Antropologu gjerman, si i pa burrat e veriut të vajtonin

 Rajmer Shulc Për herë të parë/ Fotografitë e rralla të vitit 1937 të antropologut gjerman gjatë udhëtimit në Shqipëri Varrimi dhe kulti i t...


 Rajmer Shulc

Për herë të parë/ Fotografitë e rralla të vitit 1937 të antropologut gjerman gjatë udhëtimit në Shqipëri
Varrimi dhe kulti i të vdekurve te malësorët

Në vitin 1937, antropologu gjerman dr. Rajmer Shulc (Reimer Schulz – vdekur në vitin 1941) i ngarkuar nga “Zyra për studime racore” në Vajmar të Tyringisë, niset me një ekspeditë gjermano-italiane ne Alpet e Shqipërisë së Veriut. Gjatë një qëndrimi të gjatë në Theth të Dukagjinit, në kuadrin e shkencës përmbi racat, shkencë tashmë e braktisur dhe me emër të keq, ai hulumtoi për format trupore dhe tiparet fizionomike të banorëve vendas. Ai bëri edhe mbi dyqind foto, fati i të cilave tani nuk dihet. Siç përshkruhet edhe më poshtë, Shulci mori pjesë edhe në një varrim, duke bërë me këtë rast edhe fotografitë e rralla që dalin më poshtë


Nik Ndou, përkthyesi ynë, erdhi në kamp më herët se zakonisht. Ishte ora gjashtë e mëngjesit. Që herët në agim nëpër luginë kishte ushtuar jehona e një thirrjeje të gjatë. Kishte filluar nga ana e veriut, ishte përplasur shpat më shpat, derisa sa ishte shuar pastaj në fundin e luginës.
“Telefoni shqiptar”. Kështu e quanin austriakët mënyrën e sajuar mjeshtërisht të transmetimit të lajmit nëpërmjet thirrjes dhe shfrytëzimit të jehonës që përdornin malësorët, banorët, zakonisht katolikë, të Alpeve të Shqipërisë së Veriut. Dhe tani ai donte të na e shpjegonte edhe neve se përse kishte ardhur sot më herët se ditët e tjera. Por ai nuk nxitonte: shqiptari nuk nxiton kurrë.
Nga Niku mësuam se Ujk Vuksani, një katundar i pasur në lagjen veriore, kishte vdekur natën e kaluar dhe sot do të varrosej. Niku donte të shkonte në varrim; shkuam edhe ne.
Varrimi dhe ceremonia përkatëse tek malësorët zgjat tërë ditën, shpesh edhe deri natën vonë. Vijnë nga janë e nga s`janë edhe nipëria e fisit për tu shprehur ngushëllimet të afërmve të të vdekurit dhe për të marrë pjesë në sofrën mortore.
Arritëm në shtëpinë e të vdekurit pasdite vonë. Së bashku me Nikun ne shkuam në shtëpinë e të vëllait të të vdekurit në oborrin e kësaj shtëpie ishin grumbulluar haje për shumë përzitarë.
Para derës së shtëpisë na priste i vëllai i të vdekurit.
Ne e ngushëlluam atë dhe të birin e tij me fjalët: “Paçi baftin!” Burri na u përgjigj me të njëjtën formulë dhe na priu nga stalla në katin e parë, sipër në kullë, në dhomën e ndenjes. Në stallë, nëpër shkallë dhe sipër në kullë përzitarë në këmbë apo, galiç. Në kullë ishin shtruar pesë sofra të ulëta. Përreth çdo sofre dhjetë burra ulur këmbëkryq. Dhe për të zënë sa më pak vend afronin vetëm anën e djathtë tek sofra. Sollën bukë misri dhe djathë. Njëri nga burrat në sofër e ndante rrotën e madhe të bukës dhe djathin. Një shtambë me ujë vinte rreth. Pastaj sollën kaçamak me gjalpë të shkrirë përsipër. Në çdo sofër një sahan i madh i drunjtë ku duhej ngrënë bashkërisht. Lugën e kishte sjellë secili me vete. Në fund sollën kos. Pas ngrënies u ndezën cigaret, që shqiptari i pi pothuajse vetëm gjatë bukës dhe para gjumit.
Pas bukës shkuam në shtëpinë ku ishte vendosur i vdekuri. Që jashtë dëgjuam vajin e grave që vazhdoi edhe pas hyrjes sonë. Gratë rrinin rreth e përqark kufomës. Një grua tek koka përzinte mizat me një tufë fieri. I vdekuri ishte veshur me petkat e tij të mira. Pjesa e sipërme e trupit veshur me një xhamadan të qëndisur bujarisht, siç e mbajnë tani vetëm më të moshuarit.
Koka mbështjellë me një pëlhurë të bardhë, të pastër që mbulonte edhe fesin e ri të leshtë. Mbi xhamadan dekoratat e të vdekurit, një turke dhe një austriake, varur me nga një zinxhir filigrani të punuar hollë. Pranë trupit gjerdani i fishekëve, i mbushur plot, një kobure poshtë tij, nga ana tjetër pushka. Një shall i gjatë, larush, mbështjellë përreth trupit. Tirq të leshtë, të bardhë, me gajtanë të zinj, çorape të punuara mjeshtërisht dhe opinga shqiptare me majë, përfundonin veshjen e burrit të vdekur. Një cigarishte me cigare futur midis gishtave. Tri mollë, një tufë gjethesh duhani, një kuti duhani dhe një shishe raki pranë krahut të të vdekurit. Si shenjë të bujarisë dhe mikpritjes së të ndjerit. Pasdite kufoma çohet në varreza vendosur mbi një vig të ngushtë.
Dy dërrasa të shtruara pranë një peme. I vdekuri vendoset mbi to, së bashku me të gjitha sendet e veta. Gratë e fisit rregullojnë edhe një herë petkat e të vdekurit, ndreqin pëlhurën e kokës dhe përzënë mizat me tufën e fierit. Pastaj disa burra fillojnë të gërmojnë varrin. Dymbëdhjetë burra ndërkaq qëndrojnë mënjanë. Pothuaj nja njëqind metër larg ata radhiten në dy radhë përballë njëri-tjetrit. Prijësi në mes. Ai përthyen pak gjunjët, mbushet me frymë. Fillon gjama e anëtarëve të fisit. Një ofshamë e lartë: “Mjeri, -o, o, vëllathi em, mjeri -o, o, eh, eh!” Thirrja përsëritet me zë të lartë dhe të fortë. Gjama shoqërohet me gjeste: rrihet kraharori, gërvishten tëmthat.
Pastaj burrat zënë hundën dhe ofshajnë: “Eh, eh, eh”.
Grupi i afrohet disa hapa të vdekurit dhe përsërit të njëjtën radhë gjestesh dhe vajtimesh. Deri sa burrat vijnë fare pranë të vdekurit. Formojnë një gjysmërreth, përsërisin edhe një herë gjamën e tyre, pastaj bien në gjunjë, përkulen përpara, peshojnë mbi njërën dorë dhe e ngjeshin pas trupit tjetrën: “Mjeri, o, o, o!” Gjama përsëritet disa herë, më e fortë, më e fuqishme. Pastaj vjen i vëllai i të ndjerit. Ai i vë dorën në sup gjamëtarëve duke u treguar se mjafton me kaq. Kushërinjtë i japin fund gjamës dhe çohen në këmbë. Dhe seriozë, hiqen mënjanë e ndezin cigaret.
Pastaj është radha e grave të ngjishen galiç përreth të vdekurit. Një vajzë e re mbulon fytyrën me shaminë e saj dhe fillon vajin e grave. Çdo fraze që shqipton ajo, gratë e tjera e përcjellin me ofshama: “Eh, eh, eh!”. Vajza qan të atin e mirë, që tani iku përgjithmonë, tregon për jetën e tij, rrëfen për familjen tij, fëmijët, virtytet, mikpritjen e tij, për vuajtjet dhe vdekjen e tij. Vaji i grave vazhdon për ndonjë gjysmë ore dhe përfundon me britma dhe ofshama.
Ne kthehemi në çadrat tona. Gjer në mesnatë dëgjojmë britmat e egra dhe gjamën e burrave që çan errësirën e natës. Pastaj i vdekuri vendoset në gropën e varrit të shtruar me gjethe, dy dërrasat i vihen përsipër dhe fillon mbushja me dhe.
Gjama e malësorëve, banorëve kryesisht dinarikë të Alpeve të Shqipërisë së Veriut, paraqet një tablo prekëse të lidhjes së gjakut midis katundarëve dhe barinjve të thjeshtë. Secili nga të afërmit që merr pjesë në gjamë e ndjen veten mbartës të një riti kulti. Secili individ i bashkësisë së gjamës është serioz dhe i vetëdijshëm, i përkushtuar dhe i zellshëm, por kurrsesi nuk bie në ekstazë dhe demonizëm. Mbartës i kultit nuk është ndonjë bashkësi burrash, apo e fshehtë, por fisi që në mënyrë krejt të hapur i jep lamtumirën pjesëtarit të tij të vdekur.
Përktheu dhe përgatiti Afrim Koçi
Standard

Related

Kultura 8071119377743354880

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item