Në hall për suvatues, juristë kemi edhe për “eksport”
Mungesa më e madhe vërehet për kuadrot që ofrojnë të ashtuquajturat “shkollat e zanateve”, apo shkollat e mesme profesionale trevjeçare. Ësh...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/ne-hall-per-suvatues-juriste-kemi-edhe.html
Mungesa më e madhe vërehet për kuadrot që ofrojnë të ashtuquajturat “shkollat e zanateve”, apo shkollat e mesme profesionale trevjeçare. Është pikërisht kjo zbrazëtirë e krijuar në sistemin arsimor që më vonë krijon mospërputhjen e kuadrove në dispozicion nga njëra anë dhe nga ana tjetër me nevojat që ka vetë tregu i punës. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasoov, daljen e nga kjo situatë e kërkon tek “shkollat e natës”, respektivisht kurset për trajnimin e të pakualifikuarve, në kohëzgjatje prej tre dhe gjashtë muaj
Laura PAPRANIKU
Në kohën kur Maqedonia është shteti me përqindjen më të lartë të të papunëve në mesin e të rinjve, nuk ka ende një strategji aktive për të orientuar shkollimin e të rinjve drejt profesioneve të kërkuara nga tregu i punës. Të gjitha qendrat rajonale të punësimit, krahas numrit të madh të punëkërkuesve, kanë edhe numër të konsiderueshëm të vendeve të lira të punës. Shkaku që nuk mund të gjendet një baraspeshë mes kërkesës dhe ofertës është pikërisht orientimi pa strategji i të rinjve në arsim. Me gjithë ndarjen e bursave të studimit për ata që zgjedhin të regjistrohen nëpër Fakultete e Shkencave Teknike, përsëri në Maqedoni është e vështirë ose thuajse e pamundur të gjendet një inxhinier i diplomuar në listat e pritjes për punësim. Mungesë kuadrosh ka edhe për disa profile të shkencave mjekësore dhe kjo shpjegohet edhe me dukurinë e “ikjes së trurit” nga Maqedonia. Mirëpo, në Qendrën për Punësim në Gostivar, për shembull, prej kohësh qëndrojnë të hapur vendet e punës për suvatues, muratorë, kuzhinierë apo shoferë kamionësh dhe autobusësh. Nga ana tjetër, janë rreth 3000 juristët, profesorë të gjuhës angleze, dhe të diplomuarit në administratën publike që aktivisht kërkojnë punë në këtë qendër. Situatë e ngjashme raportohet nga të gjitha qendrat rajonale të punësimit. Mungesë të madhe kuadrosh vërehet sidomos për profilet që ofrojnë të ashtuquajturat “shkollat e zanateve” dhe është pikërisht kjo zbrazëtirë e krijuar në sistemin arsimor që më vonë krijon mospërputhjen e kuadrove në dispozicion nga njëra anë dhe nga ana tjetër të nevojave që ka vetë tregu i punës. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, daljen e nga kjo situatë e kërkon tek “shkollat e natës”, respektivisht kurset për trajnimin e të pakualifikuarve, në kohëzgjatje prej tre dhe gjashtë muaj. “Punohet me Ministrinë e Arsimit në këtë drejtim në kuadër të masave aktive dhe politikave për rritjen e shkallës së punësimit dhe që janë pjesë e planeve operative që realizohen përmes Agjencisë së Punësimit”, thotë Spasov. Këto plane përfshijnë trajnimin për programe të profileve të nevojshme sipas kërkesave të tregut dhe që përfshijnë numër të konsiderueshëm të personave të papunë. Të njëjtët, plotëson ministri Spasov, trajnohen përmes programeve të kualifikimit për zanate të ndryshme që zgjasin tre apo gjashtë muaj dhe për të cilët ka nevojë tregu i punës. Pikërisht përmes masave të këtilla, bëhet e mundur që atyre personave t’ju krijohen më tepër mundësi punësimi dhe vetëpunësimi. “Shkollat e natës”, sikurse njihen ndryshe programet e kualifikimit të personave që nuk posedojnë diplomën e shkollimit mesëm, kanë pasur interesim të shtuar edhe në komuna shqiptare. Në kuadër të programit “Arsimim për të rritur”, vetëm në Komunën e Haraçinës e kanë kryer këtë program mbi 400 persona. Rreth 500 persona janë kualifikuar në programet e njëjta në Komunën e Çairit dhe disa fish më tepër nëpër komunat maqedonase të Shkupit, Strumicës, Prilepit dhe Manastrit, ku po vijojnë programe të tilla kualifikimi. Numri në total i atyre që kanë marrën diplomat e shkollës së mesme deri në fund të vitin 2013 në gjithë Maqedoninë mendohet të mos jetë më pak se 2000 kandidatë. Këto programe realizohen në shkollat publike të arsimit të mesëm, ndërsa të gjitha shpenzimet financiare për përgatitja e programit, sigurimin e kuadrit dhe shpallja e konkurseve, i mbulon Qendra për Arsimin e të Rriturve. Përveç interesit të të papunëve që të kualifikohen për të rritur gjasat e punësimit, shkollimi i tyre është edhe një sfidë për shtetin, me qëllim të afrimit me standardet evropiane sa i takon përqindjes së popullatës me këtë nivel shkollimi.