“Jam me trup femre, por dashuroj me zemër mashkulli”
Intervistë me Esi Safa, lesbiken që pranon pa ndrojtje prirjet e saj seksuale. Tregon paragjykimet e të qenit jetime dhe ndryshe nga të tjer...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/jam-me-trup-femre-por-dashuroj-me-zemer.html
- Intervistë me Esi Safa, lesbiken që pranon pa ndrojtje prirjet e saj seksuale. Tregon paragjykimet e të qenit jetime dhe ndryshe nga të tjerët dhe ndjesinë që i dha pedalimi kundër homofobisë
Dorjana Bezat
-Ajo prezantohet me emrin Esi Safa, por ky nuk është emri i saj i vërtetë. Ajo ishte një nga shumë vajza të cilat pedaluan dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër homofobisë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ajo tregon se ka qenë ndër të parat anëtare të Aleancës LGBT dhe ndër të parat femra në Shqipëri që ka shfaqur hapur prirjet e saj lesbike. Ajo tregon se ka qenë disa herë pjesë e dokumentarëve apo emisioneve televizive lidhur me këtë temë. Esi tregon që ka shkruar edhe libra ku ka hedhur në letër sfidat e jetës së saj. Për të paragjykimet si lesbike nuk kanë qenë një problem pasi gjithë jetën e saj ka qenë e paragjykuar. Ajo na rrëfen se është rritur në një institucion jetimësh. Fakti që ishte jetime, por edhe lesbike ja kanë vështirësuar gjetjen e një pune, mirëpo ajo ka kërkuar gjithmonë më shumë nga jeta dhe ka mundur të vetëpunësohet. Diskriminimin e parë ajo e ka ndjerë kur ka qenë në institucion dhe ka kuptuar se fakti që ishte pa prindër e bënte të ishte ndryshe dhe të shihej me sy tjetër. Ndërsa në momentin kur ajo shfaqi hapur prirjet e saj lesbike ky diskriminim dhe paragjykim iu shtua. Mirëpo faktin që ka qenë jetime e ka vuajtur shumë, por kur ka pranuar se është lesbike nuk është ndjerë aspak keq nga paragjykimet. Për të ky hap ka qenë shumë i rëndësishëm dhe një thyerje tabuje për gjithë shoqërinë shqiptare. Kjo e bën atë të ndihet krenare për atë që është. Madje, të njëjtën shprehje aktivistët e LGBT-së e përdorën edhe kur valëvitën flamurin e diversitetit tetë metra të gjatë në marshimin e tyre kundër homofobisë. Ajo i është afruar Aleancës LBGT si vullnetare. Rreth moshës 15-vjeçare përjetoi ndjenjat e para të afeksionit me një femër. Për të ky ka qenë një moment sublim pasi boshllëkun që i krijonte mungesa e një familjeje tani ia plotësonte partnerja e saj. Ajo tregon se nuk u shqetësua për asnjë moment se ndjenjat e saj ishin për një femër dhe jo për një mashkull, pasi për të e rëndësishme është që ndihej mirë dhe e plotësuar. Kujton dashurinë e parë kur i dridheshin gjunjët dhe si dilnin fjalët apo kur përpiqej të kishte një kontakt fizik me vajzën që pëlqente. Kur ishte në gjimnaz ajo tregon se kuptoi që prirjet e saj seksuale ishin të ndryshme nga ato bashkëmoshatareve të saj. Ajo ishte e vetëdijshme që ndjenjat e saj ishin për një femër mirëpo nuk e dinte që për këtë mund të konsiderohej lesbike. “Unë nuk e dija që ky emër ekzistonte. Gjithmonë e kam ndjerë veten mashkull. Kam parë me sytë e një mashkulli dhe kam dashuruar me zemër si të isha i tillë”, thotë Esi. Ajo kujton se në vitet e saj të gjimnazit mungesa e informacionit ka qenë shumë e madhe dhe tema të tilla nuk diskutoheshin as në shkollë dhe as në shoqëri. Interneti ka qenë shumë pak i përhapur dhe jo të gjithë e përdornin. Për atë që është sot ajo i është shumë mirënjohëse familjes së Xheni Karajt, drejtueses së Aleancës LGBT. Kontaktin e parë me të e ka pasur në një bar i cili konsiderohet si “bari i lesbikeve”. “Fati e solli që unë të jem shumë afër me shtëpi me familjen e Xhenit dhe ata më kanë qëndruar shumë afër. Për çdo problem unë jam mbështetur tek ata dhe ndihma asnjëherë nuk më ka munguar. Babai i Xhenit ka qenë njeriu i parë të cilit i kam rrëfyer prirjet e mia seksuale. Që nga ai moment ai është bërë njeriu më i afërt për mua, e kam baba, shok dhe mik”, u shpreh Esi.
Esi ka marrë pjesë në të tria paradat e organizuara nga Aleanca LGBT dhe për këtë ndihet shumë krenare. Në paradën e vjetshme ajo kishte marshuar me motor ku në timonin e tij kishte dy pëllumba të cilët simbolizonin lirinë e këtij komuniteti për t’u shprehur. Sivjet për arsyet teknike ajo nuk mundi të marshojë me motorin e saj dhe pedaloi krah aktivistëve të tjerë me biçikleta. Ajo kishte menduar që në këtë paradë të dilte me dy torta ku secila të kishte nga një çift, një çift lesbikesh dhe një çift gej, mirëpo reshjet e dendura të shiut nuk e lejuan që ajo ta realizonte këtë ide.
Esi tregon se ngrohtësia familjare i ka munguar gjatë gjithë jetës. Tani ajo po tenton të krijojë familjen e saj me një vajzë, e cila është studente për psikologji. Ato bashkëjetojnë prej pak kohësh dhe martesën e konsiderojnë thjesht një letër, e cila nuk ndikon aspak në lumturinë e tyre.
Komunitetet e homoseksualëve marshojnë të ndarë kundër homofobisë
Marshimet në ditën kundër homofobisë nga të dyja komunitetet u zhvilluan pa incidente dhe në masa të larta sigurie nga policia e shtetit. Aktivitetet u përkrahën nga trupat diplomatikë dhe qytetarë maqedonas e kosovarë
Është viti i tretë radhazi që 17 maji po shndërrohet në një ditë plot aktivitete të organizatave për mbrojtjen e homoseksualëve. Në ndryshim nga vitet e tjera këtë vit pati më shumë pjesëmarrës, si nga ata që ishin pjesë e këtij komuniteti dhe atyre që i përkrahnin dhe solidarizoheshin me ta. Megjithatë, komunitetet homoseksuale në Tiranë janë të ndarë, pasi Aleanca LGBT dhe Ambasada Pink mbajtën aktivitete të ndryshme. Në kohën e padalimit nga Aleanca LGBT, nga ana tjetër Ambasada Pink zhvilloi një aktivitet në sheshin “Tre vëllezërit Frashëri” në sloganin “Urrejtja nuk është zgjidhja, thuja Po Dashurisë”. Aleanca LGBT marshoi në bulevard me flamurin e diversitetit ndërsa Ambasada pink eci në rrugë me pankarta në duar e shoqëruar me daulle. Vlen të theksohet se të dyja këto aktivitete u shoqëruan nën masa të rrepta policie. Shumë efektivë ishin në gatishmëri dhe shoqëruan aktivistët gjatë gjithë paradës së tyre. Në ndryshim nga vitet e kaluara ky aktivitet u zhvillua pa incidente.
Edhe komuniteti mysliman kishte kërkuar leje për organizimin e një proteste kundër paradës së homoseksualëve, mirëpo policia nuk i kishte dhënë leje sepse të dyja këto aktivitete ishin në të njëjtin vend dhe në të njëjtën. Një situatë e tillë nuk mund të menaxhohej dot nga policia sepse mund të kishte përplasje mes palëve.
Aktivistët për të drejtat e LGBT dhe mbështetës të kësaj kauze pedaluan nën reshje të dendura shiu kundër homofobisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke sfiduar një mal me paragjykime, por edhe thirrjet për dhunë që grupe të ndryshme kishin javë që bënin në rrjetet sociale. Numri i aktivistëve të aleancës LGBT ishin më të shumtë në numër dhe më të organizuar. Pedalimi filloi përballë Pallatit të Kongreseve dhe prej aty aktivistët u drejtuan drejt sheshit Skënderbej të shoqëruar nga forca të policisë, nën drejtimin direkt të zëvendës drejtorit të Rendit dhe Sigurisë Pandi Sulaj. Më tej, nga Galeria Kombëtare deri në Pallatin e Kongreseve ata mbajtën në duar një flamur rreth 8 metra të gjatë duke shënuar kështu paradën e parë të këtij lloji në Shqip?ri.“Jemi sot këtu edhe për ata djem edhe vajza si ne të cilët nuk mund të jenë sot këtu për shkak të diskriminimit dhe paragjykimeve”, tha Xheni Karaj drejtuese e Aleancës LGBT. Ajo mbante gjatë gjithë pedalimit në dorë një megafon me të cilin bënte herë pas here mesazhe për pjesëmarrësit dhe për qytetarët në bulevard. Kur përfundoi marshimi me biçikleta ajo u shpreh shumë e kënaqur për pjesëmarrjen dhe që arritën të përcillnin mesazhin e tyre megjithëse shiu i shoqëroi gjatë gjithë kohës. “Për ne kjo është fitorja më e madhe. Arritëm t’u tregojmë të gjithë atyre që janë si ne, por kanë frikë të dalin hapur që nuk janë vetëm. Shpresojmë shumë që në paradën e ardhshme do të jemi më shumë”, tha ajo. Përveç aktivistëve nga Shqipëria në këtë event u bashkuan dhe aktivistë gej shqiptarë nga qytetet e Maqedonisë dhe Kosovës si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. “Ne jemi këtu për të dhënë përmes këtij manifestimi publik mesazhe dashurie dhe paqe. Nuk po bëjmë asgjë të keqe”, tha Kristi Pinderi, drejtues i ProLGBT. Aktivitetet në kuadër të 17 Majit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë u mbyllën në mbrëmjen me shfaqjen e premierës së dokumentarit SkaNdal. Ky dokumentar tregon historinë e lëvizjes LGBT në Shqipëri.
Të rinjtë maqedonas pedalojnë kundër homofobisë në Tiranë
Jasmina, Adis dhe Viktori ishin tre të rinj maqedonas që morrin pjesë dje në pedalimin kundër homofobisë. Ata janë homoseksualë dhe janë pjesë e LGBT unitet Macedonia, Tetovë. Në vendin e tyre ata ndihen shumë të kërcënuar dhe të paragjykuar prandaj nuk i kanë shfaqur hapur prirjet e tyre. Duke rënë në kontakt me Aleancën LGBT në Tiranë ata kanë udhëtuar gjatë gjithë natës nga Tetova për të qenë pjesë e këtij marshimi. Duke u gjendur mes njerëzve që nuk i njohin ata u ndjenë të çliruar për të shfaqur vetveten. Ata shprehen se në vendin e tyre paragjykimet janë shumë të forta. Prandaj, ata nuk kanë guxuar t’ia tregojnë prirjen seksuale askujt. Miqtë, shokët dhe familjarët nuk e dinë të vërtetën e tyre për të cilën ata tregohen shumë të kujdesshëm të mos e shfaqin. Këtë udhëtim ata e paraqitën sikur ishte për turizëm apo për të organizuar ndonjë seminar por në asnjë mënyrë nuk kanë lënë shteg që të kuptohet se ata do të merrnin pjesë në aktivitetin kundër homofobisë. Adis është pronar i një bari shumë të frekuentuar në Tetovë, ndërsa Viktori është duke ndjekur studimet për ekonomi. Jasmina është e vetmja që di shqip. Ajo ka mbaruar studimet për Gjuhë Shqipe. Vajza nga Tetova ka një lidhje të veçantë me Tiranën, pasi këtu jeton edhe partnerja e saj. Jasmina tregon se situata në Maqedoni nuk është aspak e këndshme. Ata nuk mund të jenë as përkrahës të komunitetit dhe jo më të bëhen pjesë e tyre. Sipas saj shoqëria në Tetovë është shumë konservatore. Para pak ditësh ata festuan trevjetorin e organizatës në Tetovë. Ky organizim është shumë ndryshe nga ky i Tiranës. Aty njerëzit nuk dalin me zë dhe me figurë të pranojnë hapur prirjet e tyre. Në mënyrë të fshehtë ata mblidhen vetëm me anëtarët e organizatës në një ambient. Ajo tregon se kjo organizatë ka rreth 150 anëtarë dhe se rreth 7 për qind e popullsisë në Maqedoni është homoseksuale mirëpo mungon guximi të shfaqen hapur. Megjithëse ishte shumë larg syve që e njihnin ajo rrinte gjithë kohës e fshehur nga kamerat dhe fokusit të fotografëve. Adis tregon se në Maqedoni ai nuk fsheh vetëm prirjet seksuale, por fshihet edhe nga vetvetja. Kur është në familje ai përpiqet të qëndrojë serioz me vetulla të ngrysura që të mbulojë atë çiltërsinë dhe lirshmërinë që i buron natyrshëm, për të cilën të gjithë e paragjykojnë.