Britania, shteti me kërkimin më të mirë shkencor në botë

Sipas një raporti të ri të publikuar pak ditë më parë, Britania e Madhe ngelet pesha e rëndë e kërkimit shkencor në botë dhe renditet e para...

Sipas një raporti të ri të publikuar pak ditë më parë, Britania e Madhe ngelet pesha e rëndë e kërkimit shkencor në botë dhe renditet e para ndër shtetet me kërkimin më intensiv global, si Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Edhe pse Britania përfaqëson vetëm  0.9% të popullsisë globale, ajo bën 3.2% të shpenzimeve botërore në sektorët e  Kërkimit dhe Zhvillimit R&D, 4.1% të kërkimeve, 6.4% të artikujve studimorë, 9.5% të shkarkimeve të artikujve kërkimorë dhe realizon 15.9% të artikujve shkencorë më të cituar në botë.
Raporti 120 faqe i titulluar Performanca e Krahasuar Ndërkombëtare e Kërkimit të Britanisë së Madhe thotë që në termat e cilësisë së kërkimit, matur nga impakti i citimeve të peshuara sipas fushës përkatëse, Britania ka kaluar SHBA-në dhe tani renditet e para mes shteteve me të cilat është krahasuar. Kërkimi britanik sjell gjithashtu dukshëm  inovacion global: ai është i dyti ndër më të cituarit në patentat globale pas Gjermanisë.
“BM është kombi më produktiv për kërkimin në termat e artikujve dhe citimeve për njësi shpenzimesh në sektorin e Kërkimit dhe Zhvillimit, duke u renditur i pari midis shteteve me të cilat krahasohet në këto dy tregues”, thotë raporti. Raporti i anonçuar nga Departamenti Britanik i Biznesit, Inovacionit dhe Aftësive në 6 Dhjetor, është realizuar nga  ekipi Elsevier’s SciVal Analytics, mbështetur në të dhënat e Scopus, shpenzimet për R&D dhe informacioni i kapitalit human të OECD (Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim) dhe të dhënat e patentave nga Organizata Botërore e Pronës Intelektuale.
Artikujt e bollshëm britanik
Nga vëllimi i artikujve të botuar, Britania është një “komb i kompletuar”, thuhet në raport. Analiza, përveçse krahason Britaninë me shtatë vendet e tjera me kërkim intensiv, përfshin edhe tri shtetet me rritje të shpejtë: Brazilin, Indinë dhe Rusinë si dhe të tjerë lider ndërkombëtarë. Ekipi i Elsevier vlerësoi investimin në sistemin kombëtar të kërkimit dhe performancën e tij, duke kombinuar disa tregues “për të dhënë një panoramë shumëdimensionale të performancës së krahasuar të Britanisë në kërkimin shkencor si dhe trendet që mund të ndikojnë pozicionin e saj të ardhshëm.”  Raporti zbulon që krahasuar me 10 vjet më parë dhe me mesataren botërore, Britania ka rritur fokusin në shkencat sociale dhe biznes, por ka krijuar përpjesëtimisht më pak artikuj në biologji, shkencat e mjedisit dhe të natyrës, matematikë dhe inxhinieri. Disa nga shtetet e tjera, përfshirë Kinën, Japoninë dhe Rusinë, fokusohen më tepër në këto fusha sesa Britania.
Ajo zë gjithashtu një vend qendror në rrjetin e bashkëpunimit botëror dhe, mes shteteve të krahasuara, ka numrin më të lartë të bashkautorësive ndërkombëtare, pas Francës dhe numri vazhdon të rritet. Bashkautorësia ndërkombëtare e botimeve është e shoqëruar me impakt të lartë të publikimeve. “Kërkuesit janë motori që udhëheq progresin e kërkimit dhe baza kërkimore e një shteti varet në mënyrë kritike nga kontributet individuale të kërkuesve të përfshirë në institucionet e tij kërkimore”, thuhet në raport “Dhe pse numri i kërkuesve britanik është i qëndrueshëm madje me një rritje me  0.9% çdo vit, kjo shifër maskon një rritje më të madhe që ndodh me numrin e kërkuesve në sektorin e arsimit të lartë dhe shkallën e madhe të mobilitetit ndërkombëtar mes kërkuesve aktivë britanikë që do të thotë që popullata e tyre po rifreskohet vazhdimisht.”
Por kërkuesit në Britani janë gjithsesi më sedentarë sesa ata në Kanada dhe pse më pak sesa ata të Kinës, ku  71% janë përshkruar si sedentarë nga 1996-a në 2012. Kjo shifër krahasohet me  60% të kërkuesve japonezë, 52% të italianëve, 47% të amerikanëve, 36.7% të francezëve dhe 36.3% të gjermanëve. Kërkuesit britanikë janë vlerësuar me 28.3% pas kanadezëve me  27%.
Impakti i citimeve
Midis shteteve të marra në shqyrtim, raporti vë re që Britania ka kapërcyer SHBA duke u renditur në majë të impaktit të citimeve sipas fushës-një tregues i cilësisë së kërkimit. Me 2.4% të aplikimeve për patenta botërore, pjesa e saj e citimeve nga patentat, si në formë aplikimesh dhe të aprovuara, në artikujt e revistave shkencore është 10.9%. “Britania është një komb shumë produktiv në kërkim në termat e artikujve dhe outputeve të cituara për kërkues pse për njësi të shpenzimeve në  R&D me një trend në rritje të këtyre outputeve për më pak inpute.
Ka të ngjarë që rritjet e fundit në produktivitetin e kërkimit në Britani, të paktën në disa drejtime, janë nxitur nga rritja e kërkimit në bashkëpunim, i cili gjithashtu shoqërohet me një impakt më të madh të citimeve”, thotë ekipi i Elsevier.
 Sfidat që shfaqen
Edhe pse Britania  shpenzoi  27.4 miliardë £ (32.76 miliardë euro) për R&D në 2011, kjo përfaqëson një rënie prej  0.8% në vit midis 2007 dhe 2011. Për sa i përket fushave ku u shpenzuan paratë, raporti thotë që 64% janë investuar në sektorin e sipërmarrjes së biznesit, 26% në arsimin e lartë, 9% në organizatat qeveritare dhe 1% në sektorë të tjerë. “Mes shteteve të krahasueshme, Britania ka intensitetin e tretë më të ulët të R&D dhe ky tregues dëshmon që investimi në bazën kërkimore po bie”, thuhet në raport. Ai paralajmëron që ndërkohë që SHBA ka bazën më të madhe kërkimore, trendet aktuale tregojnë pozicionin e saj relative dhe që qendra të tjera tradicionale të fuqishme si Britania, mund të fillojnë të gërryhen nga presioni i vendeve të Lindjes, sidomos Kina. Ai thotë që në termat e volumit të madh të inputeve dhe otuputeve të kërkimit, “dhe pse jo në termat e cilësisë së përgjithshme të kërkimit, kuota me rritje të ngadaltë e Kinës e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një prurje e kërkuesve, bën të duket sikur dhe cilësia do vijë. Në termat e numrit të doktoraturave, mbi 20 mijë studentë u doktoruan në Britani në  2011, 6.3% e pretendentëve në të gjitha shtetet e OECD dhe duke u rritur 3.4% në vit në periudhën 2007-11. Por midis shteteve që krahasohen, SHBA, Kina dhe Gjermania, secila ka prodhuar më shumë të diplomuar në doktoraturë sesa Britania në 2011.
Ministri i Universiteteve dhe Shkencave të Britanisë David Willetts tha që raporti tregon qartë forcën e vazhdueshme të bazës së kërkimit shkencor në Britaninë e Madhe: “Unë e kam thënë gjithmonë që dua që BM të jetë vendi më i mirë në botë për të bërë shkencë dhe ky studim tregon që ne jemi në rrugën e duhur për të arritur këtë qëllim. Një bazë e shkëlqyer kërkimore ndikon direkt në rritjen ekonomike dhe po na mban në ballë të garës globale të shkencës”, tha Willetts.
Britania duhet të fokusohet tashmë te treguesit ku nuk ka arritur të kapërcejë konkurrentët për një pozitë edhe më të lavdërueshme në këtë renditje.

Related

Lajme 3724675830277500573

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item