Prehistoria e dollarit amerikan
Para se dollari amerikan të ekzistonte, banorët e kolonive përdorën disa mjete të tjera si zëvendësues të parasë. Ja një histori magjepsëse ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/prehistoria-e-dollarit-amerikan.html
Para se dollari amerikan të ekzistonte, banorët e kolonive përdorën disa mjete të tjera si zëvendësues të parasë. Ja një histori magjepsëse e monedhës më të lakmuar të botës
Ekonomia
Graham Ingham, BBC
Këtë muaj, Rezerva Federale (Banka Qendrore e SHBA-së) do të festojë 100-vjetorin e krijimit. Një nga detyrat më të rëndësishme të saj është të menaxhojë dollarin, monedha zyrtare e Shteteve të Bashkuara për më shumë se 200 vjet.
Por çfarë përdornin banorët e Botës së Re në vend të parave para se FED apo dollari të ekzistonin? Më 1620-n, anijaMayflower u nis për në lundrim nga Londra lindore drejt Botës së Re, duke mbajtur në bord disidentët fetarë që po kërkonin një jetë të re përtej detit. Këta banorë të parë morën me vete flori dhe monedha angleze. Por ata nuk qenë të pasur dhe shpejt mbetën pa para dhe pa mundësi për të blerë ushqim, lëkurë kafshësh apo mallra të tjera të nevojshme nga banorët vendas të kontinentit amerikan.
Xhejzon Guduin (Jason Goodwin), autor i librit Dollari i plotfuqishëm dhe shpikja e Amerikës, përmbledh në këtë mënyrë vështirësitë: “Ata thjesht nuk kanë para. Ata nuk kishin shumë gjëra kur erdhën. Dhe u bë shumë e çuditshme për kolonialistët të bënin shkëmbime mes njëri-tjetrit… ishte çdo gjë mirë kur shkëmbehej diçka me diçka tjetër, por natyrisht shpejt shkëmbimet bëhen komplekse dhe në këtë pikë paraja është jashtëzakonisht e nevojshme.”
Shpejt pasi mbërritën, banorët zbuluan se disa lloje guaskash, të njohura si uampum, kishin rëndësi të madhe simbolike për amerikanët vendas dhe si të tillë mund të shkëmbeheshin nga kolonizatorët anglezë për gjërat që ata kishin nevojë, të tilla si ushqime. Në fakt, uampum u bë kaq e rëndësishme në ditët e para të tregtisë, në atë që sot është bregu lindor i SHBA-së, sa më 1637-n, kolonia e Gjirit të Masaçusetsit i deklaroi ato para ligjore.
Ndërsa tregtia mes banorëve u bë gjithnjë e më shumë e rëndësishme, ata filluan të përdorin mallra të tjera për këmbim. Në kolonitë e veriut ata përdornin misër dhe merluc për shembull, ndërsa në kolonitë e jugut parapëlqehej duhani. Shumë mallra u deklaruan para zyrtare në një periudhë apo një tjetër, megjithëse jo të gjitha qenë të suksesshme.
Guduin thotë se vlera e duhanit kishte tendencë të luhatej në varësi të ecurisë së prodhimit të bimës. Por kishte, thotë ai, edhe një problem tjetër me duhanin: “Gjethet vendoseshin në magazinë dhe pastaj qarkullonin, por duke kaluar dorë më dorë ato bëheshin të zhubrosura apo të thara dhe njerëzit gjithmonë kishin tendencën të paguanin të tjerët me gjethet më të këqija. Dhe kjo shkaktoi shumë konfuzion, për shkak se nëse monedha juaj praktikisht po prishet dhe po humbet vlerë kur e përdor, nuk është shumë e vlefshme.
Guduin vëren gjithashtu se kur banorët e rinj u përpoqën të përdornin gozhdë, disa u joshën nga ideja e djegies së drurëve, në mënyrë që të nxirrte gozhdët, të cilat kishin vlerë të ngjashme me paranë.
Çmimi i mallrave kishte tendencën të ishte i ndryshëm nëse po përpiqeshe të paguaje me para të mirë – monedha ari, argjendi apo në ndonjë mall tjetër – nga rastet kur paguhej me uampum. Kjo, për shkak se paratë e forta qenë më gjerësisht të pranueshme dhe rrjedhimisht më të vlefshme. Siç e vëren edhe Madam Knajt (Knight), një drejtoreshë shkolle në Boston më 1704-n, me një farë nënvlerësimi, ajo ishte “një mënyrë shumë e komplikuar tregtie”.
Ata kolonialistët e hershëm, gjithsesi, kishin shumë pak mundësi, përveç një farë tregtie mall me mall, për shkak se autoritetet britanike refuzonin të lejonin eksportin e arit apo argjendit dhe refuzonin gjithashtu të lejonin kolonialistët të shtypnin monedhat e veta. Ishte më e lehtë të merrje monedha spanjolle si reali dhe këto monedha qenë ende në qarkullim në SHBA deri herët në shekullin e nëntëmbëdhjetë.
Në fund, qëndrimi i prerë i autoriteteve britanike, i kombinuar me ngarkesën e taksave të vendosur mbi kolonët nga qeveria britanike, solli edhe shkëputjen për pavarësi. Kolonët shpallën Deklaratën e Pavarësisë më 1776-n dhe pas një lufte të gjatë dhe të hidhur për pavarësi, ia dolën të mposhtnin forcat britanike më 1783-shin.
Lufta Revolucionare, siç njihet ajo, i la 13 shtetet e Unionit në kaos financiar. Lufta ishte më e gjatë nga sa ishte parashikuar dhe shumë e kushtueshme për kolonialistët. Kështu, siç shpjegoi Benjamin Frenklin (Franklin), një nga baballarët themelues “Kongresi… emetoi një sasi të stërmadhe paraje letër për të paguar, veshur, armatosur dhe ushqyer trupat e tyre, e për të pajisur anijet tona; me këtë letër, pa taksa përgjatë tri viteve të para, ata luftuan dhe fituan kundër njërit prej kombeve më të fuqishme të Europës.”
Këto letra njihen si Kontinentalet dhe e kanë emrin sipas Kongresit Kontinental, që ishte përgjegjës për Deklaratën e Pavarësisë dhe që menaxhoi luftën kundër Britanisë. Por, nga fundi i luftës, këta Kontinentalë qenë krejtësisht të pavlerë dhe kështu doli shprehja “nuk vlen as sa një Kontinental”. Republika e re duhej të themelonte rend ekonomik e financiar dhe kjo ishte urgjente.
Më 1785-n, Kongresi Kontinental u takua në Nju Jork dhe më 6 korrik dollari u themelua si monedha zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kongresi vendosi që ajo të ishte një sistem decimal me 100 cent për një dollar. Por, mosmarrëveshjet mes anëtarëve të Kongresit – të cilët që nga ajo kohë qenë të ndarë mbi nivelin e fuqive të qeverisë federale mbi shtetet individuale – bëri që shtypshkronja e parasë të themelohej vetëm në vitin 1792.
Dhe u deshën edhe 70 vjet të tjera – 1862, në mes të Luftës Civile, kur Thesari i SHBA-së ishte në gjendje të shtypte bileta dollari – të zeza përpara, jeshile pas, të ngjyrosura kështu për shkak të kimikateve të përdorura për të parandaluar falsifikimin. Kështu, dollari apo kurrizjeshili (greenback) siç njihet edhe sot, doli në ekzistencë.