Teoria e Ekuilibrit të Përgjithshëm e Leon Walras

Milton Friedman Në kapitullin 11 të librit të tij  Researches , Cournot shkruan: Deri tani ne kemi studiuar se si Ligji i kërkesës, lidhur m...

Milton Friedman

Në kapitullin 11 të librit të tij Researches, Cournot shkruan: Deri tani ne kemi studiuar se si Ligji i kërkesës, lidhur me kushtet e prodhimit për secilin lloj produkti në vetvete, përcakton çmimin e produktit dhe rregullon të ardhurat e prodhuesit. Ne i kemi konsideruar çmimet e mallrave të tjera dhe të ardhurat e tjera të prodhuesve të tjerë me vlerat e tyre aktuale dhe të pandryshueshme. Por në realitet, sistemi ekonomik shfaqet si një i tërë, kur çdo pjesë e tij është e ndërlidhur me të tjerat dhe ato reagojnë ndaj njëra-tjetrës duke afektuar reciprokisht secilën. Kështu, një rritje e të ardhurave të prodhuesit të mallit A, do të prekte kërkesën për mallin B, C e me radhë, si dhe të ardhurat e prodhuesve të tyre. Si pasojë e këtij reagimi zinxhir të krijuar, do të kemi një ndryshim të kërkesës për mallin A. Si rezultat i kësaj, për të arritur një zgjidhje të plotë dhe rigoroze të problemeve të lidhura me disa nga pjesët e sistemit ekonomik, zgjidhja më ideale do të ishte që të merrej në konsideratë i gjithë sistemi. Por kjo do të tejkalonte çdo mundësi të analizës matematikore dhe metodat praktike të kalkulimeve, edhe nëse do të supozonim që të gjitha vlerat e konstanteve do të mund të shpreheshin numerikisht.
Është pikërisht kjo arritja më e madhe e Walras, i cili ka bërë të mundur ndërtimin e një sistemi me konstruksion matematikor, i cili të ndihmon për të shprehur në detaje precize interrelacionin e shprehur më sipër nga Cournot. Mendoni se Walras e kishte nxjerrë të gabuar supozimin e Cournot që kjo detyrë tejkalon kapacitetet e analizës matematikore? Unë besoj se jo. Sepse unë mendoj se ekziston një diferencë themelore dhe shumë fine ndërmjet çështjes së shtruar nga Cournot dhe çështjes që kishte arritur të zgjidhte Walras. Të kuptuarit e këtij ndryshimi është thelbësor jo vetëm për vlerësimin e kontributit shumë pozitiv të Walras, por të kuptuarit edhe të kufizimeve të këtij kontributi. Rrjedhimisht, dështimi në të kuptuarit e kësaj diference përbën, për mendimin tim, burimin kryesor të konfuzionit metodologjik të shkencave ekonomike. Duhet të dallojmë qartazi se “metodat praktike të kalkulimeve”, të cilave u referohet Cournot dhe dhënies së vlerave numerike të konstanteve për atë “zgjidhje rigoroze” që ai kishte në mend, nuk ishin aspak një zgjidhje “në princip”, por një përgjigje numerike për një problem specifik të caktuar. Objektivi i tij ishte arritja e të bërit të një analize të materialit statistikor, e cila është e aftë të gjenerojë përgjigje pyetjeve specifike empirike siç mund të jetë ai i përcaktimit të efekteve të një takse specifike mbi një produkt të caktuar, përgjigjet e së cilës do të binin ndesh me observimet e konfirmuara apo të pranuara. Sigurisht, edhe sot me mundësitë tona të mëdha të përdorimit të metodave kalkuluese, përsëri mbetet dyshimi rreth asaj nëse “një zgjidhje komplete dhe rigoroze” do të mund t’i kapërcente “mundësitë tona të analizës matematikore dhe metodat tona praktike të kalkulimit.” Cournot kishte plotësisht të drejtë lidhur me problemin e tij për një zgjidhje komplete dhe rigoroze, duke e përcaktuar atë si një çështje të pazgjidhur, pasi gjëja që kërkohej nga ai ishte: “Ndërkohë që përpiqesh të mbash një lloj vlere të përafruar…duhet të… bazohesh në një metodë analitike të përdorshme e të vlefshme”.
Walras kishte zgjidhur një problem tjetër, por jo më pak të rëndësishëm. Ai kishte zbrazur nga përmbajtja empirike problemin e Cournot dhe kishte prodhuar një zgjidhje “komplete dhe rigoroze” e bërë kjo në “princip”, dhe pa pretenduar aspak që kjo të përdorej direkt në kalkulimet numerike. Problemi i tij është çështje e formës dhe jo e përmbajtjes për të dhënë një pikturë ideale të sistemit ekonomik. Ai nuk kishte konstruktuar një mekanizëm për të analizuar probleme konkrete. Arritja e tij mundet vetëm të impresionojë lexuesin me bukurinë e saj, me madhështinë e saj dhe me strukturën arkitekturale të saj. Por njëkohësisht kjo mund të çonte në rrugë pa krye dhe boshe nëse do të përdorej për kalkulimin e zgjidhjeve numerike për një grupim të caktuar ekuacionesh specifike. Kjo diferencë është qartësuar nga zhvillimet e mëvonshme të linjës së Walras, të cilat kanë qenë të konsideruara si vetëm përmirësime brenda përbrenda sistemit të tij. Të gjitha këto kanë konsistuar vetëm në atë për ta bërë sistemin e tij më shumë përgjithësues dhe më shumë elegant në pamje, duke eliminuar përgjithësimet empirike të veçanta. Shembull i qartë për këtë është vetë Walras, i cili në teorinë e prodhimit, në përmbledhjen e koeficientëve konstantë të prodhimit, ai pranon qartazi se kjo ishte “aproksimative”, dhe ku në botimin e tij të dytë ai jep sugjerime për një rrugë të mundshme për të bërë gjeneralizimin e analizave.
Pareto ka arritur të gjeneralizojë zgjidhjen e Walras rreth koeficientëve konstantë dhe variabël të prodhimit. Ndërkohë që, prezantimi bërë së fundi rreth përgjithësimeve të koeficientëve konstantë të prodhimit lidhur me analizën e raportit Input-Output (kosto e shpenzimeve me ato të të ardhurave brenda një procesi të prodhimit), nuk shënon aspak një pasurim të teorisë ‘pure’ të Walras. Ajo ka qenë më tepër një përpjekje, pak a shumë e pa suksesshme duke përdorur sistemin e Walras për të dhënë zgjidhje problemit të Cournot.
Theksimi rreth formës ‘pure’, ka patur një rol të rëndësishëm në dy aspekte të ndryshme të mendimit ekonomik. Njëra prej tyre, që është me e lehta për ta specifikuar, është roli i matematikës apo logjikës së pastër, e cila na ndihmon për të shmangur formulimet kontradiktore, apo gabimet aritmetike që kanë ndodhur gjithmonë. Ky rol është pa dyshim i pranuar tashmë, kështu që po përpiqem ta kapërcej shpejt atë. Por përsëri do të desha të vë theksin në atë se sa shumë të tilla, me sa shumë efekte dhe se sa të vështira për t’u kapur, kanë qenë gabime të tilla. Sa shumë falsitete numerike të nxjerra nga formulime të gabuara dhe anasjelltas, na është dashur të gëlltisim e t’i pranojmë si të vërteta. Fatkeqësisht, aftësia për të qenë të qartë në mendime dhe të saktë në përllogaritje, ka qenë e pamjaftueshme dhe duket të mos ketë një formë tjetër adekuate të zgjidhjes. Diskutimi i Walras mbibimetallism (Leksionet 31 dhe 32) dhe teoritë për Rentën dhe Pagat të Ricardo dhe Mill (leksionet 39 e 40), janë shembuj kuptimplotë të rëndësisë të papërfillshme në raport me teorinë e tij të Ekuilibrit të Përgjithshëm dhe të asaj se sa theks përdorimi ka forma e pastër. Në vend të adaptimit të formulimeve të mjegullta, ai ka zgjedhur të përdorë forma simbolike të aritmetikës së thjeshtë. Ai është treguar i aftë që të qartësojë shumë materiale të papërshtatshme, po ashtu ai ka treguar se përkufizime që atëherë ishin pranuar gjerësisht, kishin kontradikta ndërmjetëse dhe reciproke. Po ashtu, ai ka përcaktuar dhe konditat në të cilat duhet të pranohen apo të quhen të pavlefshme koncepte dhe përkufizime te ndryshme.
Aspekti tjetër i formës ‘pure’ e cila ka rol të rëndësishëm, është garantimi i një gjuhe, një skeme klasifikuese për t’u përdorur në organizimin e materialeve dhe etiketimeve për t’u përdorur në kutitë analitike. Kjo përbën padyshim, një kontribut të madh të Walras. Sistemi i tij i Ekuilibrit të Përgjithshëm të jep mundësi të shohësh me një sy të mprehtë pamjen e sistemit ekonomik si një i tërë, i cili jo vetëm që të shfaqet me një pamje estetike dhe aq bukur e artikuluar me një abstraksion të shkëlqyer, por që të fton për t’u përpjekur për të sjellë ide kuptimplote dhe kategorizime të axhustuara reciprokisht me këto ide. Ky vështrim i mprehtë qëndron i mbështetur në dy dikotomi: ndërmjet shërbimeve dhe burimeve të këtyre shërbimeve, ose ndërmjet të ardhurave dhe kapitalit dhe ndërmjet tregjeve për shërbime ndaj konsumatorit dhe prodhimit të këtyre të mirave materiale për konsumatorin. Këtu mund të shtohet edhe një dikotomi e tretë, ajo ndërmjet sipërmarrësve dhe njësive të konsumatorëve, ndonëse kjo nuk duket të jetë aq thelbësore. Çdo njësi e konsumimit dhe ajo e sipërmarrësit prodhues, apo shërbyes, janë të vendosur të operojnë në të dyja tregjet, në kuptimin që në një treg për shërbime, një njësi konsumatori shet shërbime të burimeve të kapitalit që ai posedon në burimin e tregut dhe blen shërbime të konsumit në tregun e konsumit. Po ashtu një sipërmarrës blen servise prodhimi në tregun e burimeve dhe shet shërbime konsumi në tregun e konsumit qoftë direkt apo indirekt. Ky dallim ndërmjet tregjeve të çon detyrimisht dhe natyralisht drejt dallimit ndërmjet kërkesës dhe ofertës.
Kjo skemë klasifikuese është e zhvilluar në detaje të hollësishme me aftësi, saktësi logjike, me vëmendje e devocion për të treguar që sistemi i brendshëm është konsistent dhe i axhustueshëm. Po ashtu tregon se sistemi i ekuacioneve ka një zgjidhje që tenton të arrihet dhe të mbahet nga forcat operacionale të tregut. Unë e kam përshkruar këtë analizë si një përpjekje për të shprehur dukshëm formën ‘pure’ të cilën ai arrin ta bëjë atë në një mënyrë shumë kuptimplote. Unë nuk po përpiqem aspak të nënkuptoj që kjo formë zhvlerëson rolin e shkencave ekonomike si shkenca substanciale, apo që konsideratat empirike nuk luajnë asnjë rol në konstruktimin dhe përdorimin e shkencës ekonomike. Përkundrazi, piktura që na jep Walras nuk është një matematikë ‘pure’, por një pikturë ekonomike, sepse ajo ishte konstruktuar të japë strukturën bazë për organizimin e materialeve substanciale të një përmbajtje dhe të një karakteri ekonomik. Klasifikimet e përdorura reflektojnë një gjykim rreth rëndësisë së karakteristikave empirike të strukturës së një ekonomie, ku piktura e përgjithshme, jo vetëm në aspektin e koherencës së saj, do të varej shumë nga shkalla e gjerësisë së gjykimit dhe të eksperiencës të atij që e shikon dhe e kupton atë. Mua më duket se kur lexon Walras, nuk mund ta kuptosh atë pa patur të qartë se ai së pari është një ekonomist dhe pastaj një matematicien me logjikë të lartë. Ai ka arritur ta bëjë atë vepër jo sepse ai ishte një matematicien gjenial, por që megjithë mungesën e pajisjeve matematikore, kishte arritur të formulonte konceptet dhe strukturën. Nevoja e Walras për t’i zbërthyer gjërat duke kaluar nga raste të thjeshta në ato më të komplikuara, duhet t’i ketë dhënë atij shtysën për të avancuar konceptet ekonomike nëpërmjet kategorizimit të tyre në një nivel të lartë abstraksionesh. Unë nuk dua as të nëvleftësoj dhe as të mbivlerësoj rëndësinë e matematikës, por me siguri unë mendoj se çdo detyrë e shtruar për zgjidhje kërkon përdorimin e mjeteve dhe formave të duhura. Për disa lloj punësh, përdorimi i lopatës së dorës shërben më mirë se një mjet modern. Thuhet se matematicienët e nivelit të lartë, zakonisht nuk janë të mirë në zgjidhjen e problemeve të aritmetikës.
Mund të themi se vënia e theksit te forma, zakonisht luan një rol të dorës së parë në shkencat ekonomike, por këto mund të bëhen joproduktive nëse nuk janë të ndriçuara me gjykime dhe kuptime empirike domethënëse. Një ilustrim i saktë i kësaj është analiza e vlerës së përdorimit të Kursimeve nga Walras. Kjo analizë ishte paraqitur në fillim nëpërmjet katër edicioneve, të cilat panë dritën e diellit në vitin 1900, gati një çerek shekulli pas botimit të parë. Në këtë botim, Walras kishte ulëritur ndaj disa njerëzve pa peshë që pretendonin të trajtonin Kursimet si një e mirë e konsumatorit dhe që analiza rreth këtyre kursimeve të bëhej thjeshtë në mënyrë mekanike apo si një analize formale si në rastet e të mirave materiale për konsumatorin. Kështu ai e kishte përkufizuar mallin (E) që konsistonte si një rrymë e të ardhurave të vazhdueshme, në të cilin një njësi e (E) korrespondon me një vlerë numerike të caktuar, ku për çdo individ kishte shënuar funksionin e vlerës së përdorimit minimal për (E) duke e konsideruar atë si një vlerë sasiore të (E), duke maksimizuar vlerën e përdorimit në raport me kufizimet e buxhetit e cila përfshin shpenzimet në (E) bashkë me shpenzimet për mallra të tjera. Ai e shikon këtë proces si një vartësi kundrejt funksionit të kërkesës për (E) ashtu si dhe funksionet për mallra të tjera.
Bazuar në simbolet e përdorura, kjo duket e njëjtë dhe si një shtrirje më tej e analizës së përgjithshme të Walras, ku nga kjo lind natyrshëm pyetja përse kjo shtrirje shumë e rëndësishme nuk ishte vlerësuar dhe evidentuar për më se një çerek shekulli. Por si një ekonomist, në momentin që fillon të thellohesh të kërkosh nën këto simbole dhe të pyesësh përse ka ndodhur kjo, konstatohet ajo që është shumë e rëndësishme: të dalluarit të ndryshimit ndërmjet Kursimeve dhe Konsumit në momentin e dhënë. Bëhet e qartë tashmë që procedura e përdorur nga Walras është e gabuar dhe përfshin ekzaktësisht atë lloj konfuzioni që ekziston në dallimin ndërmjet rrjedhjes dhe rrymës, të cilat ai ishte përpjekur t’i shmangte me kujdes në analiza të tjera. Unë po e ilustroj këtë funksion të vlerës së përdorimit të shprehur të Walras për (E), e cila rrjedh nga kurba e kërkesës sipas formulës së përdorur nga ai: Фe (qe + de)
Ku  ‘qe’ vlera e sasisë fillestar e (E) të poseduar, ‘de ‘ sasia e blerë apo e shitur e njësisë gjatë kohës. Këto dy njësi janë në dimensione të ndryshme dhe nuk mund të mblidhen me njëra tjetrën. Referuar ekuacionit të Walras, nëse supozojmë se një person fillon me 10.000 dollarë të ardhura në vit dhe i shton kësaj 100 dollarë në vit duke kursyer 2000 dollarë gjatë këtij viti, që do të thotë që përqindja e interesit është 5%, dhe kur në një situate tjetër ai fillon me 9700 dollarë në vit të cilës i shton 400 dollarë dhe që arrin të kursejë 8000 dollarë gjatë këtij viti. Nga këto situate të ndryshme mund të themi se kursimet nuk mund të asimilohen direkt nga konsumimi aktual, pasi funksioni i kursimeve është që të sigurojë një rrymë për shërbimet e konsumit.
Në botimin e mëparshëm të Elements, Walras nuk ishte përpjekur ta shkëpuste kërkesën për kursime nga analiza e vlerës së përdorimit. Ai thjeshtë, e kishte përmendur atë si një të dhëne empirike në funksionin e kursimeve të individit, duke vënë një shënim sqarues që shpjegon atë se “nëse do të përpiqeshim të llogarisnim kursimin nga përllogaritjet e vlerës së përdorimit, duhej patjetër që të ‘konsiderohej vlera e përdorimit në një aspekt tjetër të ri, duke bërë dallimin ndërmjet vlerës së përdorimit në momentin e dhënë nga vlera e përdorimit të ardhshëm” Në ribotimin e katërt të Elements, kjo gjë nuk ishte neglizhuar apo harruar si diçka e vërtetë që neglizhohet. Shpjegimi i kësaj mund të lidhet me atë që kur Walras kishte bërë ndryshimet në botimin e katërt, ai nuk e kishte më në eficiencë sistemin që ai kishte zhvilluar, dhe që ai tashmë po i konsideronte gjetjet e tij në një formë krejt ‘pure’, kur aspekti i formës nuk ishte më pjesë e punimeve të tij. Është e vështirë të gjendet shembull më i qartë se ky kur edhe një ekonomist i madh orientohet drejt një divorci me substancën e çështjes së trajtuar.
Konkluzione
Walras, më tepër se askush tjetër nga ekonomistët e mëdhenj, na ka dhuruar një sistem për organizimin e ideve tona, një mënyrë se si të konceptojmë dhe të përshkruajmë sistemet ekonomike, me qëllim për të shmangur gabimet logjike gjatë procesit të punimeve studimore.
Nuk është aspak ulje vlerash të këtij kontributi nëse ne theksojmë faktin se në trajtimin e një teorie ekonomike frutdhënëse dhe kuptimplote, aspekti i mënyrës së organizimit të punës kërkimore është po aq i rëndësishëm sa dhe vetë teoria apo fusha e studimit. Shkencat ekonomike jo vetëm që kërkojnë një sistem të organizuar rreth zhvillimit të idesë, por ato kërkojnë edhe sistem të organizimit të vetë ideve. Ne kemi nevojë për një gjuhë të përshtatshme dhe të drejtë, nëse kemi diçka për të thënë. Hipotezat substanciale rreth fenomeneve ekonomike, të cilën Cournot i trajton si shqetësim, janë tregues esencialë i nevojës për një teori ekonomike të vërtetë dhe me vlerë. Në fakt, Walras nuk ka të thotë më tepër rreth këtij aspekti, për më tepër ne duhet t’u referohemi ekonomistëve të tjerë, ku më i spikaturi është Alfred Marshall.
Gjerësia dhe vlerat substanciale të koncentrimit ndaj formës të elaboruara nga Walras; prezenca e vlerave intelektuale të përdorimit të shkencës së matematikës; fakti i vështirësive për eksperimentimin në studimet ekonomike dhe si pasojë mos organizimi i punës studimore të teorive dhe fenomeneve ekonomike në sisteme të organizuara analitike, të gjitha këto së bashku, janë të paraqitura të formuluara qartë dhe me mjeshtëri nga Walras, duke e bërë punën e tij jo vetëm të duket si një shpërthim teorik ekonomik, por të jetë vetë teoria ekonomike. Ky konceptim apo mos konceptim i teorisë së shkencave ekonomike ka ndihmuar pa diskutim riformatimin e shkencave ekonomike të sotme të cilat janë shumë më tepër të pajisura në formë dhe në përmbajtje. Si rezultat, tanimë, ne do të kemi nevojë më shumë të përqendrohemi në punën dhe stilin marshallian sesa në atë walrasian, gjithmonë në sensin e vlerësimit të punës të Walras dhe impaktit të punës së tij në këtë kontekst.
Unë ndjehem i tunduar të konkludoj duke mos bërë diskurs komentesh të tjera dhe duke e mbyllur me perifrazimin e bërë nga komentet e Mill që: “Një person që nuk është i aftë për asgjë, nuk mund të bëhet kurrsesi një ekonomist i mirë”. Perifrazimi im do të ishte: Një person që nuk ka një eksperiencë në të kuptuarit të esencës së punës studimore rreth shkencës ekonomike të Walras, për të njëjtën arsye, ai ose ajo, ka shumë të ngjarë që të paktën, të mos bëhet një ekonomist i mirë.
 Përktheu: Luan Kola
Mapo

Related

Shtypi i huaj 7258324415980135426

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item