POEZI E LASHTË EGJIPTIANE

Nga Zimo KRUTAJ Poezitë egjiptiane që po i paraqesim lexuesit të "Milosaos" vijnë nga thellësitë e mijëvjeçarëve, të ruajtura në g...

Nga Zimo KRUTAJ

Poezitë egjiptiane që po i paraqesim lexuesit të "Milosaos" vijnë nga thellësitë e mijëvjeçarëve, të ruajtura në gurët e varreve të lashtë, në piramida e sarkofagë, në ostraka (pllaka gëlqereje) si dhe në papiruse. Të gjitha këto poezi janë të shkruara në një gjuhë të shenjtë: hieroglifët. Pa deshifrimin e hieroglifëve, botës së sotme do t'i mungonte shkëlqimi dhe magjia e qytetërimit egjiptian.
Në gjuhën e Egjiptit të lashtë hieroglifet quhen medou neter, "fjalët e Zotit". Medou, "fjalë", ka edhe kuptimin "shkop", "bastun": me fjalë të tjera, hieroglifët janë shkopinjtë ku mbështetet njeriu për të ecur në rrugën e dijes, të jetës e të artit. Sipas egjiptiologut Kristian Zhak "Egjipti i lashtë besonte se një mendim i pashprehur nuk kishte vlerë të vërtetë; kjo është arsyeja përse egjiptianët ndërtuan tempuj, gdhendën e shkruan, për të mishëruar perceptimet e tyre mbi misterin e jetës."1)
Për këtë tufë poezish mund të bëhet një klasifikim i atypëratyshëm: janë lirika të mirëfillta dashurie, lirika për jetën e përditshme, (shoqërore) himne kushtuar perëndive të Egjiptit, dhe maksima a mësime mbi jetën dhe vlerat shpirtërore të njeriut. Këto të fundit tingëllojnë si sentenca traktatesh estetike e filozofike për të mirën, të drejtën, të bukurën e të dobishmen, për qenien dhe vdekjen, virtytin e vesin, në një shoqëri që përpiqet jo vetëm ta jetojë jetën, por edhe ta kuptojë atë.
Thelbi i kumtit të këtyre poezive është dashuria. Në të gjitha përmasat e saj, tokësore dhe qiellore, shpirtërore dhe transcendentale. Vetëm dashuria mund t'i japë kuptimin e vërtetë qëllimit të ekzistencës së njeriut mbi tokë, "këtij udhëtimi kaq të shkurtër sa bota e një trëndafili." Vetëm dashuria dhe "fjala e përkryer" e bën botën të pafund, të paanë, vetëm përmes saj mund të përballojmë të tashmen e të bëhemi të denjë për përjetësinë, pasi vdekja, për poetin dhe njeriun e Egjiptit të lashtë, nuk është gjë tjetër veçse "pragu i një jete të re".
Të vetëdijshëm për papërsosmërinë e përkthimit, sidomos nga një gjuhë e dytë, kemi krahasuar tekstet e disa poezive egjiptiane të përkthyera në gjuhët frënge dhe italiane, me synimin që të ruajmë e të përcjellim në shqip, për aq sa është e mundur, frymën, mendimin dhe dritën e pazakontë të kësaj poezie sa të lashtë, aq edhe moderne.




POEZIA E NEFERTITIT

Është bukur të lahesh në liqen me Ty
të kridhesh në ujë me Ty
e Ty të të shfaq bukurinë time
mërtisë në të linjta t' holla mbretërore
me një peshk të kuq ndër gishta.
Eja më tako... 2)

* * *
Vdekja s'është veçse pragu i një jete të re...
sot ne jetojmë, dhe kështu do jetë përsëri...
në shumë trajta ne do të rikthehemi.3)

* * *
Është kaq i shkurtër
udhëtimi ynë në këtë ëndërr:
Bota e një trëndafili.
Por ne e bëjmë
të pafund
me prehje puthjesh të ëmbla të gjata
mbi fletët e hapura.4)

* * *
Ja, shikoje:
është si ylli i shndritshëm
në fillim të një moti të mirë.
Ajo, që shndrin përsosmërie,
me lëkurë të lëmuar,
me sy të bukur kur shikojnë
e buzë të ëmbla kur flasin,
kurrë nuk thotë një fjalë të tepërt.
Qafa e gjatë,
gjoksi i dëlirë
flokë si lapislazulë,
krahë që lënë pas feksjen e arit,
gishta që ngjajnë me sytha lotusi,
mesi i këputur,
të hijshme vithet.
Ajo e bën çdo burrë
të kthehet për ta parë... 5)

* * *
Shiko... lulegruri!
zemra ime të përket ty
ashtu si lulegruri i përket grurit.
Çdo gjë që ti do të dëshirosh
do ta vë mes krahëve të tu.

Ti, shëmbëlltyrë e dëshirës sime
je balsam për sytë.
Kur të shoh, vështrimi im merr dritë,
e të shtrëngoj fort pas vetes
për të ndjerë më shumë dashurinë tënde,
ti, nuse e zemrës sime.

Sa i bukur është ky çast!
Sikur - mes krahëve të tua -
të shtrihej në përjetësi.
Ti ma rilinde zemrën,
e tani, nëse gëzon a nëse qan,
kurrë mos u ndaj nga unë, kurrë!


HIMN IZIDËS

Sepse unë jam e para dhe e fundit
Unë jam e nderuara dhe e përçmuara,
Unë jam e përdala dhe e shenjta,
Unë jam nusja dhe virgjëresha,
Unë jam mëma dhe bija,
Unë jam krahu i nënës sime,
Unë jam shterpa, por të shumtë janë bijtë e mi,
Unë jam gruaja e martuar dhe lënesha,
Unë jam Ajo që lind fëmijë dhe Ajo që
s'ka lindur kurrë,
Unë jam ngushëllimi për dhimbjet e lindjes.
Unë jam nusja dhe dhëndëri,
Dhe qe burri im që ushqeu pjellorinë time.
Unë jam Nëna e tim ati,
Unë jam motra e tim shoqi,
Dhe ai është biri im i mohuar.
Më nderoni gjithnjë,
Sepse unë jam e Paturpshmja dhe Madhështorja.6)


KËNGA E NJË HARPISTI

Breza vdaren e shkojnë,
të tjerë ua zënë vendin, nga koha e të parëve:
mbretërit që qenë një herë e një kohë
prehen piramidave të tyre,
në varret e veta janë të varrosur
po njësoj, fisnikë e zulmëmëdhenj.
Ata që dikur selitën saraje
që tashmë nuk gjenden kund...
Ç'u paska ndodhur atyre?

Ua kam ndjerë zërin fjalëve
të Imhotepit dhe Hergedefit
I përsërisin në thëniet e tyre shumë njerëz:
Ç'u bë me selitë e tyre?
Të shembura janë muret.
Ato shtëpi janë bërë fir,
sikur të mos kishin qenë kurrë.
Askush nuk na vjen prej andej
e të na flasë për gjendjen e tyre,
hallet e tyre të na i rrëfejë,
zemrën tonë ta qetësojë,
derisa të mbërrijmë edhe ne
atje ku ata kanë shkuar.
Galdoje zemrën tënde:
harrimi të bën mirë,
dëgjoje shpirtin tënd,
sa të jesh i gjallë!
Derdh aromë mirre mbi krye,
vishu me li të hollë,
erëmuar me mrekulli të vërteta,
ardhur prej mblatimit hyjnor.
Lumturinë tënde shtoje,
të mos meket zemra jote.
Ndiq zemrën e lumturinë tënde
në tokë përmbushe fatin tënd.
Mos e mundo shpirtin,
gjersa për ty të vijë ajo ditë vaji.
Por nuk e dëgjon vajtimin e tyre,
ai që zemrën të lodhur e ka:
ofshamat e tyre
nuk shpëtojnë nga varri askënd.
Mendohu,
kremtoje të bukurën ditë,
e mos u lodh prej saj.
Pa shih: askush s'e ka marrë pasurinë me vete,
Pa shih: s'kthehet më kush na la përgjithnjë. 7)


SHËRBEJI ZOTIT TËND...

Shërbeji zotit tënd, që ai të të mbrojë,
Shërbeju vëllezërve të tu, të kesh emër të mirë.
Shërbeji njeriut të urtë, që ai të të shërbejë.
Shërbeji atij që të shërben.
Shërbeji atit dhe mëmës, të bësh udhë e begati.
Shqyrtó çdo gjë, që ta kuptosh.
Ji fisnik e durimtar, e zemra jote do të jetë e buku.8)


FJALË TË NJË PROFETI

Është vërtet kështu: plaçkitës ka kudo.
Është vërtet kështu: sot skamnorët janë të pasur.
Zot thesaresh është sot ai që dikur qe këmbëzbathur.
Është vërtet kështu: Fisnikët janë zhytur në mjerim
dhe njerëzit e kamur janë plot gëzim. Çdo qytet
thërret: T'i zbojmë të fortët që ndodhen mes nesh.
Është vërtet kështu: E qeshura ka vdekur,
nuk qeshet më. Zia ka pllakosur gjithë vendin,
mbushur lotë e vaj.
Është vërtet kështu: Ka vdekur ajo që ende
shihnim dje.
Vendi është lënë në mëshirë të lodhjes së vet,
si atëherë kur shkulet kërpi.
Ah, u shoftë fara njerëzore!
....
E vendi vërtitet si taja e poçarit. 9)


KUJT T'I FLASËSH SOT

Kujt t'i flasësh sot? Vëllezërit janë të ligj;
e pamundur, sot, t'i duash miqtë, lakmia sundon
gjithkush pasurinë e fqinjit grabit.
Kujt t'i flasësh sot? Fisnikëria s'gjendet më,
Gjithkujt i ka plasur cipa.
Kujt t'i flasësh sot? Kush ka fytyrë të kënaqur
është i lig, kudo nëpërkëmbet mirësia.
Kujt t'i flasësh sot? Nuk shihen më fytyrat
secili e fsheh fytyrën përpara vëllait.
Kujt t'i flasësh sot? Lakmitare janë zemrat,
njeriu nuk ka zemër ku mund të mbështetet.
Kujt t'i flasësh sot? Nuk ka më njerëz të drejtë,
pre e keqbërësve është toka.
Kujt t'i flasësh sot? Jam mbushur me mjerim
e nuk di as kujt t'i besoj.
Kujt t'i flasësh sot? S'ka kufij
mëkati që vendin po sfilit.10)


NJË HIMN PËR AMONIN

Teba qe përpara cilitdo vendi tjetër.
Në kohë të kohëve aty qe uji dhe toka.
Dhe ngjizja e botës dhe e perëndive
u bë në Tebë nga Zoti i saj, Amoni. 11)


VDEKJA MË SHFAQET...

Vdekja më shfaqet si shërimi të sëmurit
si shëtitja e parë pas lëngatës së gjatë.
Vdekja më shfaqet si aromë mirre
si prehja nën vela në një ditë me erë.
Vdekja më shfaqet si erëmim lulelotusi
si atëherë kur ulesh në bregun e dalldisë.
Vdekja më shfaqet si një rrugë e dashur
Si atëherë kur nga lufta kthehesh në shtëpi.
Vdekja më shfaqet si atëherë kur dikush
pas vitesh robërie ndjen thirrjen e shtëpisë. 12)

MËSIMET E ANIT

Mos bërtit në shtëpinë e Zotit.
Ai tmerrohet nga zhurma.
Po nëse do të lutesh me zemër të dhembshur
Duke i derdhur fshehtas gjithë fjalët e tua
Ai lutjet e tua do t'i përmbushë
Atë që i thua do ta dëgjojë
Do të pranojë flinë tënde. 13)

HIMN PËR NILIN

Lavdi ty, o Nil, i mistershëm, i terrtë ditën
që nga toka del e mbërrin, të ushqesh Egjiptin:
Ti që fushat i ujit; ti, që Ra-ja të krijoi për të ushqyer
gjithë gjënë e gjallë. Ti lag shkretëtirën që larg ujit gjendet;
vesa e saj është ujë që bie prej qiellit.

I dashur nga Ghebi, udhërrëfyes i zotit të grurit;
ti që begaton çdo fidanishte të Ptahut.

Zot i peshqve, ti që zogjtë i ngre fluturim.
Ti që rrit grurin e kokrrat i pjek,
për të kremtuar festën e Tempullit.
Kur ti je i plogësht, hundët janë të zëna
e gjithë njerëzit të varfër janë;
Pakësohen ushqimet e Zotave
e miliona njerëz rrënohen.
Ti që sjell bollëkun e je plot ushqim;
ti që krijon çdo gjë të mirë.
Ti që je kaq i madh, me të ëmblën aromë.
Ti që barin krijon për grigjat
e i jep çdo Zoti flitë e blatimit
në qiell qoftë, në ferr a në tokë.
Ti që depon e mbush plot, të vobektëve u jep
dhe hambarët i madhon.
Ti drurët i rrit sipas dëshirës së gjithkujt
e prandaj s'vuan njeriu; prej forcës tënde
ndërtohet barka, sepse prej guri s'mund të bëhet…

Kur Nili fryhet, për ty bëhen flira, për ty theren buaj,
kremte të mëdha flijimesh bëhen për ty.
Për ty majmen zogj, antilopa gjuhen për ty, në shkretëtirë.
Mirësia që bën të kthehet sërish.
Ashtu si Nilit, çdo Zoti tjetër i bëhen flira:
me miklim, mëshqerra, buaj edhe zogj.
Nili e ka mihur të vetën guvë në Tebë
dhe skëterrave u ka humbur emri.

Të gjithë ju, lëvdoni nëntë Zotat e nderoni
fuqinë që dëshmoi biri i tij, zot i gjithësisë,
ai që të dy brigjet i bën të blerojnë.
Je i gjelbëruar, je i gjelbëruar,
o Nil, ti je i gjelbëruar.
Ti që njeriun e mban gjallë me bagëtinë,
dhe bagëtinë e tij me fushën e ushqen!
Je i gjelbëruar, je i gjelbëruar,
o Nil, ti je i gjelbëruar.

MBI KOTËSINË

E DREDHIVE NJERËZORE

MAKSIMA VI 14)

Mos iu kushto kurtheve kundër njerëzisë,
se Zoti e ndëshkon një mashtrì të tillë.
Le të thotë një njeri: "kështu do të jetoj",
e do t'i mungojë buka e gojës.
Le të thotë dikush: "Do të jem i pasur",
më pas do thotë: " Rashë në lakun e djallëzive të mia".
Të thotë një njeri: "Do t'i grabit të tjerët"
e do të bëhet pre e një tjetër cubi.
Dredhitë e farës njerëzore s'ia dalin mbanë,
përmbushet veç ajo që Zoti urdhëron.
Mendo në paqë të jetosh
e ajo çka ata japin do të vijë vetiu.


MAKSIMA X

MBI NEVOJËN E TË BESUARIT

TE NJË NJERI I NDRITUR

Në je i dobët, ndiq një njeri të ndritur,
të denjë për besim,
e sjellja jote do ketë miradinë e Zotit.
Po more vesh që ky njeri,
i varfër paska qenë dikur,
mos e mbush shpirtin me përçmim kundrejt tij,
meqë tani ia di gjendjen e dikurshme.
Drojë ki për të, edhe respekt,
nderim për gjithë ç'ka bërë,
se gjërat, sigurisht, nuk vijnë vetiu.
Ligjet e tyre janë për ata që duan.
Sa për kamjen, njeriu i ndritur
mund t'ia dalë mbanë vetë.
Por është Zoti ai që e bën të shquar,
e që e mbron, edhe në gjumë.

MAKSIMA XXXIII

SI TA VËSH NË PROVË NJË

MIK E TË NJOHËSH

NATYRËN E TIJ TË VËRTETË

Në do të njohësh natyrën e vërtetë të një miku,
mos e pyet, por qëndro pranë tij.
Duhet ta bësh vetë këtë gjë, e vetëm me të,
derisa të jesh i qetë për sjelljen e tij.
Fol me të gjithë kohën që lypset.
Vëre në provë zemrën e tij duke kuvenduar.
Nëse ajo që ai ka parë i rrëshqet
e nëse kryen një veprim që të idhnon,
i dhembshur ji me të, ose hesht,
dhe shihe drejt e në fytyrë.
Zotëroje veten kur sqarohesh me të,
mos iu gjegj me një gjest armiqësor,
mos i dil kundër, mos e shkel me këmbë,
se çasti i së vërtetës një ditë do të vijë,
e s'mund t'i ikësh atij që e ka caktuar.

MAKSIMA XLIII

PËR FJALËN E DREJTË

Mos e grabit një fjalë e mos e ço tutje,
mos e ngatërro një gjë me një tjetër gjë,
Përpiqu t'i thyesh pengesat brenda teje,
këqyr atë që thotë i urti:
Dëgjo, nëse ke dëshirë
të mbetesh në gojën e atyre që kuptojnë,
fol vetëm kur të jesh bërë mjeshtër fjale,
Nëse flet në mënyrë të përkryer,
e drejtë do të jetë jeta jote.


POROSITË E PRINCIT

HERGEDEF

Fillim i mësimeve15) të princit trashëgimtar, kont, bir mbreti, Hergedef, për djalin që ka nën përkujdesje, Au - ib - ra.
Ndërtoje mirë varroshin tënd
e selinë e Perëndimit, të denjë.
Meqë vdekja na përul
dhe jeta na ngazëllen,
për jetën është shtëpia e vdekjes.
Gjej fusha që ujiten mirë e mirë...
Zgjidh për të një ngastër mes tokës sate,
tokë që uji e lag çdo vit.
Për të gëzohu më shumë se për vetë birin tënd
Pëlqeje edhe për trashëgimtar.

* * *
Bëj që emri yt të ecë përpara
e, ndërkohë, e mbyllur të mbetet goja jote.
Të thirrën, mos u mburr me forcën tënde
mes vërsnikëve, të mos i bësh armiq.
Nuk e dimë atë që mund të ndodhë
Çdo të bëjë Zoti, kur të na ndëshkojë.

Kështu ai thotë:

* * *
Pastrohu para vetë syve të tu,
që askush tjetër mos të të pastrojë.
Ndërto shtëpinë tënde kur begatia mbërrin,
merr një grua bujare e një mashkull do lindë.
Kur ngremë lart shtëpinë
e bëjmë për birin tonë.


Milosao



Related

Poezi 1040834350244644310

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item