Mbi 300 fëmijë, punëtorë droge në Lazarat
Studimi Situata e fëmijëve në rrugë, 30% e “lypësve” janë 15–17 vjeç dhe 102 janë foshnja Shpresa Mezini Rreth 300 fëmijë kultivojnë dhe kor...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/mbi-300-femije-punetore-droge-ne-lazarat.html
Studimi
Situata e fëmijëve në rrugë, 30% e “lypësve” janë 15–17 vjeç dhe 102 janë foshnja
Shpresa Mezini
Rreth 300 fëmijë kultivojnë dhe korrin marijuanë në Lazarat, të paktën dy vitet e fundit. Ndërsa fëmijët nga rajonet e largëta, në dijeni të këtij fenomeni, e konsiderojnë si një nga “punët” më të mira për të fituar shumë para në një kohë të shkurtër. Arsyeja që ka nxitur shtegtimin e shumë fëmijëve, të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre, në muajt shtator-tetor, drejt Lazaratit. Kjo është një nga të vërtetat, që na njeh me një fenomen të ri për vendin tonë, i cili është zbardhur në studimin e parë kombëtar mbi Fëmijët në Situatë Rruge në Shqipëri, të realizuar në kuadër të Reformës së Shërbimeve Sociale nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me UNICEF, Zyrën e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, Save the Children, ARSIS, GFK dhe një ekspert ndërkombëtar. Zbardhja e plotë e këtij studimi do të bëhet nesër, në një event, që do të realizohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale, ku të pranishëm do të jenë ministri i Mirëqenies, Erion Veliaj, Kryeministri Edi Rama dhe organizatat jofitimprurëse, që morën pjesë në hartimin e studimit.
“Studimi nxjerr në pah një fenomen të ri të hasur gjatë fazës së dytë të numërimit lidhur me kultivimin e marijuanës në Lazarat (Gjirokastër), i cili përfshinte 312 fëmijë. Edhe fëmijët nga rajonet e largëta e përmendën këtë si një mundësi që ofronte fitime të larta, duke sugjeruar se fëmijët dhe familjet e tyre mund të lëviznin në atë zonë. Lëvizshmëria u konfirmua si një veçori e fëmijëve në situatë rruge, por më specifikisht familjeve të tyre, duke qenë se fëmijët më të vegjël kishin ndjenjën se i përkisnin vetëm një qyteti, duke mos mbajtur mend migrimin e mëparshëm të familjes së tyre”, thuhet në përmbledhjen ekzekutive të studimit.
Fëmijët, që shesin stilolapsa, bajame, aromatikë makine, që lypin për para, mbledhin materiale plastike apo kanoçe në kazanët e mbeturinave, apo që punojnë në të zezë në ngarkim-shkarkim, mbeten fenomenet më shqetësuese në vend. Pasqyrë që reflekton qartazi, sesi shfrytëzohen fëmijët në mes të ditës, në mes të kryeqytetit, por edhe të rretheve të tjera të vendit, të gjinive e grupmoshave të ndryshme, në shkelje flagrante me legjislacionin në fuqi, që mbron të drejtat e tyre. Numri i tyre, në vend që të ulet, rritet, ndonëse në periudha të caktuara të vitit, vërehen luhatje të shifrave, si pasojë e “shtegtimit” të tyre, në zonat bregdetare, gjatë sezonit të verës, kryesisht në Durrës. Shumica e fëmijëve të identifikuar si lypës janë nga komunitetet rome dhe egjiptiane.
“Fëmijët janë të përfshirë në aktivitete të ndryshme të lidhura me rrugën. Më të zakonshmet janë shitja e sendeve të ndryshme (38% faza 1- 25% faza 2) të tilla si cigare, çakmakë, ujë, produkte bujqësore dhe artikuj ushqimorë, lule, stilolapsa, lapsa, aromatikë makine ose aksesorë të tjerë, si dhe lypja për para (35% faza 1 – 21% faza 2), riciklim i materialeve plastike dhe metalike (8% faza 1 – 20% faza 2), dhe punë (12% faza 1 – 15% faza 2). Punët informale përfshijnë ngarkimin dhe shkarkimin e kamionëve të mallrave, puna në bujqësi, pastrimi i rrugëve, pastrimi i varrezave, përkujdesja për shezllonet në plazhe, puna në hyrjet e minierave, si dhe performanca në rrugë. Trendi në punët jozyrtare është drejt një diversiteti në rritje të aktiviteteve dhe këto punë shkojnë përtej infrastrukturës urbane më shumë sesa besohej më parë”, thuhet në studimin kombëtar mbi fëmijët në situatë rruge. Duke marrë parasysh të gjitha burimet e informacionit, që çuan në vlerësimin sasior dhe cilësor, studimi nxjerr në pah profilet themelore të fëmijëve në situatë rruge në aspektet e moshës, gjinisë, grupit etnik, si dhe aktiviteteve të kryera dhe se si ato kryheshin. Në të paraqiten edhe shkaqet e disa aspekteve të rëndësishme të lidhura me lëvizshmërinë, familjet, shëndetin, arsimin dhe kuadrin e shërbimeve sociale.
Grupmoshat/gjinitë
Studimi ka përfshirë intervistimin fillestar të 782 fëmijëve në të gjithë territorin e Shqipërisë; konsultimin e 111 fëmijëve nëpërmjet fokus grupeve në nivel vendor dhe kombëtar; intervista të përthelluara me 30 fëmijë si informatorë kyçë; konsultimin e 40 anëtarëve të komunitetit dhe konsultimin me 60 informatorë kyçë.
“Nga anketimi numerik, mbështetur në një numërim nëpërmjet vëzhgimit të fëmijëve nga mosha 0 deri në 18 vjeç me njëfarë lidhjeje me rrugën, të cilët jetojnë dhe/ose punojnë aty me baza stinore ose kalimtare, në gusht 2013 u identifikuan gjithsej 2014 fëmijë (faza 1, e cila mbuloi 8 qarqe të Shqipërisë) dhe 2527 fëmijë gjithsej u identifikuan në tetor 2013 (faza 2, e cila i mbuloi të gjitha qarqet e Shqipërisë, 12 qarqe). Gjetjet kryesore demografike treguan se shumica e fëmijëve në situatë rruge janë djem të moshës 10–17 vjeç: Në të dy fazat e numërimit, u vërejt se numri i djemve ishte dyfish më i madh sesa ai i vajzave (70.1% ose 1476 djem dhe 29.9% ose 538 vajza për fazën 1; 74% ose 1882 djem dhe 26% ose 645 vajza në fazën 2)”, parashikohet në përmbledhjen ekzekutive të studimit. Sidoqoftë, në të theksohet se për fëmijët më të vegjël shihet një shpërndarje më e barabartë ndërmjet gjinive. “Rreth një e treta e fëmijëve në situatë rruge janë adoleshentë të moshës 15–17 vjeç (mesatarisht 29.5% ose 745 fëmijë), ndërkohë që fëmijët ndërmjet moshës 4-14 vjeç ishin 66.5% (mesatarisht 1680) dhe kishte një numër domethënës foshnjash të moshave nga 0–3 vjeç (102 fëmijë ose mesatarisht 4%). Një numër i konsiderueshëm fëmijësh të vegjël (0-5 vjeç) shoqërojnë nënat e tyre gjatë lypjes (Faza 1: 11.66% ose 235 fëmijë; faza 2: 13.9% ose 381 fëmijë)”, sqarohet në studimin për fëmijët në situatë rruge. Sipas tij, mbështetur në përgjigjet gjatë intervistave fillestare, një e katërta e fëmijëve të identifikuar i përkisnin shumicës shqiptare, ndërkohë që 74.3% (581 nga 782 fëmijë) u përkisnin komuniteteve rome dhe egjiptiane. Mësohet se këto të dhëna kanë një kuptim të dyfishtë: Së pari, numri i fëmijëve shqiptarë në situatë rruge është më i lartë sesa pritej dhe së dyti, duke qenë se pakicat etnike apo grupet gjuhësore përbëjnë jo më shumë se 1% të popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë, ky studim konfirmon se përkimi i fëmijëve në situatë rruge nga këto grupe të pakicave etnike ka një mospërputhje të lartë përpjesëtimore.
Grupimet
Studimi i ndan fëmijët që enden rrugëve në tri grupe specifike: Ata që jetojnë në situatë rruge, fëmijë në rrugë dhe fëmijët e familjeve në rrugë, të cilat karakterizohen nga cilësi të ndryshme, për sa i takon aktivitetit që kryejnë dhe faktit nëse kanë ose jo një shtëpi.
“Ky studim e bazoi mbledhjen e të dhënave në një përkufizim përfshirës të fëmijëve në situatë rruge të përshtatur me kontekstin shqiptar. Gjithsesi, nga intervistat me fëmijë në fazën 1 ishte e mundur t’i gruponim ata sipas përkufizimeve të UNICEF: Fëmijë “të” Rrugës (4.3% ose 19 fëmijë), që janë ata që qëndrojnë në rrugë gjatë ditës dhe gjithashtu flenë në rrugë, ka gjasa prej humbjes apo mungesës së prindërve, alkoolizmit, dhunës në familje, shkurorëzimit dhe/ose rimartesës së prindërve; Fëmijë “në” Rrugë (79% ose 347 fëmijë), që qëndrojnë kryesisht në rrugë gjatë ditës dhe kthehen në shtëpitë e tyre ose në qendrat rezidenciale gjatë natës dhe Fëmijë të Familjeve në Rrugë (16.7% ose 73 fëmijë), që jetojnë me familjet e tyre në rrugë”, parashikohet në raportin për fëmijët në situatë rruge. Sipas tij, janë shumë të paktë fëmijët në situatë rruge, që jetojnë jashtë kontekstit familjar. Kjo u konfirmua edhe nga diskutimet në fokus-grupet, të cilët së bashku me të dhënat fillestare treguan se 84% (657) e fëmijëve shqiptarë në situatë rruge e kanë një “shtëpi”, me të dy prindërit të gjallë dhe që jetojnë me ta. “Kjo është edhe më e domethënëse për politikat tërësore të orientuara ndaj familjes së një natyre social–ekonomike, duke konsideruar se gjatë diskutimeve mbi arsyet e fëmijëve të gjendur në kontakt me rrugën 96% (750 e rreth 782 intervistave fillestare) të fëmijëve cituan se fitimi i të ardhurave për familjet e tyre është arsyeja kryesore të të qenët në rrugë. Për më tepër, 30% (234) thanë se ata nisën të punonin në rrugë të detyruar nga prindërit e tyre dhe 4% (32) pretenduan presionin nga të rritur të tjerë”, shkruhet në përmbledhjen ekzekutive të raportit të parë kombëtar.
Trafikimi
Një tjetër fenomen shqetësues është edhe trafikimi, pre e të cilit janë 31 fëmijë të moshave të ndryshme, ndërsa të tjerë të rrezikuar prej tij. Pavarësisht, se theksohet se në këtë drejtim ka mungesë të dhënash, të cilat mund të arrihen nëpërmjet një studimi më të thellë. “Duke marrë detyrimin si një tregues, megjithëse nuk është një mjet thelbësor për trafikimin apo shfrytëzimin e fëmijëve (sipas Protokollit të Palermos), del përfundimi se mbi një e treta e fëmijëve në situatë rruge janë në rrezik trafikimit. Në fakt, një nga aktorët ofrues shërbimi i ka referuar Mekanizmit Kombëtar të Referimit (MKR) mbi Anti–Trafikimin 31 raste të trafikimit të fëmijëve në situatë rruge, duke përfshirë shfrytëzimin seksual dhe lypjen në Shqipëri dhe Kosovë. Duke marrë parasysh mungesën e informacionit mbi trafikimin e brendshëm dhe në veçanti, mbi shfrytëzimin seksual të fëmijëve brenda Shqipërisë, kjo është një fushë e cila kërkon një studim më të thellë dhe vëmendje për të adresuar këto shqetësime serioze të mbrojtjes së fëmijëve”, thuhet në studim.
Arsimi
Në raport, arsimi konsiderohet si fushë, që ka nevojë për veprim duke pasur parasysh shifrat alarmuese të pengesave, të cilat dhunojnë të drejtat e fëmijëve dhe dëshirën e fortë të shprehur nga vetë fëmijët për të shkuar në shkollë dhe përmirësuar mundësitë e tyre. “Nga intervistat fillestare shumica e fëmijëve në situatë rruge në Shqipëri u identifikuan në një moshë për arsimin themelor të detyrueshëm (deri në 15 vjeç), pra 83.8% (655 fëmijë), gjithsesi rreth 62% (485) e fëmijëve nuk ishin aktualisht të regjistruar në shkollë ose ishin të regjistruar, por që nuk e frekuentonin. 21% (167) e fëmijëve nuk kanë qenë kurrë në shkollë. Ndërmjet statistikave zyrtare dhe përfundimeve të studimit ka një kontrast të konsiderueshëm”, konstatohet në studim.