullës së madhe me qepenat e ulur,
matanë kangjellës sonë. E qielli me erë


ja merr vajit si një vajtojcë e shkolluar.
E dinim me kohë pamjen e kësaj kulle
dhe ajo çfarë rrëfyem mbi të i dha asaj


formën… E tek riendin brerore burbuqesh,
fëmijët, pa e ditur, do thonë çfarë thamë,
do thonë sërish se ajo kullë duket sikur


ai që e banonte dikur të kish harruar në të
një hije që vërtitet mes mureve të zbrazët.
Do thonë përsëri se sa e pistë ajo banesë


ngrihet në këtë botë me zorrët jashtë,
si pirg hijesh me një të bardhë në majë
njollosur nga floriri i diellit të kamur.


Gjatë rikthimit


Ngjau kur unë thashë:
“E vërteta nuk ekziston!”
që rrushi m’u duk më i pjekur.
Dhelpra doli vrap nga zgavra.


Ti…ti the:
“Ka me mijra të vërteta,
por që s’bëhen dot një e vërtetë”
dhe ja sesi pema zu të ndryshohej në terr

në ca fjolla tymi të blerta dhe blu.
Ne ishim dy figura në pyll.
Thamë se rrinim vetë.


Ngjau kur unë thashë:
“Fjalët nuk janë forma të një fjale të vetme.
Në shumën e pjesëve gjenden veç pjesët.
Bota duhet matur me sy”,


ngjau kur ti the:
“Idhujt kanë njohur tërë skamjet,
gjarpinjtë, florinjtë edhe morrat,
por të vërtetën kurrë s’e njohën”,


ngjau atëhere që heshtja qe më e gjera
dhe më e gjata. Nata qe më e rrumbullta.
Kundërmimi i vjeshtës qe më i ngrohti,
më i afërt se kurrë, më i mprehtë.


Poezi me ritme


Mes qiriut dhe murit, dora
zmadhohet në mur.

Mendja mes çfarëdo drite dhe hapësirës
(Ky burrë në dhomë me një idè për botën
ajo grua në pritje për të dashurin e saj)
zmadhohet në hapësirë:

Burri, atje, më në fund, kupton qartë idenë.
Atje, gruaja përqafon fort në zemër dashnorin
e i qan në kraharor, anipse ai nuk vjen kurrë.

Ndofta dora dëshiron
të zmadhohet në mur,
të zmadhohet e rëndohet e forcohet
më tepër sesa muri. Ndofta mendja
i rikthehet fanitjeve të veta dhe shpall:
“Me këtë idè, me këtë dashuri, ja me se
ndërtoj veten. Me këto shfaqem jashtë.
Me këto unë vesh rrobën e pastër të jetës,
por jo si nëpër ajër, në ajrin paksa të kaltër,
por si në pasqyrën time të dëshirës dhe vullnetit”.

Metafora si zvetënim

Nëse gjendet një njeri i bardhë si mermeri
i ulur në një pyll, në pjesën më të gjelbër,
tek vërshëllen pamjen e vdekjes

kështu gjendet një njeri në një vend të zi
i ulur në diçka që ne s’e njohim
tek vërshëllen zhurmën e lumit.


Dhe këto pamje, këto kumbime,
e të tjera si këto, bindin se jeta
përmban vdekje dhe përfytyrim.


Njeriu i mermertë atje mbetet po ai.
Dhe njeriu në pyllin e zi zbret po ai.
Sigurisht lumi nuk është Swatara,


lumi i errët që rrjedh përreth tokës
dhe përmes qiejve, duke gjarpëruar
nëpër hapësirat e gjithësisë.


Nuk është Swatara. Ai është qenia.
Është, vallë, lumi i larmishëm, uji,
shkëlqimi i valëve, apo është ajër?


A mund të jetë, pra, metafora zvetënim,
nëse Swatara bëhet ky lumë i valëzuar
dhe lumi bëhet oqean pa brigje, pa ujë?


Këtu manushaqet e zeza i zbresin lumit
gjer në buzë, kurse myshqet kujtesëfortë
i hedhin të blertën, teksa ai rrëshqet.



Abetare e ushtarit shembullor

I
Më detyron vullneti i të tjerëve.

II
Qëllimi është një e i vetëm, por s’është imi

III.
I jam blatuar realitetit

IV.
Fati që s’dihet do të dihet

V.
Ngreje zërin kundër komandantit, të të bindem

VI.
Nuk më tutin çirrmat e borive

VII.
Janë njëlloj të pafat sido që të rreshtohen

VIII
Rrëfenja sos…Lamtumirë rrëfim.

IX
I gjatë sa një heshtë, e po aq i padobishëm, po aq i dalëboje

X
Por a pati, vallë, ndonjë vlerë si njeri?

XI
Teksa ti del nga dhoma

Ti flet. Ti thua: Karakteri i sotëm nuk është
një skelet i nxjerrë nga dollapi. As edhe unë.

Ajo vjersha për ananasin, ajo tjetra
për mendjen e pangopur kurrë,

ajo mbi heroin e besueshëm e ajo për verën,
s’para janë gjëra që mendohen nga skeletet.

Pyes veten nëse kam çuar një jetë skeleti,
porsi dikush që nuk i zë besë realitetit,

një bashkëqytetar i tërë eshtrave të botës.
Ja tek tani dëbora që pata harruar bëhet

pjesë e një realiteti më të madh, pjesë
e një vlerësimi të realitetit, pra,

një lartësim, sikur të kisha ikur matanë
me diçka të prekshme, të prekshme kollaj.

E prapë asgjë s’ka ndryshuar veç ireales,
a thua asgjësend nuk u ndryshua aspak.


Thjesht qenia

Palma, ajo në skaj të mendjes,
çohet në oborrin e bronxët
matanë mendimit të fundit.

Një zog pendëartë këndon
në palmë, pa fjalë a ndjenja
njerëzore, një këngë të huaj.

Mëson, atëherë, se s’është arsyeja
që sjell lumturinë e as trishtimin.
Zogu këndon. Puplat rrëzëllijnë.


Palma rri në zgripin e mbramë.
Mes degëve, ëmbël, lëviz era.
Në ajër rrëzohen pupla të arta.

Sipas gjasave, kjo është poezia e fundit e shkruar nga Stevens. (1955)
Përktheu nga anglishtja: Parid Teferiçi
Standard

Related

Letërsi 771313760624775345

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item