SHEKULLI I ARTE I HOLANDES / Atje ku lindi Bursa

Lindi në vitin 1609 në Amsterdam, në atë kohë kryeqyteti botëror i tregtisë dhe biznesit, qytet shumë i pasur falë një politike të zgjuar tr...


Lindi në vitin 1609 në Amsterdam, në atë kohë kryeqyteti botëror i tregtisë dhe biznesit, qytet shumë i pasur falë një politike të zgjuar tregtare dhe klimës së tolerancës që joshte njerëz nga do shtresë dhe nga do vend
Juan Carlos Losada
Historian
Bursa e parë e historisë, selia e parë e kontratave financiare dhe tregtare, lindi në Amsterdam katër shekuj më parë, në vitin 1609. Në atë kohë, asgjë nuk të bënte të mendoje se këta institucione do të bëheshin kaq të fuqishëm, në gjendje të ushtronin një ndikim me peshë mbi fatet e shumë shteteve. Por edhe mjedise spekulativë shumë të paqëndrueshëm, në gjendje të krijonin dhe shkatërronin brenda pak orësh pasuri të mëdha, ndonjëherë vetëm duke u bazuar tek ndjesitë.
Në të vërtetë, shfaqjet e këtyre paqëndrueshmërive erdhën shumë shpejt, në vitin 1637, me shpërthimin e të ashtuquajturës “fluskë e tulipanëve”, rënia e beftë e kuotimeve të luleve holandeze, që në vitet e mëparshëm kishin gëzuar rritje spekulative.
Nuk ishte e rastësishme që Bursa e parë lindi pikërisht në Amsterdam. Gjashtëqinda ishte për Vendet e Ulët një shekull i artë, në të gjithë drejtimet: vendi zhvillohej për shkak të një politike të përparuar tregtare, intelektualët vinin e vendoseshin aty për shkak të frymës së përhapur të tolerancës, të huajt ishin të mirëpritur, struktura e shoqërisë nuk kishte asgjë të përbashkët me modelin feudal dhe bazohej në pasurinë dhe meritën; një situatë e tillë, e favorizuar edhe prej përhapjes së kalvinizmit, kishte nxitur zhvillimin e universiteteve, të shtypit dhe qendrave të kulturës që kishin cuar në krijimin e një borgjezie solide. Një sukses i tillë do të kish qenë e vështirë të imagjinohej vetëm disa dekada më herët.
Lufta
Në fakt, në mesin e shekullit XVI, Amsterdami kishte vetëm 30 mijë banorë dhe kishte një rëndësi dytësore. Territori i tij ishte pjesë e Fiandrave, në atë kohë në duart e Spanjës. Perandori Karli V, në fakt, në vitin 1555 ia kish lënë të gjithë zonën e Vendeve të Ulët birit të tij, Filipi II, i cili do ta pasonte edhe si Mbret i Spanjës. Ai kishte arritur të vinte nën kontrollin e tij provincat lindore. Në vitin 1568 shpërtheu lufta 80-vjeçare mes rebelëve të provincave jugore dhe monarkisë iberike. Konflikti mori shumë shpejt tiparet e një lufte fetare, duke përfshirë të gjithë shoqërinë: në veri kishte një përqëndrim të madh protestantësh, në jug katolikësh.
Lufta shkaktoi dëme shumë të mëdha financiare dhe i shtrëngoi për sakrifica të mëdha, si territoret nën dominimin spanjoll (zona që sot i korrespondon territoreve të Belgjikës dhe Luksemburgut), ashtu edhe të ashtuquajturave Provinca të Bashkuara, një republikë e formuar nga Holanda, Zelanda, Utrehti, Frisia, Froningeni, Overjsseli dhe Gelderlandi. Pikërisht në këto rrethana dramatike arriti të përfitojë Amsterdami: pas marrjes së Antverpenit, në atë kohë porti më i rëndësishëm i botës, nga ana e spanjollëve në vitin 1585, domethënë humbjes përfundimtare të vendeve të ulët lindorë, tregtarët kalvinistë vendosën të largohen për në veri, drejt Amsterdamit. Lufta, që do të përfundonte vetëm në vitin 1648 me paqen e Vestfalisë, pati një armëpushim vetëm në vitin 1609, kur mbreti i ri i Spanjës, Filipi III, i detyruar nga shpenzimet e mëdha, firmosi një marrëveshje me Provincat e Bashkuara, me një kohëzgjatje 12 vjet.
Megjithatë, ky rezultat çoi në një luftë të brendshme mbi çështje politiko-fetare. Paqen me spanjollët e kishte negociuar Johan van Oldenbarnevelt, mbështetës i arminianëve (një rrymë që largohej nga kalvinizmi), i cili udhëhiqte një fraksion të moderuar të përbërë nga tregtarë, industrialistë dhe qytetarë të pasur, mbi të gjitha nga Amsterdami, që dëshironin t’i përkushtoheshin tregtisë ndërkombëtare si dhe t’i jepnin fund shpenzimeve të mëdha që shkaktonte konflikti. Kundër paqes ishin në fakt rebelët e udhëhequr nga Maurizio i Nassau, mbështetës i Gomaristëve (kalvinistë ortodoksë) dhe bir i nxitësit të rebelimit kundër Spanjës, Gulielmo d’Orange. Lufta përfundoi në vitin 1619 me fitoren e Gomaristëve dhe ekzekutimin e Oldenbarneveltit.
Mrekullia holandeze dhe bursa
Ndërkohë Amsterdami, mbi të gjitha me njohjen e Republikës holandeze si shtet i lirë dhe i pavarur, po fillonte ngjitjen e tij. Por, që më herët kishte patur sinjale të qartë të zhvillimit të afërt social ekonomik. Në vitet e parë të Gjashtëqindës u themeluan dy institucione themelorë për ekonominë: në vitin 1602 Kompania Holandeze e Indive Lindore dhe në periudhën mes viteve 1608 dhe 1609, Bursa. Kompania mori monopolin e tregtisë me Lindjen e Largët dhe ishte shumë më tepër se sa një rrjet agjencish anijesh dhe detare: mund të shpallte luftë, mund të negocionte marrëveshje tregtare dhe marrëveshje shfrytëzimi, të hidhte në treg monedha dhe të hapte degë. Gjatë Gjashtëqindës, pati një rritje konstante dhe në gjysmën e dytë të shekullit arriti në pikën kur zotëronte më shumë se 200 anije tregtare dhe lufte, afro 50 mijë marinarë dhe administratorë, dhe një trupë të armatosur me më shumë se 10 mijë vetë, që merreshin me mbrojtjen e veprimtarive të saj tregtare.
Bursa, që i parapriu me një shekull homologes së saj angleze, nuk lindi rastësisht pikërisht në veri të Europës. Që nga shekulli XV në qytete si Antverpen apo Bryzh organizoheshin panaire, ku tregtarë dhe bankierë trafikonin një gamë të gjerë produktesh. Me rastin e këtyre panaireve lindën të ashtuquajturat dhoma kontratash, apo bourses, zyra ku shitësit paraqisnin kampione të produkteve të tyre, duke i lejuar blerësit që të ndiqnin transaksione me porosi, pa patur nevojë të zhvendoseshin, përmes operatorëve që vepronin në emër të tyre. U krijua edhe një regjim i ri ligjor që ofronte një seri garancish për kushtet mbi të cilët realizohej shitja, duke siguruar dërgimin e produkteve me të njëjtën cilësi, siç ishte rënë dakord në firmosjen e marrëveshjeve.
Në afërsi të tregjeve kishte gjithashtu gjykata, ku tregtarët mund të paraqiteshin dhe ankoheshin në raste parregullsish, ashtu sikurse dhe noterë që rregjistronin kontratat. Po kështu, bëhej shpërndarja publike e çmimeve në Buletinin e kuotimeve të Amsterdamit, një pikënisje për çdo lloj kontrate.
Në mënyrë të veçantë, duke parë monopolin holandez në tregti, Bursa e Amsterdamit sinjalizonte për çdo ditë çmimet e referencës së këtyre produkteve për të gjithë Europën. Tregtarë, biznesmenë dhe spekulantë takoheshin përditë nën kolonat e ndërtesës së saj imponuese, e projektuar nga arkitekti i famshëm manierist Hendrick de Keyser, për të hartuar e firmosur kontratat në një atmosferë të ethshme, shumë të ngjashme me ato të Bursave të kohëve moderne. Pikërisht në këtë ambient ndodhi në vitin 1637, crack-u i parë financiar i një burse, e ashtuquajtura “fluska e tulipanëve”. Shpërthimi i valës spekulative mbi lulet u përhap me shpejtësi duke prekur investitorë dhe spekulantë, dhe duke çuar në rrënim shumë prej tyre, sipas një rregulli që, me sa duket, ka mbetur i pandryshuar në kohë.
Shtresa të reja dhe tregje të rinj
Pasuria e Holandës u bazua edhe në një aftësi të madhe për t’u përshtatur me kërkesat e tregut. Ndërkohë që ata që mbretëronin në Spanjë dhe në Portugali kishin mbetur të mbërthyer pas një mentaliteti tradicional, antitregtar dhe feudal, Holandezët ditën të kuptojnë ndryshimin e kërkesës. Me zhvillimin e qyteteve ishte rritur edhe diferencimi social duke krijuar shtresa të reja shtëpiakesh, njerëzish me pagë, artizanësh, intelektualësh, tregtarësh, bankierësh. Kish ardhur në rritje një kërkesë e diferencuar që parashikonte një tregti jo më vetëm për sende luksi, por edhe tregtie për masën, tregti në të cilën holandezët ishin ekspertë.
Diku rreth vitit 1630, një autor e përshkruante kështu përshtypjen që i kishte krijuar Amsterdami: “Këtu, vërej i mrekulluar, sasinë e pabesueshme të mallrave që vijnë nga toka të huaja, këtu admiroj madhështinë dhe shumëllojshmërinë e anijeve, molet e mëdhenj të ankorimit, flotën e shpërndarë përreth qytetit. Turma e qytetarëve më trazon: dhe kur e shikoj këtë me vëmendje të madhe, sytë më ndalen tek maturia e atyre që qeverisin, respekti për ligjet, bindja e qytetarëve, modestia dhe, ç’është edhe më e rëndësishmja, rendi”.
Kështu, armëpushimi i 1609 ishte triumfi i tregtarëve. Në krye të kësaj klase ishin një grup familjesh që kishin në duar pushtetin bashkiak dhe, përmes tij, instancat qeveritare të të gjithë Provincave të Bashkuara. Pjesa më e madhe ishin tregtarë, si Trip-ët, që u pasuruan me importin e hekurit dhe materialeve për municione nga Balltiku, por edhe bankierë. Kjo klasë drejtuesish ishte e ngopur me parime demokratikë. Një vëzhgues i huaj habitej për shembull, nga fakti që kryetari i bashkisë shëtiste nëpër qytet, ashtu sikurse çdo qytetar tjetër.
Veç kësaj, grupi i familjeve në pushtet promovuan zhvillimin e madh urban të Amsterdamit gjatë Shekullit të Artë. Qyteti, i ngritur në shekullin XII mbi një terren të butë në grykëderdhjen e lumit Amstel, e rriti sipërfaqen e tij gjatë Gjashtëqindës falë një pune të madhe bonifikuese. U ndërtuan dy kanale të rinj që përshkonin bërthamën e qytetit, disa prej të cilëve, si Herengracht (Kanali i Zotërinjve) u transformuan në rrugë shumë të frekuentuara ku familjet më të kamura ngirtën rezidencat e tyre luksoze private.
Një qytet në duar të tregtarëve
Por nuk ishte vetëm borgjezia që i dha një impuls vendimtar ekonomisë së Amsterdamit. Qyteti priti shumë imigrantë, mbi të gjitha nga jugu i Vendeve të Ulët, të cilët ngritën dyqane dhe bënë tregti të çdo lloji. Në vitin 1618, një vizitor venecian mbeti i mahnitur nga aspekti dinamik i banorëve. “Këtu janë të gjithë tregtarë, nuk ushtrohet asnjë profesion tjetër. Përgjatë rrugëve të gjithë, pa përjashtime, janë tregtarë; nuk ka shtëpi ku nuk punohet; rrugët publike dhe çdo vend i qytetit janë vende grumbullimi shitësish dhe negociuesish. Duket gjithnjë si dita e fundit e një panairi apo një tregu”.
Veprimtaria tregtare nxiti edhe studimet shkencorë të nevojshëm për të lejuar udhëtimet dhe për të realizuar në qytet veprat e mëdha të inxhinierisë. Gjeografia, lundrimi, astronomia dhe shkencat fizike e matematike u bënë boshti qendror i universitetit të ri të Amsterdamit, themeluar në vitin 1632 me emrin Athenaeum Illustre.
Ekzistenca e një borgjezie të pasur dhe gjithnjë e më të angazhuar për të shfrytëzuar pozicionin e vet të privilegjuar favorizoi rritjen e një tregu aktiv veprash arti, si të piktorëve italianë të Rilindjes, ashtu edhe të artistëve të shumtë që u afirmuan në Vendet e Ulët, i pari ndër të gjithë Rembrandt van Rijn, karriera e të cilit u zhvillua tërësisht në Amsterdam.
Tolerancë dhe konflikte
Vrulli shkencor, letrar dhe artistik u shoqërua nga një klimë tolerance unike në Europën e kohës. Nuk është rastësi që filozofi Rene Descartes, një prej baballarëve të racionalizmit modern, e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Vendet e Ulët. Ai banoi në Amsterdam mes viteve 1620 dhe 1630; në këta vite i dërgoi një letër një miku të tij ku e pyeste: “Çfarë vendi tjetër mund të zgjidhje në botë, ku të gjithë lehtësitë e jetës dhe të gjithë kuriozitetet që mund të dëshirohen janë kaq të lehtë të gjenden mu këtu? Në cilin vend tjetër mund të gëzosh një liri kaq totale, apo të flesh pa u trazuar fare?”
Shumë të dëbuar për motive fetare gjetën strehim në Vendet e Ulët, dhe veçanërisht në Amsterdam: mbi të gjitha, në fillim të Gjashtëqindës, protestantët që ishin shkëputur nga dominimi i Spanjës katolike; viktimat e luftërave fetare në Gjermani, dhe në fund të shekullit, protestantët francezë që Luigji XIV i kishte dëbuar nga vendi në 1685.
Në vitin 1602, Amsterdami ia hapi dyert një tjetër minorance: hebrenjve, mes të cilëve ishin disa prej tregtarëve më të pasur. Brenda pak vitesh në qytet u krijua një komunitet i rëndësishëm hebrenjsh, mbi të gjitha portugezë që ishin larguar nga territoret e pushtuar prej Filipit II të Spanjës, përballë persekutimit në rritje nga ana e Inkuizicionit dhe që, duke mbërritur në Vendet e Ulët, mund të praktikonin fenë e tyre, pa i penguar askush. Në gjirin e këtyre familjeve lindi në vitin 1632, filozofi Baruch Spinoza, që ndoqi gjurmët e mendimit racionalist të Descartes, pasi u largua nga ortodoksia hebraike, edhe pse kjo gjë i kushtoi dëbimin prej komunitetit të tij.
Por situata nuk ishte krejt rozë. Toleranca fetare kishte limitet e veta. Një prej këtyre u përkiste katolikëve, që ishin të privuar nga të drejtat politike dhe nuk mund të praktikonin publikisht fenë e tyre. Veç kësaj, brenda vetë kalvinistëve u verifikuan episode të përgjakshëm të mungesës së tolerancës. Siç u përmend më lart, gjatë armëpushimit 12-vjeçar u panë përplasje të gomaristëve me arminianët.
Supremacia në dete
Lufta me Spanjën rinisi në vitin 1631. Konflikti shpërtheu sërish me të gjithë egërsinë e tij dhe, ndonëse në tokë të thatë forcat spanjolle arritën disa suksese, si përshembull marrja e famshme e Bredës, ku superioriteti në dete i flotës holandeze ua hoqi çdo shans fitoreje armatave perandorake. Gjatë konfliktit, holandezët vazhduan të bëjnë tregti në të gjithë botën, duke e çuar luftën në zotërimet spanjolle të përtej detit. Pas shumë vitesh me kosto të jashtëzakonshme në njerëz dhe para, Spanja nuk pati zgjedhje tjetër përveçse të pranonte zyrtarisht pavarësinë e Provincave të Bashkuara në vitin 1648, me paqen e Vestfalisë.
Kushtet e marrëveshjes së paqes u jepnin edhe më shumë avantazhe tregtarë holandezëve në trafikun me Inditë. Hapej kështu një horizont i ri për Provincat e Bashkuara për supremacinë ekonomike kontinentale, por me konkurentë të rinj: e para Anglia dhe më pas Franca e Luigjit XIV. Pavarësisht kësaj, i gjithë vendi dhe në mënyrë të veçantë Amsterdami ruajtën për dekada të tëra rolin e një perandorie të madhe ekonomike në kontinent. Deri kur, në kapërcyell të shekujve, një seri konfliktesh europianë solli fundin e ekspansionit tregtar holandez./bota.al

Related

Suplement 8990189358491677715

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item