Pse gëzohen partitë shqiptare

Shkruan: Xhabir AHMETI E diel. Rrugëve të qytetit vlon njerëzia. Hallakamë. Derisa shkoj në dyqan për të blerë harxhin e mëngjesit e derisa ...

Shkruan: Xhabir AHMETI

E diel. Rrugëve të qytetit vlon njerëzia. Hallakamë. Derisa shkoj në dyqan për të blerë harxhin e mëngjesit e derisa kthehem disa vetë më pyesin në disa gjuhë: “A dole në votime? Sa e kanë për votimet, më shumë duan ta marrin vesh kujt do t’ia jap votën, por nuk pyesin. Përmbahen. Përmbahen, ndërkaq përbrenda i bren kërshëria. Duan ta dinë, e kanë me rëndësi ta dinë: a jam “me këta” ose “me ata”, jo për tjetër. Ta them të drejtën, vëlla, mua më duket… jo më duket, por kjo punë është konspiracion, se po thashë se “jam me këta” na del puna gjizë e po thashë se jam me ata puna do të më dalë dardhë. Prandaj e kruaj kokën pak pas veshi dhe i shikoj heshtazi. Ndonjëherë më vjen të them se jam edhe “me ata” edhe “me këta”, sepse edhe “me ata” edhe “me këta” më lidh gjaku, më lidh gjuha. “Me këta” kam lidhje familjare, “me ata” kam lidhje miqësore, farefisnore. kam dhe nuk dua të kem armiqësi as “me këta”, as “me ata”, pa marrë parasysh, ama bash pa marrë parasysh se i bëhet qejfi apo nuk i bëhet qejfit njërës apo tjetrës tajfë. Nuk jam indiferent me atë që po ndodh, nuk jam indiferent ndaj fyerjeve që na bëhen nga të gjitha anët, sepse ndarja e përçarja në “këta” dhe “ata” do të thotë humbje për të gjithë e gjithë asaj që është arritur ngadalë e me mundime. Vendosmërisht qëndroj në bindjet e mia se armiqësitë e krijuara nga politika e ditës nuk mund t’i mbështes. Dua që edhe “këta”, edhe “ata” të ulen e të punojnë së bashku kur janë në pyetje disa çështje të paprekshme të fushës kombëtare, njësoj siç veprojnë serbët. Ashtu siç veprojnë sllovenët. Ashtu siç veprojnë kroatët. Po kujt t’i them tash, në këtë ditë të diel në të cilën pasioni i trifozllëkut partiak ka marrë flakë dhe nga tymi i kësaj flake nuk duket interesi i brezave të ardhshëm që duhet të mbrohet, në këtë ditë të diel ku mbrohen vetëm inatet, kapricet e ku interesi kombëtar është lënë si livadh i hoxhës, ku mundet gjithkush të bëjë çka të dojë, ku ekonomia e popullit tonë as nuk përmendet, ku kultura e gjuha jonë janë bërë një koncept abstrakt, ndoshta edhe një konceptakulum ku të papërjetuarit i hedhin ëndrrat tona, në një këso të diele fjala nuk bën para, ideja nuk arrin te veshët e mbyllur me dyllë. Kthehem në shtëpi, shikoj TV-në, i dëgjoj fytyrat e njohura e të panjohura që i kanë bllokuar të gjitha TV-të dhe duket ajo që dihej se çfarë do të ndodhë. Dalin ato me buzëqeshje që nuk buron nga zemra, por nga interesi. Me aq duan ta blejnë besimin e popullit, të çdo individi. Prej çdo kujt “nuk kërkojnë shumë” – vetëm një votë. Dje kjo buzëqeshje pardje e ditëve të tjera parazgjedhore ka premtuar lulëzim, ka premtuar krenari, Evropë, liri, dinjitet. Sot, këtë të diel zgjedhore, kaq kërkon buzëqeshja e tyre – votën. Në fillim thashë hallakamë. Ndoshta nuk ia dini kuptimin asaj. Mos e kërkoni në fjalor. Nuk do ta gjeni. Do të jetë një fjalë e huaj me kuptimin e sotëm që ka fjala kaos. Dhe, ky kaos nuk ishte një çrregulli që ndodh papritur dhe që ndiqet nga frika e paniku, por ishte një kaos i nxitur nga një menadiadë e vërtetë, ku kishte pesë a gjashtë Dionisë dhe po aq grupe që të entuziazmuar përpiqeshin Dionisit të tyre t’i siguronin sa më shumë fryte votash. Ishte një kaos që notonte në një frymëzim kolektiv. Kapërcejnë pleq të brengosur, gra, por edhe të rinj që për herë të parë do t’ia falin votën partisë për të cilën janë përcaktuar të votojnë. Nguten ta japin votën me shpresë se ajo do të bëhet veja e artë e tyre. Disa shkojnë duke e mbajtur me vete ëndrrën ku struket një punë e mirë, disa të tjerë e kanë aty rritjen e pensionit, dikush, besa edhe milionat që mund të vijnë nga qielli i pushtetit. Nuk e besoj, ndërkaq, që dikush do ta ketë pasur brenda ëndrrës së vet tolerancën që i duhet kësaj shoqërie, çrrënjosjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve, problemet ekonomike të shqiptarëve. Programet arsimore. Reformat e domosdoshme arsimore etj. Këto – jo. Për ato nuk kanë kohë njerëzit e partive tona. Janë të tjerët që mendojnë edhe ndryshe, që s’na harrojnë e që ecin në anën e kundërt të akrepave të orës me qëllim që të na e nxijnë jetën. Njëfarë Nikovski tha se Marrëveshja kornizë paska qenë humbje e Maqedonisë dhe se tash do të korrigjohet diçka nga kjo humbje. Pra ishte ky një paralajmërim se burrat që janë produkt i së kaluarës e që vozisin fshesa, sërish do t’i kemi në allaj. Do të fluturojnë si dikur në kohët e shkuara. Do të derdhin vrer kundër nesh. Do të përpiqen të na bëjnë sherr. Si kyfarë Nikovski e shumë të tjerë. Kush do të mbetet të punojë në realizimin e dymijë e kusur projekteve të cilat i paralajmëroi DPMNE-ja, partia që fitoi mbi gjashtëdhjetë deputetë, këtë nuk mund ta dimë, sepse nuk e thanë partitë shqiptare, sepse ishin të zëna me dy punë “kombëtare”: t’u marrin votat fukarenjve dhe të bëjnë pehlivanllëk me kismet të lyera me naftë nga Rusia, në mënyrë që t’i lënë hapësirë kryeministrit ta ushtrojë sportin e tij kundër nesh. Pasojnë lëvdata, lëvdata. Dhe, kërcënime. Kot prita ndonjë mesazh të hairit. Natyrisht i përjashtoj këtu mesazhet e mediave elektronike, sepse ato janë në safin e parë të menadave. Kur ra mbrëmja e kësaj të diele në Shutkë njerëzit e Hamdi Bajramit t’ia dhanë me plot fishekzjarrë e vizatuan qiellin mbi minaren e lartë të xhamisë së tyre. E festonin fitoren nën pelerinën e VMRO-së. Shqiptarët valëvitnin flamujt partiakë, disa në të majtë, disa në të djathtë. Nuk e di pse festonin. VMRO DMPNE-ja e shfrytëzonte përparësinë e saj të madhe që kishte në numrin e votave të marra nëpër televizione, të gjitha televizionet e vendit, që ia mbajnë anën. Ajo e kishte të qartë pse feston. LSDM-ja nuk e pranonte rezultatin e as zgjedhjet, edhe pse e ka ditur, si të gjithë ne, se kur thotë kryeministri: unë do të marr mbi gjashtëdhjetë deputetë – ashtu bëhet. Kaosi ndjehet edhe në terr. Vetëm Zoti e di ku do të dalë kjo punë. Zoti e bëftë hair. E fika televizorin. Nuk ia vlen ta humbi natën me diçka që e kemi ditur të gjithë si do të nisë e si do të përfundojë. Mirëpo diçka s’më la e s’më lë rehat. Pse gëzohen partitë shqiptare?

Related

Opinione 222441826534382282

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item