EKONOMI / A ka lidhje ekonomia me politikën, ose domosdoshmëria e reformave strukturore
Michael Spence* David Brady* Paaftësia e qeverive për të vepruar me vendosmëri në adresimin e problemeve të rritjes ekonomike, punësimit dhe...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/ekonomi-ka-lidhje-ekonomia-me-politiken.html
Michael Spence*
David Brady*
Paaftësia e qeverive për të vepruar me vendosmëri në adresimin e problemeve të rritjes ekonomike, punësimit dhe sfidave të shpërndarjes së burimeve është shfaqur si një shkak kryesor shqetësimi pothuajse kudo. Në vecanti në SHBA, polarizimi politik, bllokada në Kongres si dhe kryenecësia e papërgjegjshme kanë tërhequr shumë vëmendje, dhe të shumtë janë ata që shqetësohen për pasojat ekonomike.
Por, një analizë e kohëve të fundit ka treguar se ka shumë pak korrelacion mes performancës ekonomike relative të një vendi në disa dimensione, dhe sa “funksionale” është qeveria e tij. Në fakt, në gjashtë vitet që kur nisi kriza ekonomike, SHBA ka patur një performancë më të mirë se sa vendet e përparuar sa i përket rritjes ekonomike, papunësisë, produktivitetit dhe kostos për njësi pune, pavarësisht një niveli rekord të polarizimit politik në nivel kombëtar.
Sigurisht, nuk mund të përgjithësosh. Papunësia është më e ulët në Gjermani, Kanada dhe në Japoni. Dhe shpërndarja e të ardhurave në Amerikë është më e pabarabartë se në shumicën e vendeve të përparuar – dhe tendenca është në rrugën e gabuar. Megjithatë, sa i përket performancës së përgjithshme ekonomike, SHBA është e qartë se nuk po paguan një cmim të lartë për keqfunksionimin politik.
Pa e injoruar vlerën potenciale të një politikëbërjeje më decizive, duket qartë që veprojnë edhe faktorë të tjerë. Ekzaminimi i tyre do të sillte një sërë mësimesh të rëndësishëm për shumë vende.
Mendimi ynë është se integrimi global dhe rritja ekonomike në një gamë të gjerë shtetesh në zhvillim kanë shkaktuar një proces shumëdekadësh ndryshimesh të thellë. Prania e këtyre vendeve në sektorin e tregtisë të ekonomisë globale po ndikon në cmimet relativë të mallrave dhe faktorëve të prodhimit, duke përfshirë kapitalin dhe punën. Në të njëjtën kohë, rënia e kostos së gjysmëpërcjellësve ka nxitur përhapjen e informacionit dhe teknologjive të informacionit, të cilat janë duke zëvendësuar punën, po eleminojnë ndërmjetësit në zinxhirin e furnizimit, si dhe janë duke reduktuar punët rutinë si dhe punën me vlerë të shtuar të ulët në pjesën e tregtisë të ekonomive të përparuara.
Këto janë tendenca shekullore që kërkojnë një vlerësim largpamës dhe përgjigje afatgjata. Strukturat relativisht miope të politikave mund të kenë funksionuar mirë në periudhën e hershme të pasluftës, kur SHBA dominonte, dhe kur një grup vendesh të përparuar me strukturalisht të ngjashëm zinin shumicën dërrmuese të prodhimit global. Por ato pushojnë së funksionuari mirë kur rritja ekonomike e qëndrueshme kërkon një përshtatje në të sjelljes si dhe strukturore, ndaj ndryshimeve të shpejtë në avantazhin krahasues dhe në vlerën e llojeve të ndryshëm të kapitalit njerëzor.
Atëherë, cilët janë faktorët e performancës relativisht të mirë të ekonomisë së SHBA në periudhën e paskrizës?
Faktori kryesor është fleksibiliteti strukturor në themel të ekonomisë së Amerikës. Procesi i shitjes së aseteve për të reduktuar borxhet ka ndodhur më shpejt se në shtete të tjerë dhe, më e rëndësishmja, burimet dhe prodhimi janë zhvendosur me shpejtësi në drejtim të sektorit të tregtisë, për të ngushtuar hendekun që ishte krijuar nga një kërkesë e brendshme e dobët.
Kjo tregon që, cilado qoftë merita e veprimit të qeverisë, ajo që qeveritë nuk bëjnë është gjithashtu e rëndësishme. Shumë vende kanë politika që mbrojnë sektorë të caktuar apo vendet e punës, duke imponuar kështu një ngurtësi strukturore. Kostoja e politikave të tilla rritet me nevojën për ndryshime strukturorë për të mbajturritmin e rritjes ekonomike dhe punësimit.
Në këtë drejtim, asnjë shtet nuk është “i butë”, por ka dallime thelbësorë. Gjermania, Europa veriore, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe SHBA janë relativisht të cliruar nga kësi ngurtësish strukturore. Japonia ka për qëllim të shkojë në këtë drejtim. Europa Jugore ka përpara një axhendë reformash që synojnë rritjen e fleksibilitetit.
Eshtë më e lehtë ta thuash, se sa ta bësh, eleminimin e ngurtësive strukturore. Disa burojnë prej mekanizmave të mbrojtjes sociale, që janë të fokusuar në vendet e punës dhe sektorët, e jo tek individët dhe familjet. Të tjera reflektojnë politika që thjeshtë mbrojnë sektorët nga konkurrenca dhe gjenerojnë renta dhe interesa të ndryshëm. Shkurt, rezistenca ndaj reformës mund të jetë substanciale, pikërisht sepse rezultatet kanë efekte në shpërndarje.
Reforma të tilla nuk janë fondamentalizëm i tregut. Qëllimi nuk është të privatizohet gjithcka apo t’i mbahesh besimit të gabuar se tregjet e parregulluar janë vetërregullues. Përkundrazi, qeveria ka një rol të rëndësishëm në tranzicionet strukturorë. Por, edhe duhet të “hiqet qafe”.
Krahasuar me SHBA, Europa ka dy probleme. I pari është nevoja, sidomos në vendet e Europës jugore, për të rritur fleksibilitetin strukturor dhe për t’i dhënë një shtysë produktivitetit. Në dekadën e parë të Euros, kostot për njësi pune në ekonomitë e Europës jugore ndryshonin nga ato të Gjermanisë dhe vendeve të veriut, teksa rritja ekonomike vinte ose prej një borxhi publik të tepruar dhe komponentit qeveritar të kërkesës së përgjithshme të brendshme, ose në rastine Spanjës, nga një fluskë e tregut të banesave. Në mungesë të mekanizmit të normës së këmbimit të valutës, “ristartimi” i sistemit për të lejuar sektorët e tregtisë që të gjenerojnë rritje ekonomike kërkon një deflacion relativ të dhimbshëm, një proces i cili kërkon më shumë kohë në një mjedis me inflacion të ulët.
Së dyti, Europa i lejon këta ndryshime për arsye se politikat që ndikojnë në rritjen ekonomike janë të decentralizuara. Monedha e përbashkët dhe politika monetare janë në tension të vazhdueshëm me politikëbërjen e decentralizuar sa i përket taksimit, investimeve në sektorin publik dhe politikave sociale – të gjithë elementë që kanë ndikim në fleksibilitetin strukturor të shteteve. Vec kësaj, tregu i përbashkët është relativisht i plotësuar në mallra, por jo në shërbime.
Kjo nuk është një situatë e qëndrueshme. Europa duhet që me kalimin e kohës të shkojë ose drejt një integrimi më të thellë politik, fiskal dhe politikëbërës, ose drejt një strukture që përfshin mekanizma përshtatjeje – për shembull, një lëvizshmëri më të madhe të punës – për të kompensuar divergjencat në produktivitet.
Shumë vende, jo vetëm në Europë, duhet të kryejnë përshtatje strukturore me qëllim që të arrijnë modele të rritjes ekonomike të qëndrueshme. Të gjithë strukturat dhe portofolët e punësimit e ekonomive të zhvilluara po përballen me forca të ngjashme të konkurrencës dhe teknologjisë, dhe të gjitha po kanë prirjen të zhvendosin të ardhurat në pjesën e sipërme të shpërndarjes dhe drejt pronarëve të kapitalit.
Diferencat në performancë mes shteteve reflektojnë pjesërisht zgjedhje të shkuara të politikave, të cilat kanë ndikim në shpejtësinë e përshtatjes. Kushtet fillestarë janë të rëndësishëm, dhe në këtë drejtim kuadri i politikave në Amerikë duket se i ka garantuar ekonomisë amerikane një aftësi më të madhe vetëshëruese jo vetëm ndaj krizës globale, por edhe luhatjeve të politikës së brendshme.
Fleksibiliteti strukturor nuk është e gjithë përgjigja. Edhe nivele më të lartë të investimeve në sektorin publik ndihmojnë për një rimëkëmbje të qëndrueshme, sidomos në vendet e përparuar. Por, duke qenë se pengesat fiskale në shumë prej shteteve pritet që të ngadalësojnë elementin e reagimit përmes politikave, atëherë reformat që rrisin fleksibilitetin janë vendi i duhur nga duhet filluar.
- Michael Spence është Fitues i Cmimit Nobel për Ekonomi, dhe Profesor i Ekonomisë në Stern School of Business, në Universitetin e Nju Jorkut
- David Brady është Zëvendësdrejtor në Institutin Hoover dhe Profesor i Shkencave Politike në Universitetine Stanfordit
Linku i artikullit origjinal: https://www.project-syndicate.org/commentary/michael-spence-and-david-brady-on-the-remarkably-ëeak-correlation-betëeen-relative-economic-performance-and-government-effectiven/bota.al