Kultura si pasaportë integruese
Jeton Neziraj Kur në fillim të këtij viti në Qendrën Multimedia formuluam thirrjen për aplikime në rezidencën për shkrimtarë “Prishtina nuk ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/kultura-si-pasaporte-integruese.html
Jeton Neziraj
Kur në fillim të këtij viti në Qendrën Multimedia formuluam thirrjen për aplikime në rezidencën për shkrimtarë “Prishtina nuk ka lumë”, veç biografisë e letrës së motivimit, kërkuam që aplikuesit të sillnin edhe një “letër rekomandimi nga stacioni më i afërt policor”. Këtij “kushti” të fundit i vumë edhe një yll si fusnotë që shpjegonte se kjo ishte “një kërkesë që nuk duhej të merrej seriozisht”. E nisur si një projeksion satirik për tërë ato kërkesa burokratike, herë-herë të pakapërcyeshme, e me të cilat shpesh ndeshen artistët në Europë, kjo lojë e jona na prodhoi edhe një dëshmi të dhimbshme, në të vërtetë, edhe të pritshme. Plot nga shkrimtarët që aplikuan (nga ata që u kishte ikur shpjegimi i fusnotës), bashkë me informatat e tjera, na nisën edhe letra të vërteta të marra nga stacione policore, të cilat konfirmonin se “filan personi, me profesion shkrimtar, nuk ishte nën hetime”. Kosova, e parë nga të tjerët jashtë saj, vazhdon të perceptohet, jo si një vend i lirë, jo si një vend normal, ku do të mund të udhëtoje lirë, por si një vend i “hetimeve policore”, i kërkesave të çuditshme,
Dhe teksa po mendonim se duhej të hapnim një ekspozitë me krejt këto “dëshmi policore” që shkrimtarët na kishin nisur, unë u kujtova se mbase edhe vet do ta kisha bërë të njëjtën gjë gjithashtu, po të aplikoja për ndonjë bursë shkrimi në ndonjë vend “të dyshimtë”, ta zëmë, si Egjipti, Sepse, me gjithë mrekullive të trashëgimisë kulturore dhe historive mahnitëse nga e shkuara e lavdishme e atij populli, lajmet e fundit nga Egjipti kanë ngulitur te mua perceptimin për të si një vend të dominuar nga dhuna e trazirat, si një vend ku po të shkosh, “duhet të dëshmosh se nuk je nën hetime policore”. Në vendin e çudive e çoroditjeve, priten çudi e çoroditje. Kështu disi mund të përkthehet e gjitha kjo. Krijimi i një‘pasaporte’ tjetër për Kosovën, përkundër kësaj aktuales, të mistershmes dhe të frikshmes, do të duhej sot të ishte synimi primar i shtetit të Kosovës. Dhe unë vërtet besoj që e vetmja “pasaportë”, e cila do të kishte besueshmëri dhe potencial për ndreqjen e imazhit të rrënuar të këtij vendi, është kultura.
Kosova ka vërtetë nevojë të krijojë një marrëdhënie njohjeje me botën jashtë saj, para së gjithash, me Europën. Pra, t’i njohë “të tjerët” në “intimitet”, por edhe t’i lejojë të tjerët ta njohin atë. Por që ky proces të ndodhë, Kosova duhet të investojë në kulturë, para së gjithash, në kulturën që krijohet tani, në lëvizje, nga artistët. Duke e stimuluar prodhimtarinë kulturore, në të vërtetë, Kosova përfiton në dy drejtime. Së pari, kultura e ndihmon shoqërisë kosovare që të zhvillohet, emancipohet dhe mbi këto baza edhe të përhedhë identitetin e ri, i cili fatkeqësisht po formësohet në mënyrë të çaraveshur. Dhe, së dyti, kultura e krijon atë hallkën e rëndësishme të komunikimit dhe njohjes mes popujve, mes kulturave, mes civilizimeve.