Qeveria “prish dhe mbyll”

ANDI BEJTJA   Në një kohë kur kriza ekonomike botërore që po vazhdon prej më shumë se katër vjetësh po reflektohet më shumë se kurrë në rajo...


ANDI BEJTJA


  Në një kohë kur kriza ekonomike botërore që po vazhdon prej më shumë se katër vjetësh po reflektohet më shumë se kurrë në rajon dhe veçanërisht  edhe në Shqipëri, lajmet që vijnë nga qeveria shqiptare kanë të bëjnë vetëm me një togfjalësh: “prish dhe mbyll”. Ky është refreni kryesor që dëgjojnë qytetarët shqiptarë prej më shumë se dy muajsh, refren populist i cili në fillim dhe mund t’i ketë ngrohur veshët e disave, por që tashmë, me kalimin e muajve dhe ditëve, po ftoh logjikën dhe shpresën e të gjithëve. Sepse ajo që po bën qeveria është vetëm “prish dhe mbyll”. Askush nuk ngrohet më si ditët e para nga dinamiti që shembi pallate, nga aksionet kundër kazinove, nga ultimatumet që u jepen kompanive private për shlyerje të borxheve brenda pak ditëve, duke u sjellë pashmangshmërisht falimentimin, sepse të gjithë po e shikojnë se flamuri shqiptar po e zëvendëson shqiponjën që tenton të fluturojë me buldozer dhe dinamit. Edhe pse qeveria e justifikon gjithçka në emër të ligjit, edhe pse në fakt paligjshmëria e këtyre dy muajve nga ana e qeverisë ka thyer rekorde, gjithçka errësohet kur jo vetëm biznesmenët e këtij vendi, por dhe vetë qytetarët e thjeshtë e ndiejnë se horizonti po mbyllet. Qytetarët më shumë e përjetojnë këtë qeveri si një organizëm që gjuan vetëm me shpulla, sesa si një organizëm që u jep dorën qytetarëve të vet për t’u ringritur në këtë situatë të vështirë ekonomike.
Në veshët e gjithsecilit ka vetëm një refren, “prish dhe mbyll”, dhe asnjë hapësirë zhvillimi, sepse kjo qeveri erdhi në pushtet pa një plan, pa një strategji të mirëfilltë ekonomike për këtë kohë specifike krize që po kalojmë dhe, për më tepër, nuk jep asnjë mesazh serioz se ka një strategji të tillë, përveçse akuzon qeverinë e kaluar, edhe pas më shumë se dy muajsh. Paradoksi lindi, në fakt, që para 23 qershorit, kur opozita e djeshme dhe maxhoranca e sotme bëri një duzinë premtimesh të bujshme dhe fill pas ardhjes në pushtet tha se kishte nevojë për auditim ndërkombëtar të gjendjes së financave dhe të ekonomisë shqiptare. Është fare e qartë që premtimet u bënë tërësisht në ajër. Mjafton të kujtojmë konstatimin e ish-liderit të opozitës, Rama, se Shqipëria ka një milion të papunë, që u shoqërua me premtimin tjetër se qeveria e re do të punësonte 300 mijë persona në një mandat 4-vjeçar, duke sjellë automatikisht konkluzionin se qeverisë së re do t’i duheshin rreth 15 vjet për të zhdukur papunësinë. Aq qesharake bëhet kjo situatë, sa dikush që erdhi nga jashtë dhe hapi kanalet televizive shqiptare, u trullos kur hasi në paradoksin që nuk po mbaron akoma edhe tani: maxhoranca që thotë ekonomia është keq dhe opozita që me të madhe bërtet se ekonomia është mirë. Kjo qeveri erdhi thjesht dhe vetëm me premtime populiste, që tashmë mërzisin më shumë ata që u gënjyen të parët. Jemi në një kohë kur remitancat (paratë e dërguara) e emigrantëve kanë rënë mbi 70 për qind, kur gati një e treta e emigrantëve që jetojnë në Greqi janë kthyer në Shqipëri dhe kur janë shtuar kioskat që shesin cigare të hapura.
Për hir të së vërtetës, ka dhe vende të tjera në Europën Juglindore që po kalojnë situata të tilla të ngjashme, por, ndryshe nga Shqipëria, kanë një strategji të qartë dhe një rrugë me piketa të caktuara mirë. Aq të kujdesshme janë këto vende ndaj politikës “prish dhe mbyll” në këtë situatë ekonomike që po kalojmë, saqë revista “The Economist”, në një shkrim të sajin, ku jepeshin përpjekjet e disa vendeve në Europën Juglindore për të rikuperuar krizën, nënvizonte se disa vende, mes përpjekjeve dhe reformave të tjera, po shikonin si mundësi dhe lënien hapur të klubeve, të bareve dhe të restoranteve pas orës 24, me shpresën se ekonomia mund të merrte frymë më lirisht, duke dhënë indirekt mesazhin se buka e përditshme në këtë situatë është më e rëndësishme se gjumi i qytetarëve. Jetojmë në një kohë kur dhënia e mesazheve të forta, qofshin dhe në emër të ligjshmërisë, ka më pak rëndësi se papunësia. Ndaj, jo pak shqiptarëve, që janë shprehur dhe në forumet sociale, të ndërgjegjshëm për periudhën që po kalojmë, u ka bërë përshtypje se si qeveria shqiptare stërmundohet për të gjetur pesë milionë euro për pagesat e prapambetura të individëve me aftësi të kufizuara dhe ndërkohë, me shpejtësinë më të madhe, është gati që afërsisht me po këtë shifër të dëmshpërblejë banorët e një pallati me leje në Vlorë, shembjen e të cilit vetëm për hir të dhënies së mesazhit, mund ta bënte ndryshe dhe më vonë. Për më tepër, ky mesazh humb rrugës, madje tjetërsohet, sepse kësaj qeverie për të shpronësuar raste të tilla në vijën bregdetare dhe në të gjithë Shqipërinë nuk do t’i mjaftonte as buxheti i Kinës dhe i Amerikës.
Këtë herë, ndryshe nga koha e qeverisë “Berisha”, me të mirat e të këqijat e veta, kur shqiptarët shkelnin në një rrugë të paralajmëruar, kur piketat e zhvillimit ekonomik ishin të qarta dhe kur prioritetet ishin të evidentuara mirë, shqiptarët po hynë një rrugë të panjohur, pa vijëzime dhe pa mure mbrojtëse. Si rrallëherë në historinë e Shqipërisë demokratike kemi hyrë në javën e parë të dhjetorit dhe miratimi i buxhetit të vitit 2014 është akoma larg. Për shkak të kësaj vonese të buxhetit, asnjë biznesmen shqiptar nuk di ku ta projektojë të ardhmen e investimeve të veta në janarin e vitit të ardhshëm. Historiku i burokracive të lëvrimit të buxheteve shqiptare ka dëshmuar se edhe pas miratimit të këtij buxheti në Parlament, duhen të paktën 3 muaj që ai të materializohet në praktikë. Dhe jo vetëm kaq, por asnjë biznesmen apo qytetar i thjeshtë nuk i di prioritetet e kësaj qeverie, sepse qeveria nuk i ka të qarta as vetë; deri më tani nuk ka asnjë strategji, përveçse “prish dhe mbyll”. Aq të panjohura ka dhe aq e pasigurt është rruga që kemi marrë së bashku me këtë qeveri, sa vetë ministri i Financave deklaron një borxh të brendshëm afërsisht prej 240 milionë dollarësh; qesharake, por është një shifër dhe më e vogël sesa deklaron vetë ish-ministri i qeverisë demokratike Ridvan Bode dhe akoma më qesharake kur kujton që vetë Kryeministri Rama ka deklaruar një borxh prej 600 milionë dollarësh. Për shkak të politikës “prish dhe mbyll”, për shkak të mungesës së prioriteteve të zhvillimit të vendit dhe të një strategjie të qartë të daljes nga kriza ekonomike, fatkeqësisht shqiptarët kanë hyrë në një trajektore pesimizmi, dhe kjo është më e rrezikshme se gjithçka. Trajektorja e pesimizmit shtohet kur shikon që me gjithë këtë “lëndë të parë”, opozita harxhon më shumë kohë me foton e Enver Hoxhës që ka vënë Rama prapa vetes më 29 Nëntor. Për ata që marrin vesh nga ekonomia, pesimizmi shtohet dhjetëfish kur qeveria do të marrë borxh për të larë një borxh dhe jo për të hapur horizonte të reja afatgjata në ekonomi. Për ata që marrin vesh nga ekonomia, pesimizmi bëhet mbytës në qoftë se do të rriten taksat në një rajon ku investimet e huaja janë kyçe dhe ndoshta e vetmja mënyrë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Më falni, marr guximin t’ju them publikisht: po ikim për lesh.

Related

Opinione 3702985402916784287

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item