Egjipti: Idetë e islamistit radikal rikthehen

Sajid Kutub njihet si fryma revolucionare mes teologëve islamikë, e kundërta e hanefizmit. Kjo figurë është rikthyer në vëmendjen e islamist...

Sajid Kutub njihet si fryma revolucionare mes teologëve islamikë, e kundërta e hanefizmit. Kjo figurë është rikthyer në vëmendjen e islamistëve egjiptianë së fundmi, me rreziqe të mëdha

TOM PERRY dhe ABDELRAHMAN YOUSSEF, Reuters


Islamistët e rinj egjiptianë që po kërkojnë se si të përballen me shtetin e udhëhequr nga ushtarakët po u rikthehen ideve të një ideologu radikal, i cili zhvilloi të njëjtën betejë gjysmëshekulli më parë dhe që më vonë u bë burimi i frymëzimit për Al-Kaedën.
Idetë revolucionare të Sajid Kutub, një udhëheqës i Vëllazërisë Myslimane që u ekzekutua më 1966, po përhapen mes islamistëve që e shohin veten në një betejë të hapur kundër gjeneralëve që rrëzuan presidentin Mohamed Mursi korrikun e kaluar.
Konkluzionet e tyre radikale theksojnë rrezikun me të cilin përballet vendi që është sot më i ndarë se kurrë më parë në historinë moderne: Pas rënies së Mursit, shteti vrau qindra islamistë dhe sulmet mbi forcat e sigurisë janë bërë ngjarje të zakonshme.
Shkrimet e Kutub, shumica e të cilave u realizuan ndërsa qe në burgjet e Presidentit Gamal Abdel Naser, kanë furnizuar me karburant ideologjik militantët në Egjipt për shumë dhe shumë dekada.
Ai cilësohet si burim frymëzimi për Ajman al-Zauahirin, mjekun egjiptian që qe zëvendës i Osama bin Laden si udhëheqës i Al-Kaedës dhe që mori nën kontroll këtë rrjet pas vdekjes së Bin Laden në vitin 2009.
Brenda Vëllazërisë Myslimane, e cila dekada më parë e shpalli veten si kundërshtare e dhunës, shkrimet e Kutubit janë gjerësisht të respektuara, por përqasja e tij revolucionare kaloi në plan të dytë kur lëvizja 85-vjeçare u përpoq të kërkonte pushtet brenda sistemit.
Por jo më, thotë Omar Magdi, 23 vjeç, aktivist i Vëllazërisë, i cili e krahason shtypjen e islamistëve sot me atë të kohës së Naserit.
“Koha kur Sajid Kutub shkroi veprën e tij i ngjan shumë kësaj që po jetojmë ne, kështu që idetë e tij po rilindin”, shpjegoi Magdi në një kafe me pamje nga deti në Aleksandri. “Sajid Kutub mishëron idenë islamiste revolucionare. Unë e mbështes atë”.
Pas rënies së Hosni Mubarak më 2011, Vëllazëria ndoqi axhendën e vet përmes kutive të votimit, duke u mbështetur te muskujt e vet organizativë për të fituar dy palë zgjedhjesh parlamentare, një votim për president dhe dy referendume kushtetuese.
Por pas gjithë kësaj, në korrik ata u mposhtën kur ushtarakët, duke iu përgjigjur demonstrimeve masive kundër Mursit, rrëzuan presidentin e parë të dalë nga zgjedhje të lira të Egjiptit dhe filluan një fushatë shtypjeje kundër ndjekësve të tij.
Mijëra janë arrestuar dhe qindra prej tyre janë vrarë, veçanërisht në sulmimin kundër kampit të protestës pro-Mursi, ngjarje që islamistët e shohin si një masakër që dëshmoi se gjeneralët dëshironin të shfarosnin Vëllazërinë një herë e mirë.
Që nga rënia e Mursit, Vëllazëria ka përjetuar një krizë ideologjike. Për shumë të rinj, idetë e demokracisë – madje edhe vetë koncepti i shtetit komb – është diskretituar.
Magdi, 23 vjeç, thotë se edhe xhaxhai i tij qe mes të vrarëve nga policia. Ai rikujton Kutubin duke e krahasuar Egjiptin me Xhahilinë – periudhën para shfaqjes së Islamit në Arabinë e shekullit të shtatë.
“A ka shoqëria tiparet e Xhahilëve? Po, ajo i ka”, thotë ai.
Bejetë
Kutub qe një nga mijëra islamistët që u torturuan në burgje në kohën e Naserit. Ai në fund doli në gjyq dhe u ekzekutua për shkak se kishte bërë thirrje për rrëzimin e shtetit.
Udhëheqësi i Vëllazërisë, Mohamed Badie, vuajti ca kohë burg bashkë me Kutubin në vitet 1960, njësoj si Mahmoud Ezat, një figurë me shumë ndikim dhe një nga të paktët udhëheqës të Vëllazërisë që gjendet në arrati e i ka shpëtuar arrestimit deri tani, Kutubi është cituar si një ndikim madhor për të dy.
Vepra e tij kryesore politike, “Guri Kilometrit”, u ndalua në Egjipt deri në vitet 1990. Pas publikimit të tij, zyrtarët e estabilishmentit islamik të Egjiptit i shpallën disa nga idetë e Kutubit si blasfemi. Shkrimet e tij kanë shkaktuar debate edhe brenda vetë Vëllazërisë.
Madgi thotë vepra e Kutub është më gjerësisht e diskutuar tani sesa kurrë më parë mes islamistëve, të cilët mendojnë se po mësojnë nga gabimet dhe tashmë gjykojnë se e kanë pasur gabim që kanë besuar te ndryshimi gradual.
“Mursi po bënte betejë pas beteje për të reformuar shtetin. Unë shoh se duhet të bëjmë betejë për të shkatërruar institucionet e shtetit”, thotë Magdi. Kur u pyet se si, Madgi përsëriti qëndrimin zyrtar të Vëllazërisë: “Aktivizëm popullor paqësor kundër sundimit të ushtarakëve”.
Por islamistë të tjerë po ndjekin më hapur logjikën revolucionare përmes konkluzioneve më ekstreme: dhuna është rruga për të ecur përpara.
“Ideja tashmë po diskutohet”, tha një aktivist tjetër islamist, gjithashtu në të njëzetat, që kërkoi të mos identifikohet. “Edhe thjesht të menduarit për të qe frikësuese. Por tani, në një farë mase, është e pranueshme”.
“Nuk ka rrugë të mesme”
Khalil al-Anani, një ekspert në lëvizjet islamike me bazë në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, tha se Vëllazëria po përjeton “një krizë shpirtërore”.
“Pas grushtit të shtetit, shumë nga baza humbën shpresën te politika, humbën shpresën te demokracia dhe shikojnë konfliktin politik nga një këndvështrim fetar: për përplasje mes besimtarëve dhe jobesimtarëve”, thotë ai. “Kjo ide vjen më së shumti nga Sajit Kutubi. Nuk ka rrugë të mesme”.
Pas rënies së Mubarak, edhe islamistët e vijës së ashpër ndoqën Vëllazërinë në politikën formale. Ata i vunë në rafte kundërshtimet e tyre ndaj demokracisë si sistem i huaj ndaj Islamit, krijuan parti dhe konkurruan në zgjedhje.
Tashmë, logjika e njerëzve të vijës së ashpër, të cilët gjithmonë gjetën dëgjues në periferi, po tingëllon më fort mes të rinjve që qenë pjesë të rrymave të moderuara deri kohët e fundit.
“A ka me të vërtetë ndonjë Vëlla diku atje që vijon të besojë… demokracia është rruga drejt qeverisjes islamike?” pyeti një aktivist i Vëllazërisë në një diskutim të kohëve të fundit në Facebook me anëtarë të tjerë të Vëllazërisë.
Vëllazëria, e cila vlerëson se ka deri në 1 milion anëtarë në një vend me 85 milionë banorë, është në telashe. Shtypja nga qeveria ka goditur kapacitetin e saj për t’u organizuar duke e bërë më të vështirë për të mbajtur në këmbë mesazhin zyrtar për rezistencë paqësore.
Grupime më radikale islamiste, disa të frymëzuara nga Al-Kaeda, kanë ndërhyrë duke përshkallëzuar sulmet e tyre kundër shtetit në Gadishullin e Sinait. Sulme të tilla janë përhapur edhe në zonat më të populluara të deltës së lumit Nil, duke arritur deri në Kajro. Rreth 200 oficerë dhe ushtarë janë vrarë që nga rrëzimi i Mursit.
Mbështetësit e shefit të ushtrisë Abdel Fatah al-Sisi po e krahasojnë atë me vetë Naserin, duke reflektuar polarizimin e thellë të kombit. Shteti i ka shpallur luftë terrorizmit. Në një narrativë që i bën jehonë viteve 1990 – kur militantët luftuan për herë të fundit një kryengritje të gjatë kundër shtetit të Egjiptit – Islamistët akuzojnë qeverinë që po përpiqet të provokojë një konfrontim të hapur.
“Shumë nga të rinjtë islamistë kanë filluar të rrëshqasin tek opsioni i dhunës pas grushtit të shtetit”, thotë një aktivist i pavarur islamist, që doli në kushtet e anonimatit për shkak të frikës nga arrestimet.
Në javët e fundit, aktivisti tha se ka arritur të bindë katër njerëz se rrëmbimi i armëve nuk është gjë e mirë. “Ata janë të dëshpëruar. Unë i thashë se nuk mund të përdorësh dhunë nga dëshpërimi”.
“Ata mund të kishin marrë dhjetëra të tjerë me vete”, shtoi ai.
Që nga rënia e Mursit, disa islamistë të Egjiptit në median sociale kanë filluar të bëjnë fushatë me slogane në mbështetje të idesë së një rendi pan-islamik: “Poshtë nacionalizmi – kufijtë janë vetëm toka”.
“E kemi parë këtë film më parë”
Ajo është ëndrra e islamistëve që nga kolapsi i Kalifatit Osman në fillim të shekullit të njëzetë dhe slogani shënon një sfidë radikale ndaj kufijve të kohës sonë në Lindje të Mesme e përputhet me mënyrën e të menduarit të Al-Kaedës. Ajo është gjithashtu një sfidë ndaj përqasjes së Vëllazërisë për të punuar brenda sistemit.
“Shumë të rinj islamistë janë të bindur për këtë. A po përhapet ajo? Po përhapet në një mënyrë të rrezikshme. Nëse përhapet pa u maturuar fillimisht, ajo do të prodhojë një Al-Kaeda të re”, thotë aktivisti.
Ecuria e ngjarjeve në Egjipt ka sjellë ndër mend një krahasim me Algjerinë, ku shteti braktisi eksperimentin me demokracinë më 1991 për shkak se islamistët patën sukses në votime, duke ndezur një dekadë luftë civile.
“Pas grushtit të shtetit në Algjeri, islamistët thanë: ‘Demokracia është idhulli i Perëndimit… Ne jemi mashtruar për të luajtur përmes rregullave demokratike’. Kjo është çfarë ndodhi në Algjeri, dhe unë mendoj se kemi hyrë në kushtet e Algjerisë”, thotë Mohamed Sofar, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Kajros, i cili shkroi tezën e tij të doktoraturës mbi Sajid Kutubin në Universitetin Free të Berlinit.
Por, duke parashikuar “një fazë kalimtare të zemërimit të të rinjve,” ai argumentoi se militantizmi në Egjipt në fund do të mposhtet nga eksperienca e vendit gjatë viteve 1970-1990, përfshirë vrasjen e vitit 1981 të Presidentit Anuar Sadat.
“Ne e kemi parë këtë film më parë dhe ne e dimë se si përfundon ai,: tha Sofar. “Disa grupime… ushqejnë këtë lloj mendimi dhe aksioni politik, por të gjitha kanë dështuar.”

Related

Shtypi i huaj 7753513330659600653

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item