Shqiptarët e harruar të Bullgarisë
Trishtimi i njerëzve të Mandricës, nga braktisja totale e atij që e quajnë “atdhe” Reportazh në fshatin ku ende flitet shqipja, por që po ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/shqiptaret-e-harruar-te-bullgarise.html
Trishtimi i njerëzve të Mandricës, nga braktisja totale e atij që e quajnë “atdhe”Reportazh në fshatin ku ende flitet shqipja, por që po braktiset dita ditës
Nga Mandrica,
Ylli Pata
Në dorë mban një shkop të gjatë e të hollë. Siç duket për t’u mbështetur por në fakt ecën me vrik dhe stapin nuk e ngul fare në tokë, vetëm sa e prek dheun…
Ndërsa sytë i shkëlqejnë thërret ende pa u afruar dy metra: “Mirë se keni ardhur, në Tiranë kam dy motra të mija kasaba e madhe jeni…!”
Evdoki Moskova është 88 vjeçe, megjithëse jep për 10 vjet më e re. Është mjeke stomatologe por tani mirëmban kishën e ruajtur me fanatizëm të Madricës, fshatit shqiptar të skajit juglindor të Bullgarisë, pikërisht aty ku kufizohet me Turqinë dhe Greqinë.
Evdokia flet me zë të lartë dhe kërkon të dijë për dy shoqe të saj që jetojnë në Tiranë që kanë mbaruar studimet në Sofje, gjatë viteve 60 të shekullit të shkuar. Kur e pyet mos ka probleme me dëgjimin meqë flet me volum të ngritur ta pret shkurt: “Kur zallahisim shqip bërtasim ne, gjithmonë kështu kemi bërë, na hapet shpirti. Ama nëse flasim bullgarisht tjetër mesele, gjithë butë-butë, avash avash, tjetër gjë”…
Ndërsa premton se do të tregojë më pas për kishën e fshatit, ulet pak tek një sofa guri e ndërtuar me mjeshtëri, hap çezmën, pi pak ujë dhe flet me zë të ulët me shqipen e lashtë: “Iku bota, kemi mbetur shumë pak vetëm ne plekta. Bukur nuk ka bota ereta ikna, plekta vdikna”. Bota, kështu i kanë thënë shqiptarët para shumë viteve njerëzve-banorëve të një fshtati apo komuniteti.
Qendra e fshatit Mandricë është xixë e pastër. Kalldrëmit nuk i duket asnjë pikë pluhuri, ndërsa trotuaret anash janë lyer me gëlqere. Në anë të sheshit kryesor, janë vendosur mbi shtiza ceremoniale tre flamuj, ai i Bullgarisë me tre ngjyra, jeshil bardh dhe kuq, flamuri i BE-së dhe i treti është flamuri kuqezi, i rrethuar me thakë ngjyrë të florinjtë, tamam si në filmin “nëntori i Dytë”, siç e përsërisin shpesh banorët e Mandricës.
Maria, një pjestare e grupit folklorik është veshur kostumin më të mirë popullor, të bërë si para 400 vjetësh thotë, ndërsa në dorë mban një tabaka të mbështjellë me një mbulesë me vija të bardha dhe jeshile, dhe sipër saj është vendosur një bukë rrumbullake gruri e sapobërë dhe një filxhan qelqi me rigon.
Mirëseardhje ceremoniale që bëhet për këdo që vjen nga “dheu mëmë”. Maria shton se gjithsesi ajo e ka me vete atdheun: “E muarëm para katër vitesh kur ishim në Viskuq(Vithkuq), mbusha një trastë si të gjithë dhe e kam në shpi”.
Mandrica ngjan me Vithkuqin, por jo vetëm. Është i vetmi vendbanim në Bullgari i ndërtuar totalisht me qerpiç, ndërkohë që shtëpitë janë 2 dhe 3 kate dhe qëndrojnë të forta si para dyqindvjetësh. Pjesa më e madhe e shtëpive janë shumë të vjetra, ashtu me tulla balte të pasovatuara.
Kisha e Mandricës është e vogël por e mbajtur mirë. Evdokia që e hap e mbyll ka edhe një kolege të sajën që e ndihmon, quhet Sulltana që qesh me të madhe kur përmend emrin e saj. Mjekja stomatologe bën shenjë për qetësi dhe nis e të tregojë për kishën që në fakt nuk ka prift. Një meshtar i caktuar nga Kisha ortodokse Bullgare për tre fshatra, vjen rrallë. Sulltana ngre sytë lart por Evdokia flet e para: Shikoni ikonostasin, është shumë i vjetër ka diellin dhe hënën.
Një kompozim i mrekullueshëm në fije bronxi ndodhet në ballin e kishës së vogël të Madricës që ruhet me fanatizëm.
Kristo Paev, një 42 vjeçar që i përket brezit që ka jetuar dy epokat: komunizmin dhe demokracinë është kryetari i emëruar i administratës komunale. Është caktuar nga bashkia e Ivailogradit të drejtojë Mandricën dhe dy fshatrra të tjera. Ndryshe nga miqtë e tij është me nënë e babë shqiptar dhe flet gjuhën amëtare shumë mirë. Administron lokalin e fshatit që e ka si aktivitet kryesor, muret i ka të mbushur me foto që tregojnë jetën e Mandricës ndër vite: të rinjtë dhe të moshuarit.
“Ne nuk kemi problem të themi që jemi shqiptar, edhe bullgarët e dinë këtë dhe madje e thonë në çdo dokument të tyre, mundohemi të ruajmë me aq sa mundet zakonet, por gjuha është më e vështira, askush nuk na sjell as edhe një abetare”, thotë Kristo për “Shqip” dhe vazhdon: “Një flamur na e solli zoti Selim Hoxha, konsulli i nderit Bullgarisë në Shqipëri”.
Kryetari i administratës vendore flet me nostalgji për vizitën që një grup nga Mandrica vizitoi Shqipërinë në vitin 2011 ku në veçanti nuk harron takimin e paharruar në Vithkuq, origjinën e të parëve.
“Çdo gjë në Shqipëri ishte e mirë edhe pse sheshi në Tiranë ishte rrëmujë. Perimet e freskëta dhe njerëzit na pritën shumë ngrohtë. Por për ne këtu askush nuk kujtohet, jemi të harruar. Ja dhe pak dhe çdo gjë shqipëtarie këtu do të zhduket avash avash|” thotë Kristo duke ngritur një gotë me raki rrushi të bërë vetë që ka një ngjyrë të verdhë.
“E kemi ngjyer me gjethe mani, kemi plot mana, kemi qenë kampion në mëndafsh, rrisnin krimbin dhe thurnim fijen e mëndafshit. Kishim plot florinj, por sot s’punon kush nuk ka interes”, thotë kryeplaku 43 vjeçar që tregon se dikur Mandrica ka pasur mbi 250 familje që flisnin shqip por që u cunguan gjatë luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe ikën në Greqi. Grekët i kanë cilësuar gjithmonë si helenë shqipfolës. Pak kilomentra më tutje në Greqi ka edhe një fshat që quhet Mandres. Banorët e tij vijnë çdo festë në fshatin e origjinës, këndojnë këngët e vjetra dhe qajnë të ikurit. Por askush nuk vjen nga Tirana të paktën të interesohet për Mandricën. Disa kohë më parë në fshat ka mbërritur mbledhësi i njohur i folklorit Ramazan Bogdani, të cilin e ka sjellë konsulli i nderit i Bullgarisë në Shqipëri, Selim Hoxha. Profesor Bogdani ka bërë një kapitull të veçantë për Mandricën në librin e tij dhe shqiptarët e kësaj treve e quajnë nder të madh.
Banorët e Mandricës kanë krijuar një shoqatë për të ruajtur rrënjët shqiptare. Kryetar i organizatës është një 43 vjeçar me baba bullgar dhe nënë nga Mandrica. Quhet Ivailo Ptetrov. Ka studiuar universitetin e sporteve, ka qenë kampion boksi për një kohë, por një aksident fatkeq i ka marrë këmbën e djathtë që e tërheq me protezë. Ivo megjithatë ka energji të pashtershme. Organizohet me grupimin e personave me aftësi të kufizuara, drejton një biznes ndërsa të fshatin e origjinës së “gjakut” siç e quan ka ndërtuar një hotel me qerpiç, të cilin e ka emërtuar “Bukur Shtëpi”, edhe pse të shkruar në cirilice.
Pasi ka shijuar një byrek me djathë, qumësht dhe “katër koko ve”, thith mendueshëm një puro dhe tregon me bezdi një episod të viteve të fundit.
“Ambasadorin shqiptar në Sofje, Petrit Karabinën e kam ftuar disa herë këtu në Mandricë. Asnjë herë nuk ka denjuar të vijë. Nuk e di pse. Nuk jemi fundi i botës”, thotë Ivo që është entuziast me lidhjet e reja në rrjetet sociale ku Mandrica po ngjall interesa nga shqiptarët kudo në botë. “Kemi gjithnjë e më shumë mbështetës. Synimi ynë është që të mos zhduken rrënjët edhe pse ikin të vjetrit”, thotë Ivo, i cili shton se kupton shqip por për të folur e ka të vështirë, përdor vetëm disa fjalë të vjetra të mësuara nga gjyshi prej nëne.
Në Mandricë ka dhe disa banorë bullgarë apo edhe grekë, të cilët janë detyruar të mësojnë shqip nga miqtë e tyre, por e kanë për krenari.
Vasili, një grek nga Trakia, thotë se “Zallahis shqip” dhe të tillë ka edhe në fshatin binjak të Madresës. “Kristo ka kushurinjtë e parë andej, të mbetur pas luftës që nuk e harrojnë njëri tjetrin”, thotë i moshuri me mustaqe alla Clarc Gable që mban tiranda si të aristokratëve megjithëse ka veshur çizme llastiku e po kthen një gotë me verë të bardhë nga rrushi i fshatit.
Ivo me nuhatje biznesi ka zgjeruar “Bukur Shtëpi” me shpresën se ekspetida patriotike kuqezi do të mbërrijnë tia behin edhe në Mandricë dhe sytë i ka kryesisht nga Kosova dhe maqedonia Perëndimore.
“Kanë aedhur mjaft njerëz nga Prishtina por edhe nga Tetova, janë të interesuar”, thotë kreu i shoqatës së shqiptarëve të Mandricës.
Por 88 vjeçarja Evdoki Moskova dhe kryeplaku Kristo Paev, i kanë shpresat e pakta.
“Kanë aedhur këtu dhe Kolë Jakova apo Dhimitër Shuteriqi dikur. Çoc kanë shkruar, kanë zallahitur andej se ka ca shqiptarë këtu dhe kaq. Por për ne s’kujtohet kush. Nuk kërkojmë asgjë tjatër, vetëm abetare dhe një prezencë zyrtare, na ndihmon që edhe komuna të hapë një klasë në shqip. Mësuesit i gjëjmë vetë…”, thotë Kristo Paev, i cili thotë se ëndrra e tij është që Rudina Xhunga të bëjë një reportazh për Mandricën siç bëri për shqiptarët e Odesës….
“Jo s’kemi kartë shqipërie, e kemi parë në internet pasi na kanë zallahisur ca miq. Por shpejt do ta shohim top Channel”! Kryeplaku qesh më në fund, kthen gotën e rakisë e shton: “Nuk jam martuar, do të marr vetëm shqiptare, që fëmijtë e mij mos të shkojnë në Sofje apo Pllodiv e të harrojnë të zallahisin”. Sytë i shkojnë nga flamuri kuqezi për të cilin ka marrë vetë lejen nga komuna dhe nuk e ka pasur të lehtë…
Mandrica, vendbanimi i barinjve nga Vithkuqi
Historiku i fshatit që u themelua në vitin 1636 dhe kalvari i mbijetesës
Mandrica është një fshat në kufirin jugor të Bullgarisë pjesë e rrethit të Ivajlovgradit, provinca Haskovo. Është një nder të rrallët fshatra shqiptar në Bullgari. Popullsia në vitin 2006 ishte 75 banorë. Mandrica është vendosur në bregun e djathtë të lumit Bella Reka në pikën më lindore të maleve Rodope 15 kilometra në jug të Ivajlovgradit dhe dy kilometra larg lumit Lluda reka i cili njëkohësisht formon vijën kufitare bullgaro-greke. Fshati Mandricë u krijua më 1636 nga disa barinj othodoksë shqiptarë që furnizonin ushtrinë otomane me produkte qumështi. Ata u lejuan të merrnin një copë tokë dhe të mos pagonin taksa. Pjesa më e madhe e shqiptarëve erdhën në shekullin XVIII nga rrethinat e Korçës, kryesisht nga Vithkuqi dhe në shekullin XIX nga rajoni i Sulit që ndodhet nsë Greqine e sotme. Banorët i ruajtën veshjet kombetare suljote deri në shekullin e 19-të kur fustanella u zëvendësua nga pantallonat thrakiane, ndërsa veshjet e grave u ruajtën deri në kohën e emigrimit në masë në Greqi. Në shekullin e 19-të Mandrica ishte një qytet i vogël shqiptarësh në kazanë e Dimotkës. Në vitin 1873 ishte një vendbanim me 250 shtëpi, me rreth 1080 banorë shqiptarë. Në 1908 burimet greke e quanin popullsinë prej 3500 banorësh si “grekë shqipfolës shumica e të cilëve fliste edhe greqisht”. Profesionet kryesore ishin rritja e krimbit të mëndafshit, kultivimi i duhanit, artizanati dhe tregëtia. Fshati kishte tre institucione arsimore greke: një shkollë për djem, një shkollë për vajza dhe një kopësht fëmijësh.
Ludomill Stankov është një ish-diplomat i Republikës së Bullgarisë që ka punuar në disa mandate në Tiranë. Ai është studiues i gjuhës shqipe, të cilin e zotëron në perfeksion. Ka botuar një libër në gjuhën bullgare me titullin “Guha Shqipe” ku jep në mënyrë të plotë të gjithë gramatikën e shqipes në një studim të gjerë shkencor.
Duke folur për “Shqip”, Stankov thekson se Mandrica është një fshat i banuar me shqiptarë që kanë qenë gjithmionë të pasur dhe njerëz punëtorë. Banorë nga fshati kanë punuar edhe në seksionin shqip për Radio Sofien.
Stankov thekson se gjuha shqipe është mjaft e studiuar në Bullgari, tre universitete publike kanë katedra të shqipes. Pioneri i parë i studimit të shqipes është i ndjeri Profesor Thoma Kacori i cili ka hartuar fjalorin e parë shqip-bullgarisht. Me origjinë nga Shtika e Kolonjës profesor Kacori është nderuar nga autoritetet shtetërore dhe akademike të Bullgarisë që e kanë financuar dhe mbështetur mësimin e shqipes në universitetet e këtij vendi. Profesor Kacori është dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, para katër vitesh.
Selim Hoxha, me profesion gazetar ka punuar prej vitesh në marrëdhënie tregtare me Bullgarinë. Ka miq të shumtë në elitën e politikës dhe shoqërisë bullgare. Qeveria e këtij vendi e ka nderuar duke e emëruar “Konsull të Nderit të Republikës bullgare në Shqipëri”. Natyrisht një titull honorifik që përveç disa beneficeve si diplomat gjtithçka bëhet vullnetarisht.
“Dua tu bëj të ditur bullgarëve se kush jemi ne shqiptarët dhe kush është vendi ynë”, thotë Selimi i cili ka sjellë e ka dërguar shumë grupe folklorike nga Shqipëria dhe Bullgaria për të dhënë koncerte. Rasti i fundit ishte festivali i Ballshit ky një grup bullgar nga qyteti i Svilengradit mori çmimin e parë. Janë një grup grash që këndojnë polifoni që festuan së fundmi 10 vjetorin e krijimit të grupit, ku ftuan edhe një grup nga Shqipëria, konsullin Selim Hoxha dhe natyrisht kreun e shoqatës së shqiptarëve të Mandricës Ivo Petrov.
“Bullgarët janë miq të shqiptarëve. Është vendi i parë që njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe i pesti që njohu pavarësinë e Kosovës”, thekson selim Hoxha, i cili e konsideron kontributin e tij, një lobim dobiprurës edhe diplomatik. “Ka ardhur koha e një bashkëpunimi real në rajon me ata që kanë treguar në histori që janë miqtë tanë por edhe respektojnë bashëatdhetarët tanë në vendin e tyre|, thotë konsulli Hoxha, i cili ka hapur një zyrë konsullate edhe në Vlorë.
Ylli Pata