Recetat me bimët mjekësore për të shëruar të gjitha sëmundjet

Sot në botë njihen dhe kultivohen afro 120 lloje bimësh mjekësore. Në jetën e njeriut ato luajnë rol shumë të rëndësishëm jo vetëm si ushqi...


Sot në botë njihen dhe kultivohen afro 120 lloje bimësh mjekësore. Në jetën e njeriut ato luajnë rol shumë të rëndësishëm jo vetëm si ushqim, por edhe si ilaç shumë efikas ndaj shumë sëmundjeve, kjo pasi ato përmbajnë mbi gjysmën e elementeve të njohura kimike. Për këtë edhe për faktin se të gjitha frutat dhe perimet janë të pasura me vitamina e kripëra minerale dhe ndihmojnë në tretjen e ushqimeve, mjekët e të gjitha kohërave janë të të njëjtit mendim kur flasin se ato janë burimi kryesor i vitaminave, acideve organike, kripërave minerale e lëndëve që u japin atyre shije të këndshme. Kripërat minerale që ato përmbajnë, sikurse janë kripërat e kalciumit, fosforit dhe hekurit, janë të domosdoshme për veprimtarinë jetësore, ndërsa lëndët që i japin shijen, ngjyrën dhe aromën, nxisin oreksin dhe ndihmojnë në përvetësimin e proteinave të mishit e peshkut. Gazeta “Tirana Observer” përmbledh një një suplement prej 6 faqesh të gjitha të mirat dhe efeket kuruese të bimëve mjekësore. Fundja një ilaç që marrim në farmaci a nuk është një bimë e përpunuar? Gazeta “Tirana Observer” boton gjithçka për përdorimin e duhur të tyre dhe këshilla speciale. E. Gjithashtu brenda faqeve të suplementit do të mund të gjeni bimën apo frutin përkatës, për të gjithë personat që kanë të paktën një shqetësim shëndetësor, mendor apo fizik. Mbi të gjitha suplementi i sotëm përmbledh të gjitha bimët që i duhen atyre që kanë probleme me sëmundje të ndryshme të gjakut, veçanërisht aneminë. Veç kësaj do të mund të lexoni edhe vetitë kryesore që kanë për Mjekësinë Popullore kafeja, kakaoja dhe çokollata, si dhe bimë të veçanta që vitet e fundit kanë filluar të hyjnë edhe në tregun shqiptar. Si përgatiten ato, masat e duhura, kohëzgjatja e përdorimit, vetitë kryesore, si dhe këshillat përkatëse.


1. Aguliçja


Rrënjët dhe lulet e thara të aguliçes (emri tjetër zgorofeta) kanë veti shëruese. Aguliçja është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme në livadhe, pyje, kullota subalpine dhe alpine. Esenca përdoret si nxitës i nxjerrjes së gëlbazës, kundër të ftohurit, bronkiteve akute dhe kronike si dhe enfizemës së mushkërive.


-Një lugë gjelle me esencë lule hidhet në një enë me një gotë ujë të sapozier; mbulohet me kapak, lihet 15-30 minuta; pastaj përmbajtja kullohet dhe pihet e ngrohtë; merren 2-3 doza të tilla në ditë, kryesisht si mjet që lëngëzon dhe largon sekrecionet e bronkeve në bronkite e pneumoni, si mjet qetësues në pagjumësi, në shqetësime nervore, në dhembje koke, në të marrët e mendve; në çrregullime të traktit tretës; në sëmundje të veshkave dhe të fshikëzës urinare. Për të njëjtat shqetësime përdoret edhe rrënja e cila përgatitet si vijon:


-Një lugë gjelle me esencë rrënje të grimcuara zihet për 10 minuta në 1 gotë ujë. Kullohet. Pihen 3-4 lugë gjelle në ditë.


2. Akja


Esenca përbëhet nga lulesat kaptina të thara të akjes. Akja rritet në vende të thata dhe të zbuluara të cilat rrihen nga dielli (Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Çajup etj.). Bima është rreth 40 cm të gjatë, lulëzon në qershor-shtator.


-Lulet e akes kanë veti bakteriostatike, të nxisin urinimin, prodhimin e tëmthit, veti spazmolitike etj.. Ato përdoren për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit; për të nxitur punën e tëmthit; në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, në verdhëz etj. Esenca e kombinuar edhe me bishtamithin e me pelin bëhet më e efektshme për prodhimin e tëmthit. Përdoret dhe kundër parazitëve të zorrëve.

-Një lugë kafeje me esencë hidhet në një gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi 15 minuta. Përmbajtja kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë para buke për 10 ditë rradhazi.

-Ruhet në vende të thata, deri në 18 muaj.


-Bima e tharë shpesh përdoret dhe për qëllime dekorative.


3. Anasoni


Esenca përbëhet prej fryteve të thara të anasonit , i cili është bimë njëvjeçare.


Anasoni përdoret kundër ngërçeve të muskujve të lëmuar (të stomakut, të zorrëve, mitrës etj.); për nxitjen e prodhimit të lëngjeve nga të gjitha gjendrat, përfshi edhe ato të qumështit; për largimin e gazeve nga zorrët (karminative); kundër morrave; për pastrimin e gëlbazave nga rrugët e frymëmarrjes. Rekomandohet sidomos tek fëmijët.


-Katër lugë kafeje me fryte anasoni të copëtuara hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15-20 minuta. Përmbajtja kullohet dhe lëngu pihet në 3 doza gjatë ditës. Frytet e anasonit mund të përdoren edhe në formë pluhuri, duke marrë 3 herë në ditë nga 1 gr esencë.


-Anasoni përdoret dhe si erëz në kuzhinën europiane për aromatizimin e ëmbëlsirave, pijeve (të uzos greke, sambukas italiane, rakisë turke psh). Anetoli, përbërësi aromatik më i fuqishëm i saj ndodhet dhe në një erëz tjetër (illicium verum), e cila prodhohet më lirë prandaj dhe gradualisht e ka zëvendësuar përdorimin e anasonit në kuzhinën evropiane.


4. Angjinarja


Esenca përbëhet nga gjethet e thara të angjinares, e cila është bimë barishtore shumëvjeçare, me lule tubike blu.

-Esenca nxit punën e tëmthit; përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, nxit urinimin; në arterosklerozë, ku kombinohet edhe me vitaminë P; në disa forma të diabetit, në albuminuritë kronike etj.:

-Në fillim të kurës përdoret 1 lugë gjelle (më vonë 2 lugë gjelle) me esencë të grimcuar, e cila zihet 20 deri 30 minuta në një enë që përmban një gotë me ujë. Përmbajtja kullohet, merren 3 doza të tilla në ditë. Kura zgjat rreth 1 muaj, pastaj ndërpritet për 1 muaj dhe rifillon në rast nevoje.


-Angjinarja përdoret dhe si perime në kuzhinën europiane, kurse kuzhina shqiptare e injoron.


5. Arra


Esenca përbëhet nga gjethet e thara të arrës . Ajo ndeshet edhe në gjendje të egër, sidomos në luginat e Alpeve, në Martanesh etj.


-Gjethet e arrës janë rrudhëse, hipoglicemizuese, antileukoreike etj. Shton sekretimin e lëngut të stomakut; përmirëson oreksin, rrudh mukozat e lëkurës, ngushton arteriet etj. Përdoret në dispepsi; acarime të aparatit tretës, në hemorragji etj. Meqënëse ndihmon në mjekimin e indeve të dëmtuara, disa autorë këshillojnë kombinimin e terapisë antibiotike specifike (të turbekulozit) me preparatet e gjetheve të arrës. Përdoret në formë lavazhi kundër morthit, acarimeve të rrugëve gjenitale, ekzemës, puçrrave etj. Si gargarë përdoret kundër acarimeve të fytit.


-Një lugë kafeje me esencë të grimcuar hidhet në një gjysëm gote ujë të sapozier, lihet 15 minuta, pastaj kullohet dhe pihet gjatë ditës. Përdoren 3 doza të tilla në ditë. Në plagë me proçese qelbëzimi, në sëmundje të lëkurës këshillohet aplikimi i banjave me çaj që fitohet duke zier 8-10 gr gjethe në 100 gr ujë. Banjat këshillohen edhe për të pakësuar djersitjen e këmbëve. Arrës i përdoren edhe lëvozhgat jeshile të thara, të cilat përmbajnë tanine, juglon etj., në sajë të vetive antiseptike dhe keratenizuese ato shfrytëzohen në dermatoza të ndryshme. Çaji i përgatitur duke zier 20 gr lëvozhga në 1 l ujë dhe i pirë në dozën 2-3 gota në ditë pas ngrënjes përdoret në anemi.


6. Arrsi


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e arrsit, i cili është bimë barishtore shumëvjeçare, me gjelbërim të përhershëm, e zakonshme. Lulëzon në maj-korrik.


Esenca shton oreksin në çrregullimet e stomakut, sekretimin e urinës, nxit prodhimin e tëmthi në mëlçi dhe shëron plagë.


2-3 lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak, lihet të qëndrojë ½ orë, pastaj lëngu kullohet dhe pihet 3-4 herë në ditë nga 1 filxhan kafeje, para buke. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.


7. Bargjaku


Esenca përbëhet prej majash të lulëzuara, të thara të bargjakut i cili është bimë e zakonshme tek ne në zonat fushore buzë vijave me ujë. Lulëzon qershor-tetor.


Esenca përdoret në diarre që shoqërohen me humbje të tonusit të zorrëve; si qetësuese; kundër hemorragjisë; në dizanterinë bacilare. Ka veti të lehta antibiotike prandaj përdoret dhe në gastroenterit, në tifo dhe në dizenteri.


30-40 gr esencë e grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet për 15 minuta, pastaj çaji kullohet nëpërmjet një nape. Pihen 300-500 gr çaj në ditë.


8. Bar majasëlli


Esenca nxirret nga pjesa mbitokësore e lulëzuar e barit të majasëllit , i cili rritet nëpër toka të thata, të zakonshme në vendin tonë. Lulëzon në maj-shtator.

Bari i majasëllit përdoret në mjekimin e majasëllit dhe të kolitit.

Merren rreth 3 tufa (ose 45 gr) bar majasëlli, zihen në 1 kg ujë për 1.5 orë, lëngu kullohet dhe prej tij pihen 3 filxhana në ditë; çaji pihet rreth 7-20 ditë për majasëllin dhe rreth 20-30 ditë për kolitin. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.


9. Bari i shpretkës


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e barit të shpretkës (emra të tjerë: sporisi mjekësor, përvasheni, latinisht Verbena officinalis, familja Verbenaceae), i cili është bimë e zakonshme në vende barishtore, djerishte e buzë kanaleve të zonave të ulëta. Lulëzon nga pranvera në vjeshtë.


Esenca është pak helmuese. Përdoret si mjet fuqizues; si ekspektorant; kundër gurëve të mëlçisë së zezë e të veshkave, kundër reumatizmit, shiatikut, artritit, nevralgjisë dhe zmadhimit të shpretkës.


3-4 lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhen në gjysëm litri ujë të zier. Ena mbulohet me kapak, lihet gjysëm ore, pastaj lëngu kullohet. Pihen 3 filxhanë kafeje në ditë. Ky çaj mund të përdoret për gargarë në mahisjet e gojës, të bajameve si dhe për shpëlarjen e plagëve.


Kundër zmadhimit të shpretkës dhe dhembjeve nga reumatizmi përgatitet në formë llapaje si vijon: në një enë hidhet një grusht me bar të freskët të grimcuar në formë qulli. Shtohet pak uthull dhe përmbajtja përzihet duke e ngrohur lehtë deri sa uthulla të avullohet. Masa që ngelet mbështillet në një copë lecke dhe vihet e ngrohtë në vendin e dhembjes.


Ruajtja: Në vende të thata esenca e ruan veprimin për 2 vjet.


10. Bar veshi


Barit të veshit i përdoren gjethet e freskëta.


Gjethet e barit të veshit përdoren kundër pickimit të insekteve; për mjekimin e plagëve të lëkurës. Në formë çaji përdoret duke pikuar disa pika në sy, në acarimet e kapakëve të syrit nga brenda ose në vesh, në dhembjet dhe acarimet e veshit.


Çaji përgatitet me gjethe të freskëta, të cilat shtypen dhe zihen në një gotë me ujë për 30 minuta; lëngu kullohet dhe pasi ftohet përdoret duke pikuar 2-3 pika në veshin e sëmurë.


11. Bërshëllëza


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e bërshëllizës ose gështallit. Lulëzon maj-vjeshtë.


Bari i bërshëllizës është laksativ i fortë e kolagog dhe duhet përdorur me kujdes.


Një lugë çaji me esencë të grimcuar hidhet në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier, përmbajtja lihet për 15 minuta, pastaj lëngu kullohet dhe pihet.


12. Bishtamithi


Esenca nxirret nga pjesa mbitokësore e tharë e bishtamithit (emra të tjerë janë: njëmijëgjethësi, barnozella, bar pezmi), i cili është bimë e zakonshme në livadhe dhe zona malore. Lulëzon maj-korrik.


Esenca përdoret si spazmolitik, veçanërisht për të mitrën, ngërçet (dhembjet, spazmat) e stomakut (me origjinë nervore) të grave, në mjekimin e majasëllit, si rregullues dhe lehtësues i menstruacioneve, kundra heqjes së barkut, si antiinflamator në acarimet e fytit, gojës, në djegie etj; në ndërprerjen e rrjedhjes së gjakut, si psh., në menstruacione të mëdha, në hemorragjinë e mushkërive, të veshkave, si dhe për mjekimin e anemive sekondare të ndryshme; kundër kollës. Përdorimi për një kohë të gjatë i esencës jep pështjellim, turbullim dhe dhembje koke.


-Një lugë supe me esencë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë, ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 5 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet i paëmbëlsuar, gjysëm ore para buke; merren dy doza të tilla në ditë. Për përdorim të jashtëm, në formë banjash për mjekimin e plagëve të qelbëzuara, të sëmundjeve të lëkurës, mishrave të dhëmbëve etj., përdoret çaji që përgatitet si më sipër, por duke përdorur 2 lugë gjelle me esencë për një gjysëm gote ujë. Për mjekimin e ulçerave varikoze, të majasëllit, morthit etj., përdoret lëngu i shtrydhur i bimës së freskët.


Bishtamithi është përdorur në Europë dhe në prodhimin e birrës, në vend të sumullbarit. Birra e bishtamithit mendohej se kishte veti afrodiziake.


13. Bliri


Esenca e luleblirit përbëhet nga lulesa të thata të shoqëruara me braktene të blirëve të cilët janë drunj deri në 30 m të lartë, të kodrave dhe maleve.


Lulet e blirit përdoren në sëmundje të shkaktuara nga të ftohtët dhe që shoqërohen me temperaturë (rrufë, kollë, gëlbazë etj.) sepse shkaktojnë djersitje; në sëmundjet e fshikëzës urinare dhe të veshkave; për të përmirësuar çrregullimet e stomakut dhe për të lehtësuar dhembjet; lehtësojnë gjumin.


Një lugë supe me lulebliri hidhet në 1 gotë me ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak dhe lihet 5-10 minuta duke e tundur herë pas here, pastaj lëngu kullohet, dhe pihet i ngrohtë. Merren disa doza të tilla gjatë ditës.


Në vende të thata esenca ruan veprimin e vet për 2 vjet.


14. Boronica


Esenca përbëhet nga frytet e pjekura dhe të thara të boronicës (emra të tjerë: thrashegra, qershigla e egër, e zakonshme në pyje, në livadhe të zonave malore ; lulëzon në maj-korrik; frutifikon në korrik-shtator.


Frytet e boronicës përdoren kundër heqjes së barkut, majasëllit, infeksioneve të zgavrës së gojës dhe të fytit; në hemorragjitë e retinës (të tipit diabetik dhe hipertensiv); në diabet.


Frytet merren nga goja në varësi të moshës (mesatarisht 5-10 gram), përtypen dhe gëlltiten. Përdoren edhe në formë çaji duke zhytur në një gotë me ujë sasinë e fryteve të mësipërme, të cilat pasi mufaten, zihen lehtë.


Gjethet përdoren në formë çaji, i cili përgatitet duke zier 2 lugë kafeje me esencë të grimcuar në një gotë ujë.


15. Borziloku


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e borzilokut ose sefërgjenit.


Bima përdoret si erëz, qetësues i dhembjeve të barkut, kundër pezmatimit kronik të stomakut, kapsllëkut që vjen nga ngërçi (tkurrja, shtrëngimi) i muskulaturës së zorrës, çrregullimeve të zorrëve etj.


Dy lugë çaji me esencë të grimcuar hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier; ena mbulohet me kapak dhe lihet për 10-15 minuta duke e tundur herë pas here; pastaj lëngu kullohet dhe pihet. Gjatë ditës mund të përdoren 2-3 doza të tilla.


Bari i borzilokut përdoret edhe në formë llapaje në dëmtime të lëkurës (eritema, ekzema) të shkaktuara nga fërkimi. Për këtë qëllim, esenca zbutet me pak ujë të valuar, përzihet derisa të marrë trajtë llapaje, pastaj vihet mbi vendin e dëmtuar të lëkurës.


Përdoret edhe kundër mahisjes së gojës dhe të fytit në formë gargare, në këtë mënyrë: 5 lugë gjelle me esencë të grimcuar zihen në një enë të zinkuar për 3-5 minuta me dy gota me ujë. Pastaj lëngu kullohet dhe përdoret për gargarë ose për të shpëlarë gojën.


Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.


16. Bushi


Esenca përbëhet nga gjethet dhe lëvoret, të thara, të bushit (emra të tjerë: shemshiri, pikësas, e cila është një shkurre e zakonshme në toka të thata e gëlqerore deri në 1600 m mbi sipërfaqen e detit.


Esenca ka veti dezinfektuese.


Bushi përdoret për uljen në përgjithësi të temperaturës së shkaktuar nga pezmatimet e rrugëve të tëmthit dhe të urinës, si dhe për uljen e tensionit të gjakut; nga jashtë përdoret në podagër, në sëmundje të lëkurës dhe reumatizëm. Duhet të përdoret nën mbikëqyrjen e mjekut sepse është helmuese.


1/2 kafeje me esencë të copëtuar hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak, lihet derisa të ftohet, pastaj çaji kullohet, e pihet gjatë ditës në 3 doza. Në vende të freskëta dhe të thata e ruan veprimin për 2 vjet.


17. Çaji kinez


Çaji kinez ose i Evropës përbëhet nga gjethet e thara të bimës.


Çaji kinez përdoret për gjallërimin dhe tonizimin e organizmit; në ethe, grip, heqje barku, si diuretik, si kundrahelm (antidot) në helmime me substanca frenuese. Nuk rekomandohet në persona qe vuajnë eksitimi nervor dhe nga presioni i lartë i gjakut.


Një lugë kafeje me esencë hidhet në 250-300 ml ujë të sapovaluar, ena mbulohet me kapak dhe pas 5-10 minutash kullohet. Çaji pihet disa herë në ditë sipas dëshirës. Çaji del i shijshëm kur përgatitet menjëherë me ujë të valuar.


18. Çaji i malit


Çaji i malit përbëhet nga pjesa mbitokëzore e bimës.


Çaji i malit përdoret si pije familjare. Bima mund të rekomandohet edhe si bar kundër ftohjeve.


Një lugë e çajit të malit grimcohet dhe hidhet në1 gotë ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak, lihet të qëndrojë për 15-20 minuta duke e përzier herë pas here; lëngu kullohet; merren disa doza të tilla në ditë.


19. Çikoria


Esenca përbëhet prej gjetheve dhe rrënjëve të çikores , të cilat mblidhen në pranverë dhe në vjeshtë. Çikoria është bimë barishtore shumëvjeçare deri në 1 m e lartë. Lulëzon në korrik deri në shtator.


Esencat përdoren për gjallërimin e organizmit, për nxitjen e tretjes dhe urinimit, përmirësimin nganjëherë të ekzemës, zbrazjen e fshikëzës së tëmthit dhe të dalët jashtë, pa acaruar aparatin tretës.


Zihen 1 lugë gjelle me rrënjë ose me gjethe të grimcuara në një xhezve të madhe me ujë dhe çaji kullohet; pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Në enë të mbyllura mirë esenca e ruan veprimin për 2 vjet.


20. Dafina


Esenca përbëhet prej gjetheve e fryteve të thara të dafinës ose larit ; lulëzon në maj-prill; frutifikon në tetor-nëntor.


Gjethet e dafinës përdoren si ndihmëse në mjekimin e bronkitit e të gripit, në rastet e ftohjes që shoqërohet me temperaturë, si erëza etj.


Frytet e dafinës përdoren më shumë në veterinari, si mjet për të shtuar oreksin dhe si kuron stomakun.


Një lugë gjelle me gjethe dafine të grimcuara (së bashku me 1 lugë gjelle me lëvore portokalli, në rast se keni) hidhen në një 1 gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe përzierja lihet të qëndrojë 10 minuta. Pastaj kullohet. Pihen 2-3 gota të tilla në ditë. Në formë banje frytet e dafinës përdoren kundër djersitjes së tepërt dhe erës së keqe të këmbëve, në këtë mënyrë: një grusht me fryte të thara e të copëtuara të dafinës hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 20 minuta, lihet derisa të ftohet. Lëngu kullohet, zbrazet në një legen ku paraprakisht është hedhur ujë i ngrohtë. Këtu futen këmbët dhe mbahen për një kohë të gjatë. Në vende të thata esencat e ruajnë efektin për 2 vjet.


21. Dëllinja


Esenca përbëhet nga frytet e pjekura e të thara të shkurres së dëllinjës së zezë; bimë e përhapur. Fryti në vitin e parë është i gjelbër, ndërsa kur piqet (në vitin e dytë) bëhet gati i zi. Bima lulëzon frytifikon në shtator-nëntor.


Esenca përdoret për nxitjen e urinimit dhe pengimin e zhvillimit të mikrobeve në rrugët urinare; përdoret në hidropizi, në reumatizmin e kyçeve; në të ftohur, në bronkitet katarale, sepse ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës dhe në lehtësimin e kollës. etj. Esenca sforcon veshkën prandaj nuk këshillohet tek fëmijët dhe në rastet me veshkë të sëmurë.


Një lugë kafeje me esencë të grimcuar hidhet në një gotë me ujë. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 5-10 minuta, lihet në qetësi derisa të ftohet, kullohet dhe lëngu pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë.


Përgatitja e frytave rekomandohet në këtë mënyrë: 1 kg fryte hidhen në 10 l ujë. Mbas disa ditësh (4-5) kur merr erën e dëllinjës, uji pihet me gota disa herë në ditë si mjet diuretik dhe ne çrregullime të traktit tretës. Lëngu që hiqet nga ena zëvendësohet me ujë. Kjo gjë vazhdon derisa kokrrat e dëllinjës të bien të gjitha në fund të enës. Në këtë rast nuk hidhet më ujë dhe lëngu pihet derisa të mbarojë.


22. Drunakuqi


Esenca përbëhet nga lëvoret e thata të degëve të drunakuqit (emra të tjerë janë zogja, tulkuqi, i cili është një dru i vogël, i rrallë, në pyje me lagështi, në toka argjilore silicore etj.


Në kapsllëkun e shkaktuar nga pamjaftueshmëria e lëngut të tëmthit këshillohet përdorimi i drunakuqit me esenca të tjera siç janë rrënjët e çikores, gjethet e senës dhe të rradhiqes, gjethet e angjinaers etj., rezultate të mira ato japin edhe kundër majmërisë.


Një lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet një gotë me ujë, përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta dhe pastaj zihet për 10 minuta. Lëngu lihet të ftohet dhe kullohet. Pihet i ngrohur në mbrëmje para gjumit. Në kapsllëkun e fortë doza e mësipërme përsëritet edhe në mëngjez esëll. Esenca përdoret edhe në formë pluhuri; në këtë rast merren 1-3 gr në ditë.


Lëvoret e drunakuqit duhet të përdoren të paktën 1 vit pas mbledhjes. Të ngjashme nga përmbajtja, veprimi e përdorimi me lëvoret e drunakuqit janë ato të arrçit (Rhamnus fallax), i cili është mjaft i përhapur. Në vende të freskëta dhe të thata esenca e ruan veprimin për 4-5 vjet.


23. Dydhëmbëshi trepjesësh


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e bimës , e cila takohet në toka me lagështi të zonave të ulëta.


Bari i mbledhur në kohën e fillimit të lulëzimit të bimës dhe i tharë, shton djersitjen dhe urinimin; përmirëson tretjen; ndikon në normalizimin e metabolizmit. Këshillohet në gurët e veshkave dhe çrregullimet e fshikëzës së urinës, kundër hemorragjive të brendshme etj.


2-4 lugë supe me esencë të grimcuar hidhen në një enë cingo ku shtohet 1 l ujë i sapozier. Përmbajtja lihet të qëndrojë 15 minuta në enë të mbuluar me kapak. Pastaj lëngu kullohet; prej këtij lëngu të rriturit mund të pijnë 2-3 gota, kurse fëmijët 2-3 filxhanë në ditë. Në vende të thata esenca e ruan veprimin për 2 vjet.


24. Elbi


Esenca përbëhet nga frytet e elbit .


Elbi përdoret për të mjekuar sëmundjet inflamatore të sistemit të tretjes; për gargarë në mahisjen e bajameve dhe inflamacionin e fytit; si freskues dhe si mjet i lehtë kundër heqjes së barkut.

Malti që përbëhet nga elbi i mbirë jo plotësisht (në mënyrë artificiale), përveç përgatitjes së birrës përdoret edhe në formë pluhuri në dozat 5-20 gr në ditë, si ushqyes tek fëmijët që kanë të dobët muskulaturën e stomakut dhe të zorrëve, tek të moshuarit dhe në rastet e urthit (hiperkloridrisë) tek të rriturit.

Në rastet e enteritit mund të përgatitet ky çaj: zihen në 3 litra ujë nga 2 lugë me grurë, elb, tërshërë, misër, thekër dhe krunde derisa të ngelet 1 litër. Lihet të ftohet, pastaj lëngu kalohet nëpër një napë të hollë, pihet brenda 24 orëve ashtu siç është ose i holluar me qumësht dhe i ëmbëlsuar.


25. Fasulja


Esenca përbëhet nga bishtaja pa fryte, të thara të fasules (groshës).


Bishtajat pa farë (lëvozhgat) të groshës nuk janë helmuese.


Esenca përdoret si diuretike në rastet e grumbullimit të ujit në organizëm; në sëmundje të veshkave dhe të rrugëve të urinës; përdoret si antidiabetike e lehtë; për uljen në një masë të lehtë të presionit të ngritur të gjakut.


Esenca nxirret nga fasule të pjekura. Fasulet e gjelbra (bishtajat me fasule të papjekura) në disa persona mund të shkaktojnë sëmundje të lëkurës nga prania e proteinës helmuese fazinë. Kjo proteinë që në persona të tjerë mund të shkaktojë edhe të vjella dhe diarre, pezmatime të zorrëve etj. shkatërrohet me zierje.


Katër grushte me esencë të grimcuar zhyten në dy litra me ujë, lihen disa orë të bymehen, pastaj zihen derisa të ngelet gjysëm litri lëng. Pihen 2-3 gota në ditë, para buke.


26. Fiku


Esenca përbëhet nga frytet e thata të fikut.

Përdoret si laksativ i lehtë, në bronkitet dhe në kollë. Në formë gargare frytet përdoren në pezmatimet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe të gojës.

50 gr fiq të thatë futen në darkë në një enë ku shtohen 500 ml ujë dhe zihen 20 minuta. Të nesërmen fiqtë hahen dhe lëngu pihet. Kjo kurë përdoret kundër kapsllëkut


Lëngu qumështor i freskët i frytit, i gjetheve dhe i degëve të reja përdoret për zhdukjen e lytheve (verrukave) duke i pikuar ato çdo ditë 2-3 herë me lëng.


Lëngu qumështor përdoret edhe për zhdukjen e qukave të fytyrës, duke i lyer ato një herë në ditë.


27. Fik ujku


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe nga rizoma, të thara të fik ujkut ose petrikut, i cili është bimë barishtore shumëvjeçare, bar i keq i kulturave bujqësore. Lulëzon në maj-korrik.


Ndihmon në veprimin e antibiotikëve e të substancave kundër kancerit; ka veprim të lehtë spazmolitik; ndihmojnë mekanizmat mbrojtëse në organizëm. Kur aplikohet nga goja ka veprim helmues të ngjashëm me kolkicinën. Nga jashtë përdoren për mjekimin e plagëve të infektuara, të puçrrave; të panariçeve (zonave të infektuara përreth thonjve të duarve dhe të këmbëve), në plagë të qelbëzuara etj. Në këto raste esencat ndihmojnë epitelezimin e indeve pa formuar granulacione të tepërta.


Në disa vende esencat përdoren kundër gutës (podagrës) dhe reumatizmit, si dhe në mjëkimin e plagëve që shkaktohen nga kafshimi i gjarpërinjve.


Dy lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë dhe përmbajtja zihet 20 minuta. Pas ftohjes lëngu kullohet dhe përdoret në formë kompresash për 15 minuta (të ngrohura në temperaturën e trupit) çdo ditë në sipërfaqet e dëmtuara të lëkurës.


28. Fomi mjekësor


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e fomit mjekësor, bimë njëvjeçare, e zakonshme. Lulëzon mars-gusht.


Përdoret në sëmundje të fshikëzës së tëmthit dhe të mëlçisë, në heqjet e barkut nga çrregullimet e tretjes, në kapsllëk dhe në sëmundje që karakterizohen nga mbajtja e ujit në organizëm. Acidi fumarik ndihmon proçeset e oksidimit në organizëm.


Esenca e fomit mjekësor në doza të larta mund të shkaktojë paralizën e qendrës së frymëmarrje.


Dy lugë kafeje (2.5 gr) esencë e grirë hidhen në një enë të zinkuar ku përvëlohen me 1 gotë ujë që zien. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 10-15 minuta. Pastaj çaji kullohet dhe pihet në dy doza gjatë ditës. Në vende të thata esenca ruan veprimin për 2 vjet.


29. Frashëri i bardhë


Esenca përbëhet nga gjethet e thara të frashërit të bardhë, i zakonshëm kudo. Lulëzon në maj-qershor.


Esenca nxit të urinuarit, djersitjen, të dalët jashtë; rekomandohet në mjekimin e reumatizmit dhe të gutës.


Një deri 2 lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhen në një enë ku përvëlohen me një gotë ujë që zien, lihen 15 minuta dhe pastaj lëngu kullohet, ëmbëlsohet sipas dëshirës dhe pihet. Merren 2 doza të tilla në ditë gjatë ngrënjies.


30. Ftoi


Ftoit për qëllime mjekësore i përdoren farat dhe gjethet e thara, si dhe tuli i fryteve.


Farat e ftoit përdoren si ekspektorante, laksativë; si mjet që rregullon tretjen në sëmundje të stomakut e të zorrëve; në kollë. Gjethet e ftoit përdoren kundër diarresë.

Farat duhet të përdoren të plota, çaji nga farat përgatitet si vijon: 1 lugë kafeje me fara ftoi hidhen në një enë ku shtohen 2 gota me ujë. Përmbajtja zihet për 10 minuta, lihet në qetësi 15 minuta dhe pastaj lëngu kullohet dhe pihet gjatë ditës.
Çaji nga gjethja përgatitet kështu: 10-10 gr gjethe ftoi të thara e të grimcuara hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë. Përmbajtja zihet 5 minuta dhe pas vakjes lëngu kullohet. Pihen 2-3 gota çaj në ditë në rastet e heqjes së barkut dhe mund të përdoret edhe nga jashtë për larje vaginale kundër leukoresë.

31. Fshesa e keqe


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e fshesës së keqe, lulëzon në qershor-tetor.

Esenca shton nxjerrjen e acidit urik; ndalon rrjedhjen e gjakut (hemostatike); nxit formimin e rruazave të bardha të gjakut; përdoret si mjet hemostatik dhe diuretik në hemorragji, në heqje barku me gjak dhe në proçese pezmatimi të rrugëve urinare. Esenca e bimës përdoret në gutë, në reumatizmin kronik dhe në sëmundje të metabolizmit.

5 lugë kafeje me esencë të grimcuar hidhen në një enë, ku shtohet një filxhan ujë. Përmbajtja zihet për 5 minuta, lihet të ftohet, kullohet dhe pihet. Pihen 3 doza të tilla në ditë.


32. Gërdeci


Esenca përbëhet nga gjethet e thara të gërdecit të rëndomtë, i cili tek ne takohet rrallë në Alpet e Shqipërisë veriore dhe verilindore.


Përdoret për pengimin e zhvillimit dhe rritjes së mikroorganizmave në rrugët urinare. Në sëmundje të aparatit urinar ato mund të përdoren vetëm atëhere kur urina është bazike. Kjo gjë mund të arrihet duke përdorur njëkohësisht bikarbonat natriumi për të forcuar veprimin e esencës në rastet e infeksioneve me bakteret e grupit koli si dhe në rastet kur urina është acide. Mjekimi duhet të kontrollohet nga mjeku, sepse në doza të lartë esenca mund të dëmtojë mëlçinë. Esenca hyn në përbërjen e çajrave diuretikë. Kur përdoret për një kohë të gjatë mund të shkaktojë kapsllëk.


Dy lugë çaji me esencë të grimcuar (baraz me 5.5 gr) hidhen në një enë ku shtohet gjysëm gote me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi për 30 minuta, pastaj lëngu kullohet. Çaji që fitohet pihet 2-3 herë gjatë ditës. Nuk këshillohet përgatitja e çajit me zierje sepse në këtë rast ai del më i hidhur dhe më pak i efektshëm. Esenca mund të përdoret edhe në formë pluhuri: merren 3-4 herë nga 2gr në ditë. Në vende të thata e ruan veprimin deri në 2 vjet.


33. Gështenja


Esenca përbëhet nga gjethe të thara të gështenjës e cila tek ne takohet me shumicë deri në 1200 m lartësi.


Gjethet e thara të gështenjës ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorante) dhe në qetësimin e kollës. Rekomandohet edhe kundër reumatizmit.


1 deri 3 lugë kafeje me esencë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë të valuar. Ena mbulohet me kapak. Përmbajtja lihet 15 minuta, pastaj çaji kullohet. Pihen 1-3 gota çaj në ditë. Ruajtja: në vende të thata, deri në 2 vjet.


34. Gështenja e egër


Esenca përbëhet nga lulet dhe farat e thara të gështenjës së egër ose gështenjës së kalit, e cila është dru që takohet tek ne i egër në lartësi 800-1600 metër (në Nemërçkë, në malin e Çikës) dhe si dru i kultivuar në zbukurimin e parqeve në qytete.

Esenca përdoret si rrudhëse, anti-reumatike, anti-koaguluese dhe ekspektorante në pezmatimin e rrugëve të frymëmarrjes, në grumbullimin e gjakut në vena, në pezmatime sipërfaqësore dhe të thella të venave, në majasëll dhe në sindromin pas trombozës; në çrregullime të qarkullimit periferik, si psh. në sëmundjen Reno, në çalimin e herëpashershëm dhe në çrregullime të enëve të gjakut që furnizojnë trurin.

2-3 lugë çaji me esencë lule hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta (me përzierje të herëpashershme) dhe pastaj kullohet. Lëngu pihet gjatë ditës.


35. Grami


Esenca përbëhet nga rizoma e tharë, e grimcuar e gramit zvarranik.


Esenca nxit urinimin; përdoret në pezmatimin e pjesëve të poshtme të rrugëve urinare, në reumatizëm dhe sëmundje të lëkurës; në mjekimin e hipertensionit arteria; si ndihmëse në sëmundjen e diabetit.


Një lugë supe me esencë të thërmuar (5 gr) futet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë (150-200 ml) dhe zihet 10 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet. Gjatë ditës merren 2-3 doza të tilla.


36. Grunamadhi


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar ose nga majat e lulëzuara , të thara, të grunamadhit ose të makthit, i cili është bimë e vendeve gurishtore-ranore e barishtore. Lulëzon në maj-korrik.


Bari përdoret sipas porosisë dhe nën mbikëqyrjen e mjekut, si mjet kundër mpiksjes së gjakut, si qetësues, spazmolitik dhe si mjet kundër pezmatimit dhe etheve. Esenca rrit qëndrueshmërinë e enëve të gjakut, duke rritur depërtueshmërinë e tyre. Përmirëson qarkullimin e gjakut në tru e në periferi dhe qarkullimin venoz.

Përdoret edhe nga jashtë, në formë kompresash, për larje si dhe në formë llapash, si mjet që qetëson, zbut dhe shëron plagë të ndryshme.

Një lugë çaji me esencë të grimcuar hidhet në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta në qetësi, kullohet dhe pihet. Gjatë ditës mund të pihen 2-3 doza të tilla, dmth gjithsej 5 gr esencë.


Çaji më i përqëndruar që përgatitet duke i hedhur 2-3 herë më shumë esencë, përdoret nga jashtë, në formë komprese e banje, si antiseptik në pezmatimet e syve, për shpëlarjen e plagëve me qelb, si gargarë në xhinxhivitet, aftet, laringjitet etj. Esenca përdoret edhe në formë llape që fitohet duke përzier esencën e grimcuar me ujë të ngrohtë derisa të kthehet në brumë. Ky brumë vihet me ndihmën e një lecke ose garze mbi vendin e sëmurë.


37. Gjarpër mjekësor


Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e fierit gjarpër mjekësor ose bar gjarpërit, që takohet nëpër shkëmbinj dhe mure, me pakicë.


Esenca përdoret si qetësuese, ndihmëse kundër kollës dhe acarimeve të rrugëve të frymëmarrjes; nxit urinimin tek të sëmurët që vuajnë nga mbajtja e vazhdueshme e urinës dhe nga prania në këtë të fundit të oksalateve dhe të acidit oksalik.


10 gr esencë e grimcuar zihen për 30 minuta në një gotë me ujë në një enë të mbyllur me kapak. Lihet 15 minuta në qetësi dhe pastaj çaji kullohet e pihet gjatë ditës. Ruhet në vene të thata, deri në 2 vjet.


38. Gjembardha


Esenca përbëhet nga rrënjët e thara të gjembardhës, e cila është bimë e rrallë në toka të thata ranore të zonave fushore.


Esenca-rrënjë ka veti të rrisë të urinuarit, për këtë këshillohet në gurët urinarë, kundër rërës, në disa sëmundje të lëkurës etj.


5 lugë gjelle me rrënjë të grimcuara hidhen në një enë të zinkuar ku zihen për 5-10 minuta, me 6 gota ujë. Pastaj lëngu kullohet dhe pihet me gota gjatë ditës. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.


39. Gjembgomari


Esenca përbëhet prej farave të thara të gjembgomarit, i cili është bimë 1 ose 2 vjeçare e vendeve të papunuara të zonave fushore. Esenca fitohet duke tharë kaptinat (e mbledhura pak para pjekjes së plotë). Pas tharjes kaptinat shkriftohen dhe farat veçohen prej pjesëve të tjera.


Esenca përdoret si koleretike, kolagoge dhe sedative në gurët e tëmthit që shkaktojnë dhembje, në sëmundjen e të verdhtit, në sëmundje të mëlçisë e të fshikëzës së tëmthit, si dhe në pezmatime të mëlçisë dhe në cirrozë; përdoret kundër të gjitha dëmtimeve parenkimatoze të mëlçisë; nga jashtë përdoret për mjekimin e majasëllit, në ngërçe të venave etj.


Esenca mund të përdoret në formë pluhuri duke marrë 4-5 herë në ditë nga një lugë çaji me fara të pluhurosura. Esenca përdoret edhe në formë çaji si vijon: Një lugë çaji me fryte të copëtuara hidhen në gjysëm gote uji të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi 15 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë. Ruhet në vende të thata, deri në 2 vjet.


40. Gjethedelli


Esenca përbëhet nga gjethet e thara të gjethedellit, bimë e zakonshme në zona fushore, si buzë udhësh e vijash, në kullota, etj. Lulëzojnë në pranverë-verë.


Esenca pëdoret për të provokuar nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorant); si ndihmëse për të mjekuar katarret e rrugëve të frymëmarrjes, bronkitin, azmën etj; nga jashtë për mbyllje plagësh të ndryshme, puçrrash varikoze etj.; në formë çaji për larjen e syve (në acarimin e konjuktivës etj.), për gargarë në rastet e acarimit të bajameve,.

Një lugë supe me esencë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë. Përmbajtja lihet 1 orë të bymehet, pastaj zihet për 10-15 minuta, kullohet dhe çaji pihet. Pihen 2-3 gota në ditë. Nga jashtë përdoren më shpesh gjethet e njoma, të lara dhe të njomura për 1 orë me ujë të valuar, me të cilat përgatiten llapa për mjekime plagësh të ndryshme të lëkurës.

Kallinjtë e frutifikuar të gjethedellit të madh (Plantago major) grumbullohen gjatë verës dhe thahen në hije. Esenca e fituar përgatitet për mjekimin e pezmatimit të veshkave dhe si ndihmëse në sëmundjen e prostatës në këtë mënyrë: ~40 gr kallinj të frutifikuar zihen në 3-4 litra ujë derisa ky i fundit të shterojë në ½ litër. Përmbajtja kullohet, mbetja shtrydhet në mënyrë që e gjithë masa e lëngët të kalojë në çaj, pihen 3 gota në ditë, para buke. Në mëngjez pihet esëll. Kura vazhdon deri në mjekimin e plotë.


41. Gjineshtra ngjyruese


Esenca përbëhet nga bari i lulëzuar dhe i tharë i gjineshtrës ngjyruese, e cila është një gjysëm shkurre, e shpeshtë nëpër pyje, shkurreta e kullota. Lulëzon nga maji në gusht.


Esenca përdoret si diuretike dhe si dezinfektuese në sëmundjet e veshkave dhe në sëmundjet e rrugëve të poshtme urinare; pëdoret në edema dhe në pamjaftueshmëri të zemrës.


Një lugë çaji me esencë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë çaji me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta, pastaj lëngu kullohet, pihen 2 doza të tilla në ditë.


42. Gjyhënusja


Esenca përbëhet nga rrënjët e thara të gjuhënuses ose të kalmuthit me gjemba, i cili është një shkurrë me gjemba, pothuajse e zakonshme në toka të thata, djerrë, kryesisht në zona të ulëta.

Esenca përdoret në rastet me gurë në veshka ose në fshikëz, në rastet e pezmatimit të fshikëzës së urinës (cistit), në nefrite me gurë, në reumatizëm etj. Këshillohet të pihet 3 ditë rresht pastaj të bëhet një ndërprerje 3 ditore. Nuk lejohet përdorimi tek fëmijët.

20 gr esencë e grimcuar zihen në 1 litër ujë derisa të ngelet ¼ e lëngut. Çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës. Në vende të thata ruhet deri në 2 vjet.


43. Hashashi


Për mjekim përdoret lulja dhe gjethja e bimës. Hashashi është përdorur si çaj, tinkturë, duhan; në kremëra etj. Lulja e hashashit ka deri në 10 herë më shumë substanca aktive se gjethja, dhe deri në 100 herë më shumë se kërcejtë dhe farat.


Kultivimi i hashashit mund të kryhet vetëm me leje nga Ministria e Brendshme. Posedimi i dozave të vogla të hashashit, për përdorim personal nuk konsiderohet vepër penale. Çdo përdorim tjetër i hashashit është vepër penale.


Hashashi është përdorur që në mijëvjeçarin e 3-të përpara erës sonë. Përdorimet mjekësore të tij përfshijnë: kundër nauzeas dhe të vjellave; kundër glaukomës (pakëson tensionin e syrit); kundër dhimbjeve, sidomos atyre neuropatike (si analgjezik); për shtimin e oreksit etj. Gjatë luftës së dytë botërore është përdorur në hetimin e të dyshuarve për të nxjerrë prej këtyre informacione në gjendje të droguar. Në disa shtete të SHBA-së hashashi konsiderohet bimë mjekësore që mund të rekomandohet nga mjeku.


Aktualisht rreth 60 organizata shëndetësore ndërkombëtare dhe të SHBA-së kërkojnë ligjërimin e përdorimit mjekësor të hashashit


44. Herniaria


Esenca përbëhet nga bari i lulëzuar i tharë i herniarieve, bimë që takohet në vende të thata, ranore e gurishtore, në fusha etj.

Esenca përdoret si antiseptik në krizat e veshkave, në pezmatimet e fshikëzës së urinës; në rastet e gurëve dhe të rërës në rrugët urinare, në sëmundjet kronike të veshkave dhe në rastet e pakësimit të nxjerrjes së lëngjeve nga organizmi. Esenca ka veti të qetësojë dhimbjet.

2-3 lugë çaji me esencë të grimcuar hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta duke e përzier herë pas here, pastaj kullohet dhe pihet. Merren 2 doza të tilla në ditë.


45. Hithra


Esenca përbëhet nga gjethet e thara të hithrës.


Gjethet e hithrës përdoren kundër anemisë; për ndalimin e hemorragjisë; si ndihmëse në sëmundjen e sheqerit; si nxitëse të urinimit; për shtimin e qumështit tek gratë me fëmijë në gji; si mjet diuretik i lehtë në pezmatime të rrugëve të urinës, në edema dhe në reumatizëm; si mjet ndihmës në sëmundje të mëlçisë dhe të tëmthit; në formë çaji kur organizmi ka nevojë për vitamina; si perime kundër anemisë si dhe për të fuqizuar dhe harmonizuar punën e zorrëve. Hithrat e freskëta, të rritura, përdoren në reumatizëm si mjet që nxit qarkullimin e gjakut në lëkurë (veprimi djegës dhe kruajtës). Esenca përdoret edhe nga jashtë për të nxitur rritjen e flokëve, kundër zbokthit, për mjekimin e ekzemës etj.


Esenca e tharë, si dhe ekstraktet e fituara nga bima e njomë, por me ngrohje, nuk kanë veti djegëse. Këtë veti e ruajnë ekstraktet alkoolike që fitohen nga bima e freskët.


Një luge supe me esencë të grimcuar zhytet në një gotë me ujë, zihet 5 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet. Merren 1-3 doza të tilla në ditë.


46. Hudhra


Thelpinjtë e hudhrës përdoren si anti-mikrobike; në sëmundjet e aparatit tretës stomak-zorrë; në qetësimin e spazmave të zorrëve; për dezinfektimin e aparatit tretës; për normalizimin e prodhimit të lëngjeve tretëse; shtimin e prodhimit të tëmthit; kundër parazitëve të zorrëve (kundër oksiureve); për zhdukjen e gazeve; për uljen e tensionit (të ngritur të gjakut); kundër sklerozës; kundër shtrëngimeve të zemrës, në sëmundje të aparatit të frymëmarrjes për nxjerrjen e gëlbazës; në parandalimin e infeksioneve; për mjekimin e plagëve të infektuara; në sëmundjet infektive, si psh. kundër gripit, tifos, difterisë, dizanterisë dhe kollës së mirë (kolla e bardhë, pertussis); si kundërhelm në helmimet me nikotinë.


Përdoren disa thelpinj hudhër në ditë. Nga hudhra përgatitet alkoolaturë si vijon: merren 200 gr hudhra, zhvishen, copëtohen dhe lihen të zhytura në 1 litër alkool 60o për 10 ditë rresht, duke e tundur herë pas here. Përgatitja bëhet në enë prej qelqi, porcelani ose të zinguara. Pas 10 ditësh lëngu kullohet dhe përdoret 2-4 herë në ditë 20 deri në 40 pika në sëmundjet e ndryshme të brendshme.


Shirupi i hudhrës përgatitet si vijon: 1 pjesë hudhër lihet e zhytur në 2 pjesë ujë të vakët (37o) për 1 orë duke shtuar disa pika uthull të fortë. Përzierja kullohet, i shtohen 2 pjesë sheqer, i cili tretet me ngrohje të lehtë. Nga ky shurup përdoren 2-3 lugë supe në ditë.


Kundër parazitëve hudhra merret në formë klizme si vijon: 10 gr hudhra shtypen dhe zhyten në ¼ litër ujë ose qumësht ku lihen 12 orë, pastaj lëngu kullohet dhe përdoret në dy klizma.


Për mjekimin e plagëve përdoret qull hudhre, duke zhytur disa thelpinj të cilët përzihen me gjalpë e vaj.


Bimët mjekësore për të cilat nuk është përmendur afati i skadencës së çajit të tharë e kanë skadencën 18 muaj.


Bimët mjekësore në rend alfabetik nga K-ja tek Zh-ja

1. Kafeja

Esenca përbëhet nga farat e llojeve të ndryshme të kafesë. Kafeja eksiton sistemin nervor qendror; aftëson trurin për punë mendore; shton vëllimin e frymëmarrjes dhe e shpejton atë duke përmirësuar ajrosjen e mushkërive; fuqizon punën e zemrës dhe të gjithë muskulaturës së skeletit; rrit aftësinë lëvizëse të stomakut, peristaltikën e zorrëve dhe diurezën.
Nuk duhet përdorur në sëmundjen e hipertensionit; nga të sëmurë nga nervat, nga të sëmurë me dëmtime të zemrës, nga të sëmurë me artrit dhe urenikë. Pirja e dozave të larta të kafesë mund të shkaktojë pagjumësi, nervozitet, dobësim, probleme me stomakun.


2. Kamomili

Kamomili largon gazrat, qetëson dhimbjet e zorrëve, të stomakut. Përdoret kundër diarresë, kundër infeksioneve urinare, si qetësuese; në mjekimet lokale të lëkurës, në djegie; për shpëlarjen e syve, të veshëve, hundës, gojës, për klizmë etj. Në formë kompresash ose pluhuri përdoret për mjekimin e plagëve, majasëllit, djegieve. Ajo ndihmon në rigjenerimin dhe cikatrizimin e lëkurës. Pakëson dhembjet e shkaktuara nga plaga.
Një lugë supe kamomili hidhet në një gotë me ujë të valuar, lihet 5-10 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet. Lëngu nuk zihet sepse substancat vepruese e pakësojnë efektin për shkak të zierjes. Për fëmijët hidhet një lugë kafeje me lule dhe jo një lugë supe. Veprimin e ruan për 2 vjet në vendet të thata.
3. Kapinoku, bar
Si esencë shërben pjesa mbitokëzore dhe e tharë e kapinokut (emri tjetër bari i qenit). Është bimë barishtore, shumëvjeçare, e zakonshme në vende të thata, të papunuara, pranë banesave, sidomos në zona fushore. Lulëzon në pranverë-verë.
Esenca shton oreksin, lëngëzon gëlbazën; përdoret si zëvendësuese e kininës në malarje; nxit punën e tëmthit;përmirëson rrahjet e shpejta dhe të çrregullta të zemrës; nga jashtë përdoret në formë banje për mjekimin e plagëve të qelbëzuara dhe kundër pezmatimeve.
Dy lugë kafeje me esencën pluhur hidhen në një enë më ujë të sapozier, mbulohet me kapak, lihet 15 minuta. Kullohet dhe pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Mund të pihet dhe si pluhur 3-4 herë në ditë nga 1 gram para buke. Ruhet deri në 2 vjet në vende të thata.


4. Karajpeli

Si esencë përdoret pjesa mbitokësore ose vetëm lulet, e thara të karajpelit (emra të tjerë krizantemë, rozmarinë e egër, kallamperi, etj.). Është bimë barishtore shumëvjeçare e përhapur buzë rrugëve e livadheve, sidomos në zonën e ahut.
Esenca përdoret kundër parazitëve të zorrëve. Ky veprim është më i dobët se i ilaçeve moderne. Këshillohet dhe për shtimin e oreksit, përmirësimin e tretjes, rregullimin e menstruacioneve, në dhimbje të kyçeve. Doza të larta të bimës mund të jenë helmuese, duhet përdorur nën mbikëqyrje. 1 lugë kafeje hidhet në 2 gota ujë të sapozier, lëngu mbulohet, kullohet dhe pihet mundësisht para buke. Mund të merret dhe si pluhur tri herë në ditë nga një majë thike në pak ujë. Ruhet deri në 18 muaj në vende të thata.


5. Karrota

Si esencë shërbejnë rrënjët e karotës (Daucus carota var. sativa, familja Umbeliferae). Rrënjët e ziera të karotës këshillohen në diarretë e fëmijëve, sëmundje të mëlçisë, tëmthit, në acarime dhe infeksione të zorrëve. Nga jashtë përdoret dhe qulli i fituar nga rrënja, për mbylljen e plagëve, zhdukjen e puçrrave dhe mjekimin e djegieve.


6. Kemashen me qime

Si esencë shërben pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë, e kemashenit me qime, i cili është bimë barishtore shumëvjeçare e zakonshme në zona të ftohta të vendit: në zonat subalpine dhe alpine. Ka veti të trefishojë urinimin. Përmirëson çrregullimet e shkaktuara nga azotemia . Është e efektshme kundër brucellozës. Shkencëtari J. Guerini pretendon se ulja përfundimtare e temperaturës në të sëmurët nga bruceloza arrihet ditën e parë deri të katërt të kurës me bimën mjekësore. Sa më shpejtë të fillojë mjekimi, sa më e freskët të jetë bima dhe nëse nuk ka ndërlikime të brucelozës aq më efektive është kura.
10 gr esencë përvëlohen në 100 ml ujë të sapovaluar, mbulohet dhe lihet 15 minuta. Çaji kullohet. Industria farmaceutike prodhon dhe ekstrakt të lëngët të kemashenit, i cili është i stabilizuar.


7. Këputja

Efektin mjekues e ka pjesa mbitokësore e kërcellit shterp (të verës), e tharë, e këputjes ose e bishtkalit ose hjeksës. Është bimë e zakonshme në vende me lagështi dhe hije, moçale etj. Rrit sekretimin e urinës, ngordh mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje dhe pagë. Ndihmon formimin e leukociteve, prandaj forcon imunitetin.
Përdoret në sëmundje të veshkave, të fshikëzës së urinës, në disa sëmundje të zemrës, në cirrocë hepatike, në formë kompresash dhe banjash për plagët; si gargarë në pezmatimin e bajameve. 4 lugë kafeje me esencën pluhur hidhen në enë me ~500 gr ujë. Zihet për 15 minuta. Pihet gjatë ditës. Ruhet në vende të thata deri në 18 muaj.


8. Kinëfusha

Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e kinëfushës (ose e barit të etheve, kantalionit). Është bimë e zakonshme në vende me graminore dhe në lëndina të zonave të ulëta. Lulëzon në maj-shtator. Shton lëngjet e stomakut, oreksin; ul temperaturën; forcon imunitetin; shton sekretimin e tëmthit; ndihmon në diabet, në ekzemë. Në doza të larta mund të shkaktojë të vjella. 1 lugë çaji në një gotë ujë zihet 5-10 minuta. vÇaji kullohet, pihet në dy vakte gjysëm ore para buke. Ruhet deri në 18 muaj.


9. Kokoçelli

Esenca përbëhet nga lulet anësore dhe lulet tubike të kaptinave të luleve të kokoçellit . Është bimë 1 vjeçare. Lulëzon në qershor-korrik. Ka veprim të lehtë rrudhës dhe antiinflamator dhe përdoret në sëmundjet e syve; nxit urinimin, punën e tëmthit. Përdoret në çajra dhe për shkak të ngjyrës së pëlqyeshme blu. 1 lugë çaji në 1 gotë ujë të sapovaluar. Lihet 15 minuta, pastaj kullohet. Pihen 3 doza të tilla në ditë. Kurse në raportin 5 lugë gjelle çaj në 2 gota ujë mund të përdoret për kompresa në acarime të syve, për mjekimin e qepallave të pezmatuara, etj. Ruhet për 18 muaj.


10. Kopra e egër

Esenca përbëhet nga frytet e thara të koprës së egër (emri tjetër maraj). Është bimë e vendeve të thata barishtore buzë rrugëve, në zonat e ulëta. Lulëzon në qershor-korrik. Liron ngërçet e muskulaturës së lëmuar, prandaj përdoret kundër fryrjes së zorrëve dhe për përmirësimin e tretjes; shton qumështin e grave; lëngëzon gëlbazën; vepron kundër parazitëve të njeriut dhe kafshëve.
Një lugë çaj me esencë të thërrmuar në ½ gotë me ujë të sapozier. Lihet 15-30 minuta. Lëngu kullohet, pihet. Pihen 2 doza të tilla në ditë. Mund të konsumohet dhe si pluhur, 3*1 gram në ditë. Në doza të larta esenca shkakton ngërçe dhe dehje. Në vende të thata e ruan veprimin për 2 vjet.


11. Koriandri

Esenca përbëhet nga frytet e thara të koriandrit (Coriandrum sativum, familja Umbeliferae). Frytet përmbajnë esencë të pasur me linalol, i cili ka veti antibiotike. Nxit funksionimin e stomakut, të zorrëve, ndihmon në nxjerrjen e gëlbazës. Prandaj përdoret për largimin e gazrave, për problemet e stomakut, në rastet e mungesës së oreksit. Lehtëson kollën.
2 lugë çaji me frytë të copëtuara në ½ gotë ujë të sapozier. Lihet 15 minuta, kullohet, pihet. Pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Mund të përdoret dhe siç është, duke ngrënë deri 3 lugë me fryte në ditë. Duhet ruajtur nga minjtë, sepse preferohet prej tyre. Në vende të thata ruhet deri në 2 vjet.


12. Kufilma

Rrënjët e thara të kufilmës (emra të tjerë: kuferma, lulevathi, latinisht Symphytum officinale, familja Boraginaniseae) përdoren si esencë. Është bimë shumëvjeçare, e përhapur në vende të lagështa dhe të freskëta. Lulëzon në maj-korrik. Ka veprim të lehtë laksativ; nga jashtë qetëson dhimbjet, ndihmon në ripërtëritjen dhe shërimin e plagëve; përdoret kundër kollës etj.
1-2 lugë kafeje me rrënjë kufilme të copëtuara hidhen në 1 gotë ujë dhe përzierja zien 5-10 minuta, lihet në qetësi për 30 minuta. Mund të pihen 1-3 doza të tilla në ditë. Edhe si pluhur mund të përdoret, pihen 1-3 lugë çaj me pluhur rrënje, me pak ujë.
Çaji që përdoret nga jashtë përgatitet më i fortë, raporti është 4-5 lugë kafeje/1 gotë ujë.


13. Kulumbri

Lulet dhe frutat e thara të kulumbrisë (kumrisë, latinisht Prunus Spinosa, familja Rosacea) përdoren si esencë. Është shkurre me gjemba. Nxit urinimin, të dalët jashtë pa acaruar zorrët. Përdoret veçanërisht në mjekimin e fëmijëve. 2 lugë kafeje me esencë hidhen në 1 gotë ujë të sapozier. Lihet 5-10 minuta. Çaji kullohet, pihet.


14. Kumaku

Lulet kaptina, të thara të kumakut (emra të tjerë mërgjyza) përdoren si esencë. Është bimë barishtore shumëvjeçare.Lulëzon qershor-vjeshtë.
Nxit punën e tëmthit, ka veti antibiotike. Nga jashtë shpejton shërimin e plagëve të qelbëzuara, kronike. Përdoret kundër mykut të lëkurës, si qetësuese dhimbjesh dhe në sëmundje të mëlçisë.
2 lugë kafeje me lule hidhen në një gotë ujë të sapozier. Gota mbulohet, lihet e qetë 15 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet brenda ditës.
Prej esencës mund të përgatitet tinkturë: 5 lugë gjelle hidhen në 100 ml alkool 70% dhe lihen në të për 8 ditë në temperaturë ambienti. Pas kësaj lëngu filtrohet. Përdoret për rregullimin e ciklit menstrual nga 30 pika tinkturë*3 herë në ditë, të holluara në pak ujë. Për plagë, djegie, tinktura përzihet me ujë të distiluar ose të valuar dhe të ftohur, në raport 1:10 dhe vihet në formë kompresash. Esenca ruhet për 18 muaj.


15. Kungulli

Kungullit i përdoren kryesisht farat, pas këtyre me efekt më të dobët, tuli i frutave. Farat e kungullit përdoren kundër parazitëve të zorrëve si psh. shiriti, askaridet dhe oksiuret. Farat nuk janë helmuese për njeriun prandaj këshillohen të përdoren edhe tek fëmijët. Kanë veti diuretike. Hahen 200-250 fara të freskëta, pa lëvozhga. Dy orë pas ngrënies së farave këshillohet pirja e një doze vaj recini (fëmijët 1-2 lugë kafeje, të rriturit 2-3 lugë gjelle). Vaji i recinit jep diarre, prandaj ndihmon në jashtëqitjen e krimbave. Veprimi i farave me kalimin e kohës pakësohet, prandaj duhen përdorur fara më të reja se 1 vjeçare.


16. Lajthia

Esenca përbëhet nga gjethet dhe lëvorja e degëve të reja, të thara të lajthisë. Esenca qetëson zorrët, ka efekt diuretik, efekt rrudhës, ngushton enët e gjakut etj. Këshillohet në sëmundje të aparatit tretës, në infeksione urinare, në diarre, variçe, hemorroide, hemoragji nga hunda, etj.
Përgatitja: Gjethet: 2 lugë kafeje me gjethe të copëtuara hidhen në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier, lihet të ftohet. Kullohet, pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë.
Lëvoret: 2 lugë kafeje me esencë të copëtuar hidhen në 1 filxhan çaji ujë, përzierja zihet 5 minuta, pastaj lihet të ftohet. Çaji kullohet. Përdoren 2 doza në ditë, deri në shërim. E ruan veprimin për 18 muaj.


17. Lakra e bardhë

Ndihmon veprimtarinë e qelizave të mëlçisë, pengon dhjamosjen e tyre; pakëson kolesterolin në gjak; ka veti rigjeneruese dhe anti-ulçeroze. Prandaj përdoret dhe në ulçerat që vijnë nga sekretimi i kufizuar i stomakut.
Lakrës së freskët i shtrydhet lëngu i cili pihet në sasi ½-1 gotë çaji, 2-3 herë në ditë para ushqimit. Ose sallata e lakrës së freskët konsumohet para ushqimit (në çrregullimet e mëlçisë, të fshikëzës, zorrëve, ulçera, verdhëz).
Gjethet e freskëta të lakrës vendosen mbi kyçet e sëmura nga artriti. Ose: gjethe të shtypura të lakrës përzihen në pjesë të barabarta me ujë dhe me lëng limoni dhe vihen në formë llapaje mbi kyçet e sëmura nga artriti (pakëson enjtjet dhe dhimbjet). Njësoj përdoret dhe për plagë. Lakra e shtypur dhe e përzier me të bardhë veze rekomandohet dhe për mjekimin e plagëve nga djegja.


18. Leonuri i zemrës

Si esencë përdoret pjesa mbitokësore, e lulëzuar dhe e tharë e leonurit të zemrës (ose bishti i luanit). Është bimë me përhapje të rrallë nga zona e ulët në atë sub-alpine. Është 3-4 herë më i efektshëm se rrënja e valerianës dhe ka veti kardiotonike, hipotonike dhe qetësuese. Duhet të përdoret sipas këshillës dhe mbikëqyrjes së mjekut. Këshillohet në rrahje të forta të zemrës, në shtrëngimin e saj, në ngacmime nervore, në raste lëkundjeje, rritjeje të tensionit të gjakut, në çrregullime të menopauzës dhe të urinimit; në angina pectoris.
2 lugë çaji me bar të grimcuar hidhen në 1 filxhan çaji ujë të sapozier, ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja lihet ½ ore në qetësi. Lëngu kullohet dhe pihet. Merret 1 dozë e tillë në ditë. Mund të përdoret edhe në formë pluhuri nga 1-2 lugë kafeje në ditë. Ruhet për 18 muaj.


19. Likopësi

Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e likopësit përdoret si esencë. Është bimë e zakonshme nëpër vende me lagështi dhe kanale. Lulëzon në qershor-tetor.
Përdoret si sedative. Ka efekt pasi përdoret për një kohë të gjatë, për disa muaj rresht nëse është e nevojshme. Nuk është e dëmshme edhe kur përdoret për një kohë të gjatë.
1-2 lugë çaji me esencë të grimcuar hidhen në 1 filxhan çaji ujë të sapozier. Lihet 15 minuta duke e përzier herë pas here. Lëngu kullohet dhe pihet. Merren 1-2 doza në ditë. Ruhet deri në 18 muaj në vende të thata dhe të ajrosura.


20. Limoni

Përdoren frytet e freskëta dhe lëvoret e thara të limonit. Limoni (lëngu) përdoret në sëmundjen e skorbutit, të gushës akute dhe kronike, në reumatizmin artikular; kundër dhembjes së kokës; dhembjeve nevralgjike; për uljen e temperaturës së lartë, sidomos kur kjo shoqërohet me etje dhe me pakësimin e urinimit. Gjithashtu përdoret në formë gargare për lyerjen dhe shpëlarjen e gojës në raste të pezmatimit të saj dhe të fytit; kundër tensionit të lartë dhe aterosklerozës merren disa kokrra në ditë.
Për mjekim përdoret lëngu i 1-3 limonave të shtrydhur. Lëvoret e fryteve përdoren në formë tinkture, e cila përgatitet në këtë mënyrë: 50 gr lëvore hidhen në 100 gra alkole, lihen 8 ditë, pastaj lëngu filtrohet. Pihen 20 pika tinkturë*3 herë në ditë, me pak ujë, pas ushqimit, për të lehtësuar tretjen.


21. Liri

Si esencë përdoren farat e thata të lirit. Fara e lirit përmban mucilagje, pektinë, vaj, heterozidin linamarinë, enzima etj. Në sajë të mucilagjeve farat bymejnë vëllimin e përmbajtjes së zorrëve dhe për pasojë nxisin të dalët jashtë. Veprimi laksativ nuk shfaqet menjëherë por pas disa ditësh përdorimi. Farat e plota në formë çaji këshillohen në acarimet e rrugëve urinare dhe të traktit tretës. Fara e pluhurosur e lirit përdoret si llapa zbutëse në qelbëzime dhe pezmatime të lëkurës (ka veti anti-inflamatore).
Përdorimi: Si laksativ: 1-2 lugë supe me fara liri të plota (ose të copëtuara) hidhen në mëngjez në një gotë me ujë të ftohtë dhe lëngu i jargët pihet në darkë pasi kullohet. Farat për të rregulluar kapsllëkun mund të pihen dhe siç janë në dozën 1-2 lugë gjelle në ditë.
Në formën e çajit: hidhen 10-20 gr fara në 1 litër ujë. Përzierja lihet 5 orë duke e përzier herë pas here. Kullohet dhe pihet gjatë ditës në sëmundjet e aparatit tretës, të rrugëve urinare, në acarimet e mukozave të rrugëve të frymëmarrjes.
Nga jashtë: Pluhuri i farave hidhet në pak ujë të ngrohtë dhe valohet derisa përzierja të shndërrohet në brumë. Llapaja e formuar mbështillet në një napë dhe vihet në plagët e qelbëzuara të lëkurës si antiinflamatore. Llapaja e lirit ndihmon daljen e qelbit nga absesi dhe nga të thatët. Ajo qetëson dhimbjet.


22. Livandoja

Lulet e thara të livandos (trumzës së butë) përdoren si esencë. Lulet e livandos qetësojnë sistemin nervor, ulin disi tensionin e gjakut, qetësojnë ngërçet e stomakut dhe të zorrëve, përdoren kundër diarresë dhe gazrave; si diuretikë.
3 lugë çaji me lule hidhen në një gotë ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 15-30 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet 1 herë në ditë.
Në industri lulet e livandos distilohen me avuj uji për të prodhuar esencën e livandos, e cila përdoret për prodhimin e parfumeve. Esenca përdoret dhe në përbërjen e lëngjeve fërkuese për të qetësuar dhimbjet, kruarjen. Esenca në dozën mbi 1 gr është helmuese.


23. Lulebasani

Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore, e tharë, e lulebasanit (ose lulegjaku). Është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme në zona të ulëta dhe në vende me barishte. Bima ka efekte antiseptike dhe përdoret në plagë, puçrra dhe djegie; përdoret nga goja në sëmundjet e aparatit tretës, të mëlçisë, tëmthit, në hemorragjitë e mushkërive dhe të aparatit tretës, në pagjumësi dhe në sëmundje të veshkave. Ajo përmirëson qarkullimin e gjakut dhe qetëson tensionin nervor.
1 lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhet në 2-3 gota me ujë, zihet 5-10 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës.
Për mjekimin e lëkurës lulebasani përgatitet si vijon:
500 gr lulebasani i freskët dhe i copëtuar zhytet në 1 kg vaj ulliri dhe 0.5 kg verë të bardhë. Përzierja lihet në qetësi për 3 ditë. Pastaj përzierja ngrohet mbi ujë të valuar (jo drejtpërdrejt në zjarr, në një enë të gjerë derisa vera të avullohet tërësisht. Mbetja vajore me ngjyrë në të kuqe ruhet në shishe të vogla (10-20 gr) të mbyllura mirë dhe përdoret në formë kompresash, duke vendosur copa pëlhure të njomura me vaj mbi sipërfaqet e dëmtuara të lëkurës. Kjo ka veprim qetësues, të lehtë por të vazhdueshëm si dhe ndihmon ripërtëritjen e indeve.
Vaji mund të përgatitet edhe pa verë si vijon: 100 gr bimë e lulëzuar e freskët hidhet në një shishe ku shtohen 250-400 gr vaj ulliri, ose vaj liri, ose vaj luledielli. Shishja me përzierjen lihet 14 ditë në vend me diell, duke e tundur herë pas here. Në vazhdim vaji kullohet dhe përdoret siç treguam më sipër.


24. Luledelja

Lulesat kaptina të thara të luledeles (ose luleshqerra, luledhenve), shërbejnë si ilaç. Lulëzon mars-tetor. Ka veti rrudhëse dhe ekspektorante të lehta, prandaj këshillohet në sëmundje të mushkërive dhe pezmatime të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Përdorimi: 1 lugë çaji me lulet e thara hidhet në ½ gotë ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta, kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë. Në vende të thata e ruan veprimin deri në 2 vjet.


25. Luledielli

Esenca përbëhet nga lulet e thara të lulediellit (Helianthus annuus, familja Compositae). Lulet ulin temperaturën e lartë; përdoren në shqetësime nervore, në çrregullime të stomakut etj.
1 lugë gjelle me lulet e thara hidhet në 1 gotë me ujë të sapozier, mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta. Kullohet. Pihen 1-2 doza të tilla në ditë. Esenca e ruan veprimin për 2 vjet.


26. Lulëkuqja

Petalet e thara të lules së lulëkuqes përdoren si ilaç. Esenca nuk ka morfinë. Esenca qetëson kollën, heq ngacmimin e kollës. Përdoret kryesisht tek fëmijë me pezmatim të bronkeve dhe me sëmundje të mushkërive.
Përdorimi: 2 lugë çaji hidhen në ½ gotë ujë që zien. Ena mbulohet me kapak dhe lihet gjysëm ore. Lëngu kullohet dhe pihet i ëmbëlsuar. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë. Esenca e ruan veprimin për 18 muaj.


27. Lulelepuri

Pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e lulelepurit përdoret si esencë. Lulelepuri është bimë që gjendet në pyje e shkurre të zonës alpine dhe subalpine. Lulëzon në mars-maj. Qetëson pezmatimet, kollën, rrit aftësinë mpikëse të gjakut, ndihmon sekretimin e lëngjeve nga organizmi. Prandaj përdoret si ekspektorant, në bronshit, në sëmundje të mushkërive dhe në menstruacione të vështira. Lulelepuri përdoret si diuretik. Ka aftësi të ripërtërijë indet e humbura, prandaj përdoret për mjekimin e plagëve të ndryshme.
Përdorimi: 1-2 lugë supe me esencë të grimcuar hidhen në 1 enë me ½ litër ujë të sapozier. Lihet të rrijë 15 minuta, kullohet dhe pihet gjatë ditës. Veprimin e ruan për 2 vjet.


28. Luleshtrydhe

Esenca përbëhet nga gjethet e thara të luleshtrydhes. Gjethet e luleshtrydhes përdoren në infeksionet e mukozës së zorrëve që shoqërohen me heqje barku, kundër gurëve të aparatit urinar dhe në sëmundje të veshkave. Nga jashtë çaji i esencës përdoret në kompresa për hemorroide të gjakosura, për shpëlarjen e gojës së infektuar dhe me erë të keqe, kundër ekzemës etj.
Përdorimi: Në rastet e rënda të heqjes së barkut 100-300 gjethe të njoma (ose 20-60 gr gjethe të thata) hidhen në 1 litër ujë dhe zihen. Lëngu kullohet dhe pihet me lugë gjelle çdo 1 orë. Esenca e ruan veprimin deri në 2 vjet.


29. Llopoi

Esenca përbëhet nga rizoma dhe nga gjethet e thara të llopoit . Është bimë barishtore shumëvjeçare që takohet buzë përrenjve. Lulëzon në mars-prill. Ka veti spazmolitike prandaj përdoret si qetësuese e kollës; si qetësuese e ngërçeve në kollën e bardhë, në sindromin premenstrual. Nga jashtë përdoret në mjekimin e majasëllit dhe të plagëve që shërohen me vështirësi.
Përdorimi: 1 lugë çaji me esencë rizom të grimcuar zihet në 1 filxhan ujë për 5 minuta dhe lihet të ftohet. Kullohet dhe pihen 3 doza të tilla në ditë. Mund të pihet dhe si pluhur 3 herë në ditë nga 1 lugë kafeje. Në vende të thata dhe të ajrosura Esenca e ruan veprimin për 18 muaj.


30. Majdanozi

Bimës së majdanozit i përdoren frytet, rrënjët dhe gjethet. Bima përdoret si stimuluese e nervave dhe e muskujve, përmirësuese e oreksit, e tretjes,rregulluese e menstruacioneve, diuretike, për largimin e gazrave si dhe në mjekimin e plagëve. Pakëson qumështin në nënat me fëmijë në gji. Në doza të larta shkakton trullosje.
Si çaj përdoret duke zier 6o gr rrënjë në 1 litër ujë dhe pirë 1 filxhan kafeje pas buke. Ose ½ lugë çaji me fryte të copëtuara hidhen në 1 gotë ujë të sapozier, lihen 30 minuta, kullohet dhe pihet gjatë ditës. Ose 1 lugë me gjethe të grimcuara hidhen në 1 gotë ujë të sapozier, lihet ½ orë. Kullohet dhe pihen 3 doza të tilla në ditë. Si llapa përdoret duke zier majdanozin në verë. Vendi i dëmtuar lyhet 3 herë në ditë me alkool dhe pastaj mbulohet me llapa. Llapaja vendoset e ngrohtë në vendin e goditur.


31. Majdanozi i egër

Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e fierit, ose ndryshe e majdanozit të egër. Takohet në zona fushore, në vende me hije dhe lagështi. Nxjerr gëlbazën nga rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë si dhe këshillohet si diuretik për gurët në rrugët urinare. Për nxjerrjen e gëlbazës përgatitet si vijon: 1 lugë çaji me esencë të grimcuar hidhet në 1 gotë ujë të sapozier, mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta duke e përzier herë pas here. Kullohet dhe pihet e ngrohtë. Merren 1-3 doza në ditë.
Kurse si diuretik: hidhen 2 lugë gjelle esencë në 2 gota me ujë, zihet përmbajtja. Lëngu ndahet në 3 pjesë dhe pihet gjatë ditës.


32. Manaferra

Gjethet e thara të manaferrës kanë veti shëruese. Përdoren kundër hemorragjive të brendshme, diarresë dhe hemorroideve. Si gargarë përdoret kundër mahisjes së fytit, faringjitit, aftës dhe acarimit të mishrave të dhëmbëve..
2 lugë kafeje me esencë të grimcuar zihen në 15 minuta në 1 gotë me ujë, lihet në qetësi për ca kohë pastaj kullohet dhe pihen 2-3 doza të tilla në ditë.


33. Mani

Gjethet e thara dhe frytat e freskëta të manit të zi dhe të bardhë kanë veti shëruese. Gjethet kanë veti rrudhëse, anti-diabetike, diuretike, hipotensive dhe zbutëse të kollës. Frytet e manit janë laksative të lehta.
1 lugë me gjethe të thata të copëtuara hidhen në 1 filxhan çaji ujë të sapozier. Mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta, pastaj kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla.


34. Manushaqja

Rrënjët dhe gjethet e thara të manushaqes ose të vjollcës kanë veti shëruese. Gjethet dhe lulet e njoma janë të ngrënshme. Rrënja dhe gjethet kanë alkaloidin violinë i cili nxit të vjellët, alkaloidin odoratinë që ul tensionin e gjakut, saponina si dhe pak esencë. Saponinat lehtësojnë nxjerrjen e gëlbazës. Nga jashtë përdoret në formë banjash në plagët që shërohen me vështirësi. Së bashku me bishtkalin përdoret në majasëll.
1 lugë me esencë të grimcuar hidhet në ½ gotë ujë. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 6 orë. Përzihet herë pas here. Lëngu kullohet dhe pihet. Pihen 1-2 doza në ditë. Ose përgatitet duke zier 1 gotë ujë me 1 lugë esencë derisa të mbetet gjysma e lëngut. Për nxitjen e të vjellave në vend të një luge droge hidhen 2-3 lugë gjellë esencë.

35.Manushaqja e egër


E gjithë bima e lulëzuar, e tharë e manushaqes së egër (emra të tjerë menekshe e Stambollit, surratka e egër). Lehtëson kollitjen, urinimin, vepron kundër reumatizmit. Këshillohet si ekspektorante në sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, në kollën e bardhë, në sëmundje të fshikëzës së urinë; në reumatizëm dhe podagër.
2 lugë çaji me esencë të grimcuar hidhen në një gotë me ujë të sapovaluar. Përmbajtja mbulohet me kapak, tundet herë pas here dhe lihet 15-20 minuta. Kullohet dhe pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë. Ekstrakti alkolik i esencës ka veprim më të fuqishëm se çaji. Esenca zakonisht përdoret e përzier me Esenca të tjera.


36. Manxurana

Bima e tërë, pa kërcell shërben si esencë. Ndihmon tretjen, urinimin. Në doza të larta ka veprim të lehtë trullosës. Prandaj përdoret si qetësuese e lehtë, diuretike, stomatike, spazmolitike, në dobësi nervore, në sëmundje të organeve tretëse, në të ftohur etj. Manxurana zakonisht pihet bashkë me kamomilin dhe mendrën. Është i ngjashëm me rigonin në përdorimet e tij. Në formë llapaje përdoret për mjekimin e plagëve.
1 lugë kafeje me esencë të grimcuar hidhen në një gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe përzierja zihet 5-10 min. Kullohet; pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Ruhet deri në 18 muaj.


37. Mareja

Gjethet e thata të maresë (koçimares) përdoren si esencë. Është shkurre ose dru deri në 10 metra i lartë. Ka veti rrudhëse dhe antiseptike. Përdoret kundër diarresë, pezmatimit të mëlçisë dhe për dizinfektimin e rrugëve të urinës.
20 gr esencë e grimcuar hidhen në 500 gr ujë të sapozier; ena mbulohet me kapak dhe përzierja lihet 15-30 minuta; kullohet . Pihen 3-4 filxhanë kafeje në ditë. Në raste diarreje çaji zihet 10 minuta. Çaji ruhet për deri 18 muaj.


38. Mëlqinja

Lëvorja e rrënjëve dhe frytet e thara të bimës përdoren si esencë. Bima haset në vende të shkreta të maleve gëlqerore. Ka veti laksative, diuretike, koleretike, spazmolitike dhe përdoret në sëmundje të veshkave, në gurë të veshkave, në pezmatime të rrugëve urinare (sipas këshillës së mjekut). Tejkalimi i dozës mund të dëmtojë veshkat si dhe mund të japë përgjumje, të vjella, diarre etj. Frytet përdoren në përgatitjen e çajrave të pasur me vitaminë C.
1 lugë çaji me esencë lëvoreje të grimcuar hidhet në 2 filxhanë çaji ujë dhe zihet 5-10 minuta. Çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës i ndarë në 3 pjesë. Esenca ruhet deri në 18 muaj.


39. Mendra e butë

Gjethet e thara të dhiozmës, ose mendrës së butë shërbejnë si esencë. Përdoret për qetësimin e sistemit nervor, për largimin e gazrave të zorrëve, kundër diarresë, për nxitjen e zbrazjes së fshikëzës së tëmthit, kundër marrjes së mendjes etj.
Një lugë supe me mendër hidhet në 2 gota me ujë të sapovaluar. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 5-10 minuta duke e tundur herë pas here. Gjatë ditës pihen 2-3 doza të tilla. Esenca e ruan veprimin për 2 vjet.


40. Mersina

Gjethet e thara të bimës shërbejnë si esencë. Është bimë shumë e përhapur. Përdoret në sëmundje të aparatit të frymëmarrjes, kundër diarresë, majasëllit. Lehtëson sëmundjen e diabetit.
15-30 gjethe të copëtuara hidhen në 1 litër ujë dhe zihen për 5 minuta. Ena mbulohet me kapak, lihet në qetësi për 15 minuta, pastaj kullohet përmbajtja dhe prej lëngut pihen 4-6 lugë gjelle në ditë. Esenca e ruan veprimin për 18 muaj.


41. Mëllaga

Gjethet dhe lulet e thara të mëllagës shërbejnë si esencë. Përdoret në sëmundje të aparatit tretës, të aparatit urinar. Nga jashtë përdoret për larje, gargarë, kundër acarimeve të lëkurës dhe të mukozave. Përdoret dhe për të shëruar difekte të mukozës së stomakut dhe të zorrëve. Ka veti absorbuese sikurse qymyri shtazor.
2 lugë çaji me esencë hidhen në 1 gotë ujë të sapozier dhe lihen 15-30 minuta. Pihen 2-3 gota në ditë. Esenca ruhet deri në 18 muaj.


42. Mëllaga e bardhë

Rrënjët e prera, të qëruara dhe të thara, si dhe gjethet e mëllagës ose mollohires shërbejnë si esencë. Bima rritet zakonisht në zonat e ulëta, në vende më lagështi. Esenca përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të frymëmarrjes dhe të fytit, për të lehtësuar nxjerrjen e gëlbazës; për të shpëlarë fytin dhe hundën; në pezmatime të rrugëve urinare dhe të zorrëve; në diarre.
Ndryshe nga çajrat e tjerë çaji i mëllagës së bardhë përgatitet duke e hedhur esencën në ujë të ftohtë. 1 lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhen në një gotë ujë dhe përzierja lihet 6 orë. Pihen doza të tilla disa herë në ditë. Njësoj përgatitet çaji për gargarë dhe bëhet gargarë disa herë në ditë. Çaji i rrënjëve mund të përgatitet dhe duke hedhur esencën e grimcuar në ujë të përvëluar.
Përdoren dhe lulet e mëllagës së madhe (Althaea rosea) si zbutëse në bronkit; si laksative të lehta; kundër kollës. Çaji i kësaj bime përgatitet duke zier 2 lugë gjelle lule në 1 gotë ujë. Pihen 2-3 doza të tilla në ditë.


43. Mështekna

Si esencë shërbejnë gjethet dhe sythet e thara të mështeknës ose krahjetës. Bima takohet në veri të vendit, në zonën e ahut. Përdoret si diuretike; në albuminuri; në gurët e veshkave, në reumatizëm, në gutë; në dhembje të kyçeve; në sëmundje të mëlçisë, etj.
2-3 lugë çaji me esencë hidhen në 1 gotë ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet. Nëse shtojmë një majë thike me sodë buke efekti i çajit shtohet. Pihen 2 doza të tilla në ditë. Esenca e ruan veprimin deri në 18 muaj.


44. Misri

Mustaqet e misrit nxisin urinimin dhe përdoren në cistitet kronike. Esenca ndihmon në tretjen e gurëve të veshkave me përjashtim të gurëve oksalate. Esenca shton punën e tëmthit; pakëson hemorragjinë. Të sëmurët nga zemra duhet të kenë kujdes në përdorimin e esencës sepse ajo ngacmon muskulaturën e saj si dhe rrit tensionin e gjakut.Poleni i luleve të misrit përdoret në sëmundje të prostatës.
3 gr esencë hidhen në 1 gotë ujë të ftohtë dhe përmbajtja zihet 5 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet; merren 2-3 doza të tilla në ditë. Poleni përdoret në këtë mënyrë: 1 lugë gjelle me polen dhe 1 lugë gjelle me mjaltë përzihen në ½ gotë me ujë mineral . Lëngu pihet 1 herë në ditë, në mëngjes esëll.


45. Murrizi

Esenca përbëhet nga lulet me gjethe dhe frytet e thata të murrizeve dy dhe një bërthamshe. Esenca ka veti qetësuese; ulin tensionin e gjakut; përdoren në forma të lehta të pamjaftueshmërisë së koronareve; në dëmtimet e zemrës pas sëmundjeve infektive etj. Esenca vepron pas një kohe të gjatë.
2 lugë çaji me esencë të grimcuar hidhen në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet dhe lihet të ftohet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë. Esenca e murrizit përgatitet dhe si tinkturë: 20 esencë e grimcuar hidhen në 100 gr alkol 60 gradësh, mbahen në një shishe. Pas 10 ditësh kullohet përmbajtja. 20-25 pika lëng në pak ujë pihen 3 herë në ditë. Esenca e ruan veprimin për 18 muaj.


46. Nejça e përdredhur

Rizomat e thara të bimës përdoren si esencë. Bima rritet në livadhe me lagështi në zonën subalpine. Përdoret kundër diarresë. Ka shumë tanine, aq sa lëvorja e dushkut, frytet e boronicës. Shërben si mjet rrudhës dhe jargëzues në pezmatimet e zorrëve; në formë gargare në pezmatimet e zgavrës së gojës dhe të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
1-2 lugë çaji me esencë hidhen në ½ gotë ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 30 minuta; lëngu kullohet dhe pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë deri në normalizimin e gjendjes. Esenca e ruan veprimin për 2 vjet.


47. Nejça si piper uji

Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e bimës shërben si esencë. Bima rritet si bar i keq në vende me lagështi. Është e zakonshme në zonën e Korçës. Gjethet e freskëta të saj kanë shije shumë djegëse e cila zhduket kur ato thahen. Lulëzon në qershor-tetor.
Esenca ka veti të lehta ekspektorante, ka veti rrudhëse dhe antiseptike (në sajë të tanineve që përmban), veti antihemorragjike (në sajë të vitaminës K). Si ekstrakt i lëngët përdoret në metroragji, si diuretik dhe hipotensiv. Në formë pervalese përdoret në pezmatimet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, në kollën e bardhë etj. Përdoret dhe nga jashtë për lehtësimin e pezmatimeve dhe dhimbjeve të kyçeve; në artroza dhe sëmundje të lëkurës.
Një lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhet në 1 l ujë të sapozier dhe lihet 15 minuta. Pihen 2-3 gota çaji në ditë.


48. Nerënxa

Lëvoret e fryteve të thara të nerënxës shërbejnë si ilaç. Lëvoret e nerënxës përdoren për hapjen e oreksit, në dispepsi, në ethe, etj.
30 gr esencë e grimcuar hidhen në 100 gr alkol 80O.Përmbajtja lihet 2 javë duke e tundur herë pas here. Pas 2 javëve lëngu kullohet. Kundër dhimbjeve të stomakut dhe të zorrëve pihen 30 pika në pak ujë. Për hapje oreksi pihen 15-20 pika në 1 filxhan ujë, gjysëm ore para buke.
Lulet e nerënxës përdoren si qetësuese në fëmijët që vuajnë nga pagjumësia. Çaji përgatitet nga 5 gr lule të thara të cilat hidhen në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet për 15 minuta. Çaji kullohet dhe pihet para gjumit.


49. Pelini

Pjesa mbitokësore e tharë e pelinit shërben si esencë. Pelini është i hidhur prandaj përdoret për shtimin e lëngjeve të stomakut dhe për përmirësimin e punës së mëlçisë. Esenca e pelinit ka veti antiseptike. Pelini në doza të mëdha është i helmët dhe mund të dëmtojë trurin. Nuk duhet përdorur nga gratë shtatzëna.
1-2 lugë kafeje esencë e copëtuar hidhen në ½ gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta të ftohet, pastaj përzierja kullohet dhe çaji pihet disa herë gjatë ditës, me lugë, gjysëm ore para buke. Mund të merret dhe si pluhur, 3 herë në ditë nga 1 gr para buke. Esenca e ruan veprimin për 18 muaj.


50. Pelini i zi

Pelini i zi në krahasim me të bardhin ka më pak hidhëtinë dhe esencë jo aq të dëmshme. Esenca përdoret për rritjen e oreksit; normalizimin e çrregullimeve të menstruacioneve; kundër parazitëve të zorrëve. Esenca nuk duhet të merret në doza të larta dhe për një kohë të gjatë sepse shkakton helmim që shoqërohet me rënien e tensionit të gjakut dhe me ngadalësimin e ritmit të rrahjeve të zemrës.
1-2 lugë çaji me esencë të grimcuar hidhen në ½ litër ujë të sapozier. Përzierja lihet 15 minuta, kullohet dhe pihet disa herë në ditë para buke, me lugë gjelle. Esenca ruhet deri në 2 vjet.


51. Pisha

Sythet e pishës shërbejnë si esencë. Esenca përdoret në kollë, bronkit; si mjet diuretik në pielit; cistit e uretrit. Nga jashtë sythet e pishës përdoren në banja me veprim antiseptik dhe cikatrizues.
1 lugë kafeje me sythe hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta; kullohet. Pihen 2-3 doza të tilla në ditë.
Rrëshira vajore e pishës përdoret për mbylljen e plagëve dhe si mjet baktericid duke e vendosur drejtpërdrejt në plagë. Esenca e ruan efektin deri në 18 muaj.


52. Pjepri i egër

Është një bimë e rrallë tek ne. Lëngu i fryteve para pjekjes së tyre të plotë shërben si esencë. Lëngu lihet në qetësi, pas një farë kohe në fund të enës bie një llum i cili përdoret si ilaç.
Esenca ka veti purgative shumë të fuqishme prandaj përdoret vetëm me këshillën dhe nën mbikëqyrjen e mjekut.


53. Plepi i zi

Sythet dhe lëvoret e degëve të plepit të zi përdoren si ilaç. Esenca është diuretike, rrudh mukozat, është antiseptike. Sythet e plepit të zi përdoren nga jashtë si pomadë në majasëll dhe djegie.
1-2 lugë çaji me sythe të grimcuara hidhen në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta, pastaj kullohet. Pihen 2 doza të tilla në ditë. Kurse çaji i lëvoreve përgatitet si vijon: 2 lugë çaji me esencë të copëtuar zihen në 1 filxhan çaji ujë për 10 minuta. Pastaj ena lihet 15 minuta e mbuluar. Përmbajtja kullohet. Pihen 2 doza të tilla në ditë.
Pomada përgatitet si vijon: 20 sythe të copëtuara hidhen në 1 lugë gjelle alkool të përqendruar. Ena lihet e mbuluar për 24 orë. Alkooli i shtohet 100 gr dhjam derri të freskët dhe 5 gr dyllë bletësh. Përzierja vihet në banjëmari që të shkrijë. Pas shkrirjes përzierja kullohet në napë dyshe dhe përzihet mirë që të bëhet e njëtrajtshme.


54. Prasi

Gjethet e freskëta të prasit kanë veti kurative. Sikundër qepa ato kanë veti bakteriostatike; nxisin tretjen e ushqimit nga zorrët, ulin presionin e gjakut; janë diuretike. Farat e shtypura të preshit, të ziera në verë të bardhë përdoren kundër


55. Qepa

Koka e qepës përdoret për shtimin e lëngjeve tretëse të stomakut, si diuretike; për kurimin e plagëve, të sëmundjeve të gojës; kundra kapsllëkut; për pakësimin e shpeshtësisë së urinimit në të sëmurët me prostatë. Përdoren 2-6 kokrra qepë në ditë. Si diuretike përgatitet si vijon: 300 gr qepë shtypen në havan dhe bëhen qull. Shtohet 100 gr. mjaltë, 600 gr verë e bardhë, përzihen me njëra tjetrën që të bëhet një lëng i njëtrajtshëm. Përzierja lihet 24 orë. Lëngu kullohet dhe pihet 2-4 lugë supe në ditë, para buke.
Alkoolatura me qepë përgatitet si vijon: 100 gr qepë të copëtuara zhyten në 100 gr alkool 90o dhe lihen për 10 ditë. Lëngu filtrohet dhe pihen 2-4 lugë kafeje në ditë për shtimin e urinimit dhe në sëmundje të zorrëve.
Për qetësimin e kollës merren luspat e anëve, të kuqe, të thata, të 4-5 qepëve, zihen në xhezve me ujë. Çaji kullohet dhe pihet në darkë. Po ky çaj pihet kundër heqjes së barkut, 1 gotë çaj 3 herë në ditë, para buke, për dy ditë rresht.
Në lëkurën e dëmtuar (qelbëzim, morth, goditje etj.) vihet qepë e grirë imët e përzier me pak kripë. Në variçe vihet si llapa për 8-10 orë.
Në gërvishtje të freskëta ose në shpime vihen direkte mbi plagë cipat e luspave të qepëve, që të mënjanohen infeksionet në mungesë të antibiotikëve.
Në të sëmurët nga prostata, për pakësimin e shpeshtësisë së urinimit përdoret si vijon: 1 qepë ndahet në 4-5 pjesë, futet në 1 enë ku shtohet një gotë me ujë, lihet gjatë natës. Në mëngjez lëngu kullohet dhe pihet esëll. Kjo bëhet 40 ditë rresht.


56. Qingla


Frytet dhe rrënjët e thara të qingles kanë veti kurative nëse përdoren sipas udhëzimeve të mjekut. Në doza të larta janë helmuese dhe shkaktojnë të vjella dhe diarre, deri në vdekje. Përdoren si diuretike, laksative në pezmatimet e rrugëve urinare, të fshikëzës së urinës etj. Frytet përdoren dhe për ngjyrosjen e verave dhe të lëkurave. Në formën e reçelit frytet e qinglës janë përdorur dhe kundër TBC-së.
1 lugë çaji me rrënjë të grimcuara hidhet në ½ litër ujë. Lihet 15 minuta. Lëngu pihet gjatë ditës i ndarë në 2-3 doza të barabarta.


57. Rigoni

Pjesa mbitokësore e rigonit përdoret për të ndihmuar tretjen; për nxjerrjen e gëlbazës; për mjekimin e rrugëve të frymëmarrjes, kollës së bardhe; për nxitjen e urinimit; për nxitjen e djersitjes në rrufë e grip; kundër acarimeve të lëkurës dhe mykozave.
Është i pasur në fenole dhe flavonoide prandaj është antioksidant i mirë.
1 lugë çaji me esencë të copëtuar hidhet në ½ gotë ujë të sapovaluar, mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta. Përmbajtja kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë. Esenca ruan veprimin për 2 vjet.


58. Rozmarina

Gjethet e thara të rozmarinës shërbejnë si esencë. Rozmarina përdoret kundër hipertensionit; në formë gargare për mjekimin e aftës; në formë ekstrakti alkoolik për masazhe të kokës kundër rënies së flokëve. Rozmarina në doza të larta është helmuese. Nuk përdoret në shtatëzani.
1 lugë kafeje ose supe me esencë të grimcuar hidhet në një gotë ujë të sapovaluar, mbulohet me kapak dhe përmbajtja lihet 15 minuta. Pihen 3 doza të tilla në ditë. Përdorime të tjera sipas literaturës: përdoret për përmirësimin e memories.


59. Rrepa

Rrënjët e freskëta të rrepës kanë veti kurative. Rrepa përdoret kundër gurëve të tëmthit; për të lehtësuar tretjen e ushqimeve; për nxitjen e urinimit. Rrepa nuk përdoret në doza të larta kur mëlçia është e dëmtuar. Me tharjen e rrënjës pakësohet veprimi kurativ i saj. Në gurët e tëmthit përdoret në doza të vogla dhe për një kohë të caktuar. Kura me rrepë në sëmundjen e mëlçisë mënjanon shqetësimet alergjike si kruarjen, etj.
Merren nga goja 100-200 gr. rrënjë të freskëta, ose pjesë-pjesë 100-150 gr lëng rrënje në ditë. Pas një kure prej 4-5 ditësh bëhet ndërprerje prej 2-3 ditësh. Kura zgjat 15-20 ditë dhe mund të përsëritet çdo 3 muaj.


60. Salepi

Zhardhokët e rinj, të qëruar, të tharë dhe të pluhurosur të bimës kanë veti kurative. Zhardhokët nxirren nga toka në fund të lulëzimit, pastrohen nga dheu, zhvishen nga cipa e tapëzuar, përshkohen në pe, zhyten për disa minuta në ujë që valon për të prishur aftësinë mbirëse dhe thahen në ajër duke i varur në penjë.
Salepi përdoret në acarimet e mukozës së zorrëve dhe të stomakut; kundër katarreve dhe heqjes së barkut, veçanërisht tek fëmijët; në katarret e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
1 lugë kafeje me pluhur salepi hidhet në 1 litër ujë të sapovaluar. Pija pihet e ngrohtë, disa herë në ditë, e aromatizuar me erëza. Esenca ruhet për 2 vjet.


61. Selvija

Boçet e thara të selvisë kanë veti kurative. Ato përdoren kundër urinimit në gjumë (sepse fuqizojnë muskulaturën e fshikëzës së urinës); në majasëll, varriçe (sepse ngushtojnë enët e gjakut); kundër diarresë (në sajë të veprimit rrudhës).
10 gr. esencë e copëtuar hidhet në 100 gr alkol 600, në një shishe e cila mbyllet me tapë. Përmbajtja lihet 7 ditë duke e përzier herë pas here. Pas 7 ditëve lëngu kullohet dhe pihet në dozën nga 20 pika 3-4 herë në ditë pas ushqimit kur ndodhin rrjedhje të brendshme gjaku me prejardhje të ndryshme. Fëmijëve që urinojnë në gjumë u jepen 15 pika para gjumit. Për përdorim nga jashtë 50-100 pika tinkturë treten në 1 litër ujë të ngrohtë. Copa garëze njomen me ujin dhe vihen mbi varriçe. Varriçet lahen me çajin që përftohet duke zier 1 grusht me fryte të thata në 1 litër ujë.
Kurse për heqje barku çaji përgatitet duke hedhur 10 gr esencë të copëtuar në 2 gota ujë të sapozier. Përmbajtja mbulohet me kapak dhe përzihet herë pas here. Pas 15 minutash kullohet. Pihet çdo 2 orë nga 1 lugë gjelle.


62. Sinapi

Farat e sinapit përdoren si esencë. Farat e sinapit të shtypura në ujë, nga jashtë skuqin lëkurën dhe tërheqin gjakun në vendin ku vihen. Prandaj përdoren për shpejtimin e shërimit të sëmundjeve nga të ftohurit, të reumatizmit etj.
Llapaja e sinapit përgatitet si vijon: 50 gr miell sinapi përzihen me ujë gjysëm të vakur (25-35 0C), derisa të formohet një brumë i butë. Brumi mbështillet me leckë dhe vihet mbi vendin ku dhemb, lihet në të 15 minuta. Vendi ku vihet llapaja mund të lyhet paraprakisht me pak vaj.
Për mjekimin e ftohjeve dhe reumatizmit merren 25 gr miell sinapi, futen në një qese lecke, e cila zhytet në 2 litra ujë gjysëm të vakur, banja lokale zgjat ~30 minuta. Farat e sinapit nuk zhyten në ujë të valuar sepse humbasin aftësinë vepruese. Esenca e ruan veprimin për 18 muaj.


63. Speci djegës

Përdoret për hapjen e oreksit; për nxitjen e zbrazjes së fshikëzës së tëmthit. Nga jashtë përdoret në reumatizëm. Në formë pluhuri përdoret 3 herë*0.1 gr në ditë. Tinktura përgatitet duke hedhur 10 gr spec djegës në 100 gr alkool 60 gradësh. Përzihet herë pas here dhe lihet disa ditë. Pihen 20-30 pika 2-3 herë në ditë. Për përdorim nga jashtë tinktura përgatitet duke hedhur 6 speca djegës të freskët në 100 gr alkool 80 gradësh për dy ditë. Pas kësaj lëngu kullohet dhe përdoret për fërkimin e vendit ku ndihet dhimbja reumatizmale.


64. Shega

Lëvorja e rrënjëve të shegës shërben si esencë. Esenca përdoret kundër tenias dhe kundër diarresë.
Kundër tenias përgatitet si vijon: 60-80 gr lëvore të thara e të copëtuara hidhen në 3 gota ujë. Lëngu zihet në fillim me zierje të lehtë pastaj me zierje më të fortë derisa të mbeten 2 gota ujë. Çaji pihet esëll në 2-3 doza brenda 1 ore. Ka shije të papëlqyeshme prandaj mund të ëmbëlsohet. Rekomandohet që 2 orë pas pirjes së çajit të pihet purgativ (psh. 30-50 gr vaj recini) që të jashtëqitet paraziti i paralizuar.


65. Shelgu

Lëvorja e degëve 2-3 vjeçare e shelgut të bardhë, të kuq dhe të thyeshëm shërben si esencë. Përdoret për të ulur temperaturën e lartë; kundër podagrës, reumatizmit kronik; si qetësues dhe në të ftohtit kundër temperaturës dhe dhimbjeve.
Një lugë çaji me esencë të grimcuar hidhet në një gotë ujë dhe zihet 15 minuta. Pihen 1-3 gota të tilla në ditë. Për përdorim nga jashtë: 30-40 gr esencë zihen në ½ litër ujë. Lëngu përdoret për banja të këmbëve që djersiten shumë, për mjekimin e plagëve që shërohen me vështirësi. Në formën e ekstraktit alkoolik përdoret në masazhe kundër rënies së flokëve.


66. Sherbela

Gjethet e thara të sherbelës (ose sfaka) shërbejnë si esencë.
Përdoret kundër djersitjes së tepruar si psh. në sëmundje të mushkërive, klimakter etj. Djersitjen e pakëson 2 orë pas pirjes së çajit dhe veprimi i zgjat disa ditë. Pakëson qumështin e nënave. Përdoret kundër diarresë sidomos kur kjo shoqërohet me dobësim të muskulaturës së zorrëve; në trazira nervore; në të marrët e mendve; në sëmundje të fshikëzës së tëmthit dhe të mëlçisë; si antiseptik në formë gargare në acarimet e zgavrës së gojës dhe në hemorragjitë e mishrave të dhëmbëve. Sherbela tek femrat ka veprim estrogjen prandaj përdoret për lehtësimin e fekondimit (të rënies shtatzanë).
1 lugë gjelle me esencë të tëhrrmuar hidhet në 1 gotë ujë të sapovaluar; mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta. Pihen 2 doza të tilla në ditë. I njëjti çaj mund të përdoret për gargarë. Esenca ka sasi të larta tujoni (helm) prandaj nuk përdoret për një kohë të gjatë.


67. Shtogu

Lulet dhe frytet e thara të shtogut të zi shërbejnë si esencë. Përdoret për të ndihmuar djersitjen në temperaturë të lartë në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes; për të qetësuar dhimbjet e aparatit tretës; në fryrjet e zorrëve nga gazrat; si gargarë në acarimet e fytit, bajameve dhe gojës. Frytet përdoren si antinevralgjike në nervin shiatik, në dhembje të kolonës vertebrale.
1-2 lugë çaji me esencë lule hidhen në 1 gotë me ujë të valuar; mbulohen me kapak dhe llihet 15 minuta. Përdoren 1-3 doza të tilla në ditë.
Me frytet çaji përgatitet si vijon: 1-2 lugë çaji me esencë hidhet në 1 gotë ujë; zihet 3-5 minuta. Pihet 1 gotë çaj në ditë, sidomos para gjumit. Fryteve të njoma u përdoret lëngu: 20 gr lëng i fryteve përzihet me 10 gr verë të kuqe. Përzierja pihet brenda ditës. Kura vazhdon 1 ditë deri në 3 javë derisa të qetësohen dhimbjet e nervit shiatik apo të nervit trigemin.


68. Tërshëra

Frytet e tërshërës përdoren për fuqizim në asteni; për nënat me femijë në gji për të shtuar qumështin; për qetësimine sistemit nervor; kundër veprimtarisë së rritur të tiroides; për uljen e presionit të gjakut.
2 lugë supe me tërshërë kokërr zihen në 2 gota me ujë derisa lëngu të shterojë përgjysëm. Lëngu pihet gjatë ditës i ndarë në 3 pjesë të barabarta.
Kundër kapsllëkut dhe majasëllit përdoret në mëngjes esëll 2-3 filxhana me kafe tërshëre të kavardisur, pluhurosur.


69. Trëndafili i egër

Frytet e thara të bimës shërbejnë si esencë. Përdoret kundër heqjes së barkut (si rrudhës), kundër skorbutit (ka vitaminë C), kundër gripit (për shkak të vitaminës C); në pezmatime të rrugëve urinare.
Në një gotë ujë për 5-10 minuta valohet një lugë gjelle me fryte të copëtuara. Zierja bëhet e ngadalshme. Çaji pihet menjëherë pas përgatitjes. Gjatë ruajtjes së fryteve të thara, pas 1 viti humbet gjysma e vitaminës C që ato kanë. Çaji kullohet në një napë sepse frytet kanë qime.


70. Ulliri

Si esencë shërbejnë gjethet e thara të ullirit. Esenca vepron shpejt në hipertension. Ka dhe veti hipoglicemizuese dhe pakëson ethet.
20 gjethe të thara zihen në 300 ml ujë derisa ky të shterojë në 200 ml. Gjysma e çajit pihet në mëngjes para buke dhe gjysma në darkë para gjumit. Kura mund të vazhdojë 15-25 ditë dhe mund të përsëritet pas një ndërprerjeje disa ditore.


71. Vishnja dhe qershija

Bishtat e tharë të vishnjes dhe të qershisë shërbejnë si esencë. Esenca përdoret si diuretike dhe si rrudhëse.
30 gr. bishta vishnjeje të thata zhyten në 1 litër ujë dhe lihen për 2 orë; pastaj zihen 5-10 minuta. Lëngu pihet brenda 1-2

Related

Shëndet & estetikë 2075881281710977592

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item