MUHAMEDI - Nga Nikos Kazanxaqis

1.- Shkretëtira, valëzime të rërës. Dielli po ngrihet; një luan kthehet ngadalë në shpellën e tij; kopetë e çakejve, të tmerruar largohen d...



1.- Shkretëtira, valëzime të rërës. Dielli po ngrihet; një luan kthehet ngadalë në shpellën e tij; kopetë e çakejve, të tmerruar largohen duke ulëritur; për një çast luani ndalet, vështron diellin, vrumbullin dhe i qetë vazhdon rrugën e tij…Shumë larg Muhamedi shpalos turbanin mbi rërë dhe bie në gjunjë. Në thellësi të shkretëtirës duket një karvan; udhërrëfyesi, i hipur mbi një gomar të vogël, i bie fyellit dhe këndon një këngë monotone me hapat e deveve. Dëgjohen zilkat e deveve që po afrohen.

2.- Një djalë i ri i afrohet ngadalë Muhamedit (që ne e shohim tek afrohet); duke u dridhur vendos pranë tij, një shtambë dhe një grusht me hurma…Ai largohet. Karvani duket mbi një kodër të shkretë, të zhveshur; udhërrëfyesi duke u kthyer nga shokët, vë pëllëmbën në sy dhe thërret i gjithi i gëzuar: Meka! Meka!

3.- Ne shohim Mekën; ajo si një gjysmë hëne shtrihet midis kodrave. Ajo është e gjitha e zhveshur, pa asnjë pemë; shtëpitë janë me tulla dhe baltë; era fryn, ngrihen re pluhuri. Duke u afruar më shumë ne shohim: lagjen e jashtme, çifutë që bisedojnë përpara dyqaneve të tyre. Skllevër të ngarkuar me çalik? plot me ujë , valltare që i bien ritmikisht tamburëve të vegjël…Ne shohim pusin Zem-Zem; gratë duke bërtitur nxjerrin ujë, të tjerat largohen duke mbajtur në ekuilibër brokat mbi kokë. Vajza të reja duke qeshur spërkaten me ujë. Vjen një djalë i ri, i raskapitur i vdekur nga etja. Një vajzë e re i flet duke thërritur: - Ali! Ali! dhe i jep për të pirë. Aliu pi si i babëzitur, dhe thotë:- Zoti ta shpërbleftë, o Fatma!

4.- Udhërrëfyesi dhe shokët e tij të ngazëllyer, vështrojnë Mekën. Befas shikimi i tyre turbullohet. Meka zhduket, dielli errësohet, re të rënda rëre ngrihen, e gjithë shkretëtira e valëzuar dridhet…Devexhitë lëshojnë thirrje të tmerrshme:- Simuni! Simuni! Ata mbulojnë fytyrën me pëlhurën e tyre, bien për tokë dhe fshihen pas deveve të gjunjëzuara. Stuhia e rërës shpërthen.

5.- Meka; era fryn, shtëpitë prej argjili thërrmohen. Fustanet e grave ngrihen lart, pelerinat e burrave hidhen dhunshëm. Në qendër të Mekës, sheshi i madh i rrumbullakët, në mes tempulli i vogël Qabe, në formë kubike, porta e hekurt e zbukuruar me flori. Idhuj të shumtë, 360, të shëndoshë, të ngërdheshur, primitivë. Më i madhi është i zotit
6.- Shkretëtirë. Era ngrihet dhe lëviz, zhvendos male me rërë. Dielli është krejtësisht i errësuar. Devet e karvanit pëllasin…burrat të mbështjellë me pelerinat e tyre qëndrojnë palëvizur…Muhamedi ngre duart dhe thërret: Allah! Allah! Ai sheh drejt veriut; ai sheh pamjen e Jeruzalemit.

7.- Qabe. Paria, ulur mbi plloça, diskutojnë. Omari fut duart në gropë dhe i lyen me gjakun Hallall. Papritmas vjen Abu Lahab, i shëndoshë, brutal, i mbështetur mbi shkopin e tij; ai tërheq nga rripi një qese të vogël, ku nxjerr zaret, i përzien ndër duar dhe bërtet: - O Abu Sofian, Talib, Abu Bakir, Omar! Luajmë me zare! Të gjithë bërtasin të gëzuar: - O Abu Lahab, luajmë me zare! Ato ulen rreth e qark, këmbëkryq dhe nisën të luajnë me pasion. Të gjithë që ndodhen pranë afrohen të shohin; në këmbë, një grumbull arabësh, çifutësh, skllevërish…Kalon një plak i verbër dhe dëgjon britma dhe thirrje, ai godet zaret me shkopin e tij dhe thërret: - Adhuruesi i arit do të vdesë! Adhuruesi i arit do të vdesë! Të gjithë kthehen dhe e shohin duke qeshur: - Oh plaku Varaka! Plaku mbështetet në mur dhe duke luajtur kokën mërmërin:- "Adhuruesi i arit do të vdesë!"

8.- Mbi një tarracë, një grua e bukur në njëfarë moshe, shikon e shqetësuar drejt shkretëtirës. Lotët i rrjedhin nga sytë e mëdhenj. Ajo mërmërin: O Muhamed! O Muhamed! Ajo shembet mbi tarracë. Aliu shfaqet duke gulçuar, ai thërret duke iu mbajtur fryma: - O teze Hatixha! Hatixha ngre kokën, pëshpërin:-Ali, djali im, a e pe xhaxhain tënd ? Aliu përgjigjet: - O teze Hatixha, ai lutet, akoma lutet!

9.- Shkretëtira. Simuni ka kaluar, karvani ngrihet, devexhitë kërcejnë nga gëzimi, devetë tundin qafën e tyre të gjatë. Ata vihen në rrugë…Muhamedi afrohet ngre duart duke lëvizur ritmikisht pjesën e sipërme të trupit dhe reciton me një zë shumë melodioz:
Alhandulillahi rabil alamin,
Er rahmani er rahim…

10.- Meka. Njerëzit e parisë bërtasin të zemëruar… Ata grinden…Lahabi ngre shkopin, godet Talibin. Abu Sofiani thërret: -Abu Lahab, nuk të vjen turp? Ti godite vëllain tënd Abu Talib! I verbëri drejton trupin dhe qesh tallshëm, ai godet zaret me shkopin e tij dhe bërtet: - Ha!ha! Adhuruesi i arit do të vdesë! Adhuruesi i arit do të vdesë! Befas dëgjohet tamburi, grindjet ndalen. Të gjithë dalin në rrugë. Një tellall vrapon i gëzuar në rrugë, godet tamburin, portat dhe dritaret hapen, ai mbërrin përpara Qabesë dhe bërtet: -Karvani mbërriti!Paria të gjithë të gëzuar fillojnë të vrapojnë…Turma i ndjek.

11.- Tellalli shkon nëpër rrugica dhe duke i rënë tamburit thërret:- Hola! Karvani mbërriti! Gratë ngjiten në tarraca, dëgjohen britma dhe të qeshura. Fëmijët mbushin rrugët, burrat mbërthejnë shkopinjtë e tyre dhe shkojnë.

12.- Lagjja jashtë Mekës. Rumitë, çifutë, njerëz të veshur me rrecka, të dehur. Gjithë fundërrimat e Mekës. Në një udhëkryq, një peshkop i vjetër, i hypur mbi një deve, predikon:…Gjithë turma rrotull tij dëgjon. Plaku predikon: "O burra, o gra, gjithçka është e kotë! O burra, o gra, vetëm Zoti ekziston…" Shumë filluan të qeshin, të tjerët ngacmonin peshkopin e vjetër, ata e qëllonin me bërthamat e hurmave, ata cytnin tinëz devenë e tij, deveja ngrihet, plaku tundet dhe bie…Ai kapet pas qafës së devesë dhe vazhdon të predikojë: -O skllevër, unë do t'iu sjell lirinë! Unë do t'iu sjell Krishtin! O skllevër, ju jeni të lirë! Disa çifutë gajasen së qeshuri, dy skllevër të vjetër qajnë.

13. - Befas dëgjohet tamburi. Tellalli vrapon duke iu marrë fryma, ai ndalet në mes të pazarit dhe thërret: - Eh, Çifutë, Krishterë, kopukë, valltare! Karvani mbërriti! Shku e ardhje, zhurmë, të gjithë mbyllin dyqanet, shumë mbushin tepsitë e rrumbullakëta me ëmbëlsira, i vendosin mbi kokë dhe shkojnë…Gratë me shtamba mbi kokë i ndjekin…Valltaret të pushtuara nga gëzimi i tambureve të tyre, këmbë zbathura vrapojnë, muzikantët e vjetër të verbër të pushtuar nga gëzimi i ut-ave të tyre shkojnë duke i rënë…Prostituta të shëndosha, gjysmë lakuriq, me një hap të rëndë, fillojnë të ecin…

14.- Pazari ka mbetur i shkretë. Peshkopi i vjetër, i hipur mbi devenë e tij, shikon rreth e rrotull. Ai nuk sheh njeri…Ai tund kokën dhe psherëtin…Papritur ai sheh në një cep, të dy skllevërit e vjetër që po qajnë…ai i bën me shenjë. Skllevërit vrapojnë, kërcejnë mbi vithet e devesë, peshkopi mërmërin: - Jeni të mirëpritur, vëllezërit e mi! Ai i shënjon, i bie me mamuzë devesë dhe zhduket.

15.- Muhamedi, me duart akoma të ngritura, lutet…Ai kthen shpinën; midis shpatullave të tij shihet një lyth i madh, i rrumbullakët me push. Pak nga pak, shumë ngadalë,pamja e Jeruzalemit zbehet dhe zhduket…Befas, një dritë, që u duk si një shpatë verbuese, e godet mbi kokë. Muhamedi hidhet në këmbë. Përpara tij ngrihet kryeëngjëlli Gabriel, i veshur me të bardha, me krahë të mëdhenj shumëngjyrësh. Ai mban kapistrën e një deveje të mrekullueshme, me kokë gruaje, krahë ëngjëlli…Pela ulet në gjunjë, Muhamedi me një kërcim, i hipën sipër…

16.- Pela me një të rrahur të krahëve, ngrihet në ajër…Ne shohim, si nga lartësia e avionit, shkretëtirën e valëzuar të pafund…Kafshët e egra largohen të tmerruara…Shihen të vrapojnë me të katërta kopetë e antilopave, luanët, devetë…Shfaqet një oaz, i rrethuar me hurma…

17.- Male të thatë, të ashpër…Një majë më e ngritur: Mali Sinai. Pela ndalet mbi majë, Muhamedi zbret; ai ulet në gjunjë, fillon të lutet; ai thërret:- O profet i madh i Zotit të pavdekshëm, O Moisi; Moisiu shfaqet…Muhamedi ngrihet me nxitim. Të dy profetët përqafohen pa fjalë.

18.- Pela afrohet, Muhamedi i hip…Me një lëvizje të krahëve, pela ngrihet në ajër. Ne shohim: detin, brigjet e bardha, kopshte, rrëke…Detin e Vdekur…Jordanin…Jeruzalemin! Të gjitha qytetet të para nga lart. Muhamedi zbret mbi malin e Ullinjve. Një hije e bardhë endet nën ullishta…Muhamedi ngarend, e përqafon gjatë në qetësi…

19.- Pela afrohet. Muhamedi i hip…Pela ngrihet shumë lart në ajër…Jeruzalemi duket i vogël…Malet, detrat, brigjet zvogëlohen…Toka shfaqet si një sferë e madhe e ndritëshme…Yjet zmadhohen, drapëri i hënës bëhet gjithnjë e më i madh…Një melodi shumë e ëmbël dëgjohet…një fërfëllimë krahësh…Befas Parajsa shfaqet; një lëndinë e madhe me lule, përrenj që rrjedhin, qumësht dhe mjaltë…Shumë të lumturit, me rroba të mëndafshta, që mbajnë byzylykë floriri, me freskore të mëdha palloi, shëtitin lehtë si hije mbi barin e lulëzuar…Vajza të bukura, gjysmë të zhveshura, kërcejnë dhe këndojnë mbi lule…Petale trëndafilash të vesuar.

20.- Pela u ul lehtë mbi livadh…Muhamedi zbret. Engjelli Gabriel shkon përpara dhe i prin. Të gjithë të lumturuarit e përshëndesin duke vendosur dorën në gjoks, në gojë, në ballë. Muhamedi ndjek engjëllin ngadalë dhe drejtohen drejt një pallati marramendës, në fund të livadhit. Ai ngjit shkallët e argjënda, ku engjëj me krahë të mbledhur, ngjiten dhe zbresin. Muhamedi hyn në pallat…Ai sheh xhami të mrekullueshme: Xhaminë e Omarit në Jeruzalem, Xhaminë e Delhit, të Agrës, të Kairos, të Kordusë etj. Mijëra besimtarë…Në majat e minareve muezinët fillojnë të këndojnë me pëllëmbët e duarve në vesh: "La illah il Allah, Muhamed in resul Allah". Muhamedi lëshon një britmë dhe bie pa ndjenja mbi rërë.

21.- Rrotull pusit Zem-zem…Panair i madh…karvani është ndalur, shitësit ekspozojnë: grurë, coha, armë, skllevër…Zhurmë, shitet, blihet, bërtasin…Një beduin shet dy djemtë e tij të vegjël…një tjetër shet vajzën e tij pesëmbëdhjetëvjeçare. Ai i hap këmishën, dhe i tregon gjoksin tregtarit çifut: - Vështroje, vështroje! Më jep një deve dhe unë ta jap! Ai thërret: Një deve! Një deve! Peshkopi i vjetër, mbi devenë e tij lutet: "-O burra, o gra, e gjitha është e kotë!" Valltaret luajnë me tamburet këngë të egra…Djem të rinj pijnë dhe përplasin duart duke thirrur…Një gjysëm budallë u duk në mes të valltareve; gjysmën e kokës e kishte të rruar, gjysma e fytyrës së tij është e stolisur, gjysma e gjoksit të tij është lakuriq; ai mban një formë ut-I, e akordon…Të gjithë gërthasin: -Oh, poeti! Oh, poeti! Poeti ulet këmbë kryq, ai këndon: "Oh vera, oh, gratë, hai! hai!"

22.- Muhamedi i dobët, i rraskapitur, hyn në Mekë, duke iu marrë këmbët (rreth pesëdhjetë vjeç, me trup të mesëm, ai ka një kokë të fortë, gjoks të gjerë, duar dhe këmbë të mëdha por të hijshme. Flokët e tij derdhen deri tek qafa. Mjekra është e gjitha e zezë, mustaqet janë të prera, hunda me samar, goja e madhe). Meka është gati e shkretë. Muhamedi i hutuar sheh rreth e përqark. Ai kalon përpara Qabesë. S'ka asnjë njeri. Idhujt shkëlqejnë në diell duke pikuar gjak. Muhamedi ngre shkopin, godet zaret dhe bërtet: - Allah! Allah! Sakaq nga errësira shfaqet plaku i verbër, ai e ka dëgjuar Zërin e Muhamedit, thërret: "-Muhamed!" Muhamedi drithërohet: Varako! I verbëri i afrohet. Ai e prek me duar dhe bërtet: -"Bëj durim, Muhamed, bëj durim!" Muhamedi e shikon i habitur. Varaka vazhdon:-Muhamed, shoh engjëllin tek të mban ndër thonjtë e tij! Shoh një karbon të prushtë midis buzëve të tua! Shoh Zotin, si një shpatë, në zemrën tënde. Bëj durim, Muhamed, bëj durim! I verbëri hap krahët, përqafon Muhamedin, dhe qan. Ai e prek dhe gjen lythin leshtor midis shpatullave të Muhamedit, ai bërtet: -Ja vula e profetit! Ai e puth:-Bëj durim Muhamed!

23.- Muhamedi shkon mendueshëm. Ai ecën për nga rruga e drejtë. Një portë hapet, duket një vajzë e vogël. Ajo sheh Muhamedin dhe bërtet e tmerruar:-Një i çmendur! Një i çmendur! Ajo mbyll portën duke e përplasur. Muhamedi ligështohet, ndalet për një çast dhe fshin djersën që i rrjedh nga balli. Ai mbështetet për mur…Engjëlli Gabriel shfaqet me shpatën flakëruese. Muhamedi lëshon një britmë habie dhe shkon përpara…Duke u dridhur ai troket në portën e tij…Porta hapet, Hatixha i hap atij krahët. Muhamedi i thërret:-Hatixha! Hatixha! -Muhamed ç'farë ke? Ti dridhesh! -Mbylle portën! Mbylle portën! Hatixha mbyll portën. Engjëlli me shpatën flakëruese kalon nga një e çarë e portës. Muhamedi e sheh:-Hatixha më shpëto! Më fsheh! Kam frikë! Ai më ndjek…Kush? Kush? Fol, Muhamed! - Kryeëngjëlli Gabriel! Kryeëngjëlli Gabriel! Ja! Hatixha e fsheh Muhamedin në gjoksin e saj si një fëmijë të vogël. Ajo e përkund…Ajo e përkëdhel. Muhamedi hap nga pak sytë…Ai shikon: ëngjëlli është zhdukur. Muhamedi buzëqesh i lehtësuar.

24.- Muhamedi flë mbi gjunjët e Hatixhas. Ai sheh në ëndërr: ëngjëllin Gabriel të shpalosi para syve të tij një shirit të gjerë me shenja fosforeshente: shpata, minare, çallma, gjysmë hëna…Engjëlli e urdhëron Muhamedin:-Lexo! -Nuk di të lexoj! Engjëlli e udhëzon sërisht:-Lexo! Engjëlli hidhet mbi Muhamedin, e shtrëngon, ai i rrotullon shiritin rreth qafës, ai e shtrëngon ta mbysë. Engjëlli përsërit: -Lexo! Muhamedi duke lëkundur trupin, reciton me zë melodioz: "La illah il Allah Muhamed in resul Allah…"

25.- Muhamedi zgjohet duke u hedhur. Hatixha që i kishte dëgjuar fjalët e tij të fundit, bie ndër këmbët e Muhamedit, i puth këmbët. Ajo mërmërin:-Unë besoj!Unë besoj! La illah, il Allah etj. Muhamedi qan. Përmes lotëve ai sheh ëngjëllin ti buzëqeshë. Ai përkulet drejt Hatixhas dhe i thotë:-Hatixha, ti beson tek mua? Hatixha përgjigjet me sytë e përflakur:-Ti je profeti i Zotit! Fol me popullin tënd! Muhamedi i habitur e përqafon:-O grua, o goja e Zotit të pavdekshëm.

26.- Gosti në oborrin e Muhamedit. Rrogozë të shtruar…Gjysmë hëna e re ndriçon në qiell…Qingja të pjekur në hell. Rreth tridhjetë burra, të gjithë të afërm të Muhamedit: Abu Talib, Abu Lahab, Hamza, Abazi, kushëriri i ri Ali, etj.Hanë, pinë, qeshin…Muhamedi është i pangeshëm, i turbulluar. Ai fshin herë pas here ballin…Lahabi qesh, ai tërheq nga rripi i tij zaret dhe bërtet:-Dëgjoni, vëllezërit e mi. Ne hëngrëm mirë, pimë mjaft, tavolina ishte e mrekullueshme, Muhamed. Tani luajmë me zara. Muhamedi i turbulluar, tërhiqet në një qoshe të oborrit.Ai ngre sytë, fillon të dridhet: në dritën e hënës sheh ëngjëllin e zemëruar ti bëj me shenjë: Fol! Muhamedi shikon mbrapa tij sikur kërkon të ikë; ai sheh përsëri ëngjëllin e zemëruar që bën të njëjtën shenjë: Fol! Muhamedi shikon djathtas, shikon majtas, ai kërkon të ikë: është i bllokuar! Engjëlli i zemëruar i shfaqet nga të gjitha anët.

27.- Muhamedi i gjithi i dërsitur, vendos. Ai hedh një hap drejt të afërmëve të tij. Ai përsëri heziton…Ai hedh përsëri një hap, fshin ballin e zemëruar. Papritur ngre zërin - një zë që i dridhet mbytazi: -O vëllezër të tim eti, të nënës time! Allah…Abu Lahab u kthye i nxehur: -Mbylle gojën! Muhamedi belbëzon…ai hesht duke u dridhur…Talibi ndërhyn:-Lëre atë, Abu Lahab! Lahabi u përgjegj kërcënueshëm -Ai është i çmendur…shikoje pra Abu Talib, ai shkumbëzon nga goja! Lidheni atë! Muhamedi i turbulluar u mbështet pas murit. Gjunjët iu thyen. Por engjëlli me shpatën e flakëruar u duk përsëri. Ai i bërtet:-Fol! Muhamedi merr guxim. Ai drejton trupin, shtrëngon grushtat, ecën përpara. Ai hap gojën. Zëri i tij ishte i plotë, i fortë, kërcënues! -Dëgjomëni mua! Dëgjomëni mua! Me hir ose pahir më dëgjoni! Allahu më dërgoi t'iu sjell shëndet. Nuk ka veçse një Zot dhe Muhamedi është profeti i tij! Eh, njerëz të racës time, kush vjen me mua? Të gjithë shpërthyen në të qeshura. Lahabi ngre shkopin. Talibi ndërhyn, ai e çon drejt portës…Hamza gjigandi, shikon me trishtim Muhamedin që goja i është mbuluar me shkumë…Lahabi i bërtet Hamzait: Eh, Hamza, pse mbete gojë hapur? Nisemi! Muhamedi hedh edhe një hap, ngre dorën, përsërit:- Kush vjen me mua? Të afërmit hapin portën…Një nga një ata i bëjnë bisht…Aliu i ekzaltuar, hov,bie në këmbët e Muhamedit, bërtet:…:- Unë! Unë! Lahabi kthehet duke u tallur nga Talibi: - Eh, Talib, ti duhet të jesh krenar për djalin tënd! Talibi godet me këmbë djalin: - Eja me mua, horr! Aliu shtërngon më fort këmbët e Muhamedit: - Jo! Jo! Nuk vi! Ja babai dhe nëna ime! Të gjithë të afërmit janë larguar. Në oborr kanë mbetur vetëm Muhamedi dhe Aliu. Muhamedi përqafon Aliun: - Ali, biri im! Biri im!

28.- Mëngjes. Muhamedi duket në oborr. Shihen akoma mbetjet e gostisë…Dielli ngrihet. Muhamedi lan këmbët, duart dhe fytyrën. Ai bie në gjunjë dhe lutet.Dëgjohet zëri i tij lutës: Allah! Allah! Ai ngrihet. Shtrëngohet fort me një rrip. Zbath sandalet dhe ul shkopin…Ai hap portën. Mërmërin: - Bismillah!

29.- Muhamedi shkon në rrugicat ende të zbrazëta të Mekës. Ai godet me shkop gurët. Ai duket i vendosur. Fytyra e tij shkëlqen. Pak nga pak hapen porta të ndryshme. Paria shfaqet. Muhamedi shikon Abu Sofianin të dali nga shtëpia e tij, i veshur mire; ai shikon Talibin, Lahabin, Hamzain, Omarin që qëllon me kamxhikun e tij. Ata i mbushin mendjen që të bëj në Qabe thaëaf [sevap], shtatë rrotullimet proçesionale. Muhamedi i turpëruar ngadalson hapin. Ai vendos shkopin poshtë krahut dhe ndjek në heshtje parinë…Ata arrijnë në Qabe. Një deve pret para Hobalit duke qëndruar mbi tre këmbë, e katërta e lidhur. Omari nxjerr thikën, afrohet tek deveja dhe zhyt thikën në ashtin e qafës. Deveja bie. Parija zbathet, fillon rrotullimi i tyre…Çdonjeri afrohet tek gropa e Hobalit, zhyt dorën dhe lyen një idhull.

30.- Muhamedi i mbështetur për mur, vështron palëvizur. Befas ngre sytë, shikon engjëllin ta shohë me një pamje të zemëruar dhe ti afrohet. Muhamedi ngre shkopin dhe godet zaret. Ai bërtet, zëri i tij është i mbytur, ai thërret: - Nuk ka veçse një Zot! Lahabi ngre dorën dhe e godet. Sofiani qesh dhe i bën me shenjë:- Lëre atë, ai është i çmendur! Duket Abu Bakiri. Ai mban nga krahu një vajzë shumë të bukur, pesë a gjashtë vjeç. Abu Bakiri shikon Muhamedin, të mendueshëm. Vajza dëgjon burrat të bërtasin, shikon Muhamedin që godet me shkop zaret, ajo ka frikë, ndërsa rrethon me krahët e saj qafën e të atit. Abu Bakir e përkëdhel:-Aisha, Aisha, mos ki frikë! Ky nuk është njeri i keq. Një grua e bukur kalon, duket e pasur. Të gjithë hapen, ata murmërijnë:-Hindi! Hindi! Gruaja e Abu Sofianit! Hindi ndalet, dëgjon Muhamedin që bërtet: "Nuk ka veçse një Zot!", ajo merr një gur, bën një hap drejt Muhamedit. Ajo bërtet duke qeshur: -Nuk ka veçse një të çmendur:Muhamedi! Dhe e qëllon me gurë. Buzët e Muhamedit gjakosen. Ai bërtet:-Nuk ka veçse një Zot! Omari kap zorrët e devesë së therrur dhe i hedh mbi qafën e Muhamedit.Të gjithë gajasen. Abu Bakiri vërsulet:- Omar, Omar, nuk të vjen turp? Omari përgjigjet i indinjuar: - He! Abu Bakir, ti do të bëhesh me këtë sharlatan?

31.- Hue, fërshëllyen. Muhamedi largohet… Fëmijët, burrat e ndjekin duke qeshur. Papritur u duk Hamzai. Ai shkon për në gjah duke mbajtur mbi shpatulla harkun e tij gjigand. Të gjithë shpërthyen me britma frike. Ata përshpërijnë:-Kujdes! Hamza! Hamzai shikon Muhamedin të largohet i gjakosur. Ai zemërohet. Ul harkun:-Asnjë njeri të mos e prekë! Ai është nipi im! Shkoni, mbathjani!

32.- Muhamedi vrapon…Portat hapen, gratë qeshin…Nga tarracat gratë i hedhin Muhamedit gurë, bajga deveje. Abu Bakiri, duke mbajtur gjithmonë Aishan ndjek nga larg Muhamedin. Ai i bërtet grave: Eh, gra, nuk iu vjen turp? Një beduin vrapon, ndal Muhamedin, e pështyn në fytyrë. Një negër gjigand, i mbushur me zemërim ngre grushtin dhe me një të goditur e shtrin përtokë beduinin. Abu Bakiri i bërtet:-Bravo, Bilal! Në një qoshe të rrugës ku ai lyp,shfaqet i verbëri:- Guxim Muhamed, guxim Muhamed!

33.- Muhamedi mbërrinpërpara portës së tij. Ai mbështetet mbas portës krejt i rraskapitur. Troket. Eshtë i gjithi i përgjakur, ofshan. Aliu hap portën. Muhamedi rrëzohet në oborr. I gjithë trupi i shkundet nga spazmat…. Nga goja i del shkumë…Aliu heq turbanin e bardhë dhe mbulon Muhamedin. Ai vrapon i zbathur për t'i sjellë ujë, zbulon fytyrën e Muhamedit dhe e spërkat. Aliu qan…Muhamedi mbyll sytë, shtrin dorën dhe përkëdhel Aliun. Ai i mërmërin:-Ali, mos qaj! Zoti është me ne! Nga fundi i oborrit, Hatixha, e rraskapitur, e sëmurë, e mbajtur nga dy shërbëtorë, vjen ngadalë…Në këtë moment porta hapet me kujdes dhe hyn Abu Bakiri.

34.- Natë. Rrugët e zbrazëta të Mekës. Roja e natës kalon duke goditur tokën me shkopin e tij të madh…Qen që lehin…çakej që ulërijnë së largu…Hëna, në perëndimin e saj, ngjitet…Roja e natës kalon para portës së Muhamedit. Ai ndalet…Dëgjon klithma therrëse, kuje…Troket. Bilali zezaku gjigand e hap. Roja pyet:- Përse këto klithma? Bilali i tregon: Në oborr mbi një rrogoz, Hatixha është shtrirë e vdekur. Muhamedi mban kokën e të vdekurës…Ai vajton…Aliu, Abu Bakiri, tre vajzat e Muhamedit shkojnë e vinë të trallisura. Roja i pëshpërit Bilalit: - Hatixha ka vdekur? Bilali përgjigjet duke mbajtur lotët:- Hatixha ka vdekur!

35.- Mbrëmja bie. Rreth Mekës peisazh i ashpër, plot gurë, i zhveshur. Shihen Arabë që ngjiten nga të gjitha anët drejt një kodre të vogël. Ata ulen duke formuar një rreth në sheshin në majë të kodrës, të rrethuar nga shkëmbinj. Shihet të vij Abu Bakiri dhe Aliu që mban të verbërin Varaka; shihet Bilali; shihen skllevër, rreckamanë, lypës… Të ulur, me këmbë të kryqëzuara, ata përshëndeten në arabisht: Selam aleikum! Aliu që priste me ankth mbrapa shkëmbinjve, vrapon me nxitim:- Ai po vjen! Ai po vjen! Të gjithë ngrihen, sytë e tyre shkëlqejnë, fytyrat iu ndrisin. Muhamedi shfaqet, shumë i dobësuar, shumë i trishtuar, i raskapitur nga ethet. Ai ngre krahët dhe bërtet: - Laillah il Allah! Të gjithë përsëritin në kor: Muhamed in resul Allah. Muhamedi ulet në mes me këmbë të kryqëzuara. Ai në heshtje vështron një nga një besimtarët e tij. Një lot i bie nga sytë. Varaka me një zë të ëmbël i thotë: -Bëj durim, Muhamed! Muhamedi tund kokën dhe mërmërin: -Allahu ma dha Hatixhan, Allahu ma morri…Allahu qoftë i lavdëruar! Ai hesht. Besimtarët afrohen tek Muhamedi. Muhamedi vazhdon:- Kush isha unë, para Hatixhas? Ne shohim: Muhamedin, njëzet vjeç, i veshur varfërisht duke ruajtur disa dele…Ne shohim Muhamedin pas tridhjetë vjetësh,këmbëzbathur të udhëheqi devetë në shkretëtirë. Muhamedi hesht. Ai ngre kokën, drejton trupin, dhe flet me një zë që këndon:"Kur isha i varfër, ajo më pasuroi…kur gjithë njerëzit më braktisën, ajo më ngrohu zemrën…kur më trajtuan si mashtrues, ajo besoi tek unë! Oh, Hatixha!

36.- Befas Muhamedi ngrihet. Ai lëshon një britmë gëzimi…Ai sheh drejt qiellit. Aliu afrohet tek Muhamedi, i përqafon këmbët duke i thënë: - O, xhaxhai im, o profeti im, çfarë shikon ti? Muhamedi me sytë lart, i përgjigjet gjithë gaz: - Shoh Hatixhen! Shoh Hatixhan të hyjë në Parajsë…Ne shohim: Parajsën muslimane, Hatixha shkon përpara e mbajtur nga dy engjëj…Ajo hyn në një pallat të argjendë…Ajo sheh drejt tokës dhe mërmërin:- O Muhamed! Ajo buzëqesh e lumtur…Muhamedi mbulon me duar fytyrën. Pamja zhduket.

37.- Papritur dëgjohen thirrje, kërcënime…Besimtarët shohin nga shkëmbinjtë beduin të armatosur, ata panë Omarin me kamxhik në dorë, që ngjitet duke lëshuar britma kërcënuese. Aliu bërtet: - Omar! Omar! Besimtarët të trembur largohen. Muhamedi, i verbëri, Aliu dhe Abu Bakiri qëndrojnë. Shfaqet Omari. Muhamedi e shikon:- Omar, nuk ke turp? Allahu të thërret! Eja! Omari qesh me tallje. Ai ngre kamxhikun. I verbëri i bërtet:-Omar, dëgjo! dëgjo! Allahu është tamam në shtëpinë tënde! Motra jote Amina…Omari hov i zemëruar:-Eh, plaku Varaka! Nëse ti thua të vërtetën, mallkuar qoftë motra ime! Ai ikën i inatosur.

38.- Besnikët kthehen, ata mblidhen rrotull Muhamedit. Muhamedi i shikon…Ai bërtet:-O besimtarë, braktiseni Mekën e pabesë! Nisuni! Unë dëgjova një zë! Nisuni!

39.- Nata ka rënë. Shtëpia e Aminës. Oborri i vogël. Mbi një rrogoz, përkulen, Amina dhe burri i saj falen. Ata mbajnë në duar një gjethe të madhe palme dhe recitojnë duke kënduar me një zë melodioz.Befas porta tundet dhe hapet vrullshëm, Omari hyn i tërbuar. Ai hidhet mbi burrin,e shtrin përtokë dhe nxjerr thikën. Amina i kap atij krahun:- O vëlla i mallkuar! thërret ajo. Omari kthehet:- Beson ti në Muhamed? Amina hap gjoksin: - Besoj! Besoj! Më godit mua! Godit motrën tënde! Omari, i inatosur fut thikën në mill. Ai ulet në tokë dhe ul kokën. Qetësi. Dëgjohen dy devetë që ripërtypen në një qoshe të oborrit. Befas Omari ngre kokën, ai thotë: - Amina, ç'farë lutje recitoni ju? Amina hap gjethen e palmës. Ajo reciton:- Nuk ka veçse një Zot! Çdo gjë mbi tokë kalon…Njerëzit do të shpërndahen si flutura, malet si tufëza leshi…Zoti vetëm do të qëndroj!" Omari hidhet.Ai kap gjethen e fut në turbanin e tij. Ai shkon drejt portës dhe e hap: -Omar! thërret Amina dhe shkon drejt portës. Ajo shikon në rrugën e errët, krejt e zbrazët. Omari është zhdukur.

40.- Qabe. Mesditë. Paria: Abu Sofiani, Lahabi…etj, ulur nën hije diskutojnë me zë të pakët. Mbi plloçat e nxehta, Bilali i gjithi i zhveshur, me këmbë e duar të lidhura, i trishtuar, i djegur nga dielli, bërtet me zërin e tij të fortë:- Nuk ka veçse një Zot! Vetëm Një! Lahabi ngrihet; - Vrasim Muhamedin, ai sjell fatkeqësi në Mekë. Ai mbjell përçarje mes nesh! Abu Bakiri, Hamzai, Omari, na lanë. Vrasim Muhamedin! Abu Sofiani tund kokën:- Ai është fshehur! Ai ka shkuar të lidhet me armiqtë tanë! Lahabi godet plloçat me shkopin e tij:- Ta ndjekim! Ta vrasim! Abu Sofiani ngrihet:- Mos humbasim kohë! Pas meje! Të gjithë ngrihen.

41.- Në oborrin e Muhamedit: tre vajzat e Muhamedit, shërbëtoret, të ulura për tokë, rrotullojnë me krahë mullinjtë. Një skllave e vjetër tjerr. Befas ajo dëgjon portën të tundet nga goditjet. Ajo dëgjon thirrje:- Hapeni! Hapeni! Ato alarmohen. Ato venë e vine të trallisura…Dëgjohet zëri i egër i Lahabit:- Eh, Fatima, hape! Jam unë, xhaxhai yt Abu Lahab! Fatima e shqetësuar vrapon tek porta. Ajo e hap. Lahabi i zemëruar e pyet:- Ku është babai yt? Fatima përgjigjet duke belbëzuar:- Nuk e di…nuk e di…Lahabi ngre shkopin:- Gënjeshtare! Ah, ti nuk e di! Ai e kap prej flokësh. Sofiani largohet; Fatima lëshon një britmë dhe mbyll portën. Ajo vë veshin tek porta. Ajo dëgjon: Abu Sofiani bërtet:- Shaloni devetë, shpejt! Shpejt! Njëqind deve atij që e kap!

42.- Një shpellë në rrethinat e Mekës. Shkretëtirë. Nga shtegu që digjte, duken Aliu dhe Fatima, të lodhur duke gulshuar. Ata vrapojnë. Ata sjellin një broke, hurma, ajo thërret:- Baba! Baba!Ata dëgjojnë gjithë ankth. Aliu thërret:-O, xhaxhai im! Shfaqen Muhamedi dhe Abu Bakiri. Fatima dhe Aliu vrapojnë. Ata iu japin zahiretë. Fatima me një zë të mbytur duke qarë:-Po ju ndjekin! Nisuni! Nisuni! Muhamedi përkëdhel flokët e Fatimes:-Fatima, mos qaj. Allahu na mban në duart e tij. Mos ke frikë! Abu Bakiri thotë:- na dërgoni në mbrëmje dy deve! Aliu që ishte duke përgjuar, vjen i tmerruar:- Ata po vijnë! Ata po vijnë! Abu Bakir shtyn Fatimën dhe Aliun :- Nisuni! Nisuni shpejt!

43.- Abu Bakiri shkon përpara, i përkulur në dysh, shikon prapa shpellës, ai thërret:- Në shpellë! Në shpellë! Abu Bakiri u tërhoq i tmerruar, ai kap Muhamedin nga krahu:- Ne jemi të humbur! Ata janë tridhjetë…ne nuk jemi veçse dy! Muhamedi përgjigjet i qetë:- Mos ke frikë! Ne jemi tre: Abu Bakir, Muhamed dhe Allah! Abu Bakiri tërheq Muhamedin në shpellë. Ata hyjnë…Në fund, një e çarë në shkëmb. Ata rrëshqasin në shpellën e dytë të vogël duke zënë vend në një qoshe. Abu Bakiri dridhet. Muhamedi bie në gjunjë, si i ngurtësuar ai lutet me duart ngritur duke. mërmëritur: Allah! Allah!

44.- Një gëmushë që ka mbirë në hyrjen e shpellës së vogël ka shtrirë krahët e saj kapur rrotull të çarës së shkëmbit,maskon hyrjen…Një merimangë fillon me të shpejtë të thurri çatinë e saj… Një pëllumbeshë e bardhë e shtrirë përpara hyrjes, lëshon vezët tamam në gjurmët që kishin lënë këmbët e Muhamedit.Mashkulli ulet shumë pranë femrës dhe gugat…Dëgjohen britma,sharje, shpella jashtë u mësy…Abu Bakiri prek shpatullat e Muhamedit dhe i thotë duke pëshpëritur:- Ne jemi të humbur Muhamed! Muhamedi i tendosur si një hark, lutet. Abu Bakiri përsërit:- Ne jemi të humbur, Muhamed! Muhamedi kthehet, përplas qerpikët:- Hesht, Abu Bakir! Unë po flas me Allahun! Dëgjohet Lahabi të bërtas:- Hyjmë në shpellën e vogël! Hyr ti Abu Sofian; unë jam shumë i madh! Abu Sofiani përgjigjet:- Lëre pra! Nuk shikon merimangën, pëllumbeshën, lulet e gëmushës? Asnjeri nuk do të hyj atje. Nisemi! Zërat e tjerë thërrasin: - Nisemi! Nisemi! Nisen, dëgjohen zërat dhe hapat e deveve që po largohen…

45.- Muhamedi del nga shpella e vogël; ai bën kujdes mos thyej shkurren dhe mos të shqetësoj merimangën dhe pëllumbat…Abu Bakiri e ndjek i mrekulluar. Të dy pëllumbat fluturojnë lehtë duke u rrotulluar rreth shpellës. Muhamedi dhe Abu Bakiri dalin. Abu Bakiri bie në këmbët e Muhamedit. Muhamedi i thotë:- Abu Bakir beson tani? Abu Bakiri puth këmbët e Muhamedit dhe thërret:- Ti je profeti i Zotit të pavdekshëm! Dielli perëndon.Muhamedi dhe Abu Bakiri përkulen, ngrenë duart dhe luten. Të dy pëllumbat kthehen, ulen para tyre dhe fillojnë të gugasin, Muhamedi kthehet nga Abu Bakiri dhe i tregon pëllumbat:- Abu Bakir, ja engjëjt e Allahut!

46.- Mbrëmje. Nga Meka dalin dy deve ku kishin hypur Fatima dhe Aliu. Muhamedi dhe Abu Bakiri të ulur përpara shpellës qëndrojnë veshë ngritur. Dëgjohen zhurmat e natës në shkretëtirë. Çakejtë që ulërijnë, kafshët e egra, bufat…pëllumbat që akoma gugasin në çerdhet e tyre. Duken yjet e parë. Befas Abu Bakiri drithërohet: ata po vijnë.Të dy ngrihen. Ata shohin Aliun dhe Fatimën të afrohen duke vrapuar. Aliu dhe Fatima zbresin nga devetë. Muhamedi përkëdhel devenë e vet; me mëngën e tij ai i fshin djersët. Në thes fusin zahiretë. Ata nuk kanë me çfarë ta lidhin, Fatima gris rripin e saj në dy pjesë dhe lidhë thasët.Ajo pyet:- Baba, ku do shkosh - Në Medinë,- Inshallah!

47.- Muhamedi dhe Abu Bakiri hypin mbi devetë.Të rraskapitur, të dobësuar, mbuluar nga pluhuri. Shkretëtira, agimi zbardh. Ata zbresin nga devetë dhe gjunjëzohen mbi rërë. Abu Bakiri kthehet nga Muhamedi:- Muhamed nuk kemi ujë për abdes. Çfarë do të bëjmë? Muhamedi merr një grusht rërë, e derdh mbi duar dhe fytyrë. Ai përgjigjet:- Allahu qoftë i lavdëruar Abu Bakir. Ne kemi rërë! Në momentin që po falen, pëllumba dhe zogj që cicërrijnë kalojnë mbi kokat e tyre. Muhamedi ngrihet:- Abu Bakir, shikoi përsëri engjëjt e Allahut! Ne arritëm! Të gëzuar ata zbresin nga devetë dhe vrapojnë. Ata ngjiten mbi një kodër. Vendosin duart mbi sy; bërtasin nga gëzimi. Ne shohim: Medinën, e gjitha e bardhë, në mes të pemishteve- hurmave, portokalleve, fiqve, vreshtave…Ata thërrasin: Allah! Allah!
48.- Dymbëdhjetë kalorës, paria e Medinës, vrapojnë për t'i takuar. Devetë e tyre janë zbukuruar me vargje lulesh. Sheiku nxiton i pari. Ai hap krahët dhe i flet Muhamedit:- O i dërguari i Zotit të pavdekshëm, je i mirëpritur! Ne do të mbrojmë ty dhe Zotin tënd, siç mbrojmë gratë dhe fëmijët tanë! Muhamedi ngre duart:- O pari e Medinës, betohem! Sheiku afrohet duke i shkelur syrin: - Çfarë do të kemi ne si shpërblim? Muhamedi përgjigjet:- Parajsën! - Dorën! Muhamedi i shtrin dorën, sheiku dhe njerëzit e tij përpjekin dorën e Muhamedit. Sheiku thotë:- Kontrata u përmbush! Muhamedi thërret: -Përpara, në emër të Allahut, dhe vihet në krye të kortezhit.
49.- Rrotull Medinës. Puset arabe, fshatarët vadisin kopshtet e tyre. Fruta, zogj…Dëgjohet gurgullima e ujrave…Menjëherë kalorësit afrohen në mes të reve të pluhurit. Fëmijët vrapojnë duke thirrur: Erdhi Profeti, Profeti! Të gjithë lënë punën, ata vrapojnë të gëzuar. Dikush kap një tambur dhe vrapon pë ta takuar. Muhamedi mbërrinme suitën e tij . Gratë vrapojnë për ti sjellë ujë, lule dhe bistakë rrushi. Muhamedi pi, merr me të dyja duart një bistak të madh rrushi. Vajzat e reja përgatitin një çadër të madhe me gjethe bananesh dhe palmash. Dy kalorës të rinj e mbajnë çadrën mbi kokën e Muhamedit. Muhamedi i gëzuar i hypur mbi deve, ha, ha si i babëzitur bistakun e rrushit. Ai kthehet i gëzuar drejt Abu Bakirit dhe i thotë: - Abu Bakir, Parajsa!

50.- Kortezhi hyn në Medinë. Shtëpi të vogla të bardha të gjitha të zbukuruara me lule. Nga tarracat hedhin lule dhe hurma. Burrat dhe gratë i thërrasin:- O Profet, je i mirëpritur! Në Pazar, përpara dyqaneve të tyre,disa çifutë vështrojnë me qesëndi dhe përbuzje. Ata pëshpërisin ndërmjet tyre:- Mesia! Mesia! Sheiku afrohet tek Muhamedi:- O Profet! Në cilën shtëpi do të zbresësh? Muhamedi hedh frerët mbi qafën e devesë. Ai përgjigjet: - Zoti do të zgjedhë! Deveja ecën…Në udhëkryq ajo ndalet e pasigurtë. Ajo shkon djathtas, majtas…Ajo zgjat qafën, dhe ha barërat e mbira mbi mure. Një grua i ofron asaj gjethe dhe degë…Deveja kthehet. Muhamedi qesh. Ai përshëndet gratë, fëmijët, ai është i lumtur…Më në fund deveja gjunjëzohet në sheshin publik. Muhamedi ngre duart:- O besimtarë, mbi këtë shesh ne do të ndërtojmë shtëpinë e Allahut! Deveja ngrihet dhe me një hap të ngadaltë shkon drejt një shtëpie të vogël ballë për ballë. Ajo rrëshqet qafën përmes portës dhe hyn; ajo gjunjëzohet. Pronari ngarend duke shkëlqyer nga gëzimi. Gruaja dhe vajza e tij vrapojnë. Muhamedi zbret nga deveja; gruaja i lan këmbët. Vajzat e reja i sjellin ujë dhe mjaltë.

 51.- Meka. Mesnatë. Shtëpia e Aminës. Në oborr deve të ngarkuara, gra, një vajzë e vogël shtatë vjeç, Aisha, luan me kukullat e saj. Gratë qajnë:- Oh, Meka! Oh, Meka! Kur do ta shohim përsëri? Hapet porta dhe hyn Omari me familjen e tij. Ai thotë:- Allahu është i madh! Ohe, gratë! Mos qani! Ne do ta kemi Mekën, ne do të kemi gjithë token! Allahu është i madh! Porta hapet përsëri: mbërrijnë Fatima dhe Aliu…vjen Hamzai dhe zezaku Bilal. Një vajzë e re qan; ajo varet tek Omari: Baba! Baba! Omari kthehet: mos qaj Hafsa, ne do të vijmë në Mekë, kordhat përpara. Aliu duke përgjuar tek porta, kthehet dhe lajmëron:- S'ka njeri! Nisuni! Omari ngre kamxhikun. Ai jep sinjalin:-Në emër të Allahut dhe të Profetit! Amina pëshpërin:-Ngadalë! Ngadalë! Mos bëni zhurmë! Bilali kap kapistrat e devesë dhe thotë:- Për Allah! Për Allah! Hapin portën dhe dalin pa zhurmë…Befas Aisha fillon të qajë:- Kukulla ime, kukulla ime! Ajo kthehet shpejt, merr kukullën e saj. Bilali duke qeshur merr në krah Aishën dhe kthehet drejt grupit që po largohet.

52.- Medina. Muhamedi, Abu Bakiri dhe të tjerë punojnë. Ata përgatisin llaçin, sjellin gurë dhe tulla. Punëtorët këndojnë. Muhamedi me mistri në dorë, ndërton xhaminë. Në oborrin e xhamisë është gati të ndërtohet një dhomë e vogël për Muhamedin. Befas Muhamedi ngre sytë, shikon diellin në mes të qiellit, thotë: -O besimtarë, mesdita! Pushojmë! Të gjithë ndalin punën dhe zhduken. Muhamedi dhe Abu Bakiri tërhiqen poshtë hijes së një hurme. Ata ulen këmbë kryq. Ata shohin xhaminë që nuk ka përfunduar. Një fëmijë iu sjell hurma dhe një broke me ujë. Ata pijnë dhe hanë. Abu Bakiri psherëtin:- Ata do të vonojnë të vijnë. Kam frikë! Muhamedi i prek shpatullat. - O shok i dashur i mërgimit tim, o shok i dashur i fitores time, ki besim tek Allahu! Një beduin afrohet duke ngarë devenë. Ai e mjel dhe i ofron qumësht Muhamedit duke i thënë:- O profet, mua më quajnë Omar ben el Hamam…Mos më harroni për në Parajsë! Muhamedi merr qumështin dhe duke qeshur i përgjigjet:- O Omar ben el Hamam, ti, deveja dhe qumështi, të gjithë, në Parajsë!

53.- Muhamedi dhe Abu Bakir pijnë qumësht. Befas ata hovin. Dëgjohet një zë që ushëton si bubullimë: "La illah il Allah Muhamed in resul Allah". Muhamedi thërret:-Bilal! Abu Bakiri thotë:- Ata erdhën! Allahu qoftë bekuar! Të dy fillojnë të vrapojnë. Mbi një shtrojë, Bilali këndon. Të ikurit, të mbuluar me pluhur, të rraskapitur nga lodhja, qeshin e qajnë, përqafojnë Muhamedin dhe Abu Bakirin.Abu Bakiri merr në krah Aishan:- Aisha! Aisha! Aliu përqafon këmbët e Muhamedit. Omari bërtet:- Na i kanë konfiskuar të gjitha! O Profet, hakmarrje! Hakmarrje! Muhamedi i përgjigjet:- Durim, durim, Omar! Toka dhe Parajsa janë për ne.

54.- Xhamia ka mbaruar. Dhoma e Muhamedit është gati. Dy hurma ngrihen në qoshe të oborrit. Mëngjes. Fatima rrotullon mokrrën…Muhamedi këmbëkryq, rregullon një broke. Dy vajzat e tjera të Muhamedit ndezin zjarrin. Aliu sjell degë. Fatima kthehet nga Muhamedi:- Eh, baba, ja dhe kokrrat e fundit të grurit. Nuk kemi asgjë çfarë të vëmë në gojë! Muhamedi qesh:- Eh, Fatima, hambarët e Allahut janë plot! Fatima tund kokën; ajo mërmërin e vrenjtur. - Po, po, hambarët e Allahut…Shfaqet Abu Bakir; ai mban për dore Aishan; ajo është nëntë vjeç. Abu Bakiri përshëndet:- Allahu është i madh! - Allahu është i madh! përgjigjet Muhamedi dhe i bën shenjë të ulet. Abu Bakiri nxjerr nga brezi i tij një grusht me hurma; ai ia ofron Muhamedit. Muhamedi qesh:- Eh, Fatima, ja hurmat! Fatima dhe dy vajzat e tjera bashkë me Aliun vrapojnë, lakmues. Muhamedi ua shpërndan hurmat:- Do mbaj vetëm këto dy hurma për vete! Ai shtyn broken; tërheq Aishan në gjunjët e tij:- Eja Aishe, luajmë! Aisha qesh:- Nëse ti je një profet i vërtetë, më bëj një shilarse! Muhamedi ngrihet, ai buzëqesh:- Allahu na urdhëron me gojën e fëmijëve! Ai merr një litar, dhe shkon drejt dy hurmave, rregullon shpejt një shilarse:- Shko, Aisha, luaj! Ai e vendos Aishan mbi shilarse dhe fillon ta tund. Qeshin…

55.- Një lypës afrohet duke u qaravitur; - O Muhamed, po vdes urie! Muhamedi ndal lojën, ai nxjerr nga brezi dy hurmat:- Ja, vëllai im. Lypësi shkon. Muhamedi rifillon lojën. Një grua duket tek pragu; ajo qan:- O Muhamed, djali im vdiq, nuk kam qefin. Muhamedi vrapon drejt gruas:- O motra ime, ja gjithçka që kam; janë të tuat. Ai heq turbanin dhe ia jep. Gruaja shkon…Muhamedi mbetet me këmishë, gjysmë i zhveshur. Abu Bakiri psherëtin. Muhamedi, i gëzuar, i rreh shpatullat; ai qesh:- Eh, Abu Bakir, ne kemi Zotin tonë, që kishte nevojë për turbanin tonë.

56.- Në këtë moment Omari, Hamzai, Bilali etj. të gjithë u paraqitën të armatosur; oborri i Xhamisë u zbras. Omari bërtet:- Eh, Profet, ne po vdesim urie! Na jep bekimin tënd! U duk një karvan nga Meka! Aliu nxiton, ai merr armët e tyre. Muhamedi i afrohet Omarit:- Një karvan nga Meka? Hamzai bërtet:- Na jep bekimin tënd! Karvani është i ngarkuar me grurë, coha, armë, mjaltë dhe flori! Muhamedi ulet në gjunjë, lutet. Të gjithë e rrethojnë në qetësi. Nëpër rrugë,dëgjohen vetëm tamburet e luftës. Devetë, luftëtarët hyjnë në oborr. Muhamedi është i zhytur në lutjet e tij me duart e ngritura. Më në fund ai drejtohet…Ai thërret:- Shoh të zbresin nga qielli grurë, coha, armë, mjaltë dhe flori. Përpara, besimtarë!

57.- Shkretëtira. Një karvan i vogël ecën. Drejtuesit këndojnë një këngë të lehtë, monotone…Papritur kënga e tyre pushoi. Devetë ndalen të trembura…Dëgjohen thirrje: Allah! Allah! Re pluhuri…Përmes pluhurit dallohen thika që shndrisin, vërviten…Dëgjohen britmat e fitimtarëve dhe të mundurve. Kur pluhuri shpërndahet, shihen Myslimanët që të gëzuar, vrapojnë, me kapistrat lëshuar, duke i çuar devetë e ngarkuara drejt Medinës. Ata bërtasin duke ngritur shpatat: - Allahu është i madh!

58.- Bie mbrëmja . Në oborrin e Xhamisë, Muhamedi dhe Abu Bakiri shohin Aishen që lëkundet. Muhamedi kthehet dhe e prek lehtë në gju Abu Bakirin. Abu Bakiri i hidhet në qafë. Ai thërret Aishan dhe i thotë:- Aisha, puthe dorën e burrit tënd! Aisha qesh, shtërngon kukullën në krah, puth dorën e Muhamedit. Muhamedi e përkëdhel qetë. Befas tamburet, thirrje gëzimi, deve që afrohen. Muhamedi i përkëdhel flokët dhe i thotë: - Po sjellin pajën tënde, Aisha!

59.- Muslimanët mbërrijnë triumfues. Oborri i Xhamisë është i zbrazët. Shkarkohen devetë, grumbullohet në oborr grurë, armë, coha, parfume. Muhamedi fut dorën në xhep; ai thërret:- Allah! Allah! Bilali kap një shishe të madhe, derdh parfum mbi kokën e Muhamedit; Muhamedi qesh, merr erë me kënaqësi; ai lag flokët, mjekrën; pika parfumi i bien mbi këmishë. Ai zgjedh një cohë të bukur dhe mbulon trupin e Aishas. I kalon në krah, byzylykë floriri . Ai e stolis si një të fejuar. Ai bie në gjunjë, ngre duart:- Të falenderoj, o Allah, që na dhe lutjen, parfumet dhe gratë!

60.- Natë. Gjysmë hëna ndrit në qiell. Oborri i Xhamisë është i mbushur me të ftuar. Tamburë të zbukurur me lule dhe kordele. Ndizen grumbuj kashte për ndriçim. Gosti. Në mes, mbi një rrogoz, Muhamedi dhe Aisha. Abu Bakiri iu ofron atyre, mbi një gjethe banane, mjaltë. Muhamedi dhe Aisha ngjyejnë gishtat; ata i lëpijnë. Një poet këndon:- O Profet, ti je kordha e Zotit! Hamzai pi. Befas në mes të oborrit lëshohen zezakët. Të gjithë u kthyen. Zezakët kërcejnë të shfrenuar, kërcime lufte të stilizuara. Ata vendosin mbi fytyrë maskat e luftës.Të gjithë duke rrahur duart mbajnë ritmin. Muhamedi vështron zezakët; syri i ndizet. Papritur vërsulet. Ai thërret i ekzaltuar:- O vëllezërit e mi, Parajsa është në hije të shpatave. Ai mbulon fytyrën e turbulluar. Abu Bakiri dhe Omari vrapojnë për ta mbajtur. Vallja pushon. Muhamedi, në mes të krahëve të Abu Bakirit dhe Omarit, ……Fatima e spërkat me ujë trëndafili. Muhamedi hap sytë. Poeti merr një shpatull qingji, e pastron me thikë, ai merr kalemin. Ai fikson Muhamedin dhe dëgjon. Muhamedi flet:- Unë pashë kalorës me flamurin e Profetit! Unë pashë Mekën, Qaben, Abu Sofianin, Abu Lahabin, gratë…Unë pashë pazarin, karvanët, delet…Allah! Allah! Unë i pashë të gjitha nën thundrrat e deveve tona!" Poeti thërret; e lidhim me një spango shpatullën dhe ia kalojmë mbi qafë. Të gjithë Myslimanët kërcejnë duke vrëngëllur shpatat. - Në Mekë! Në Mekë! Aisha e tmerruar fillon të qajë. Muhamedi përkulet dhe e përkdhel me dashuri, i merr dorën. Ai kthehet nga të ftuarit e tij dhe iu thotë:- O besnikë, kjo është natë e mirë! Përqafoni gratë tuaja,lindje, lindje e Myslimanëve. Ai hap portën e dhomës së tij, hyn bashkë me Aishan. Të ftuarit largohen. Bilali, me thikë zhveshur, qëndron në këmbë, para portës.

61.- Tamburi. Bilali, i qullur në djersë, i bie tamburit, në këmbë në sheshin e Medinës. Ai bërtet:- O besimtarë,ngrihuni! Karvani i Abu Sofianit! Karvani i Abu Sofianit! Dyqanet mbyllen. Hapen portat, burrat ngjeshin armët. Bilali vrapon nëpër rrugë duke bërtitur:- Ngrihuni! Ngrihuni! Karvani i Abu Sofianit! Çifutët, gjakftohtë, përpara dyqaneve të tyre, buzëqeshin me tallje. Një Çifut i vogël gungaç hipën në devenë e tij. Çifutët e rrethojnë, ai iu flet me zë të ulët, u jep para, iu rreh krahët, dhe thërret:- Shpejt! Shpejt!
62.- Oborri i Xhamisë. Portat e Muhamedit tani janë dy. Dhoma e re e Aishes, zbukuruar me lule. Vajzat e Muhamedit lajnë në oborr, fshijnë…Aliu tërheq një deve. Aisha,shfaqet duke dalë nga dhoma. Ajo mban një poçe me mjaltë, lyen gishtat. Ajo shtron në tokë gjethe të mëdha bananesh, thërret:- Muhamed, o Muhamed! Muhamedi, falet, lutet; ai nuk e dëgjon Aishan. Papritur tamburet! Bilali hyn në oborr, ai bërtet:- O Muhamed, karvani i Abu Sofianit!

63.- Shkretëtira. Nga veriu dhe lindja, male. Pemë të vogla hurmash. Një pus. Një qen, duke ngordhur nga etja, me gjuhën që i varet, zvarritet mbi grykën e pusit; ai ndjen ujin,qan. Një grua kalon, vrapon, kërkon nga të gjitha anët si të nxjerrë ujin. Ajo nuk gjen. Ajo heq rripin, var sandalet, nxjerr ujë dhe ia jep qenit që është në agoni.Papritur, ajo kthehet e trembur. Mbrapa saj, Muhamedi qesh, i shtrin dorën, ai zotohet:- O grua, zotohem para Zotit të plotfuqishëm, ti do të hysh në Parajsë, sepse ti i dhe për të pirë një qeni. U shfaqën të armatosur Abu Bakiri, Omari, Hamzai, etj. Gruaja e trembur, largohet. Zbresin kovat në pus, pijnë. Muhamedi lan duart, këmbët dhe fytyrën, ai nxjerr nga rripi një pasqyrë të vogël, krihet me kujdes, ai u zbukurua me të zezë rrotull syve, këna mbi gishta. Omari e shikon i çuditur;- O Profet, përse u bëre si një grua? Muhamedi përgjigjet duke qeshur:- Duhet Omar që të prezantohem sot përpara Zotit. Hamzai shtrihet për tokë, mbështet veshin mbi tokë, ai thërret:- Dëgjoj devetë e tyre! Dëgjoj zëmrat e tyre të rrahin! Bilali hyp mbi deve. Aliu vendoset përpara Muhamedit; ai mban flamurin e zi të Profetit. Muhamedi ngre duart, thërret:- Të lumtur ata që do të jetojnë, ata do të kënaqen me tokën! Të lumtur ata që do të vdesin, ata do të kënaqen me qiellin.

64.- Qabe, paria, ulur në rreth, luten. Ata shohin të verbërin Varaka, që këmbë zbathur,hidhet duke kërcyer mbi plloçat e nxehta. Dy beduin me kamxhik në dorë, e fshikullojnë. Paria i thërret:- Eh, Varaka, beson akoma tek Muhamedi? Varaka, me këmbë të djegura, duke kërcyer bërtet:- Nuk ka veç se një Zot, Muhamedi është profeti i tij! Ai kërcen, ai thërret:- Guxim Varaka! Guxim Varaka! Paria qesh. Në këtë moment, mbërrin Çifuti kurrizdalë i Medinës, i rraskapitur, mbuluar me pluhur. Deveja bie mbi plloçat gjysmë e vdekur. Çifuti rrotullohet në tokë, ngrihet në gjunjë, shkul flokët, dhe fillon të thërrasë:- Ndihmë! Ndihmë! Paria ngrihet, e rrethojnë, e pyesin… Çifuti duke dihatur:- Unë jam Çifut…Çifutët e Medinës më kanë dërguar…Vraponi në ndihmë të karvanit tuaj të madh! Muhamed…Çifuti nuk mundet më, ai humbet ndjenjat. Dy vetë nga paria shkulin idhullin e Habalit dhe dy idhujt e gruas nga ana e tij, ata ngjiten mbi çatinë e Qabes, thërrasin:- Luftë! Luftë!

65.- Shkretëtira. Mbi një kodër, disa kaçube të vogla. Mesditë përvëluese. Një beduin, i ulur, ha me nxitim hurma. Dëgjohen thirrje, ulërima, tamburë. Muhamedi shfaqet mbi kodër, i mbuluar nga pluhuri, i gjakosur. Mbrapa tij Abu Bakiri tërheq nga kapistra dy deve. Muhamedi ulet mbi këmbët e tyre. Ai vë pëllëmbët mbi sy, shikon poshtë. Ne shohim: Muslimanët që luftojnë me tërbim. Armiqtë janë të shumtë në numër…Ne shohim, të ngarkuar mbi një deve të madhe, zotin Hobal dhe dy idhujt e grave. Rrotull, gra të pasura i bien tambureve; ato kërcejnë.Në kokën e tyre gjendet e bukura Hind. Dëgjohen britmat e tyre therrëse. Abu Bakiri kthehet nga Muhamedi:- O Profet, ata janë shumë…Muhamedi merr një grusht rërë, dhe e shpërndan në erë. Ai thotë:- Abu Bakir, ja se si do të shpërndahen! Beduini që hante hurma u ngrit; ai afrohet tek Muhamedi:- O, Profet, nuk ka veçse vdekje midis meje dhe Parajsës? - Po.Beduini hedh larg hurmat, hedh larg armët e mbrojtjes, kap ushtën dhe kordhën e tij dhe merr pjesë në luftë…Muhamedi lëshon një thirrje, ai ngrin; ai dëgjon një zë në ajër:- O, Muhamed, ti je në hije dhe shokët e tu luftojnë në diell! Në këmbë! Muhamedi kërcen mbi devenë e tij. Abu Bakiri sulet pas tij.
66.- Muhamedi i rrethuar nga armiqtë, lufton burrërisht. Një shigjetë e plagos në mjekër. Një grua që ishte ngarkuar me një katruve, i shpie ujë luftëtarëve, hedh katruven dhe kap një mburojë, ngrihet përpara Muhamedit dhe thërret- Mos e prekni Profetin! Mos e prekni Profetin! Muslimanët hezitojnë. Muhamedi vërsulet, me kordhën zhveshur, ai thërret:- O besimtarë, përpara është fitorja, mbrapa turpi! Përpara! Omari, Hamzai, Aliu, Bilali, vrapojnë…Muhameti thërret:- Lufta e shenjtë! Lufta e shenjtë! O, besimtarë, qëlloni pa shpirt! Armiqtë thyhen. Ata kthejnë kurrizin…Ata hedhin armët…Ata ia mbathin. Muslimanët i ndjekin duke thirrur: Allah! Allah!

67.- Armiqtë zhduken në fund të horizontit. Shkretëtira është mbuluar me armë, torba, turbanë, deve të ngordhura, luftëtarë të vdekur dhe të plagosur. Muhamedi shkon dhe vjen, vështron kufomat e armiqve . Ai mërmërin: Allahu është i madh! Allahu është i madh! Hapin një gropë të madhe; aty hedhin kufomat e armiqve. Të tjerë mbledhin plaçkate luftës, i ngarkojnë mbi deve. Hamzai gjen një pagure verë dhe e pi si i babëzitur…Ai lan plagët e tij me verë, qesh. Gropa u mbush. E mbulojnë me rërë. Muhamedi largohet i ekzaltuar, ai fillon një kërcim të egër mbi kufomat. Ai thërret:- Dëgjoni, o kufoma! Flakët, shiu dhe djalli për ju! Gratë, mjalti dhe Allahu për ne! Dëgjoni o kufoma, nuk ka veçse një Zot dhe Muhamedi është Profeti i tij.

68.- Meka. Qabea. Pleqtë, gratë luten para idhujve. Therrin një dash të zi. Lyejnë idhujt me pika të gjakut. Bërtasin:- Na jep fitoren! O Zot, jepi vdekjen Muslimanëve! Papritur, një luftëtar, i plagosur në kokë, i llahtarisur, me rroba të gjakosura, mbërrinmbi devenë e tij. Ai ulëret, çjerr rrobat e tij. Ai i dëshpëruar godet gjoksin. Turma mblidhet rrotull tij. Luftëtari nga lartësia e devesë, flet:"-Sa turp, sa turp! Ne jemi mundur! E gjithë paria është vrarë!" Gratë nga lartësitë e tarracave lëshojnë britma therrëse.

69.- Abu Lahabi hap portën e shtëpisë përballë Qabesë. Ai është i sëmurë, këmbët i ka të fryra. Ai dëgjon, merr shkopin e madh dhe del. Ai mbështetet mbi mure duke dihatur. Jashtë Qabesë, ai sheh Abu Sofianin që shfaqet, me rroba të grisura, i rraskapitur. Abu Lahabi i bërtet: -Eh, Abu Sofian, eh, Abu Sofian, thuaje të vërtetën! Të gjithë rrethojnë Sofianin, gratë vrapojnë…Sofiani ulet në tokë, pa fjalë. - Eh, Abu Sofian, eh, Abu Sofian, fol! Sofiani merr një grusht rërë, e shpërndan në ajër, ai mërmërin:- Ja kështu jemi shpërndarë ne! Gratë filluan të vajtojnë, të godasin gjoksin,dhe të shkulin flokët. Sofiani u drejtua, ai bërtet me një zë të fortë:- Eh, gra mos qani! Mos e tregoni dhimbjen tuaj! Një skllav ngre duart:- Engjëjt i kanë ndihmuar! Lahabi ngre shkopin dhe e godet në kokë skllavin:- Skllav kristian!Lahabi e lë të bjerë mbi plloçat e Qabesë. Ai po mbytet. Papritur ai nxjerr një të bërtitur të çjerrë, atij i bie koka. Sofiani merr turbanin e Lahabit, e shpalos dhe mbulon kufomën e Lahabit.

70.- Medina. Gratë vrapojnë; Aisha, Fatima, Hafsaja, vajza e Omarit, vrapojnë përpara. Kërcimtaret marrin tamburet e tyre dhe vrapojnë të presin fitimtarët. Një poet shkon përpara, ai këndon:"Ne duam veçse të vjedhim devetë e Mekës; Allahu na ka dhënë deve dhe kalorës dhe Parajsën! Ne i kemi kërkuar atij një kokërr rrush; ai na dha vreshtën! Allahu qoftë i lavdëruar! Allahu qoftë i lavdëruar! Fitimtarët mbërritën të ekzaltuar nga gëzimi. Gratë i brohorasin. Kërcimtaret u bien tambureve. Hafsaja shkon drejt Muhamedit, ajo i hedh atij lule. Muhamedi i buzëqesh; ai i hedh pallton e tij. Ai i thotë:- O Hafsa, vajza e Omarit!

71.- Muhamedi, falet në sheshin e Xhamisë, lutet. Fytyra e tij shkëlqen. Rrotull tij, besimtarët ndajnë plaçkën e luftës. Ata thërrasin, ata fyhen, grinden. Muhamedi kthen kokën, dhe i vështron. Fytyra e tij është e mbytur nga dhimbja. Një neveri e madhe e pushton. Ai zhytet përsëri në lutjen e tij…Por befas, thirrje lufte shpërthejnë. Muhamedi ngrihet; ai shikon: Omari ka nxjerrë shpatën dhe kërcënon Hamzain…Ndërhyn Abu Bakiri…Muhamedi hidhet i indinjuar. Ai bërtet:- Të gjitha plaçkate luftës i përkasin Allahut! Unë do t'i shpërndaj! Largohuni -ju! Të gjithë largohen të zemëruar. Muhamedi me grushta ngritur lart, thërret:- O vëllezërit e mi, ne po vijmë nga lufta kundër armiqve! Tani fillon një tjetër luftë e shenjtë, më e madhe akoma: lufta e shenjtë kundër vetë nesh!

72.- Kërcimtaret, mbi sheshin e Xhamisë, kërcejnë dhe këndojnë. Muhamedi ngre duart, kërcimi ndalet. Muhamedi shkon e vjen, fikson ndihmësit e tij, ai i bën me shenjë, zgjedh gjashtë besnikë. Ai i çon në mes të sheshit. Ai zgjedh dy, vendos duart mbi kokat e tyre; ai iu thotë:- Unë do t'ju dërgoj tek perandori i Bizantit. Muhamedi zgjedh dy të tjerë. Ai i jep bekimin e tij dhe iu thotë:- Unë do tju dërgoj tek shahu i Persisë. Ai vendos duart mbi kokat e dy të fundit:- Ju, shkoni të flisni me Negusin e Abisinisë…Qëndroni në këmbë përpara fronit, ngrini zërin, flisni: "Nuk ka veç se një Zot dhe Muhamedi është profeti i tij. Unë ju urdhëroj: përqafoni besimin e vërtetë! Ndryshe, ju deklaroj luftën e shenjtë!". Të gjashtë mesazherët ngjiten në devetë e tyre; Ata shtinë në trastat e tyre disa hurma, një pagure ujë; Muhamedi iu kalon rrotull qafës disa verse të Kuranit. Mesazherët puthin këmbët e Profetit dhe kthejnë kapistrën drejt Veriut:- Bismilah!

73.- Oborri i Xhamisë. Xhamia është ende e ndriçuar nga kandilë të vegjël. Agimi lind. Portat e Muhamedit janë shtuar në numër: ato tani janë pesë. Pesë deve janë lidhur në mur. Përpara portës së fundit, Bilali qëndron në këmbë, me kordhë zhveshur. Shihen në oborr mbetjet e gostisë- kocka, copa buke, shtamba…Skllevërit rrëmojnë dhe hanë…Lypësat vijnë rrëmojnë dhe hanë…Qentë rrëmojnë dhe hanë…Aisha duket përpara portës së parë, e zbehtë, e lodhur, sytë me rrathë të zinj. Ajo shembet për tokë. Ajo krejt nervoze, lidh dhe zgjidh gjerdanët e saj. Një skllave del nga porta e dytë. Ajo mban një çanak dhe një poç të vogël. Ajo gjunjëzohet para Aishas, ajo i derdh mjaltë, dhe i thotë:- O Aisha, Hafsaja, gruaja e Muhamedit, vajza e Omarit, të dërgon këtë pikë mjalti. Embëlsoi buzët, o Aisha, ëmbëlsoje zemrën tënde! Aisha godet me këmbë poçen dhe e derdh, mjalti rrjedh…Qentë vrapojnë dhe e lëpijnë. Skllavja afrohet tek Aisha; ajo i pëshpërin:- O Aisha, fshiji lotët e tu, ai vetëm ty të do! Aisha, nervoze, godet, godet skllaven.- Ik! Ik! Hafsaja hap portën e dytë; skllavja bërtet:- Ja Hafsa! Dhe ajo shkon. Hafsaja afrohet tek Aisha:- Aisha! Aisha, e dëshpëruar e shtyn:- Hesht! Shko! Hafsaja qesh, ajo ikën, dhe bën sikur i afrohet portës së pestë; Bilali tund lehtë shpatën e tij dhe e shtyn. Aisha,me fytyrë fshehur ndërmjet gjunjve, qan.

74.- Porta e pestë hapet ngadalë. Duket Muhamedi, vështron në oborr duke dyshuar. Ai shikon Aishan, përpiqet ta shmang…Por Aisha e sheh, ajo hidhet mbi të. Ajo e qëllon, nervoze, duke qarë dhe gërthitur, dhëmbë shtrënguar:- Me sa gra do të martohesh? Hë! Hë! Ti tani u martove me vajzën e Omarit, Hafsan; përveç meje, ti je martuar me Om Selan,të mallkuarën dhe dje në mbrëmje Zeinepin! Ah! Ah! Në këtë moment, mbërrinAbu Bakiri, ai prêt vajzën e tij. Ai është i zemëruar, ai i gërthet Aishas.- E mallkuar! Nuk ke turp! Muhamedi e kap nga duart, ai i thotë:-Jo! Jo! Eh, Abu Bakir, Allahu është më i mëshirshëm se ty! Muhamedi merr në krah Aishan, ai shtyn portën e parë, hyn. Abu Bakiri tund kokën dhe hyn në Xhami. Muhamedi del, ai lan duart, këmbët, fytyrën,ai ngre duart dhe thotë:- O Allah, të falenderoj që e bëre zemrën time kaq të paqëndrueshme!

75.- Bizanti. Pamje të ndryshme të Bizantit: Bosfori me galerat perandorake, me pëlhura të pikturuara me kryq. Rrugët që gëlojnë…Sofia e Shenjtë…Pallatet…Salla e madhe e fronit. Perandori është ulur, i gjithi në flori, mbi fron. Mozaikë të mrekullueshëm. Një Pantokrator gjigand. Kurtizane të veshura me ar…Dy arabë të veshur me turban të bardhë shkojnë përpara. Ata qëndrojnë në këmbë përpara fronit, ata flasin…Perandori i dëgjon buzagaz. Ai i bën shenjë kurtizaneve; ato i japin dy Arabëve dhurata: një ibrik të artë, një dalmatika të artë, një Evangjel të rëndë të zbukuruar me gurë.

  76.- Kryeqyteti i Persisë. Tempulli i Zoroastrës, zjarri i shenjtë…Pallatet, kolonat gjigante, relievët e mëdhenj: dema me fletë. Salla e fronit; qylyma, pallonj të artë. Kurtizane…Xhelati, i mbështetur mbi kordhën e zhveshur, qëndron në këmbë përpara fronit. Dy Arabët me turbanët e bardhë, shkojnë përpara. Ata qëndrojnë në këmbë përpara fronit, ata flasin…Shahu hidhet i nxehur. Ai i bën shenjë xhelatit…
77.- Abisinia. Një fshat i madh. Zezakë e zezake…Kasolle me çati konike…Kërcime të egra…Pallat barbar. Mbreti është ulur mbi fronin e tij, të zbukuruar me kafka, përpara portës së pallatit. Kurtizane negre, xhelatë, priftërinj të krishterë. Dy Arabët me turban të bardhë shkojnë përpara. Ata qëndrojnë në këmbë përpara fronit, ata flasin…Mbreti dëgjon. Ai qesh…Ai bën me shenjë: i sjellin Arabëve dhurata: një palë çizme, një gomar të bardhë, një skllave të bukur, Marien.

78.- Pamja e brendshme e Xhamisë. Rrogoza në tokë, muret janë të zhveshur. Ndonjë i moshuar. Muhamedi, në gjunjë,falet. Flokët dhe mjekra i janë bërë gri. Muhamedi është plakur. Rrotull tij, miqtë e tij më besnikë falen. Jashtë Xhamisë,mbi gjithë sheshin, mbi të gjitha tarracat, përgjatë gjithë rrugëve dhe rrotull gjithë Medinës, mbi të gjitha kodrat, mijëra besimtarë, në gjunjë, luten. Ata thërrasin:- Në Mekë! Në Mekë! Muhamedi, në Xhami, dëgjon thirrjet. Sytë e tij flakërijnë. Ai ngre sytë: tavani i Xhamisë është i hapur, Muhamedi hidhet (me fluturim zogu): gjithë Arabia, malet, shkretëtirat, pyjet e hurmave, karvanet, fshatrat. Në të gjitha fshatrat shfaqen minaretë, mbi të gjitha minaretë një muzin këndon. Mijëra kalorës vërsulen nën flamurin e Profetit. Gjithë shkretëtira është pushtuar nga mijëra besnikë. Dëgjohen thirrje së largu: Allah! Allah! Në këtë moment, mbi kurrizin e Muhamedit kacavirret djali i tij i vogël. Muhamedi kthehet, qesh. Pamja zhduket.

79.- Meka. Goditje të lehta tamburësh, funebër. Mbi tarraca dëgjohen vajtime të gjata. Gratë shkulin flokët, gërricin faqet…Pazari; të gjithë dyqanet janë mbyllur. Një grua mbi tarracë thërret: "Lotët e mi kanë rrjedhur si perlat e një gjerdani kur filli këputet". Të vejat sëbashku me fëmijët e tyre kanë marrë rrugën drejt Qabesë. Ato janë të irrituara, kërcënuese. Në krye të tyre, Hindi vërsulet dhe qan babain e saj; ajo thërret:-Hobal! Hobal! Ah! Ah! Do të shkul mjekrën! Babai im është vrarë! Sofiani në këmbë, i dërrmuar, me rroba të grisura, fikson i heshtur një nga një idhujt. Papritur grate mbushin oborrin e Qabesë. Hindi vërsulet,nxjerr me forcë Hobalin nga strofulla e tij, dhe i zhyt kokën në baltë. Ajo thërret:- Ah! Ah! Ti e le babain tim të vdesë! Ah! Ah! Të gjithë tërhiqen të tmerruar. Ata mërmërijnë njeri me tjetrin:- Rrufeja ra! Rrufeja ra! Ata dridhen. Sofiani ngre krahët: - Hobal! Hobal! Nëse ti je Zoti i vërtetë, lëshoje rrufenë tënde! Presin… Heshtje…Asgjë! Papritur, qeshja tallëse e Hindit. Ajo shkel me këmbë Hobalin, ajo thërret:- Gënjeshtar! Vrasës! Cjap! I verbëri Varaka, në agoni, me këmbë të enjtura, kthehet drejt Sofianit. - Abu Sofian, zotat e tu janë të rremë! Zotat e tu nuk kanë më rrufe! Shko gjej Muhamedin! Bjer në këmbët e tij, lutu me përdëllim: Paqe! Paqe! Bërtasin të gjithë:- Abu Sofian, shko vendos paqen! Shko! Sofiani ofshan, mbulon fytyrën dhe shkon.

80.- Medina. Muhamedi del nga Xhamia. Mijëra besimtarë në oborr, mbi tarraca, nëpër rrugë, mbi kodra, ngrihen duke u lutur:- Në Mekë! Në Mekë! Muhamedi ngre dorën; të gjithë heshtin. Ai bërtet:- O besimtarë! Allahu urdhëron! Përpara për pelegrinazhin e madh të Mekës! Çohuni!

81.- 90.000 Myslimanë u vunë në rrugë. Përpara, njëqind deve të zgjedhura për sakrificë; ato janë zbukuruar me lule dhe kurora. Në mes, një deve e bardhë, mbante Kuranin në thasë të mëdhenj. Në të djathtë dhe në të majtë, Omari dhe Aliu, kordhë zhveshur. Ndërsa Kurani kalon, një sheik qëndron dhe urdhëron shokët e tij:- Në gjunjë! Kurani! Të gjithë gjunjëzohen. Deveja e bardhë kalon ngadalë. Mbrapa Kuranit duken shtatë deve ku kishin hypur shtatë gratë e Muhamedit: e para sillte Aishan, e dyta Hafsanë, etj. I ndiqte mbi një deve, Muhamedi i plakur, i tëri i bardhë. Të ndjekur nga mijëra besimtarë mbi deve, mbi kuaj, në këmbë. Re pluhuri. Një thirrje e mrekullueshme ngrihet:- Në Mekë! Në Mekë!

82.- Agimi lind. Gjurmuesit e parë mbërrijnë në kodrat e para, rrotull Mekës. Ata ndalen, thërrasin:- Meka! Meka! Ne shohim Mekën si një gjysmë hënë gjigante, shtrihet e gjitha e bardhë në shkretëtirë. Dielli ngrihet.

83.- Muhamedi zbret nga deveja e tij. I ngrejnë tendën me lëkurë të kuqe. Muhamedi hyn.Ai ngrihet, bie në gjunjë, lutet. Të shtatë gratë hyjnë një nga një në tendë. Aisha i hedh atij parfum mbi kokë, ai lag mjekrën gri. Hafsaja i lyen sytë…Të tjerat duart, thonjtë e këmbëve. Maria skllavja abisinase, e kreh. Muhamedi lutet.

84.- Tenda hapet. Duket Muhamedi, këmbë zbathur, krah zhveshur, me cohën e bardhë të pelerinës rrotull belit. Ai ecën ngadalë, ngjitet mbi kodër. Turma hapet. Së largu e ndjekin Abu Bakiri dhe Bilali. Në kodër, e gjunjëzuar, deveja e bardhë që solli Kuranin; në këmbë, në të djathtë e të majtë Omari dhe Aliu. Muhamedi mbërrinnë majë të kodrës. Ai ulet në gjunjë. Shikon Mekën. Fshin sytë. Ngre krahët, thërret:"-Ja tek erdha, i gjithi i yti, Zoti im! Ja tek erdha i gjithi i yti!".

85.- Kalorësit vërsulen në Pazar dhe në rrugët e Mekës. Dyert mbyllen duke u përplasur. Një grua hedh një gur të madh…Disa të moshuar, të ulur në gjunjë mbi tarraca, hedhin shigjeta. Kalorësit zemërohen…Ata kapin harqet…Ata vërsulen dhe shkallmojnë dyert. Por Muhamedi ngarend, ai thërret:- Jo gjak! Jo gjak!

86.- Myslimanët mbëërrijnë në Qabe. Muhamedi qëndron mbi devenë e tij. Sofiani del nga porta e tempullit, e mbyll me kyç. Ai bie në gjunjë përpara devesë së Muhamedit, dhe i zgjat mbi një pjatë të florinjtë çelsat e tempullit. Muhamedi qesh. Ai përkulet nga lartësia e devesë, i merr çelsat dhe i lidh në brez. Ai i afrohet Qabesë. Ai ngre shkopin: ai godet, godet idhujt duke bërtitur:- Nuk ka veçse një Zot! Vetëm një Zot! Idhujt rrotullohen në tokë me buçimë. Abu Bakiri, Omari, Aliu, Bilali, shkelin idhujt me këmbë, ata i grumbullojnë në mes të oborrit. Ata i mbulojnë me lëkurë deveje. Bilali ngjitet mbi çatinë e Qabesë, fillon të këndojë me një zë melodioz e të fortë:- La illah il Allah Muhamedin resul Allah! Muhamedi zbret nga deveja, ai ulet mbi idhujt. Shkarkojnë devenë e bardhë. Zbrazin mbi plloça thasët që mbajnë Kuranin; shpatulla, gurë, guriçka, tjegulla. Një i verbër i ligur vjen drejt Muhamedit. Muhamedi thërret me gëzim:- O Varaka! Varaka e përqafon duke prekur Muhamedin mbi lythin pushtak të kurrizit, mbi shpatulla, mbi sy…Ai mërmërin me një zë të shuar:- O Muhamed, unë pashë atë që dëshiroja…Unë pashë atë që dëshiroja…Ai mbulon fytyrën me cepin e turbanit dhe shembet mbi plloça.

87.- Paria vjen,të ngarkuar me zinxhir. Burra dhe gra. Muhamedi i tregon Abu Bakirit Kuranin:- Abu Bakir, lexo atë që urdhëron Allahu! Robërit dridhen. Abu Bakiri kërkon në grumbullin e verseve. Ai kap një tjegull, e lëshon…Ai kap një kockë, e lëshon…Robërit dridhen. Më në fund ai zgjedh një shpatull…Ai e vendos në gjunjë, reciton: "Mbi fronin e Zotit është shkruar: "Butësia ime fiton mbi zemërimin". Robërit hidhen nga gëzimi. Muhamedi shkruan:-Liri dhe paqe! I Përdëllyer është Allahu! Lirojnë robërit që bien ndër këmbët e Muhamedit duke thirrur:- O Profet! Muhamedi ulet në gjunjë; ai shkruan :- Allah a e përmbusha misionin tim?

88.- Në rrethinat e Mekës. Një kodër nga shihet qyteti. Mijëra burra dhe gra në festë rrethojnë kodrën. Mbi kodër janë ulur Muhamedi, Omari, Abu Bakiri, Aliu, Abu Sofiani…Të gjithë shohin, drejt fushës, garën e kuajve, një argëtim arab; dëgjohen thirrje: Allah! Allah! Argëtimi merr fund, besimtarët të ekzaltuar, veshur me të bardha, fërgëllejnë shpatat; ata hidhen duke goditur tamburet dhe fillojnë të kërcejnë: Shumë goditen në kokë, gjaku iu rrjedh mbi pelerinat e bardha. Muhamedi ngrihet, ai thërret:- Jo! Jo! Allahu nuk i do trupat e gjymtuar!

89.- Dielli perëndon. Muhamedi ngrihet. Lejlekët kalojnë…Të gjithë drejtohen drejt Mekës. Muhamedi iu prin mbi devenë e tij. Ai është i rraskapitur, dridhet. Papritur,vegimi, si një shkëlqim, godet Muhamedin në kokë. Shkëlqimi është aq i vrullshëm sa shtrin për tokë devenë. Muhamedi lëshon një thirrje tmerri dhe rrotullohet mbi rërë. Mjekra, duart e tij janë të përgjakura. Dëgjohet në ajër një zë i thellë:"Muhamed misioni yt u përmbush!" Abu Bakiri shpërthen në lotë. Ai vrapon drejt Muhamedit, ai do ta ndihmoj të ngjitet në deve. Omari, Aliu, vrapojnë… Por Muhamedi i shmang. Ai mban kapistrën e devesë së tij dhe shkon përpara në këmbë. Ai është i gjithi i kërrusur, i menduar…Ai lëkundet…Abu Bakiri qan. Muhamedi kthehet drejt shokëve të tij: -Abu Bakir përse qan? - Kam frikë, o Muhamed, se ti do vdesësh! Muhamedi qesh i trishtuar:- Muhamedi vdes, besimi mbetet!

90.- Natë. Hëna e plotë. Oborri i Qabesë. Të gjithë rrotull, portat e Muhamedit. Muhamedi vetëm, i shtrirë mbi një rrogoz, në mes të oborrit…Papritur ngrihet. Ai bie në gjunjë, i vështron të gjithë rrotull, të kapur nga tmerri. Një hije e zezë, endet nën dritën e hënës…Muhamedi dallon krahë shumë të mëdhenj që hapen dhe mbyllen. Ai mërmërin:-Azrail, o engjëll i vdekjes! Hija afrohet…Ne shohim hijen që në një dorë mban një shpatë flakëritëse…Muhamedi lëshon një britmë, ai thërret;- Aisha! Hafsa! Om Selma! Maimuna! Zeinep! Ramlah! Maria! O Aisha! Portierët shqetësohen…Aisha shkon e para drejt Muhamedit. Ajo e përqafon, e përkëdhel…Gratë e tjera vrapojnë. Ato sjellin parfume, mjaltë, lule…Ato përqafojnë këmbët e Muhamedit. I sjellin qumësht…Maimuna luan me lythin e tij…Zë ulët, melankonik…Maria këndon yshtje…Muhamedi i vështron, ai buzëqesh…Ai mërmërin:-Ejani më pranë meje…më pranë meje…Mos e lejoni Azrailin, engjellin e vdekjes!

91.- Qabe. Një deve e lidhur për mur. Aliu del nga një derë. E ndjekin duke nxituar Omari dhe Abu Bakiri, ata drejtohen të shqetësuar drejt Aliut. Ata i flasin. Aliu tund kokën…Ai qan, dhe thotë:-Ai kërkon lule, po shkoj ti kërkoj…Ai ngjitet dhe niset me galop. Omari dhe Abu Bakiri shkojnë e vinë duke folur me zë të ulët. Ata afrohen në majë të gishtave drejt portës që Aliu doli. Duken kokët e Aishas dhe të Hafsasë. Ato ua bëjnë me shenjë:- Ejani! Ejani! Omari dhe Abu Bakiri hyjnë ngadalë.

92.- Dhoma e Maimunës. Ndriçim i errët. Muret janë të zhveshur. Disa rrogozë, një broke, minderi…Një grua, Maimuna, flë mbi minder. Mbi rrogoz, në mes të dhomës, Muhamedi, i shtrirë, në grahmë, irun. Aisha I ka mbëshjellë kokën me krahët e saj të zhveshur…Ajo e përkëdhel. Omari dhe Abu Bakiri e mbështjellin ngadalë Muhamedin me rrogoz,dhe e çojnë…Gratë hapin portën. Dalin në oborr. Ato hapin një derë tjetër. Dalin në oborr. Hapin një tjetër portë, hyjnë. Maimuna ngrihet nxitimthi. Ajo vështron; vendi është bosh. Ajo lëshon një britmë dëshpërimi: O Aisha!

93.- Mijëra besimtarë, rrotull Qabesë, mbi tarraca… Ne shohim Mekën në vijë të drejtë: rrugët që gëlojnë, burra dhe gra, të shqetësuar, shkojnë e vinë. Kalorësit vrapojnë nga të gjitha anët drejt Mekës,flamuri lëkundet. Disa besimtarë të shquar flasin me zë të ulët në oborrin e Qabesë. Omari, shpatë zhveshur, qëndron në këmbë para portës…Besimtarët, të ulur në gjunjë në qoshe, recitojnë me një zë melodioz versetet e Kuranit. Aliu vrapon, zbret nga deveja, me duar ngarkuar me lule. Fytyra e tij është e larë me lotë. Ai hap portën dhe hyn. Abu Bakiri bie në gjunjë. Dielli po perëndon. Ai reciton lutjen e mbrëmjes. Të gjithë bien në gjunjë.

94.- Në këtë moment, porta hapet. Duket Muhamedi: ai është i iruar,i dërrmuar,në agoni. Të gjithë lëshojnë klithma gëzimi. Muhamedi bën një hap. Ai flet; zëri i tij është i ulët,shumë i dobët:- O besimtarë! Të gjithë bërtasin:- O Muhamed! Muhamedi vazhdon:- O besimtarë, Allahu më thërret; unë po shkoj…Dëgjoni, o Myslimanë. Nëse kam rrahur dikë me pa të drejtë, ja kurrizi im; të më qëllojë. Nëse i kam para dikujt, ja paratë e mia; le ti marrë. Atëherë ngrihet një Beduin:- O Muhamed, ti më ke tre dinarë. Muhamedi hap qesen e tij:- Vëllai im, ja tre dinarët dhe më fal. Ai përplas duart, thërret:- Skllevërit e mi të afrohen! Dhjetra skllevër vijnë duke qarë. Muhamedi iu thotë: O vëllezërit e mi, ju jeni të lira! Më falni mua! Ai përplas sërish duart:- Gratë e mia ejani! Të shtatë gratë dalin nga shtatë portat duke qarë. Muhamedi i vështron me një shikim të gjatë, ai zgjat duart dhe i bekon një nga një. Aisha e fundit:- O Aisha, mërmërin ai. Ai ngre duart drejt qiellit:- O Allahu im, të falenderoj që krijove gruan! Ai bën disa hapa, atij i merren këmbët. Omari dhe Abu Bakiri nxitojnë për ta mbajtur. Muhamedi i largon. Ai zgjat krahët. Të gjithë ulen në gjunjë. Ai mërmërin:- O besimtarë, unë po shkoj…unë po shkoj…ruajeni besimin… Luftoni kundër të pabesit!... Duajeni të varfërin…Luteni,luteni Allahun! Ai përpiqet dhe ulet ngadalë në gjunjë…Dielli hedh rrezet e fundit mbi kokën e tij. Muhamedi përkulet drejt tokës, ai e bekon. Ai ngrihet ngadalë, ai shikon lart. Sytë e tij zmadhohen, ai vështron: engjëlli Gabriel afrohet. Ai tërheq nga kapistra një deve të mrekullueshme, deveja ulet në gjunjë. Muhamedi tund krahët, ai thërret:- Po vij! Po vij!

95.- Besimtarët nxitojnë drejt Muhamedit…Të shtatë gratë lëshojnë britma. Ato grisin rrobat…shkulin flokët. Omari ngre lart shpatën, ai e mban përpara Muhamedit, ai e pengon turmën dhe gratë të afrohen, ai bërtet me një zë kërcënues:- Muhamedi nuk ka vdekur! Por Abu Bakiri mbulon Muhamedin me një qefin të bardhë, ai bërtet:- Muhamedi vdiq, Zoti është i gjallë!

FUND
 
Përktheu nga origjinali frëngjisht Teuta Hoxha 

Milosao

Related

Letërsi 5641725509598182444

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item