Jean-Paul Sartre: Ti lëmë mënjanë fjalët e mëdha...

Jean-Paul Sartre Kurrë nuk i kam kushtuar rëndësi stilit në filozofi. Jam përpjekur gjithnjë të shkruaj qartë dhe kjo është e gjitha. Më ka...



Jean-Paul Sartre


Kurrë nuk i kam kushtuar rëndësi stilit në filozofi. Jam përpjekur gjithnjë të shkruaj qartë dhe kjo është e gjitha. Më kanë thënë se ka pjesë që janë shkruar mirë. Mundet. Kur përpiqemi të shkruajmë qartë, në fund të fundit, në njëfarë mënyre shkruajmë mirë.
Nëse kjo që thuhet përbën një fakt, nuk është se jam shumë krenar.
Kam dashur që të shprehem sa më thjesht të jetë e mundur në frëngjisht, një gjë të tillë s'e kam bërë gjithnjë, po të marrim si shembull "Kritikën e arsyes dialektike".
Kam folur në disa intervista në lidhje me stilin. Stili, para së gjithash, është ekonomi: duhet të krijosh fjali, ku të bashkëjetojnë shumë kuptime dhe ku fjalët merren më shumë në nënkuptimin e tyre, më shumë si objekte sesa si koncepte. Në filozofi një fjalë duhet të nënkuptojë një koncept dhe vetëm atë.
Stili është një lloj raporti i fjalëve mes tyre, raport që u jep një kuptim, të cilin nuk mund ta përftojmë me një shtim të thjeshtë fjalësh.
Unë asnjëherë nuk kam thënë se ndryshoj në çdo pesë vjet.
Përkundrazi, unë shoh një zhvillim të vazhdueshëm timin që nga "Neveria" e deri te "Kritika e arsyes dialektike".
Një risi për mua vetë ishte aspekti social i luftës, sepse të jesh ushtar në një front, nënkupton qenien viktimë të një shoqërie që të mban atje, ku ti nuk do të jesh dhe të nënshtron ndaj ligjeve, të cilave ti nuk do të doje t'u bindeshe. Sigurisht, ky aspekt nuk përbën temën e "Neverisë", por është i nënkuptuar.
Ajo që nuk më pëlqen te "Qenia dhe Hiçi" janë kapitujt socialë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pikërisht ata që flasin për "ne", përkundrejt kapitujve mbi "ty" dhe të tjerë.
Filozofia studion qenien në vetvete dhe në raportin me të tjerët. Cilido mendim, që nuk përfundon në një analizë të tillë, pushon së qeni një mendim i vlefshëm. Duhet të nisesh nga qenia ose të mbërrish tek analiza e saj, si Heidegger. Pra, objekti i studimit duhet të jetë me çdo kusht qenia; kjo bën të mundur një analizë më të hollësishme të problemeve, që lidhen me filozofinë e përditshme.
Ideologjia nuk është një filozofi e përbërë, e përsiatur e pasqyruese, por është një tërësi idesh që qëndron në themel të veprimeve tjetërsuese duke i pasqyruar ato, dhe që s'ka thënë ende plotësisht fjalën e saj nën një formë të caktuar, por që shfaqet nëpërmjet ideve të përditshme të një epoke dhe shoqërie të dhënë.
Ideologjitë përfaqësojnë pushtetin dhe janë aktive. Filozofët u kundërvihen ideologjive, megjithëse këto të fundit i pasqyrojnë në njëfarë mase gjithnjë duke i kritikuar dhe tejkaluar. Kujdes, sepse ideologjia aktualisht ekziston te vetë ata që ngjiren se u duhet dhënë fund ideologjive.
Asnjëherë nuk kam predikuar moralin e mosinteresimit. Ajo që i bën moralet të vështira, nuk është pikërisht ky aspekt, por janë, për shembull, problemet politike dhe konkrete që duhen zgjidhur. Siç del në pah edhe te Saint Genet, unë mendoj se aktualisht gjendja që përjetojmë, shoqëria dhe dijet janë të tilla, që nuk na lejojnë rindërtimin e një morali me të njëjtën natyrë vlerash si në të kaluarën. Për shembull, nuk mundemi të krijojmë një moral të frymëzuar nga mendimi kantian, që të ketë të njëjtën vlerë me moralin kantian. Kjo për faktin se kategoritë morale, në pjesën më të madhe, varen nga struktura e shoqërisë ku jetojmë dhe këto struktura nuk janë as shumë të thjeshta, as shumë të ndërlikuara, që të mundim të krijojmë koncepte morale.
Ne jetojmë në një periudhë ku morali mungon ose, më saktë, ku ka morale, por janë ose të dala mode, ose tejet të veçanta. Kurrë nuk më kanë detyruar t'u rikthehem ideve të mia. Mbase jam një filozof kokëfort! Kam lexuar, kam parë se kishte gjëra që nuk shkonin, por më pas kam vazhduar të bëj atë që isha duke bërë.
Për mua, filozofia është gjithçka.
Sepse jetojmë në filozofi. Unë jetoj me filozofinë; kjo nuk do të thotë se jetoj si filozof, por se perceptimet e mia janë perceptime filozofike, edhe kur shoh këtë llambë, edhe kur ju shoh ju. Si rrjedhojë, ajo përfaqëson një mënyrë të jetuari dhe, t'i lëmë mënjanë fjalët e mëdha, unë mendoj se ajo duhet mësuar sa më shpejt.

Përktheu Luiza Prifti

Related

Letërsi 8761452639111192301

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item