PERSONAZH / Oskar Uajlld, irlandezi “skandaloz”

Flavia Piccinni Një burrë me inteligjencë të lartë dhe me batutën gjithmonë të gatshme. Një dandy i votuar në kultin e të bukurës. Një joshë...

Flavia Piccinni

Një burrë me inteligjencë të lartë dhe me batutën gjithmonë të gatshme. Një dandy i votuar në kultin e të bukurës. Një joshës melankolik që thoshte: “Drama e madhe e jetës sime? Eshtë që kam vënë gjeninë time në ekzistencën time; gjithcka që kam vënë në veprat e mia është talenti im”. Për Oskar Uajlld, arti nuk qëndronte aq shumë tek librat, se sa tek vetë jeta. E nëse talenti e bëri të pavdekshëm falë romanit “Portreti i Dorian Greit” (jo rastësisht historia e “paktit me djallin” e një esteti që bën të plaket një portret në vendin e tij), gjenia e tij ia transformoi ekzistencën në një vepër arti. Një ekzistencë me teprime, që e konsakroi si njeriun më të kërkuar në sallonet e Londrës gjatë gjysmës së dytë të viteve Tetëqind, përpara se ta conte drejt shkatërrimit.
Mes puritanëve
Irlandezi “skandaloz” (kishte lindur në Dublin në 1854) jetoi në vitet ndoshta më moralistë të historisë angleze. Epoka kur, gjatë mbretërimit të mbretëreshës Viktoria (në fron që nga viti 1837), patriotizmit dhe prosperitetit të bazuar mbi pasuritë koloniale i korrespondonte një borgjezi e pasur, e cila shihte me tmerr teprimet dhe i dënonte homoseksualët fillimisht me burgim dhe më pas me varje. Dhe Uajld ishte ekscentrik dhe homoseksual.
Po kjo gjë Oskar Uajlldit nuk i interesonte: për të e rëndësishme ishte të habiste, të befasonte, të joshte. “E vuri menjëherë artin dhe fjalën e tij në shërbim të joshjes”, shpjegon Roberto Bertinetti, docent i letërsisë angleze në Universitetin e Triestes. “Kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe që në moshën 13-vjecare shfaqi cilësitë që do ta bënin të famshëm: batutën e menjëhershme, lojën gjeniale, ironinë. Fliste frëngjisht dhe anglisht dhe vdiste të skandalizonte të tjerët. E dinte se ishte ajo mënyra më e mirë për të mos u harruar, dhe për ta bërë nuk tërhiqej mbrapsht edhe nga përcmimi haptas i kanotazhit dhe kriketit, sportet më popullorë të kohës. Tani mund të jetë dicka që të bën të qeshësh, por për anglezët bëhej fjalë për një herezi”. Duket se që atëherë Uajlld kish vënë në veprim filozofinë që disa vite më vonë do ta përmblidhte në një prej aforizmave të tij më të famshëm, që ai e quante në frëngjisht bon mots: “Këto kohë, për të hyrë në botën e bukur, duhet të argëtosh ose të skandalizosh njerëzit”. Ai, në mesin e këtij dyshimi, zgjodhi që t’i bënte të dyja.
Oskar e përftoi artin e kënaqësisë që fëmijë. Për të lënë përshtypje tek nëna e tij poeteshë – e cila mburrej për një trashëgimi inekzistente nga vetë Dante – nisi të shkruajë poema në greqisht dhe latinisht. E ëma Jane Frances Elgee, e cila kërkonte të quhej Hope – Shpresa, ishte nga ana e saj një borgjeze ekscentrike që ndiqte aspirata artistike të cuditshme, dashuronte sallonet dhe në Dublin ishte e famshme për dhuntinë e saj si oratore. Ndërsa i ati, një okulist me famë, ishte një feminist i pafre, i dënuar për përdhunim. Një sfond që nuk mund të mos linte shenjën e tij.
Në moshën nëntëmbëdhjetë vjecare Uajlld fitoi një bursë studimesh të kolegjit Magdalen në Oksford, ku ra menjëherë në sy për mendjemprehtësinë e tij (por edhe për arrogancën). Ishte trampolina e tij. Nisi të udhëtojë nëpër Europë duke shpenzuar pa u përmbajtur dhe i rrethuar nga një luks që nuk mund ta përballonte.
Në vitin 1879 vendosi të transferohej në Londër në një shtëpi në 13 të Salisbury street, me mikun e tij piktor Frank Miles. Në shtëpinë mbi Tamiz, sic e kishte pagëzuar ai shtëpizën e vjetër, nisi legjenda e tij. U bë i njohur në të gjithë qytetin për aforizmat, me të cilët u jepte gjallëri bashkëbisedimeve të salloneve të kohës. Sallone ku dëshironte shumë që të binte në sy. “Një herë u shfaq në një darkë me një gjarpër përreth fytit”, rrëfen Bertinetti. Pikërisht kështu u bë i famshëm, që përpara se të kishte botuar dicka. Ishte në gojën e të gjithëve.
Një rebel i pandreqshëm ndaj diktatit të modës, e bëri elegancën e tij një model për të gjithë ata që aspironin të bëheshin dandy si dhe një armë joshjeje. Të gjithë marroseshin pas tij: jo për hijeshinë, se sa për magnetizmin. Gra dhe burra.
Pa frena
Pati një marrëdhënie me Miles, i detyruar nga i ati që të braktiste shtëpinë për të mos u akuzuar për homoseksualitet. Këtu ishte dallimi: Uajlld nuk i interesonte gjykimi i të tjerëve. Tashmë i shndërruar në një profet të dandizmit, në vitin 1882 ai shkoi në Shtetet e Bashkuara për një seri konferencash të organizuara nga sipërmarrësi teatror Richard D’Oyly Carte. Uajlld arriti që të bëjë për vete, me anë të oratorisë së tij, edhe një grup minatorësh nga Kolorado, të cilëve u foli për vlerat e artit. Kaq e madhe ishte magjepsja prej tij.
Megjithatë, kur u rikthye në Londër, dashuria e tij për luksin e coi në varfërim: “Mund t’i rezistoj gjithckaje, përvec tundimeve”, kishte thënë. Dhe tundimet kishin emrin e verërave dhe pijeve më të mira e më të kushtueshme, të sendeve antike dhe porcelanisë kineze, por edhe të glikanxosë dhe opiumit. Pasuria e trashëguar nga babai u shndërrua shumë shpejt në një kujtim dhe homoseksualiteti rrezikonte të bëhej një problem. “Një zgjidhje dukej se ishte martesa”, komenton Bertinetti. “Vëllai i tij Uilli ishte sistemuar duke u martuar me një grua shumë të pasur, 30 vjet më e moshuar se ai, por Uajlldi vendosi që të lidhet me një vajzë që asnjëherë nuk do të arrinte t’i garantonte një jetë të pasur. Një provë që mes të dyve pati dashuri të vërtetë”, vazhdon Bertinetti.
Vajza në fjalë ishte dublinezja Constance Lloyd. Pas tre vitesh fejesë, në vitin 1884 të dy u martuan dhe në vijim patën dy fëmijë. Për ta, Uajld shkruajti në vitin 1888 “Princi i lumtur dhe përralla të tjera”, por kjo nuk mjaftoi për ta bërë një baba të mirë. Ekseset dhe burrat e shumtë shenjonin tashmë ditët e tij.
Joshte adoleshentë si Robert Ross dhe përjetoi dashuri në vuajtje si ajo me John Gray, që ndoshta i shërbeu si frymëzim për romanin “Portreti i Dorian Greit”. Por mbi të gjithë ishte lord Alfred Douglas që, pasi kishte lexuar “Portreti i Dorian Greit” për “katërmbëdhjetë herë me radhë”, kërkoi që të njihte autorin. Në dukje, Bosie (kështu e quante Uajld), shfaqej si një prej të shumtëve. Por ai takim i ndryshoi jetën: marrëdhëniet me bashkëshorten u bënë gjithnjë e më të tensionuara. Tamam si Henry, esteti që Dorian Grei në roman e dëgjon “i habitur, me sytë e shqyer”, edhe Uajlldi e shijonte tek bënte për vete një numër gjithnjë e më të madh burrash dhe grash. Përditshmëria e tij ishte e mbushur me takime me prostituta të reja në moshë, humbje parash, kërcënime dhe shantazhe. Por gjëja më e keqe ishte se joshja e fjalës, arma e tij më e mirë, filloi që të humbasë magjinë e saj.
Hakmarrje
Marrëdhënia plot luhatje me Bosien shënoi edhe fillimin e fundit. Pasi kishte marrë një copë letër ku akuzohej se ishte një rufian dhe një sodomist, Uajlldi e paditi për shpifje dërguesin. I cili ishte Sir John Sholto Douglas, babai i të dashurit të tij. Shkrimtari e humbi cështjen dhe u dënua nga ana e tij për homoseksualizëm.
Ai proces poshtërues shënoi edhe hakmarrjen viktoriane ndaj joshësit të madh të salloneve. Akuza e vuri shumë herë në vështirësi. Me pyetje si kjo: “Përse ke cuar të rinj modestë në restorantet më të kushtueshëm?” Uajlld u përgjigj: “Sepse janë të rinj dhe pafajësia e tyre më bën të clodhem prej lodhjeve mondane”. Duke thyer me një frazë të vetme dy tabu: atë të homoseksualitetit dhe atë të ndarjes mes klasave sociale (në atë kohë një gentleman nuk mund të ndante kohën dhe argëtimin me të rinj të klasave më të ulëta). E pyetën edhe nëse me të vërtetë, ashtu sic thuhej, ai kishte puthur një shërbëtor. Dhe Uajlldi, i skandalizuar, përgjigjej: “Por joooo, aspak, ishte shumë i shëmtuar”. Por kur e pyetën nëse kish qenë i dashur, nuk u përgjigj por shpërtheu në lotë. Ai, që kish qenë mbret i fjalës, tashmë ishte tradhëtuar pikërisht prej kultit për batutën e atypëratyshme.
U dënua me dy vite punë të detyruar. Punonte gjashtë orë në ditë në një mulli, me pak bukë dhe pak ujë, duke u katandisur në hijen e vetvetes. Douglas bëri publike letrat e tyre intime dhe Costanze kërkoi divorcin. Kur doli nga burgu në vitin 1897, të gjithë e shmangnin dhe marrëdhënia me Bosien përfundoi pak vite më vonë.
Nuk kish mbetur shumë nga i riu Dandy. E megjithatë për magjepsjen e tij në Europë tashmë flitej me terma legjendarë (ashtu sic vazhdohet të bëhet edhe sot në të gjithë botën). Pa dhëmbë, i sëmurë me sifiliz dhe pa mundësinë as që të blinte veshje të përshtatshme, Uajld u vendos në Paris, ku vdiq në moshën 46-vjecare. Aforizmi i tij i fundit melankolik ishte: “Jetojmë të gjithë në baltë, por disa prej nesh i kanë sytë të kthyer nga yjet”.
Aforizma të Oskar Uajld
  • Cinik është dikush që di cmimin e gjithckaje dhe vlerën e asgjëje
  • Një njeri nuk mund të jetë shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e armiqve të tij
  • Amerika është i vetmi vend që shkoi nga barbarizmi në dekadencë, pa civilizimin në mes të këtyre të dyjave
  • Arsimi është një gjë e admirueshme, por asgjë që ia vlen ta dish nuk mund të mësohet
  • Nuk jam i ri sa duhet për të ditur gjithcka
  • Mund t’i rezistoj gjithckaje, përvec tundimit
  • Mendoj që Zoti, kur krijoi njeriun, në një farë mënyre mbivlerësoi aftësinë e tij
  • Më pyetën në doganë nëse kam dicka për të deklaruar. U thashë, po dua të deklaroj që unë jam një gjeni!
  • Në jetë, të gjithë jemi të zhytur në baltë. Disa prej nesh thjeshtë priren të shohin nga yjet
  • Martesa është triumfi i imagjinatës mbi inteligjencën. Martesa e dytë është triumfi i shpresës mbi eksperiencën
  • Baza e optimizmit është terrori absolut
  • E vetmja gjë që burrat dhe gratë kanë të përbashkët, është se të dy preferojnë shoqërinë e burrave
  • E vetmja gjë më e keqe se sa të flasin për ty, është që të mos flasin për ty
  • E vërteta e pastër dhe e thjeshtë është rrallëherë e pastër dhe asnjëherë e thjeshtë
  • Ka vetëm dy tragjedi në jetë: njëra është të mos marrësh atë që dëshiron, tjetra është që ta marrësh.

Related

Shtypi i huaj 7061783961363698390

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item