HISTORI – DAVIDI & SOLOMONI / Dy anet e medaljes se Izraelit

Luftëdashësi David dhe i urti Solomon ishin krerët e dy izraelëve të ndryshëm, që më pas janë rimishëruar shumë herë në histori, deri tek dy...


Luftëdashësi David dhe i urti Solomon ishin krerët e dy izraelëve të ndryshëm, që më pas janë rimishëruar shumë herë në histori, deri tek dy udhëheqës të kohëve tona: Ariel Sharon dhe Shimon Peres, kampion i ashpërsisë i pari, fitues i Nobelit për paqen i dyti. 3 mijë vjet më parë mbreti pacifist nuk mbizotëroi. Megjithëse i kish garantuar vite të lumtur popullit të tij u hodh poshtë nga Bibla “si mëkatar”. Arsyeja: Përvec Tempullit të Zotit në Izrael, kishte ndërtuar të tjerë për Astarten, Milcolmin dhe Camosin, hyjni të bashkëshorteve të tij të huaja politeiste. Zoti, që urdhëronte “nuk do të kesh Perëndi tjetër vec meje”, mund të mbyllte njërin sy në rast se bëhej fjalë për një vrasje prej dashurisë, ai ajo e Davidit në dëm të të gjorit Uria, por nuk mund të toleronte kulte rivalë. Dhe kështu nisi anatema
“Shko pra, dhe godit Amalekun, shfarose sic e meriton, mos lër të të pushtojë dhembshuria për të, por vrit burrat dhe gratë, fëmijët dhe foshnjat, qetë dhe dhentë, devetë dhe gomerët”. Amalekun domethënë “Amalecitët”, një popull që tridhjetë shekuj më parë jetonte në jug të tokave izraelite, jo larg nga Gaza e sotme. Ai që e donte të shfarosur deri tek foshnjat dhe devetë ishte Yahweh-u (Jehovai), Zoti i Hebrejve. Ai që duhej të realizonte këtë lloj “Operacioni Plumbi”, të shumëzuar me një mijë ishte mbreti i parë izraelit, Saul. I cili u nis dhe kreu një masakër.
Ose më saktë, i masakroi të gjithë, burra-gra-fëmijë, sic e kish urdhëruar Zoti. Megjithatë, ndoshta i prekur prej mëshirës, kurseu bagëtitë e armiqve dhe mbretin e tyre, Agagun. Kaq mjaftoi që Zoti të zemërohej dhe të merrte një vendim radikal: Sauli u delegjitimua, froni i tij duhej t’i kalonte një sovrani të ri, më të bindur dhe të pamëshirshëm. Profeti Samuel, ndërmjetës mes Zotit dhe hebrenjve, tregoi me gisht një bari të panjohur nga Betlehemi, që pasi mori pushtetin, shmangu me kujdes mëkatet e dhembshurisë që kish kryer paraardhësi.

Bari

Testamenti i Vjetër e tregon kështu ngjitjen në fron të Davidit (në origjinal David ben Yeshai), mbreti biblik më i adhuruar nga hebrenjtë, pushtues i Jeruzalemit dhe stërgjysh i Mesias, që pritej të vinte. Dhe saktëson që, përpara se të kishte pushtetin, djaloshi nga Betlehemi bëri një “trainim” të gjatë në oborrin e Saulit, duke dalë në pah si luftëtar, por edhe si poet e këngëtar: aq shumë doli në pah, saqë në një pikë mbreti, ziliqar për dhuntitë e djaloshit, u përpoq ta vrasë. Por atentati dështoi.
Vetëm kur hipi në fron, në fundin e shekullit XI para Krishtit, Davidi mundi të kultivojë të dy talentet e tij, pa iu druajtur zilisë së të tjerëve. Në frontin poetik-muzikor ai kompozoi dhjetëra psalme: i janë atribuar nga 73 në 82, në një total prej 150. Në këndvështrimin luftarak, ai udhëhoqi fushata ushtarake kundër të gjithë popujve që e rrethonin: Filistejve, Amalecitëve, Amonitëve, Edomitëve, Aramejve, Gebusejve, Moabitëve. Përdori armët madje edhe kundër njërit prej bijve të tij, Asalonit.

Sfidë gjigandit

Episodi më popullor i këtij kurrikulumi është sfida me Goliathin, një gjigand filiste, që mbreti i ardhshëm e kishte përballur kur ishte adoleshent, i armatosur vetëm me llastiqe dhe gurë. “Por ndoshta Goliathi nuk ka ekzistuar asnjëherë”, thotë Yosef Garfinkel, arkeolog i universitetit hebraik të Jeruzalemit. Edhe Bibla nuk duket se betohet për anektodën, sepse në një paragraf (Samueli, 17: 1-54) e rrëfen duelin ashtu si e dimë, ndërkohë që diku tjetër (Samueli 21: 20-21) jep një version të ndryshëm, duke ia atribuar fitoren një gjigandi tjetër, një farë Gionati.
Kontradikta nuk ka shqetësuar asnjëherë, askënd: historia e bariut hero, që mposhti kampionin armik me gurë thjeshtë është pëlqyer shumë, kështu që versioni i dytë nuk mund të mbijetonte. Ajo histori ka frymëzuar piktorë (Caravaggio, Pollaiolo), skulptorë (Donatello, Michelangelo, Bernini) e madje edhe kinemanë. Morali: imazhi që ne kemi për Davidin është ai i një djaloshi kurajoz dhe të sinqertë, në moshë puberteti dhe gjysmë i carmatosur.

Davidi i vërtetë

Një imazh shumë i devijuar, pasi Bibla na përshkruan një njeri hakmarrës, shumë burrëror, të papërmbajtshëm dhe të dhunshëm.
Hakmarrës: pas një inkursioni të Amalecitëve, që kishin kryer sulme por nuk kishin vrarë, organizoi një raprezalje që kurseu “vetëm 400 të rinj”. “Macho”: Kishte të paktën 9 gra, plus një harem me konkubina. I papërmbajtshëm: dërgoi në vijën e parë të frontit një ushtarin e tij, një farë Uria, për t’i marrë më pas bashkëshorten. I dhunshëm: lista e konflikteve flet vetë.
Që për këtë pikën e fundit Bibla nuk ekzagjeron, këtë e vërtetojnë gërmime të ndryshëm, që kanë evidentuar shenja luftërash të pamëshirshme, në kohë dhe vende që përputhen me fushatat e Davidit kundër Filistejve. “Rruga e përparimit të tij është e shenjuar nga gjurmë të shumta zjarresh shkatërrimtarë”, ka shkruajtur arkeologu biblik Verner Keller në vitet ’50. “Pak pas vitit 1000 para Krishtit, u rrafshua Betsani”. Arkeologët e Pennsylvania University në Philadelphia kanë zbuluar në atë zonë tempuj të shkatërruar dhe shtresa të tjera hiri në muret e shembur”.

Përplasja

Pra nuk ishte një duel por një përplasje totale, ajo mes filistejve dhe hebrejve. Parashikimet ishin në favor të të parëve, që përdornin tashmë armë hekuri, kundër armëve të bronzit. Por fituan të dytët dhe ky rezultat vendosi edhe të ardhmen e Lindjes së Mesme, të paktën sa i përket edhe një tjetër historie armësh që i atribuohet Davidit: pushtimi i Gebusit (sot Jeruzalemi), që iu mor themeluesve të tij, barinj primitivë, me një blic të kryesuar nga një farë Ioab, të cilin Davidi e nxiste që nga prapavijat: “Kush do të godasë i pari Gebusejtë, do të bëhet kryetar dhe princ”.
Përse kaq shumë zemërim kundër një bande malësorësh pa histori? Sipas rrëfimit biblik, Davidi kishte një mijë motive për t’u kapur me filistejtë, armiq totalë; apo me Amalecitët, që i kishin rrëmbyer dy gra; apo me Amonitët, që kishin poshtëruar disa prej ambasadorëve të tij. Po përse sulmoi Gebusejtë? Duke marrë të mirëqenë që kjo gjë ka ndodhur vërtetë, motivi është i qartë: ndonëse në atë kohë ishte vetëm një vendstrehim për barinj dhish, Jeruzalemi kishte një pozicion të lartë strategjik.

Qyteti ideal

Kush ngjitet në Malin Moria, kulmi i qytetit në lartësinë 740 metra, ku sot shkëlqen kubeja e artë e Xhamisë së Omarit, e kupton menjëherë. Nga Jeruzalemi kontrollohen, si shpatet pjellorë që ulen drejt Mesdheut, si lugina e Jordanit, një herë e një kohë një portë e mundshme hyrëse për pushtuesit. Jo vetëm: “Qyteti i shenjtë” është pikërisht në gjysmën e rrugës mes Judesë dhe Galilesë, rajone ku në epokën e Davidit jetonin fise hebraikë rivalë; pra të mbretëroje në Gebus do të thoshte të mbaje një sy edhe nga një front i mundshëm i brendshëm.
Megjithatë, në fillim Jeruzalemi nuk ishte pikërisht në majë të Morias, por pak më poshtë, në shpatin e një tjetër kodre (Ophel), pranë një burimi (Gihon) dhe një lagjeje që sot banohet vetëm nga palestinezë (Silvan). Gërmimet e kryer mes viteve 1978 dhe 1985 nga arkeologu izraelit, Yigal Shiloh, kanë nxjerrë në dritë rrënojat e vendbanimit më të lashtë që njihet në zonën e Jeruzalemit: një seri lagjesh të varfëra të vitit 1000 para Krishtit, të rrethuara me mure. Sot ai fshat quhet David City.

Shumë pak siguri

Më së fundi, në 2005, një tjetër arkeologe, Eliat Mazar, në të njëjtën zonë ka zbuluar një ndërtesë më të rëndësishme se pararendëset, që e ka quajtur “Shtëpia e Davidit”. Por nuk është krejt e sigurtë që bibliku Gebus është David City i sotëm. Aq më pak që ndërtesa e Mazar është shtëpia e Davidit. Madje arkeologë të tjerë e mohojnë me vendosmëri: në radhë të parë mes këtyre të fundit është Israel Finkelstein, i Universitetit të Tel Avivit. Mbetet fakti që, mes shumë vendeve të lidhur me mbretin izraelit, David City është më bindësi.
Më e pasigurtë është, për shembull, lidhja mes tij dhe Tell Dan, zonë arkeologjike në kufirin mes Izraelit dhe Libanit, ku në vitin 1903 u gjet një gur varri që përmend emrin David (pothuajse me siguri një homonim). Krejt fals, nga ana tjetër, është një gjoja varr i Asalonit, biri antagonist i mbretit, me vendndodhje në Luginën e Cedronit, në periferi të Jeruzalemit. Edhe më fals është një varr i Davidit, në pallatin e qendrës, që i përket madje epokës së kryqëzatave.

Tempulli i zhdukur

Një pasiguri e ngjashme arkeologjike rrethon mbretërimin e trashëgimtarit të Davidit: Solomonit (në gjuhën hebraishte Shlomo), sovrani i tretë izraelit dhe djali i dytë i Betsabeas, vejusha e ushtarit Uria. Dhe kjo, ndonëse Bibla tregon që pikërisht gjatë mbretërimit të Solomonit hebrejtë ngritën në majën e Morias Tempullin e famshëm të Zotit, një kolos guri i veshur me flori. Për të ndërtuar atë pasqyrë të kushtueshme të shtetit hebraik, u deshën shtatë vite punë e rëndë dhe ndihma e fenikasve të Tirit, që ofruan materiale dhe artizanë të specializuar.
Tashmë tempulli nuk ka asnjë gjurmë të atij ndërtimi të madh, i shkatërruar nga babilonasit, më pas i rindërtuar dhe i shkatërruar sërish nga romakët. “Nëse do të mund të gërmonim nën Xhaminë e Omarit, ndoshta ndonjë mbetje e Tempullit do të gjendej; por kjo gjë nuk mund të bëhet për arsye të kuptueshme politiko-fetare”, thotë David Cassuto, arkitekt izraelit me origjinë italiane, ish nënkryetar i bashkisë së Jeruzalemit dhe “regjisor” i rindërtimit të lagjes hebraike të qytetit të vjetër, pas luftës së 1967-ës.
Morali: më shumë se sa në nëntokë, provat e vërtetësisë historike të Solomonit duhen kërkuar në bibliotekë. Apo për të qenë më të saktë, në bibliotekat e tre qytetërimeve të ndryshëm. Në fakt, për trashëgimtarin e Davidit, përvec shtatë librave të Biblës, flasin gjashtë kapituj të Kur’anit, një pjesë e Kebra Nagast (“Lavdia e mbretit”, një vepër e lashtë epiko-fetare etiopiane) dhe dhjetëra libra më të vegjël. Sigurisht, këta tekste nuk duhen marrë fjalë për fjalë, por duket e pamundur që kultura kaq të ndryshme të kenë krijuar nga hici të njëjtin personazh.

Mbreti i urtë

Ndryshe nga personazhet biblikë të mëparshëm, për Solomonin studiuesit fiksojnë data të sakta. Teza që mbizotëron është që mbretëria e Shlomos i përket viteve 970-931 para Krishtit. Kush ka propozuar një datë tjetër është zhvendosur nga “kalendari zyrtar” maksimumi me një dekadë: domethënë hicgjë, nëse mendohet që për faraonë të ndryshëm egjiptianë oshilacioni është me 50 vite. Në cdo rast po flasim për një mbretëri shumë të gjatë, e karakterizuar nga një paqe e zgjatur dhe mirëqenie e përhapur, të cilave i shtohet një prestigj personal i mbretit që i kalonte kufijtë e botës hebraike. Në libër lexohet që kishte “një mendje të madhe si rëra që ndodhet në plazhet e detit”, dhe që “nga të gjithë vendet vinin për të dëgjuar urtësinë e Solomonit”. Kur’ani shkon më tej, duke thënë se njihte “gjuhën e zogjve dhe sekretet e gjërave”, aq sa përdorte si korrier një pupëzen.
E njohur është anektoda biblike e gjykimit “solomonian” të dy grave, që diskutonin për një fëmijë. Më pak i famshëm është një rrëfim surreal i Kur’anit, sipas të cilit “i ngjitur mbi të gjithë besimtarët”, me dëshirën e Allahut, xhindët e mirë “nën drejtimin e tij krijuan tempuj, statuja, oaze” dhe puna vazhdoi edhe kur Solomoni vdiq, duke qenë se trupi i tij mbeti në këmbë, i mbajtur nga një shkop, dhe xhindët nuk kuptuan asgjë.

Feminist

Davidi dhe Solomoni ishin të ndryshëm si nata me ditën. I dyti kish të përbashkët me të atin vetëm tre gjëra: një hyrje e përgjakshme në skenë (i ri, vrau të vëllanë Adonin, që kish tentuar një grusht kundër Davidit), pasionin për poezinë, dhe së fundi një debulesë të spikatur për seksin tjetër (Bibla thotë se kishte 700 gra dhe 300 konkubina).
“Solomoni ishte i pari që praktikoi sloganin e njohur “Bëni dashuri, jo luftë”, komenton Adin Steinsaltz, teolog i njohur izraelit. Edhe pse vlerësimi biblik i 1000 grave është një hiperbolë, ka të ngjarë që haremi të ketë qenë vërtetë i mbushur. Shumë gjak i ngrohtë? Jo, saktëson Steinaltz. “Solomoni dëshironte që të arrinte qëllimet e tij, me mjete më pak të dhimbshëm se konfliktet”. Me fjalë të tjera: haremi i Shlomos ishte një mjet për të garantuar paqen.
Gruaja e parë e mbretit ishte bijë e një faraoni egjiptian, ndoshta Siamonit. Më pas erdhën të tjera. Praktikisht, Solomoni u lidh me klasat drejtuese të të gjithë popujve që e rrethonin, përfshirë ata që i ati kishte luftuar. Dhe atje ku nuk arrinte me martesa, e bënte me tregti: ish Gebusi u shndërrua në kryqëzimin e trafiqeve që shkonin nga Turqia në Afrikën e zezë, nga Egjipti në Jemen. Dy personazhe të përmendur nga Bibla të japin një masë të këtij tregu të përbashkët. Njëra është mbretëresha e Sabas, simbol i kontakteve mes Izraelit, Jemenit dhe Etiopisë. Tjetri është Chirami, mbreti fenikas i Tirit, që e ndihmoi Solomonin jo vetëm të ndërtonte tempullin, por edhe të zotëronte një flotë dhe një port në Detin e Kuq, bazë e ekspeditave në kërkim të floririt në Bririn e Afrikës. Porti quhej Ezion-Gheber: arkeologët po e kërkojnë mes Eliatit të sotëm në Izrael dhe Aqabas në Jordani.
Konkluzioni: Davidi dhe Solomoni ishin krerët e dy izraelëve të ndryshëm, që më pas janë rimishëruar shumë herë në histori, deri tek dy udhëheqës të kohëve tona: Ariel Sharon dhe Shimon Peres, kampion i ashpërsisë i pari, fitues i Nobelit për paqen i dyti. 3 mijë vjet më parë, mbreti pacifist nuk mbizotëroi, megjithëse i kish garantuar vite të lumtur popullit të tij, u hodh poshtë nga Bibla “si mëkatar”.
Arsyeja: Përvec Tempullit të Zotit në Izrael kishte ndërtuar të tjerë për Astarten, Milcolmin dhe Camosin, hyjni të bashkëshorteve të tij të huaja politeiste. Zoti, që urdhëronte “nuk do të kesh Perëndi tjetër vec meje”, mund të mbyllte njërin sy në rast se bëhej fjalë për një vrasje për dashuri, ai ajo e Davidit në dëm të të gjorit Uria, por nuk mund të toleronte kulte rivalë. Dhe kështu nisi anatema.
BBC Histori

Related

Histori 3340779804121040095

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item