MACJA E ZEZË, tregim nga EDGAR ALLAN POE
Për këtë rrëfim tepër të frikshëm, por edhe po kaq të rëndomtë që po hedh në letër, nuk pres, dhe as i lutem njeriu të më besojë. Dhe, ç’ësh...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/macja-e-zeze-tregim-nga-edgar-allan-poe.html
Për këtë rrëfim tepër të frikshëm, por edhe po kaq të rëndomtë që po hedh në letër, nuk pres, dhe as i lutem njeriu të më besojë. Dhe, ç’është e vërteta, do të isha i marrë, po ta shpresoja një gjë të tillë, mbasi edhe logjika më e thjeshtë nuk e përtyp dot atë që më panë sytë. Nuk jam njeri pa mend, dhe ju siguroj, se nuk shoh ëndrra me sy hapur. Por, një ditë do të vdes, prandaj dhe sot dua ta heq këtë peshë nga shpirti im. Qëllimi im i vetëm është që t’i tregoj botës hapur, sheshit, shkurt, saktë, e pa zbukurime, një varg ndodhish të çuditshme në shtëpinë time. Ato ngjarje më kanë tmerruar, më kanë torturuar, më kanë shkatërruar. Do të përpiqem t’i shtjelloj. Për mua, ato kanë qenë llahtari; uroj që të tjerëve t’u duken më pak të tmerrshme e më pak të ndërlikuara se stili barok. Kështu qoftë, që edhe unë të gjejë sadopak arsye për të qetësuar fantazmat e mia… Uroj, që, të paktën për ju, me një arsye me të shëndoshë, me një logjikë më të qetë dhe pa nervozizëm, siç ndodhi me mua për rrethanat që m’u krijuan, ta trajtoni si diçka krejt të zakonshme e të ndodhur për shkaqe krejt normale.
Që fëmijë kam qenë një natyrë e bindur dhe e brishtë. Kaq shumë binte në sy butësia e zemrës sime, saqë shokët më vinin në lojë. Isha i dhënë, veçanërisht, pas kafshëve, prandaj dhe prindërit ma bënin qejfin e më llastuan me shumë kafshë shtëpiake. Me to kaloja shumicën e kohës, dhe ndihesha aq i lumtur kur i ushqeja dhe i përkëdhelja! Unë rritesha, rritej edhe kjo veçanti e karakterit tim, dhe prej saj mora një nga burimet e mia kryesore të kënaqësisë. Për ju, që e keni provuar dhimbsurinë ndaj qenit besnik, nuk e kam hiç të vështirë t’ua shpjegojë llojin apo thellësinë e asaj kënaqësie të rrallë. Ajo dashuri bujare dhe vetëflijuese, që të godet mu në zemër, ve në provë edhe miqësinë e besnikërinë e njeriut.
Jam martuar herët, dhe sa mirë që njoha tek ime shoqe një gatishmëri të ngjashme me timen. Ajo e vuri re shpejt dobësinë time për kafshët shtëpiake, dhe nuk la rast t’i ikte për të kërkuar ato më të lezetshmet. Kishim zogj, peshk të kuq, një qen të zgjuar, lepuj, një majmun të vogël, dhe një mace.
Më vonë, macja jonë u rrit, u bë një kafshë e madhe dhe e bukur; e gjitha e zezë, dhe me një nuhatje mahnitëse. Kur fliste për inteligjencën e saj, gruaja ime, e cila ishte edhe disi supersticioze, kujtonte një pikëpamje të lashtë popullore, sipas së cilës, të gjitha macet e zeza ishin, thjesht, shtriga të maskuara. Jo se ajo e kishte fort seriozisht këtë ide… E përmenda, pa ndonjë arsye të veçantë, po ja që më erdhi ndërmend tani…
Pluto, kështu quhej macja, ishte kafsha ime e preferuar dhe e kisha shok loje. E ushqeja vetë, dhe ajo më shoqëronte kudo nëpër shtëpi. Mezi e ndaloja të më vinte pas kur dilja në rrugë.
Në këtë mënyrë, miqësia jonë zgjati për shumë vite, gjatë të cilëve, temperamenti dhe karakteri im (më vjen turp ta rrëfej) pësoi një ndryshim rrënjësor për keq. Ditëpasdite, humori im ndryshonte. Me hënë, siç i thonë. U bëra gjaknxehtë, kisha më pak kujdes ndaj ndjenjave të të tjerëve. Për një kohë të gjatë përdorja një gjuhë të papërmbajtur; madje, përdorja edhe dhunë. Sigurisht, kafshëve të mia iu desh të duronin ndryshimin e karakterit tim. Jo vetëm që i lashë pasdore, por u tregova edhe i ashpër ndaj tyre. Megjithatë, për Pluton kisha goxha merak se mos e keqtrajtoja. Ndërkohë, u tregova i paskrupullt edhe ndaj lepujve, majmunit, por, edhe ndaj qenit, kur ndonjëri më dilte përpara padashje, ose më përkëdhelte. Por, me kalimin e kohës, sëmundja m’u shtua- sëmundje si alkooli! Edhe Pluto, e cila kishte nisur të mplakej, ishte bërë ca grindavece. Kishte filluar t’i ndiente edhe ajo efektet e gjendjes sime të keqe shpirtërore.
Një mbrëmje, kur po kthehesha në shtëpi nga një lokal i qytezës, xurxull fare, vërejta që macja më shmangej. E mbërtheva fort. Nga frika se mos e dhunoja, më kafshoi me dhembë dorën. Në çast, më pushtoi një tërbim djalli. Nuk e njoha më veten. Shpirti, dukej se më kishte dalë nga trupi, dhe diç më e fortë se ligësia mizore, e ushqyer edhe nga xhini që kisha pirë, më pushtoi çdo qelizë. Mora nga xhepi i jelekut një biçak, e hapa, rroka nga fyti kafshën e gjorë, dhe me ngadalë, ia nxora njërin sy nga zgavra! Po më vjen turp, digjem, ngjethem, teksa përshkruaj këtë egërsi të neveritshme.
Me mëngjesin, m’u rikthye mendja e shëndoshë. E kisha marrë veten nga xhindosja e natës së shkuar. Ndjeva gjysmëlemeri, e gjysmëpendesë për krimin që kreva; ndonëse ishte veç një ndjesi e dyshimtë, kështuqë shpirti më mbeti i paprekur. Sërish e teprova, dhe pak më vonë, i mbyta me verë tërë kujtimet e asaj që bëra.
Ndërkohë, macja, ca ngadalë, po e mori veten. Vërtetë, zgavra e syrit që i mungonte ishte ca e frikshme, por mesa dukej, nuk ndjente më dhimbje. Vinte rrotull shtëpisë, si zakonisht, por, -doemos,- siç pritej, nuk më afrohej aspak. U vrerosa nga shpërfillja e dukshme e asaj krijese që më kishte dashur kaq shumë dikur. Veçse, shpejt, kjo ndjesi ia la vendin irritimit. E, më pas, si ndryshim i mbramë dhe i pakthyeshëm, depërtoi brenda meje shpirti i perversitetit. Filozofia, as që do t’ia dijë për shpirtin. Nuk jam i sigurtë as nëse jeton shpirti im, aq sa jam i sigurtë se perversiteti është një nga impulset më primitive të njeriut- një nga zotësitë dhe ndjesitë më të pandashme, që janë përcaktuese për karakterin e njeriut. E, cili nga ne nuk e ka gjetur veten, me qindra herë, madje, duke bërë ndonjë veprim të ndyrë, të turpshëm, apo qesharak, vetëm për arsye se e dimë që nuk duhet kryer? A nuk kemi, megjithë gjykimin tonë të mirë, një prirje të përjetshme për ta thyer ligjin, thjeshtë, ngaqë e dimë se nuk duhet shkelur? Them, se ky shpirt pervers u bë, përfundimisht, pjesë e qenies sime. Bash, kjo dëshirë e fshehtë e shpirtit tim, thjesht, për të bezdisur të tjerët, për t’i dhunuar, thjesht, për t’u bërë keq, për hir të keqdashjes, më nxiti ta plagosja edhe kafshën e gjorë.
Një mëngjes, ashtu gjakftohtë, siç isha, i lidha maces sime një lak reth qafës dhe e vara në degën e një peme. E vara me lotët që më rridhnin çurg, dhe, me keqardhjen më të hidhët të zemrës; e vara, sepse e dija fare mirë që më kishte dashur, dhe se nuk më kishte dhënë, as edhe një arsye për t’i bërë keq. E vara, sepse e dija që po mëkatoja – një mëkat të tmerrshëm i cili do të përdhoste shpirtin tim të pavdekshëm, dhe Zoti Mëshirëplotë nuk do të më falte kurrë…
Mbrëmjen e ditës që kreva këtë mizori, më zgjoi një zjarr i madh. Mbulesa e shtratit tim kishte marrë flakë. E gjithë shtëpia po digjej. Me shumë vështirësi, gruaja ime, shërbëtorja dhe unë, ia mbathëm larg zjarrit të madh. Shkatërrimi qe i plotë. E gjithë pasuria ime për një çast të vetëm, u gllabërua nga flaka, dhe m’u desh të dorëzohesha, të humbisja çdo shpresë.
Po përpiqem të gjej lidhjen shkak-pasojë midis katastrofës dhe ligësisë sime. Jam duke rikujtuar çdo detaj të zinxhirit të gjatë e të ngatërruar të fakteve, dhe nuk dua të le, as edhe një hallkë të pazbërthyer. Një ditë më pas, shkova tek rrënojat. Të gjitha muret, përveç njërit, ishin rrëzuar. Ky ishte një mur ndarës, jo fort i trashë, i cili ndodhej në mes të shtëpisë, përballë të cilit gjendej koka e krevatit tim. Atje, suvatimi i kishte bërë ballë goxha zjarrit, gjë që e shpjegova me faktin se e ishte bërë së fundmi. Rreth e rrotull murit u mblodh një turmë e madhe njerëzish, dhe shumë prej tyre po vëzhgonin gjithë vëmendje një pjesë të veçantë të tij. Fjalët “e çuditshme!”, “e veçantë!”, dhe shprehje të tjera të ngjashme, më ngacmuan kureshtjen. U avita dhe pashë, si të gdhendur në një basoreliev, mbi sipërfaqen bardheme, imazhin e një maceje gjigante. Imazhi ishte i qartë dhe, çuditërisht shumë i saktë dhe i vërtetë. Përreth qafës së kafshës ishte lidhur një litar.
Fillimisht, kur u përballa me këtë imazh, ndonëse nuk doja, çudia dhe lebetia ime qenë shumë të mëdha. Por, më pas, i thirra mendjes. Mbaja mend që macen e kisha varur tek një kopsht pranë shtëpisë. Sa ra alarmi i zjarrit, kopshti u mbush me njerëz, kështu që ndonjëri prej tyre mund ta ketë zbritur macen nga pema, dhe ta ketë hedhur në dhomën time, përmes dritares së hapur. Ka shumë mundësi ta kenë bërë, që të më zgjonin nga gjumi. Rënia e mureve të tjerë e kishte ngjeshur viktimën e mizorisë sime brenda suvasë së porsavënë, gëlqerja e së cilës, tok me flakët, dhe me amoniakun e skeletit ia kishin formësuar portretin, ashtu siç e pashë unë.
Ndonëse mirë ishte që të arsyetoja dhe ta qetësoja ndërgjegjen, fakti befasues që iu tregova, më mbeti në mendje. Muaj të tërë nuk ia dola dot të shpëtoja nga fantazma e maces; dhe, gjatë kësaj kohe, më gjalloi në shpirt njëfarë ndjenjë gjysmake, që i ngjante pendesës, por jo, jo!- nuk ishte vërtetë e tillë. Arrita gjer në atë pikë, sa ndjeva keqardhje për humbjen e maces. Madje, edhe kur ndodhesha nëpër mejhane të ndyra, ku më ishte bërë zakon, tanimë, të shkoja, hidhja sytë lartë e poshtë për ndonjë kafshë tjetër, por disi të ngjashme në pamje, që të mund të ma zëvendësonte.
Një mbrëmje, i ulur, i drobitur, në një kantinë të fëlliqur, më tërhoqi vëmendjen një objekt i zi, që ndodhej majë një fuçie të madhe plot me xhin, apo rum, që përbënte orendinë parësore të dhomës. Kisha një copë herë me sytë mbërthyer tek ajo fuçi, por ajo çfarë më habiti ishte fakti se si nuk e kisha vënë re më herët. I shkova pranë dhe e preka me dorë. Ishte një mace e zezë, shumë e madhe, po aq e madhe sa Pluto, dhe i ngjante goxha, përveç një detaji. Pluto nuk kishte qime të bardha në asnjë pjesë të trupit, kurse kjo kishte një njollë të madhe të bardhë, një ngjyrë e turbullt, që i mbulonte gati të gjithë pjesën e kraharorit.
Kur e preka, objekti, apo gjëja, menjëherë u hodh përpjetë, gërhiti fort, m’u fërkua pas dorës , dhe duket se u kënaq nga prania ime. Kjo na ishte krijesa që po kërkoja. I kërkova bujtinarit që ta blija, dhe ai nuk është se më kundërshtoi, por nuk dinte asgjë rreth saj. Madje, tha, se as që e kishte vënë re më parë.
Vazhdova ta përkëdhelja, dhe, kur bëra të nisem për në shtëpi, macja shfaqi gatishmërinë të më vinte pas. E lejova ta bënte, duke u përkulur dhe e përkëdhelur si më parë. Si erdhi në shtëpi, macja, pa një pa dy, u përshtat me të, dhe menjëherë u bë e parapëlqyera e gruas sime.
Unë, për vete, e kisha zët që po miqësohej me mua. Ishte krejt e kundërta e asaj që prisja, por, nuk di si dhe pse, dhimbsuria e saj aq e dukshme më bezdiste e më ndillte krupë. Pakngapak, këto ndjesi neverie dhe mërzie më dhanë shijen e hidhur të urrejtjes. I shmangesha maces; njëfarë ndjenje turpi dhe kujtimi i aktit tim të mëparshëm mizor më penguan që të abuzoja fizikisht me të. Për disa javë nuk e godita, as e dhunova; por, gradualisht, dita me ditë, nisa ta shihja me një ndjenjë neverie që nuk tregohet dhe, heshturazi, i largohesha si kolerës pranisë së saj të urryeshme.
Ajo çfarë e shtoi, padyshim, urrejtjen time ndaj kafshës ishte zbulimi, të nesërmen pasi e mora në shtëpi, se asaj, ashtu si edhe Plutos, i mungonte njëri sy. Ky detaj bëri, që ime shoqe, e cila, siç ju thashë, e ka në një shkallë të lartë njerëzillëkun,- (gjë që, dikur, ka qenë edhe një nga tiparet e mia dalluese,- burim i kënaqësive më të pastra), të lidhej edhe më shumë me të.
Përkundër neverisë sime, afiniteti i maces ndaj meje rritej përditë. Më ndiqte hap pas hapi dhe, me aq këmbëngulje, sa ju, të nderuar lexues, as mund ta imagjinoni. Sapo ulesha, ajo kruspullosej nën karrigen time, ose më hidhej mbi prehër, dhe më mbulonte me ato përkëdhelitë e saj të neveritshme. Sapo ngrihesha për të ecur, më hidhej ndër këmbë, dhe sa s’më rrëzonte; më shtrëngonte me kthetrat e saj të gjata e të mprehta, e më ngjitej në kraharor. Atëherë, sido që më kapte dalldia ta dërmoja me ndonjë goditje turinjve, e mbaja veten. Arsyeja: kompleksi i krimit tim të hershëm; më hipnin të dridhura frike nga kafsha!
Kjo nuk ishte saktësisht frikë për ndonjë dëmtim fizik. E kam vështirë ta shpjegoj këtë frikë. Më vjen ndot nga vetja, po, edhe këtu në qeli ku jam, llahtarinë që më zinte ma shkaktonte një përbindësh, dhe ky përbindësh ishte, thjesht, një mace. Gruaja ma kishte tërhequr më shumë se një herë vëmendjen për llojin e njollës, që ua përmenda edhe juve, dhe përbënte dallimin e vetëm të dukshëm mes kafshës së çuditshme, dhe asaj që kisha varur. Lexuesit do t’i kujtohet që, kjo shenjë, edhe pse e madhe, fillimisht ishte shumë e paqartë. Por dalëngadalë, në formë gati të pakuptimtë, të cilën, për një kohë të gjatë, mendja ime nuk arrinte ta perceptonte, zuri të kthjellohej. Tani, ajo përfaqësonte një objekt që ngjethem ta ze ngoje. I frikësohesha dhe i druhesha më shumë së çdo gjëje tjetër në botë, dhe doja vetëm ta hiqja qafe egërsirën. Tani më shfaqej imazhi i një gjëje të neveritshme, të kobshme, i TRIKËMBËSHIT! Oh, shkaktar gjëmëzi e i lemerishëm i Llahtarit dhe Krimit, i Agonisë dhe Vdekjes!
Tani isha vërtetë i mjerë, përtej mjerimit të Njerëzimit. Madje, një bishë e egër, të ngjashmen e së cilës e kisha shkatërruar me përçmim; një bishë e egër. Isha shndërruar në një bishë të maskuar pas imazhit të të madhit Zot. Hidhërim i padurueshëm! O Zot! Qetësia, për mua vdiq një herë e mirë. Nuk çlodhesha dot as ditën, as natën! Dikur, macja nuk më linte asnjë çast vetëm; më vonë, më mbërthenin ëndrra të shpeshta dhe më kapte një frikë që s’tregohet. Mbi fytyrë ndieja frymën e ngrohtë të asaj gjësë, peshën e madhe. O Zot! Ishte një peshë e rendë dhe një makth që doja ta hiqja e nuk e hiqja dot nga zemra. Nën trysninë e kësi përndjekjesh, edhe ajo pak mirësi që më kishte mbetur, shterroi. Mendime të këqija, ato më të errëtat e më të ligat, m’u bënë miqtë e vetëm. Zymtësia e temperamentit tim u kthye në urrejtje ndaj gjithçkaje dhe gjithkujt. Ndërkohë e braktisa veten verbërisht në shpërthimet e papritura, të shpeshta, të pakontrolluara të tërbimit tim, dhe gruaja ime, nuk ankohej më. O Zot! Vuante përulësisht dhe me durim.
Një ditë, kur po bëja ca punë shtëpie, macja më erdhi pranë në qilarin e ndërtesës së vjetër, ku na u desh të jetonim ngaqë ishim të varfër. Më ndoqi tatëpjetë shkallëve. Mend u plandosa me kryet përdhé. Më nevrikosi, më tërboi. Nga zemërimi, harrova fare frikën që kisha ndjerë gjer atëherë, rrëmbeva një sëpatë, shenjestrova goditjen në kokën e maces e cila, padyshim, do të kishte mbetur në vend, nëse do të kishte shkuar ashtu siç dëshiroja. Por, synimit tim i vuri fre dora e gruas sime. U tërbova nga ndërhyrja e saj, mora vrull nga xhindosja ime demoniake, e tërhoqa krahun që më kishte mbërthyer, dhe ia ngula sëpatën në kokë. Gruaja ra e vdekur në vend, pa as edhe një rënkim.
Pasi kreva këtë vrasje të tmerrshme, menjëherë, ngadalë e me kujdesin më të madh, i vura vetes detyrën e fshehjes së trupit. E dija mirë se nuk do të mundja ta nxirrja nga shtëpia, as ditën e as natën, pa rrezikun që të më pikasnin fqinjët. Sa gjera më kaluan nëpër mend! Një herë mendova t’ia copëtoja trupin në pjesë të vogla, pastaj ta hidhja në zjarr. Një herë tjetër, thashë të gërmoja një gropë në dyshemenë e qilarit dhe atje ta fshihja. Pastaj, mendova ta hidhja në pusin e kopshtit, apo ta paketoja në kuti, kinse do ta shisja, dhe të njoftoja portierin që ta largonte nga shtëpia. Në fund, zgjodha atë që m’u duk më e sigurt se të tjerat. E ndava mendjen ta varrosja në murin e qilarit, siç bënin murgjit mesjetarë kur varrosnin viktimat e tyre.
Qilari, sikur ishte bërë tamam për këtë qëllim. Muret nuk ishin fiksuar mirë, e së fundmi, qenë suvatuar me një llaç të ashpër, të cilin lagështia nuk e kishte lejuar të ngurtësohej. Për më tepër, në një nga faqet e murit kishte një dalje, e bërë për një oxhak të rremë, që ishte mbyllur për t’i përngjarë pjesës tjetër të qilarit. Nuk kisha asnjë mëdyshje; mund t’i hiqja tullat në atë anë, ta shtija trupin brenda dhe ta rindërtoja murin si më parë, në mënyrë që askush të mos vinte re diçka të dyshimtë.
Nuk u gabova me këtë përllogaritje. Me një levë, i hoqa tullat lehtësisht dhe, pasi e futa trupin në murin e brendshëm, e vendosa në pozicionin që duhej. Me fare pak mundim e ringrita të gjithë strukturën si në fillim. Gjeta gëlqere, rërë dhe lesh; me shumë merak, gatita llaç, që nuk dallonte nga ai i vjetri, dhe kështu, zuri fill puna me tullat. Kur mbarova, u kënaqa që gjithçka shkoi mbarë. Muri, as që të lindte përshtypjen më të vogël se ishte prekur. Mbeturinat përtokë i mblodha me shumë kujdes. Vështrova përqark në mënyrë triumfuese, dhe i thashë vetes: “Të paktën, kësaj here nuk më vajti dëm puna.”
Hapi i rradhës ishte kërkimi i egërsirës që ishte dhe shkaku i gjithë mjerimit tim. E ndava mendjen që ta vrisja. Po ta hasja atë çast, nuk do të kisha kurrëfarë mëdyshjeje për fatin e saj. Po ja, që kafsha tinëzare na ishte alarmuar nga dhuna e zemërimit tim të hershëm dhe m’u shmang. Është e pamundur ta përshkruaj. Nuk mund ta imagjinoni dot ndjenjën e thellë, të hareshme të çlirimit që m’u ndez në kraharor që kafsha e përbuzur m’u hoq nga sytë. Shpëtova- uf! As që u duk gjatë natës, dhe së paku një natë, qysh prej ardhjes së saj në shtëpi, fjeta si qengj, ndonëse me barrën e një krimi në shpirt!
Kaluan edhe dita e dytë dhe e tretë, dhe ajo që më mundonte nuk po dukej. Edhe një herë, mora frymë lirisht. Monstra, nga frika, ishte larguar një herë e mirë nga godina! Nuk do t’ia shihja më bojën! Lumturia ime ishte e pafund! Ndjenja e fajit për krimin tim të errët nuk më shqetësonte më. Disa hetime ishin bërë, dhe u tregova i gatshëm të bashkëpunoja me policinë. Madje, u bë edhe një kërkim, por, natyrisht, asgjë s’kishte për t’u zbuluar. E quaja të sigurtë lumturinë time të ardhshme.
Ditën e katërt, pas vrasjes, erdhi në shtëpi krejt papritur një skuadër policie, dhe vazhdoi të bënte hetim rrënjësor nëpër godinë. Por unë ndihesha i sigurtë se vendi i fshehjes ishte i paarritshëm, kështuqë nuk u ndjeva hiç në siklet. Policët më kërkuan t’u bashkohesha gjatë hetimit. Nuk lanë qoshk pa rrëmuar. Ata zbritën tri a katër herë në qilar, dhe përmbysën gjithçka. Nuk m’u drodh qerpiku. Zemra më rrihte qetësisht, si të isha njeriu më i pafajshëm në botë. I rashë qilarit kryqetërthor. Mblodha krahët mbi gjoks dhe lëvizja lirshëm lart e poshtë. Policët mbetën plotësisht të kënaqur dhe u bënë gati të largoheshin. E kisha vështirë ta përmbaja gëzimin e madh që ndieja në zemër. S’më rrihej pa nxjerrë, qoftë edhe një fjalë, si ngadhënjimtar që isha, në mënyrë që t’i bindja dyfish në pafajësinë time.
-Zotërinj! -u thashë më në fund, ndërsa ekipi po ngjitej lart, -Jam i kënaqur që hoqa mëdyshjet tuaja. Ju uroj shëndet, dhe pakëz më tepër mirësjellje! Meqë ra fjala, kjo… Kjo është një shtëpi e ndërtuar fort mirë. (Nga dëshira e shfrenuar që të thoja diçka, nuk po e kuptoja fare atë që nxirrja nga goja.) Mund të them, se kjo është një shtëpi e ndërtuar mrekullisht mirë. Këta mure… Po largoheni, zotërinj? … Këta mure janë të puthitur mirë. Dhe, me kapadaillëk ngrita shkopin që kisha në dorë dhe godita fort në atë pjesë të murit, pas së cilës gjendej trupi i gruas sime.
Zoti më ruajttë dhe më shpëtoftë nga helmi i Djallit! Pa u mbytur mirë jehona e goditjes, një tjetër jehonë m’u përgjigj nga varri! Një britmë, fillimisht e mbytur dhe e këputur, si ngashërima e fëmijës u shndërrua shpejt në një ulërimë të gjatë, të fortë, të vazhdueshme, tejnormale dhe jonjerëzore… Një britmë, klithmë vajtuese, ca nga tmerri e ca nga gëzimi i shpëtimit, a thua se vinte nga vetë ferri, e bashkuar me fytin e të dënuarve në agoninë e tyre, dhe e djajve të ngazëllyer nga dënimi.
Është e kotë, besoj, t’ju rrëfej mendimet e mia. Gati i zalisur u ktheva nga muri përballë. Për një çast, skuadra e policëve mbi shkallë, e shastisur nga tmerri dhe frika gjer në palcë, nuk lëvizi. Pastaj, nja dymbëdhjetë qyta armësh njëherësh goditën murin. Ai u shemb tërësisht. Tanimë, trupi, krejtësisht i kalbëzuar dhe i mbuluar me gjak i gruas u shfaq para syve të të pranishmëve. Mbi kokën e gruas u duk bisha e neveritshme: me gojën e kuqe të hapur dhe sytë flakërues. Ishte ajo që më nxiti në ngasje të vrisja një njeri; ishte ajo kallauzi që më dorëzoi tek xhelatët. Në mur ia paskam bërë varrin!
Përktheu nga origjinali
FIONA KOPALI