Superfuqia rri e vështron…

The Economist “Përse të gjithë janë kaq të etur të përdorin forcën ushtarake?” Presidenti amerikan pati një shpërthim të pazakontë irritimi ...

The Economist

“Përse të gjithë janë kaq të etur të përdorin forcën ushtarake?” Presidenti amerikan pati një shpërthim të pazakontë irritimi në 28 prill, kur gjatë udhëtimit në Azi i bënë një pyetje për “dobësinë” e vendit që udhëheq. Barak Obama tha se administrata e tij po bën përparim të qëndrueshëm, ndonëse jo spektakolar. Duke e nxitur drejt luftërave, kritikët vetëm sa e dëmtojnë Amerikën.
Obama thjeshtë po kanalizonte atë që është gjendja shpirtërore mbizotëruese e popullit të tij sot, i lodhur nga gjaku dhe pasuria që janë shpenzuar në Irak dhe Afganistan. Një sondazh i kryer vjeshtën e kaluar nga Pew Research Center zbulon se 52% duan që Amerika “të shohë punën e saj në skenën ndërkombëtare”, shifra më e lartë kjo në pesë dekada sondazhe. Por, kur presidenti i Amerikës flet për maturi, ajo që bota dëgjon është në fakt hezitim – sidomos kur vjen puna tek çështja themelore e çdo superfuqie, që është gatishmëria e saj për të luftuar.
Për aleatët më të ekspozuar të Amerikës, kjo gatishmëri është tashmë në dyshim. Për disa dekada, garancia që Amerika jepte për sigurinë, qëndronte në themel të politikës së jashtme të Japonisë. Tani, gjatë udhëtimit të tij aziatik, Obamës iu desh të rigarantojë japonezët se mund të mbështetet tek Amerika, nëse Kina do të pushtojë ishujt Senkaku (dhe që Kina i quan Diaoyus). Pas ndihmës së vakët që ai dha për ndërhyrjet në Libi dhe Mali, si dhe pas sprapsjes në Siri, tashmë Izraeli, Arabia Saudite dhe një seri emiratësh të Gjirit Persik pyesin veten nëse Amerika do të vazhdojë “të ruajë rendin” në Lindjen e Mesme. Dhe ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin përçan Ukrainën, europiano-lindorët nisin e tremben se mos u ka ardhur radha.
Secila situatë është e ndryshme, por në politikën globale, këto jehona forcojnë njëra-tjetrën. Aziatikët mbajnë mend që në vitin 1994, në këmbim të dorëzimit të armëve bërthamore, Ukraina mori një garanci nga Rusia, Amerika dhe Britania se kufijtë e saj ishin të sigurtë. Shtetet balltike kujtojnë vijat e kuqe që u hoqën në Siri. Princët arabë dhe ambasadorët kinezë numërojnë senatorët republikanë që përqafojnë izolacionizmin. Të gjitha bashkë, këto tërheqje të superfuqisë mbjellin një dyshim trazues mes miqve dhe armiqve që, kur të vijë dita e madhe, Amerika thjeshtë nuk do të duket gjëkundi.
Rrënjë e helmuar
Sigurisht, strategjia e parandalimit dhe përmbajtjes ka gjithmonë një element dyshimi. Ndërmjet sigurisë që çdo president amerikan do të mbrojë territorin e vetë Amerikës dhe besimin e fortë që Amerika nuk do të bëjë luftë me Rusinë për Ukrainën, ka një kombinim të pafundëm mundësish. Shumë gjëra varen nga mënyra se si shpaloset secili incident. Por, në këtë hapësirë të ndërmjetme, dyshimi është përhapur me shpejtësi dhe ai rrezikon ta bëjë botën një vend më të rrezikshëm e të keq.
Tashmë, fuqitë rajonale janë edhe më të prirura të dominojnë fqinjët e tyre. Kina po i shfaq në mënyrë më agresive pretendimet e saj territorialë, Rusia po ndërhyn më paturpësisht. Në vitin 2013, për herë të parë Azia shpenzoi më shumë për prodhim dhe blerje armësh se sa Europa, një shenjë që këta vende i kanë bërë llogaritë se do të duhet të mbrojnë vetveten. Nëse Obama nuk arrin të bëjë një marrëveshje me Iranin, atëherë Lindjen e Mesme e pret makthi i përhapjes bërthamore. Dhe më e rëndësishmja, dyshimi ushqen vetveten. Nëse fqinji po armatoset dhe superfuqia nuk dërgon dot anije me armë, atëherë bën mirë të armatosesh vetë. Dhe për çdo udhëheqës që vajton taktikat e Putinit, ka një tjetër që studion se si t’i kopjojë.
Lojëra të tilla të mendjes në Ukrainën lindore apo në Detin e Jugut të Kinës mund të ndihen shumë larg Toledos apo Torinos. Por në fund, Perëndimi do ta paguajë shtrenjtë prishjen e rendit global. Normat ndërkombëtare, si liria e lundrimit do të dobësohen. Shumicat do të ndihen më të lira të abuzojnë me pakicat, të cilat nga ana e tyre do të zhvendosen. Të mirat publike globale, si tregtia e lirë dhe ndotja më e ulët ndërkufitare do të jenë më të vështira për t’u ruajtur. Institucionet globalë do të jenë më pak elastikë. Mund t’i kuptosh amerikanët që acarohen me mosmirënjohjen e një bote që shfrytëzon fuqinë ekonomike, diplomatike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Por, edhe amerikanët vetë gëzojnë privilegjin e madh të veprimit në një sistem që u shkon shumë për shtat.
Dhimbje koke për hegjemonin
Kritikët që ia hedhin të gjithë fajin Obamës gabohen. Nuk ishte ai që dërgoi trupat në rrugët e Bagdadit, atje ku nisi të zbehet besueshmëria e Amerikës. Më e rëndësishmja, Amerika nuk mund të qëndronte kurrë në të njëjtat lartësi të dominimit global, që i arriti me kolapsin e Bashkimit Sovjetik. Teksa Kina shndërrohej në një gjigand, ishte e destinuar të kërkonte një zë më të fortë. Dhe presidenti shpesh herë ka marrë vendimin e duhur: askush nuk mendon që ai duhej të kishte dërguar trupa në Krime, pavarësisht shkeljes së marrëveshjes së 1994-ës.
Megjithatë, Obama e ka rënduar edhe më shumë një situatë të keqe, në dy drejtime. Së pari, ai ka shkelur rregullin kryesor të përmbajtjes së superfuqisë: duhet të mbash fjalën. Në Siri, ai hoqi “një vijë të kuqe”: do të ndëshkonte Bashar Assadin, nëse ai përdorte armë kimike. Diktatori sirian i përdori dhe Obama nuk bëri asgjë.  Në përgjigje të agresionit të Rusisë, ai kërcënoi me sanksione të ashpër, por që në fakt nuk rezultuan të tillë. Kishte arsyet e tij: Britania e braktisi në rastin e Sirisë, Europa ka nevojë për gazin e Rusisë, Kongresi është nervoz. Por, në fund, mesazhi që jepet është ai i dobësisë.
Së dyti, Obama ka qenë një mik i pavëmendshëm. Ai e ka mbështetur besimin e tij tek koalicionet diplomatikë të demokracive që mendojnë njësoj si Amerika. Kjo ka kuptim, por Obama nuk ka arritur të ndërtojë koalicione. Dhe përdorimi i diplomacisë për të përballuar “skuadrën e vështirë – si Irani dhe Siria – çon drejt lëshimeve, që nga ana e tyre shqetësojnë aleatët e Amerikës. Kredibiliteti lidhet me garancitë, por edhe me përdorimin e forcës.
Po kështu, kredibiliteti është i lehtë për t’u humbur dhe i vështirë për t’u rindërtuar. Në anën pozitive, Perëndimi i dobësuar siç e quajtëm pas situatës së Sirisë, është më i fortë nga sa mendon. Amerika qëndron mbi gjithë të tjerët për shpenzimet dhe përvojën ushtarake. Ndryshe nga Kina dhe Rusia, ajo ka një rrjet aleancash që nuk ka rivalë. Në vitet e fundit, Malajzia, Mianmari, Vietnami dhe Filipinet kanë lëvizur të gjithë drejt Amerikës, në kërkim të mbrojtjes nga Kina. Dhe ngjarjet mund t’i ndryshojnë perceptimet. Në vitin 1991, kur George Bushi i madh dërgoi trupat dhe goditi Sadam Huseinin, u shuan menjëherë zërat që flisnin për “sindromën e Vietnamit” në Amerikë.
Por nuk do të ketë shuarje zërash këtë herë, sa kohë që Perëndimi e merr kaq atë çfarë po humbet. Europianët mendojnë se mund ta gëzojnë sigurinë që u jep Amerika, pa paguar fare për të. Demokracitë e mëdha në zhvillim të botës, si India dhe Brazili bëjnë edhe më pak për të përkrahur sistemin nga i cili varen. Amerika kërkon vetëm shmangien e ngatërresave nëpër botë. Obama e nisi presidencën e tij, me botën që pyeste se si të zbuste Amerikën. Ai dhe vendi që udhëheq duhet ta kuptojnë që kjo pyetje ka ndryshuar./bota.al

Related

Shtypi i huaj 9095696075019908260

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item