Papunësia, 6 mijë vende në panair, 125 mijë shqiptarë humbën punën në 2013-n

Rreth 6 mijë vende pune ofron Panairi i këtij viti por statistikat zyrtare të INSTAT flasin për 125 mijë persona të cilët kanë humbur punën ...


Rreth 6 mijë vende pune ofron Panairi i këtij viti por statistikat zyrtare të INSTAT flasin për 125 mijë persona të cilët kanë humbur punën brenda 2013-ës. Qeveria ka marrë përsipër të nxisë kompanitë të hapin vende pune nëpërmjet lançimit të fondeve të nxitjes së punësimit, megjithatë duket se edhe këto hapa nuk mjaftojnë për të ulur shifrën e lartë të papunësisë në vend. Sipas INSTAT, numri total i të punësuarve në ekonomi ra nga 1 milionë e 117 mijë vetë që ishte në 2012 në 992 mijë një vit më parë (2013).
Meta dhe Veliaj
Kryeparlamentari Ilir Meta dhe ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj kanë vizituar dje Panairin e Punësimit 2014 në ditën e 3-të të çeljes së tij. Kryetari i Kuvendit Meta ka shprehur edhe një herë gatishmërinë e qeverisë së majtë për të mbështetur sipërmarrjen në vend, kjo edhe për faktin se programi i kësaj qeverie ka në qendër të modelit ekonomik, pikërisht punësimin. Më tej ai theksoi se zonat urbane kanë më shumë mundësi punësimi, por se rëndësi tashmë u duhet kushtuar edhe zonave rurale. “Shpesh ka edhe ndonjë kritikë pse merremi kaq shumë me biznesin fason apo të manifakturës sepse duhet të merremi me çështje më të rëndësishme. Por ky është biznesi kryesor punëdhënës në Shqipëri dhe se në një kohë të shkurtër mund të shtojë vende të reja pune. Kjo nuk do të thotë që do kufizohemi tek aktivitetet e tjera të cilat kanë një produktivitet më të lartë por kërkojnë një fuqi punëtore më të kualifikuar. Kjo mazhorancë në zemër të saj të modelit ekonomik ka prodhimin, punësimin dhe eksportet”, u shpreh Meta.
Zonat rurale
Ai theksoi se nuk mund të ketë rritje të prodhimit pa ju kushtuar vëmendje profesioneve që ndikojnë. “Ne duhet të jemi të bindur se nuk mund të bëhemi të gjithë juristë filozofë sociologë dhe psikologë. Tregu i punës ka nevojë për inxhinierë, zooteknikë. Asnjëherë tjetër më parë formimit profesional nuk i është dhënë kjo vëmendje që ka sot. Po përgatitemi për të arritur nivele të reja për tregun e punës”, tha më tej Meta, duke ritheksuar se nuk duhet të mendojmë vetëm për metropolin por edhe për zonat të tjera. “Është e rëndësishme që të rinjve në Tiranë, Durrës, Lezhë, Elbasan t’u krijojmë sa më shumë mundësi punësimi, por duhet të mendojmë edhe për Pukën. Kam qenë para pak ditësh në një panair dhe kam parë produkte shumë të veçanta. E kam pasur mjaft të vështirë në Çorovodë se sa herë shkoj te shtëpia më vijnë shumë gra që kërkojnë një punë. Mbas 23 majit do jem shumë i qetë se do inagurohet një fabrikë ku do punësohen 300 gra dhe vajza për t’i dhënë një mundësi atij komuniteti,” tha Meta.
Nxitja e punësimit
Ndërsa ministri Veliaj gjatë fjalës së tij në panair foli për fondin e nxitjes së punësimit, ndërsa deklaroi se aplikimet e kompanive për të përfituar nga gjashtë programet e fondit të nxitjes së punësimit do të vazhdojnë deri në 15 maj. Programet kanë të bëjnë me punësimin e të rinjve, grave dhe grave, njerëzve me aftësi të kufizuara, ata që jetojnë me ndihmë ekonomike, që duan të trajnohen nëpërmjet punës, apo për të diplomuarit që duan të kryejnë një praktikë të paguar. “Siç kemi premtuar, deri në 25 maj do të publikojmë në mënyrë transparente kompanitë që përfitojnë nga ky fond, sipas pikëve që do të marrin, planit të biznesit që kanë ofruar, sasisë së punëtorëve që kanë punësuar dhe zonës ku ndodhet ky biznes”, tha Veliaj në fjalën e tij.
Akuzat e opozitës
Duke iu referuar kritikave të opozitës se Panairi i Punësimit nuk ofron realisht punë, Veliaj tha se ka një dallim shumë të madh midis organizimit të një panairi si ky dhe organizimit të koncerteve dhe pikniqeve në tetë vitet e shkuara. “Ndaj, sfida për ata që kritikojnë është që nëse dinë të bëjnë diçka le ta tregojnë me vepra konkrete. Pse nuk mund të organizojë opozita, bashkia, SHQUP-i një panair që të punësojë në mos 6 mijë njerëz, të paktën 600, mos 600 të paktën 60, ose vetëm 6? Pra, më mirë diçka se sa asgjë! Ndaj unë jam shumë krenar për këtë Panair,” deklaroi Veliaj. Lidhur me kompanitë pjesëmarrëse në panair, Veliaj tha se ato kompani që kanë projekte infrastrukturore, që ndërtojnë rrugë ose hidrocentrale, kërkojnë teknikë dhe inxhinierë, rroga e të cilëve e kalon atë të një deputeti apo ministri. “Por, këto punë janë për njerëz që dinë t’i bëjnë dhe duan t’i bëjnë ato, e jo për njerëz që preferojnë më mirë një rrogë shteti 300 mijë lekë. I ftoj të gjithë zëdhënësit e SHQUP-it, të cilët sot janë pronarë të shumë koncesioneve, që të tregojnë me shembuj personalë punësimin e njerëzve të thjeshtë, e jo vetëm militantë partiakë,” tha më tej Veliaj. Panairi i Punësimit 2014 do të mbyllet ditën e diel, për të vijuar më pas me organizime të tilla edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Related

Shqipëri 2938904620281661938

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item