Benxhamin Frenklin, figura e parë botërore amerikane

Si i kthyer Frenklin nga djali i një sapunbërësi në burrë shteti me famë botërore Nga Albana Melyshi Lifschin Benxhamin Frenklin lindi në 17...

Si i kthyer Frenklin nga djali i një sapunbërësi në burrë shteti me famë botërore
Nga Albana Melyshi Lifschin

Benxhamin Frenklin lindi në 17 janar, 1706 në Boston, Masaçusets. Benxhamin Frenklin ishte më i vjetri nga burrat e shquar që themeluan shtetin amerikan dhe i pari amerikan i nderuar në Evropë si shkencëtar dhe burrë shteti, si mbrojtës i të drejtave të kolonive amerikane para mbretit të Anglisë.
Benxhamin Frenklini përfaqëson suksesin amerikan: nga djali i një sapunbërësi, me punë të madhe e të pavarur ai e ngriti veten në lartësinë e madhështisë. Biografi i tij Alfred Tamarin e përmbledh kështu rritjen e personalitetit të Benxhamin Frenklinit.
“Benxhamin Frenklin ishte amerikani i parë që u bë figurë botërore. Nga një djalë i ri me prirje për shkollë ai u bë shkencëtar, shpikës, legjislator, diplomat dhe burrë shteti me famë botërore”.
Emri i Benxhamin Franklinit është i vetmi emër të cilin e shohim në katër dokumentet kryesore të themelimit të Shteteve të Bashkuara: Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, Traktatit të Aleancës me Francën dhe Traktatin e paqes me Anglinë.
* * *
Në fëmijërinë e tij Benxhamini ndihmonte të atin në bërjen e qirinjve e sapunëve, pastaj u bë ndihmës i të vëllait në shtypjen e gazetave. Duke punuar nga mëngjesi në mbrëmje, në mënyrën primitive siç dilte gazeta ato kohë, djali i ri ra në dashuri me fjalën e shkruar. Ai lexonte çdo gjë që i binte në dorë, tekste shkolle apo literaturë artistike, historike, filozofike e çdo gjë. I mblidhte qindarkat vetëm me një qëllim: për të blerë libra. Kur i vëllai i tij Xhejms, themeloi gazetën New England Courant, Benxhamini 15 vjeçar filloi të shkruante artikuj për gazetën dhe fshehurazi nga i vëllai i fuste ato poshtë derës, dhe nuk tregonte se autori i atyre shkrimeve ishte pikërisht ai, nga frika se i vëllai nuk do t’ia botonte.
Në tetor 1723, Benxhamin Frenklini, 17 vjeçar, shkoi në Filadelfia i vendosur për të nisur jetën e tij të pavarur. Shumë shpejt ai kombinoi aftësitë e tij si punonjës shtypshkronje me talentin e tij si shkrimtar dhe doli me botimin e gazetës se Pensilvanisë (Pennsilvanya Gazzete) Një nga sukseset e tij të kësaj periudhe është Almanaku enciklopedik i përvitshëm (Poor Richards’s Almanack) që u botua nga 1733 deri në 1758. Almanakët në kohën që jetoi Benxhamin Franklini ishin shumë të përhapur. Bibla dhe Almanaku ishin dy librat më të gjendur në  shtëpitë e qytetarëve. Njerëzit u referoheshin almanakëve si burim informacioni për shumë gjëra të jetës së përditshme duke filluar që nga këshillat për mirëmbajtjen e shtëpisë, recetave të ndryshme e deri tek poezitë dhe proverbat. Essetë e almanakut frymëzonin njerëzit, i sqaronin ata dhe i mbanin në korent me jetën e civilizuar. Nëpërmjet proverbave botuar në almanakun e tij, Frenklini formoi reputacionin e tij si filozof moralist, komentator i natyrës njerëzore. Në ato thënie të shkurtra, lexuesi shikonte mençurinë dhe humorin e Benxhamin Frenklinit.
Në Almanakun e Benxhamin Frenklinit gjejmë thënie si:
“Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten;”
“S’ka fitore pa dhimbje”.
“Mos gjuaj me gur tek komshinjtë kur dritaret e tua i ke prej xhami”.
“Ai që nuk di të bindet, nuk di as të komandojë.”
“Tre vetë mund ta mbajnë sekretin, nëse dy prej tyre janë të vdekur”.
“Dita e sotme është sa dy të nesërme”.
Mendja e tij ishte e palodhur. Ai kërkonte ta bënte jetën sa më të lehtë për njerëzit duke kërkuar zgjidhje praktike. Nga shpikjet praktike të Benxhamin Frenklinit që ndryshoi jetën e familjeve dhe veçanërisht të gruas ishte soba e ngrohjes. Soba e parë e bërë prej tij datohet e vitit 1740. Deri atë kohë njerëzit mblidheshin rreth oxhakut i cili ishte i vetmi vend i zjarrit, i ngrohjes në shtëpira. Benxhamin Frenklini e shpjegonte kështu rëndësinë dhe avantazhet e sobës: “Soba e ngroh dhomën në tërësi dhe në këtë mënyrë njerëzit e familjes nuk është nevoja të mblidhen rreth oxhakut si më parë për t’u ngrohur, por mund të qëndrojnë ulur edhe pranë dritares ndërsa lexojnë, shkruajnë, bëjnë triko, etj. Megjithëse patenta e kësaj shpikje mund t’i sillte fitime, Benxhamin Frenklini refuzoi të përfitonte duke thënë se “ashtu sikurse gëzojmë shpikjet e të tjerëve, ashtu duhet të kemi edhe kënaqësi t’u shërbejmë të tjerëve me shpikjet tona dhe kjo duhet bërë gratis dhe me gjenerozitet.”
Një shpikje tjetër praktike që ndihmoi miliona njerëz ishin syzat bifokale. Duke u plakur Benxhamin Frenklini vuri re që kishte nevojë për dy palë syze, një palë për distancë të largët dhe një palë të tjera për të parë sendet nga afër.
Ai kishte syze për larg. Të mbante me vete dy palë syze nuk ishte praktike. Në moshën 79 vjeçare Bexhamini filloi të vriste mendjen për një zgjidhje. Nëse të dy palët e syzeve do të mund të “bashkoheshin” duke formuar një palë syze të vetme, kjo do të qe zgjidhja më ideale. Në këtë mënyrë, gjykoi ai, njeriu vështron poshtë kur sheh sendet e imta, dhe ngre sytë kur do të shohë sendet në largësi. Kjo ide u realizua në vitin 1784. Shpikja e tij i bëri punë jo vetem Benxhamin Frenklinit, por edhe miliona njerëzve të tjerë edhe madje dyqind vjet pas vdekjes së tij.
***
Fillimisht Benxhamin Frenklini e donte Anglinë, vendin ”mëmë” por me kalimin e kohës zhvilloi mendimin se kolonitë amerikane duhet të vetëqeveriseshin. Këto pikëpamje për herë të parë u shfaqën në vitin 1751 në një esse të tijën lidhur me rritjen e njerëzimit dhe popullimin e vendeve, ku midis të tjerash, pasi përshkruan gjerësinë e pafund të Amerikës  hedh idenë se Amerika “duhet të jetë e lirë të kontrollojë zhvillimin e saj të brendshëm”.
Në 1757 Asambleja e Pensilvanisë e dërgoi Benxhamin Franklinin në Angli si përfaqësues të saj. Ai u përpoq të shkëpuste nga mbreti sa me shumë liri e të drejta për kolonistët e Pensilvanisë.
Në një nga udhëtimet e tij në Angli, Benxhamini mori me vete edhe të birin, Uilliamin, i cili bëri në Londër miq të fuqishëm që më pas e ndihmuan të fitonte postin e guvernatorit të Nju Xhërsit. Me kalimin e kohës at e bir zhvilluan pikëpamje të ndryshme lidhur me çështjen e pavarësisë së kolonive që i vunë në opozitë me njëri tjetrin. Në letrat që dërgonte nga Anglia, Frenklini e këshillonte të birin ta shikonte të vërtetën ashtu siç ishte, ndryshe do të ndodhej në pozitë të pakënaqshme kur të fillonte revolucioni amerikan. Në mes të tjerash Frenklini shkruante: “Unë mendoj që pavarësia (e Amerikës) është më e nderuar se çdo shërbim në shërbim të Anglisë.”
Frenklini qëndroi në Angli si përfaqësues i kolonive për një dekade të tërë deri sa u pa se lufta e kolonive për pavarësi nga Anglia u bë e pashmangshme. Në 1775 ai u zgjodh delegat i Pensilvanisë në Kongresin e dytë Kontinental duke frymëzuar shkëputjen me luftë nga Anglia dhe vetqeverisjen e kolonive.
Firmosja e Deklaratës së Pavarësisë  ishte një akt shumë kurajoz pasi për Anglinë kjo do të thoshte tradhëti dhe dënohej me vdekje. E paharruar ka mbetur shprehja e Benxhamin Franklinit në momentin e firmosjes së Deklaratës së Pavarësisë. Kur delegatët po firmosnin Deklaratën, Xhon Henkok tha se deklarata duhej firmosur nga të gjithë pasi “ne duhet të qëndrojmë sëbashku.” Benxhamin Frenklini u përgjigj me humor me atë frazë që mbeti historike: “Po, ne duhet të qëndrojmë sëbashku, ndryshe do të na varin një e nga një”.
***
Në tetor 1776 kongresi e dërgoi Benxhamin Frenklin në Paris për të siguruar ndihmë financiare dhe ushtarake për luftën e kolonive amerikane kundër Anglisë. Atje ai u prit si simbol i Botës së re. Reputacioni i Benxhamin Frenklinit në qeverinë e sallonet franceze qe i jashtëzakonshëm. Ata vlerësonin tek ai shkencëtarin, politikanin, shkrimtarin dhe sjelljet e tij mondane. Frenklini në Paris respektohej e admirohej. Portreti i tij gdhendej, varej në korniza, stampohej në pjatanca shtëpie, dhe francezëve u pëlqente të blinin diçka që u kujtonte atë. Piktorët e ftonin të pozonte për ta sa Frenklini ndihej i lodhur dhe i mërzitur nga të gjitha këto, megjithatë sensi i humorit nuk i mungoi asnjëherë. Kur mbretëresha Mari Antuanetë, të cilës disa vjet më pas revolucioni francez do i priste kokën në gijotinë, e quajti Frenklinin “l’ambassador electrique,” Frenklini iu përgjigj se sytë e saj në një javë të vetme bënin më shumë dëm, se gjithë eksperimentet e tij të elektricitetit sëbashku. Ishte pikërisht reputacioni i tij që ndihmoi Benxhamin Frenklinin të siguronte mbështetjen e Francës në luftën me Anglinë. Benxhamin Frenklini i bindi francezët të mbanin anën e Amerikës kundër armikut të përbashkët dhe armikut tradicional të francezëve, Anglisë.
Me fitoren e Saratogës, në tetor 1777, ku gjenerali anglez Burgoyne u dorëzua, mbreti francez deklaroi se ishte gati te firmoste një marrëveshje sipas së cilës ai njihte pavarësinë e Amerikës dhe i premtonte ndihmë në luftën kundër Britanisë së Madhe. Traktati u firmos në shkurt të vitit 1778. Aleanca ekonomike dhe ushtarake që ai siguroi me Francën ishte një pikë kthese në historinë e revolucionit amerikan.
Në gusht 1781, Benxhamin Frenklini, Xhon Adamsi dhe Xhon Xhej u ngarkuan të zhvillonin bisedimet e paqes me Britaninë e madhe. Për tre muajt e parë Frenklini lozi rolin kryesor në këto bisedime të cilat në nëntor 1782 sollën një traktat paqe, pararendës të Traktatit të Parisit, të firmosur në 3 Shtator, 1783. Në artikullin e parë të tij thuhej se madhëria e tij britanike i njihte Shtetet e Bashkuara si “të lira dhe indipendente”.
Benxhamin Frenklini u kthye në Amerikë në 1785 dhe vazhdoi të mbetej aktiv në jetën politike të vendit deri në fund të jetës së tij. Në 1787 në moshën 81 vjeç ai u zgjodh delegat i Mbledhjes për hartimin e Kushtetutës. Në 17 Shtator 1787 delegatët e Mbledhjes Kushtetuese u mblodhën për herë të fundit në Hollin e Indipendences për të firmosur projekt-Kushtetutën që kishin muaj që po e diskutonin. Fjala e tij në mbledhjen kushtetuese ndihmoi në bashkimin e delegatëve për aprovimin e saj.
Akti i fundit publik gjenial i Benxhamin Frenklinit ishte ai i 12 shkurtit 1790 kur firmosi një peticion drejtuar kongresit amerikan mbi skllavërinë të cilën e karakterizonte si një “tregti të urryer” dhe propozonte t’i jepej fund trafikimit të skllevërve. Benxhami Frenklini kishte formuar shoqërinë e parë amerikane që kërkonte zhdukjen e skllavërisë. Benxhamin Frenklini vdiq vetëm dy muaj më pas, në 17 Prill duke lënë pas tij kujtimin e një figurë legjendare.

Nga libri “Udhëtim në Historinë Amerikane”

Related

Suplement 6927785457424102162

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item