PERSONAZH / Konfuci, urtësia përballë tiranisë

Në shekullin Vi p.e.s. në një Kinë të ndarë, Konfuci ëndërronte të rikthente perandorinë e virtutit dhe moralit, kur ishte Ministër shteti i...

Në shekullin Vi p.e.s. në një Kinë të ndarë, Konfuci ëndërronte të rikthente perandorinë e virtutit dhe moralit, kur ishte Ministër shteti i Lu-së. U shkarkua, por rregullat e tij do të përfaqësonin “fenë e shtetit” për dy mijëvjeçarë

Konfuci lindi në 551 p.e.s. në Shtetin e Lu-së (sot pjesë e provincës së Shangdong), në Kinë. Ishte bir i një pjesëtari të familjes Kong, komandant i lartë i ushtrisë së Lu-së, dhe i një vajze të re për të cilën dihet vetëm që vinte nga familja Yan. Emri i vërtetë i Konfucit ishte Kong Qju: pasi u pranua si mësues, ai mori emrin Kong Fuzi, mësuesi Kong. Emri Konfuc është thjeshtë latinizimi i emrit të tij kinez nga ana e jezuitit Matteo Ricci, misionar në vendin e madh lindor në vitet 1582 deri në 1610.
Ishte mësuesi themelues i Konfucianizmit, një fe e lindur si reagim ndaj një nevoje për rend, që ndihej shumë në një periudhë historike veçanërisht të trazuar për Kinën. Prej këtu u përhap më vonë edhe në Kore dhe Japoni.
Në kërkim të virtytit
Konfuci mbeti jetim që fëmijë; sipas atyre që thuhen në maksimat e tij, ai pati një fëmijëri të vështirë dhe për të mbijetuar iu desh të merrej me punë të ndryshme dore. Në moshën 19 vjeçare u martua me një vajzë e cila i dha shumë shpejt dy djem; në atë periudhë hyri në administratën e shtetit Lu. Nuk ka shumë informacione në lidhje me karrierën e tij, por duket se, nga një pozicion llogaritari të thjeshtë, ai mori postin e mbikëqyrësit të hangarëve, të fushave dhe të tufave publike të bagëtive të klanit të Jihuanzise, duke u bërë në fund një funksionar distrikti. Ngjitja e tij përfundimtare ndodhi kur u emërua Ministër i Punëve Publike dhe, pak më vonë, Ministër i Drejtësisë.
Kjo e fundit, ndryshe nga çfarë mund të duket, ishte një detyrë me rëndësi mesatare. Ndonëse Konfuci mund të merrte pjesë në disa dëgjesa të Princit të Lu-së, në të vërtetë ai ishte një vartës i kryeministrit. Pavarësisht kësaj, ai ushqeu shpresën që, nga ky pozicion, do të mund të çonte deri në fund një projekt të madh reformash të shtetit dhe shoqërisë.
Kina përjetonte atëherë të ashtuquajturën periudha Chunqiu (Pranvera dhe Vjeshta) në vitet 722-481 p.e.s., një epokë paqëndrueshmërie e shenjuar nga rënia e dinastisë perandorake të Zhou-së, e ngacmuar nga grupe tribalë të rajonit perëndimor. Kjo situatë i kish hapur rrugë lindjes së dukateve të vegjël, të angazhuar në luftëra të vazhdueshme, që përfshinë shumë familje të mëdha feudale, viktima të kryeministrave ambiciozë.
Dëshmitar i kolapsit të qytetërimit kinez, Konfuci u bë promotor, nga pozicioni i tij në qeverisje, i një politike që synonte rivendosjen e rendit dhe harmonisë së shoqërisë. Receta e tij ishte, në dukje, shumë e thjeshtë: bëhej fjalë për t’u rikthyer në vlerat e një epoke të lashtë, në fillesat e dinastisë Zhou, gjatë të cilës qeveria kishte demonstruar një respekt të pashembullt për ritualët e trashëguar nga dinastitë e mëparshme, si Shang. Koncepti i ritit, sipas Konfucit, përveç se kishte konotacion fetar, mund të interpretohet edhe si ruajtje e zakoneve të paraardhësve, që janë në themel të kulturës kineze. Respekti për ritualin ishte për të një mënyrë për të ruajtur rendin kozmik. Qeveria duhej të bazohej mbi virtytin dhe mbi respektin e fortë për ritualin; vetëm në këtë mënyrë do të ishte e mundur të ruhej harmonia në shoqëri dhe në univers.
Për Mësuesin e Madh, nëse një mbret qeveriste nëpërmjet virtytit, atëherë ligjet do të ishin të panevojshëm, për arsye se të qeverisurit nga ai nuk do të guxonin të ishin të pandershëm. Në fakt, si ministër i Lu-së, Konfuci u përpoq gjithmonë që të bënte të respektoheshin ritualët. Në një rast ai mori pjesë si ambasador në një takim me një princ të një shteti fqinj, por kur mbërriti kuptoi se ky ishte paraqitur i shoqëruar nga trupa të një populli jokinez, Lai, të cilët Konfuci i konsideronte barbarë.
Ministri kërkoi që princi të tërhiqte Lai-të, duke i vënë në dukje se “barbarët do të provokojnë mjerim mes popujve kinezë” si dhe e sinjalizoi që “nëse vazhdonte kështu, do të ishte i mallkuar nga shpirtërat, si dhe i papranueshëm nga njerëzit”.
Sovrani pranoi që të tërheqë ushtarët dhe marrëveshja u firmos, por më vonë lindi një tjetër fërkim. Princi organizoi një pritje për të gjithë zyrtarët me detyra të larta, por sipas Konfucit vendi i zgjedhur nuk ishte i përshtatshëm dhe sendet e porcelanit në dispozicion nuk ishin ata të duhurit për të festuar banketin në përputhje me ritet e vendosur: “Një banket duhet të shërbejë për të iluminuar virtytin. Nëse kjo nuk është e mundur, më mirë të mos festohet”.
Mendimtari udhëtues
Këmbëngulja e Konfucit për respektimin e riteve si dhe sjellja e tij e ngurtë morale e bënë atë një figurë të parehatshme për qeveritarët e vetë shtetit të Lu-së. Edhe propozimet e tij politikë nuk u ndoqën. Sipas Mencios, që ka jetuar në shekullin IV pe.e.s dhe i konsideruar si vazhduesi i rrugës së Konfucit, sovrani i Lu-së “nuk miratoi masat e propozuara nga Konfuci dhe as nuk përfitoi nga talenti i tij”, dhe shton se ata që e njihnin ministrin e kuptuan se “duhej që të largohej, sepse qeveritarët e Lu-së kishin vepruar në kundërshtim me ritet”.
Nga burimet rezultojnë dy rrethana të ndryshme gjatë të cilave Konfuci braktisi pushtetin në vitin 497 p.e.s. Sipas Dialogëve (Lun Yu, një përmbledhje e thënieve të tij), largimi ishte i lidhur me mosinteresimin që ai pa kundrejt qasjes morale të kryeministrit të Lu-së, i cili pranoi këngëtare dhe valltare si dhuratë nga shteti fqinj dhe u argëtua me to për tre ditë me radhë, duke i lënë kështu pas dore detyrat e tij në pallat. Sipas Mencios, në fakt, gjatë festimit të një flijimi, Konfucit nuk iu ofrua asnjë copë mishi, një shenjë e dukshme e rënies së tij. “Dhe kështu u largua menjëherë, pa patur as kohën që të hiqte kapelën e ceremonisë”.
Konfuci vendosi për më tepër që të largohej nga Lu-ja: ishte 54 vjeë. Në trembëdhjetë vitet që pasuan, udhëtoi në kërkim të një sovrani në gjendje të vlerësonte aftësitë e tij. E shoqëronin disa dishepuj të cilët spikasnin për formimin e tyre të shkëlqyer në disiplina të tilla si diplomacia, ekonomia dhe administrimi; u mendua se objektivi i tij ishte ndoshta që të krijonte një zyrë administrative, që do ta ndihmonte të qeveriste një territor në respekt të virtytit. Megjithatë, Konfuci nuk pati shumë fat. Gjatë njërit prej këtyre udhëtimeve, një burrë i moshuar një herë e pyeti: “Përse je kaq i shqetësuar? Del vërdallë për të vënë në provë dhuntitë e tua e për të bindur të tjerët?” Konfuci u përgjigj: “Thjeshtë më shqetëson fakti që bota lodhet shumë për të qenë kaq injorante”. Në fund ai hoqi dorë nga shpresa për të ndikuar mbi politikën e kohës së tij: “Përse ju shqetëson fakti që unë nuk kam një post? Bota jeton prej shumë kohësh pa një sjellje morale”, u tha një herë dishepujve të tij, duke shtuar: “Qielli do të përdorë mesuesin tuaj si një shkop të drunjtë në një këmbanë të bronxtë”.
Me këtë imazh i referohej atij që i interesonte më shumë, misionit të tij filozofik dhe moral: qëllimi ishte që të zgjonte bashkëkohësit e tij, për një jetë autentike morale.
Një doktrinë barazitiste
Doktrina e Konfucit nuk kufizohej në respektin e riteve tradicionalë, por nxiste edhe një refleksion mbi jetën morale të qenies njerëzore, përtej hierarkisë sociale. Njeri i mirë nuk ishte ai që lindte në shtresat e sipërme të shoqërisë, por ai që demonstronte se kishte një sjellje morale të përsosur, të shoqëruar me arsimimin.
Në këtë mënyrë, Konfuci favorizonte ngjitjen sociale sipas meritës: intelektualët do të merrnin kontrollin e qeverisë, duke e këmbyer fisnikërinë e gjakut me atë të virtytit. Kjo gjë shpjegonte tërheqjen që Konfuci ushtronte mbi nxënësit e tij, që kishin origjina shoqërore shumë të ndryshme: ishin aristokratë dhe bij kalorësish, por edhe tregtarë, muratorë, artizanë dhe ushtarë. Të gjithë e quanin mësuesi, “zi”, dhe vetveten e konsideronin si dishepuj, “tu”. Konfuci i konsideronte bashkëbisedimet e tij me ata, më të rëndësishëm se çfarëdolloj gjëje tjetër. Thoshte: “Të mos flasësh me një person në gjendje të përthithë atë që i themi është njësoj si ta çosh dëm. Dhe të flasësh me dikë të paaftë që të asimilojë atë që i themi është njësoj si të çojmë dëm fjalët tona”. Konfuci pati një marrëdhënie shumë të ngushtë me nxënësit e tij. Yan Hui ishte padyshim më i vlerësuari; vdekja e tij e parakohshme i shkaktoi një tronditje të thellë.
Konfuci u kthye në atdhe në vitin 484 p.e.s. dhe aty vazhdoi të japë mësim. Megjithatë nuk la asnjë vepër të shkruar: Dialogët u mblodhën nga breza dishepujsh pas vdekjes së tij. Aspiratat politike të Konfucit nuk u përkthyen asnjëherë në fakte dhe pak nga pak ai u konsiderua vetëm një i Urtë Suprem. Në këtë mënyrë, perandorët kinezë arrinin që të neutralizonin pushtetin nënshtrues të mësimeve të tij politikë dhe të ndërtonin një Konfucianizëm të zbutur, si bazë për qeverisjen e tyre, që mbijetoi si “fe e shtetit” për më shumë se dy mijëvjeçarë deri kur, në vitin 1912, perandori i fundit i Kinës, Pu Yi, u detyrua që të heqë dorë nga froni.

Konfuci dhe konfucianizmi
Konfuci ka ndikim të madh për kulturën tradicionale kineze. Në vitet 70-të të shekullit të kaluar, një dijetar amerikan zgjodhi 100 persona me ndikim më të madh në historinë e njerëzimit. Konfuci radhitet në vendin e 5-të vetëm pas Jezu Krishtit, Sakyamunit etj. Kurse për kinezët, ndikimi i Konfucit është më i madh se i kujtdo tjetër. Konfuci ishte krijuesi i konfucianizmit. Gjatë mbi 2000 vjetëve, konfucianizmi jo vetëm ka ndikuar politikën, kulturën, ekonominë e Kinës, por edhe në jetën e kinezëve. Disa dijetarë perëndimorë bile e konsiderojnë konfucianizmin si teoria fetare e Kinës. Në fakt, konfucianizmi ishte vetëm një teori filozofike, gjatë shoqërisë feudale mbi 2000 vjeçare të Kinës, ai zinte gjithmonë vendin drejtues. Konfucianizmi ka ndikim të madh edhe në disa vende aziatike, dhe sot për shkak të jetesës së kinezëve në vende të tjera të ndryshme, konfucianizmi është përhapur në mbarë botën.
Mendimi i rreptë hierarkik i konfucianizmit përputhej me interesat e klasës sunduese dhe ishte në favor të stabilitetit dhe zhvillimit shoqëror, prandaj konfucianizmi zinte gjithmonë pozitën drejtuese në kohën feudale të Kinës. Konfuci theksonte etikën e rreptë dhe vuri në dukje se populli duhet t’i bindej pa kusht mbretit, fëmijët duhet t’u bindeshin prindërve, kështu do të realizoheshin paqja e vendit dhe harmonia e jetesës. Sapo doli teoria e Konfucit, ajo nuk u bë menjëherë teoria drejtuese. Deri në shekullin e dytë para erës sonë, sundimtarët zbuluan se teoria e Konfucit ishte në favor të ruajtjes së stabilitetit të shoqërisë feudale prandaj e caktuan si teoria drejtuese e shtetit./bota.al

Related

Top Lajm 1314986464336986479

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item