Libri i ri, Tedi Papavrami: Ju rrëfej takimin me Enver Hoxhën

Tedi Papavrami: Arratia ime nga Tirana në Paris Rrëfimi i të atit për diktatorin: Xhaxhi Enveri është një kriminel i madh. Violinisti tregon...


Tedi Papavrami: Arratia ime nga Tirana në Paris
Rrëfimi i të atit për diktatorin: Xhaxhi Enveri është një kriminel i madh.
Violinisti tregon vizitën në shtëpinë e ish-diktatorit në Bllok.
Takimi me Enverin: Harku, shpatë për lavdinë e Shqipërisë
“UET Press” boton kujtimet e violinistit “Fugë për violinë”




E ka quajtur “Fugë për violinë”. Një titull i dyfishtë. Nuk është vetëm një term muzikor tepër i njohur për muzikantët, por edhe arrati, sipas gjuhës italiane. Violinisti Tedi Papavrami, i njohur jo vetëm për talentin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe si përkthyes i disa prej veprave të shkrimtarit Ismail Kadare, tani vjen me një tjetër profil: atë të shkrimtarit. Sot, Papavrami promovon librin e tij “Fugë për violinë”, pjesë e kolanës “Scripta manent” i botimeve “UET Press”. Libri i shkruar së pari në gjuhën frënge, vjen në shqip nga Blerta Hyska. “Fugë për violinë” është një libër për veten. Ndërsa ka qenë gjithnjë në qendër të interesit të gazetarëve, të cilët kanë qenë kuriozë rreth jetës së tij, Papavrami ka vendosur t’i “ezaurojë” të gjitha pyetjet. Ai tregon për familjen, për fëmijërinë që nuk ishte si e të tjerëve, me violinën në dorë dhe sytë nga lojërat e fëmijëve të zakonshëm, për pikëpyetjet që i lindnin në kokë, për gjëra që asokohe nuk i kuptonte rreth origjinës së tij, për koncertet jashtë vendit deri për takimin e famshëm me Enver Hoxhën, për rrëfimin e tmerrshëm që i ati i kishte bërë rreth diktatorit, deri te “fuga”. Tek ajo arrati që do t’i ndryshonte jetën. Jo se Tedi Papavrami nuk do të ishte bërë një violinist i mirë gjithsesi, por ndoshta do të kishte qenë vetëm “yni”, tani u përket të gjithëve. Në gjithë këtë rrëfim për jetën e tij, kemi përzgjedhur dy momente që do të linin gjurmë në jetën e violinistit: rrëfimi i të atit për Enver Hoxhën dhe vetë takimi me diktatorin, vetëm dy vjet para se ai të ndahej nga jeta.

NGA LIBRI

Rrëfimi

 
1983, me Enver Hoxhën para statujës së Marksit dhe një tabloje
që paraqet metalurgët tanë heroikë. Në mënyrë paradoksale,
për ardhjen time në Francë unë i detyrohem njeriut që kishte vendosur në
Shqipëri një sistem mizor qeverisjeje, i cili njëkohësisht më pengonte të largohesha
lirisht prej saj dhe që u bë shkaktar i ndëshkimeve të rënda ndaj familjes sime
(diçitura nga Tedi Papavrami)

Ashtu si gjatë rrugës që bënim bashkë në Tiranë, babai dhe unë flasim rregullisht këtu për Shqipërinë, për gjahun, për violinën dhe për mijëra gjëra të tjera. Që kur jemi kthyer në Paris këto biseda në më të shumtën e rasteve bëhen në kanapenë shkatarraqe të apartamentit. Unë kam gjithmonë mijëra pyetje për t’i bërë dhe mbaj në mendje gjithçka që më tregon ai për miqtë e tij dhe gjithfarë historish që u kanë ndodhur atyre. Këto momente, kur frika që ai mund të më ngjallë është vetëm një kujtim i largët dhe kur unë mund t’i shijoj plotësisht përshkrimet e tij komike dhe të lezetshme, janë bërë më të shpeshta që prej mbërritjes në Francë. Një ditë ne përmendim disa detaje të historisë shqiptare dhe unë e pyes për disa fjalë që janë familjare për mua por krejt pa kuptim, si reformë agrare, diktaturë e proletariatit, lufta e klasave. Të gjitha të lidhura me arritjet e pavdekshme të Xhaxhit Enver.
- Hëm… në fakt e di si është puna… Xhaxhi Enver këndej, Xhaxhi Enveri andej, mirë, në rregull, por…duhet të dish tani që… Xhaxhi Enveri është megjithatë një kriminel i madh – lëshon ai papritur.
Unë, i shtangur, mendoj se nuk e kam dëgjuar mirë. Por ai vazhdon.
- Ai ka vrarë mijëra njerëz. Të tjerë janë torturuar, burgosur, internuar.
Jo, me sa duket këtë donte vërtet të thoshte! Po aq i çmeritur sa i trullosur, e dëgjoj të përmendë ngjarje të vendit tonë me ndjesinë e zhytjes në një banjë të akullt që më pushton kudo pa pasur mundësi për t’u mbrojtur. Ai flet për një xhaxha të moshuar që e kam njohur, i flakur në burg ku ka pësuar torturat më të tmerrshme sepse ishte tallur me një nga vendimet e regjimit; për një mik që torturuesit e tij e linin të tretej nga uria të lidhur, për të pasur kënaqësinë ta shihnin më pas të zvarritej dhe të kapte me dhëmbë një karotë që ata kishin hedhur mbi jashtëqitje; të tjerë që janë vetëvrarë për të mos rënë në duart e Sigurimit – policisë sekrete. Unë dëgjoj për herë të parë se kufiri ynë nuk është rrethuar me tela me gjemba për të parandaluar ndonjë pushtim, por me qëllim që askush të mos arratiset nga ky burg i madh që është Shqipëria.
“Megjithëkëtë, shton babai, shumë njerëz janë vrarë atje duke u përpjekur të arratisen”. Ai flet për frikën e tij të përditshme, të vazhdueshme, sidomos gjatë mbledhjeve të Partisë, në punë, në lagje. Frikë nga denoncimi. Frikë për veten, për familjen e tij.

1987, me babain pas një koncerti afër Bordosë. Pas ardhjes në Francë babai e zëvendësoi pasionin e tij për mekanikën me atë të riparimit të harqeve dhe violinave

Ky terror i madh nuk kursen as xhelatët vetë. Ai përmend Mehmet Shehun, krahu i djathtë i Xhaxhit Enver, zyrtarisht i vetëvrarë, por që ka të ngjarë të jetë ekzekutuar; Kadri Hazbiu, Ministër i Brendshëm dhe njeriu që bënte zap gjithë vendin, të cilit në burg ia shkulën të gjitha dhëmbët që të mos kafshonte gjuhën dhe të vdiste nga hemorragjia para ekzekutimit të tij. Dhe gjithë ata për të cilët nuk kam dëgjuar kurrë të flitet sepse rënia e tyre
ka ndodhur para lindjes sime. (Mendja më shkon tek fytyrat e llangosura në fotografitë tek gjyshi Spiro.) Prapa të gjitha këtyre vendimeve, një njeri i vetëm: engjëllori Xhaxhi Enver.
Babai përmend gjithashtu disa veprime të mira, të pakta, për të cilat ka meritë Enver Hoxha. Unë jam i lehtësuar që dal pak nga gjendja e pështjellimit ku më zhytën këto zbulime. Jo, Xhaxhi Enver nuk ka bërë vetëm gjëra të tmerrshme, ai ka arritur të shkollojë një vend pothuaj tërësisht analfabet, ka ndërtuar klinika, spitale! Uf! Por ai i rikthehet sakaq numërimit të krimeve për të cilët është përgjegjës udhëheqësi ynë. Nuk më kanë folur kurrë për këtë nga frika se tregoja jashtë shtëpisë. Dodo, i kthyer në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në Francë, pas luftës është gjendur i kapur në grackë. Gjatë gjithë jetës së tij nuk i është ndarë ideja e arratisjes së bashku me familjen. Por kjo ide nuk kishte asnjë mundësi realizimi pa rrezikuar jetën apo marrjen e masave ndëshkimore ndaj vëllezërve të Nucit dhe kushërinjve tanë: ata do të ishin burgosur dhe internuar të gjithë. Në këtë mënyrë i mban vendi ynë ata që do të tundoheshin të largoheshin. Ja përse unë nuk duhet të shpresoj kurrë të gjendem në Francë me të dy prindërit e mi së bashku: nëse nëna ime ka qëndruar në Shqipëri, është për t’i shërbyer shtetit si peng. Papritur në përfytyrimin tim shtohen në mënyrë marramendëse gjërat që janë krejt e kundërta e asaj që dukeshin. I kapluar nga pështjellimi besoj për momentin se nuk do të mësohem dot kurrë me këtë. Por tashmë truri im punon me shpejtësi të madhe për të deshifruar dhe rindërtuar një realitet mbi të cilin të mund të mbështetem përsëri. Ditët në vijim unë i bëj shumë pyetje babait: Sokoli dhe Shpati? Ata nuk kanë gisht në krimet e Enverit: ndonëse prindërit mund të jenë përgjegjës për disa veprime të fëmijëve të tyre, e kundërta përjashtohet krejtësisht. Po fakti që Enveri më lejoi të vija në Francë? Është fat për ne. Megjithatë të lejosh dikë të shkojë të studiojë jashtë nuk është favor, të gjithë ne duhet të kishim mundësi të lëviznim jashtë vendit sipas nevojave tona. Ai vetëm na ka lejuar t’i shpëtojmë momentalisht absurditetit të sistemit që ka ngritur vetë. Unë i besoj babait tim dhe nis nga ana ime të vendos lidhje mes asaj që kam vëzhguar në jetën tonë të përditshme dhe zbulimeve të befta të babait. 

1983, në studion e emisionit Le Grand Échiquier. Kjo ka qenë
një periudhë e vështirë, por perspektiva e ardhjes së mamasë
në Paris më jepte zemër

Pjesët e këtij puzzle të ri kombinohen shumë shpejt me njëra-tjetrën për të ndërtuar një tablo mendore krejt të ndryshme nga e mëparshmja. Por me gjithë këtë rindërtim e kam të pamundur ta shoh shtëpinë, kopshtin dhe jetën time në Shqipëri si një burg të rrezikshëm. A nuk kam jetuar gjithmonë atje duke përjetuar aq shumë ngjarje të bukura? Më duket sikur ky deshifrim, që tashmë më ka hapur sytë, nuk mund të cenojë besimin që kam në botën time kaq të afërt, familjare dhe të ngrohtë. Ndoshta ngaqë nuk kam tjetër. Pesha e këtij sekreti të rëndë, tepër e madhe në pamje të parë, nuk më shkakton asnjë bezdi në lidhje me nëpunësit e ambasadës, edhe pse babai më ka thënë se ata janë të gjithë pak a shumë të lidhur me Sigurimin, të cilit i raportojnë faktet dhe gjestet më të vogla të të gjithë shtetasve shqiptarë në Francë, ndoshta pikërisht nga ajo dhomë e zymtë me pëlhura të zeza në ambasadë që gabimisht arrita të shoh një ditë. Personi më i rëndësishëm brenda ambasadës, si kudo në Shqipëri, është Sekretari i Partisë. Është e vërtetë që ky i fundit shfaq në çdo rrethanë një buzëqeshje të qetë dhe të sjell ndër mend mysafirin i cili, në tryezë, ndërsa të tjerët jepen pas një anekdote, hesht me një buzëqeshje të lehtë në cepin e tij, sepse është i vetmi që e di se si përfundon historia. Por babai më thotë se ekziston gjithmonë në gjirin e sistemit tonë një spiun edhe më sekret, i aftë të rrëzojë edhe më të parrëzueshmin ndër të mëparshmit, dhe tek i cili asgjë nuk pikaset: ai mund të duket i dobët, i brishtë, madje edhe në rënie. Ai mund të jetë kushdo. Forca e tij qëndron pikërisht tek fakti që askush nuk e konsideron të rrezikshëm.

Takimi
Gjatë qëndrimit tim të shkurtër në Shqipëri kaloj një pasdite tek Shpati. Babai më lë të kuptoj që ndoshta do të takoj atje Xhaxhin Enver, edhe pse ka pak të ngjarë të ndodhë. Për të qenë i përgatitur për çdo rast marr violinën me vete. Nuk besoj ta takoj vërtet, megjithatë nuk do të ishte ndonjë çudi e madhe: Enveri është gjyshi i Shpatit dhe jeton në shtëpinë ngjitur. Kur mbërrij tek Shpati, nga një lloj gjallërie në shtëpi, ndjej se diçka do të ndodhë. Babai i tij Sokoli na le të luajmë, pasi më ka prezantuar shpejt e shpejt me një burrë me flokë të thinjur dhe me zverk të shkurtër. I veshur me një kostum gri, burri shfaq një përzierje kënaqësie dhe vetëbesimi të qetë, tipike tek disa shërbyes dhe që jo gjithmonë gjendet tek të zotët e tyre, edhe pse ju detyrohen pikërisht atyre për këtë. Në mes të Bllokut e kam të vështirë të dalloj cila prej shtëpive është e Sokolit dhe cila e Xhaxhit Enver. Më duket se dera nëpër të cilën më futën nuk është ajo e herës së kaluar, por Shpati dhe babai i tij duken si në shtëpinë e tyre. Unë me shokun tim vendosemi në një dhomë dhe shohim kanalet italiane në televizor. Papritur Sokoli së bashku me burrin flokëthinjur kthehen, dhe Sokoli, me një të shkelur të syrit, më kërkon t’i ndjek nga pas e të marr edhe violinën me vete. Ai duket i gëzuar. Së bashku kalojmë njëra pas tjetrës nëpër dhoma dhe korridore. Pasi dalim në një sallon të gjerë hyrja e të cilit është në gjysmë errësirë, dëgjoj një zë gruaje që thotë me entuziazëm: “Ah, ja Tedi!”, sikur të më njihte prej kohësh. I befasuar, por i ngrohur nga ky ton familjar, shquaj në pjesën e ndriçuar të dhomës gruan që më ka folur, në këmbë, pranë një kolltuku. Është Nexhmia, gruaja e Prijësit tonë të lartë. Në krah të saj, shumë më i hollë dhe më i gjatë se ajo, i zhytur në kostumin e tij të gjerë bezhë, kokën e rrethuar nga një aureolë e respektueshme flokësh të bardhë, qëndron Xhaxhi Enver!
Përqafime të ngrohta, grimca komplimentesh dhe pasthirrma dashamirëse. Është sidomos Nexhmia ajo që mbush heshtjen me dërdëllitjet e saj me tonalitet të dhembshur, sipas normës që të rriturit e këtij vendi përdorin për më të vegjlit. Xhaxhi Enver, i buzëqeshur, më puth, më përkëdhel flokët duke më folur me zërin e tij të ëmbël. Burri me flokë të thinjur na filmon me një kamera të vogël. Një tjetër, më i ri në moshë, tiparet e të cilit i shquaj me vështirësi, qëndron në një cep të dhomës, pak i tërhequr. Më kërkojnë të luaj diçka. Unë nxjerr violinën dhe luaj një pjesë shqiptare si edhe Kapriçion e njëzetekatërt të Paganinit, siç më ka porositur babai në rast se do të ndodhte takimi. Më përgëzojnë dhe pastaj zë vend në njërin prej kolltukëve rreth një tryeze të ulët ku na shërbejnë për të pirë.
Sokoli është larguar. Xhaxhi Enver më pyet si po shkojnë studimet e mia në Francë. Unë i tregoj që Pier Amojali, profesori im, më ka thënë se kur të kthehem nga pushimet do të luaj në një emision në televizionin francez, “Le Grand Echiquier”. Ai duket i kënaqur.
- Harku yt është si shpatë që lufton për lavdinë e Shqipërisë -, thotë ai duke bërë pushim pas çdo fjale.
Unë habitem kur e dëgjoj të thotë një fjali që përkon kaq shumë me klishetë që përdoren në vendin tonë. Është tepër e parashikueshme, përvoja më ka mësuar se realiteti të befason më shumë. A nuk thotë kënga e famshme që çdo shqiptar di përmendësh:
Enver Hoxha e mprehu shpatën
Dhe një herë për situatën
- Harku si shpatë dhe violina si mburojë… -, shtoj unë menjëherë, i lumtur që gjeta një formulë me të njëjtën frymë, për të plotësuar të tijën. Ajo duket se i pëlqen burrit plak, që e përsërit ngadalë. Më përshkon ideja se gjithë këto fjali të rënda dhe të zbrazura nga kuptimi si pasojë e trumbetimit të vazhdueshëm nuk i përkasin atij. Pa e vrarë mendjen dhe si për t’i shpërblyer për zellin e tyre ai përsërit parullat që banorët e vendit kanë krijuar për t’i pëlqyer, por diçka tek ai duket në kundërshtim të plotë me këtë gjuhë propagande.
Më pas më drejtohet në frëngjisht. Unë i përgjigjem dhe biseda vazhdon në këtë gjuhë. Unë e di që bëj ende shumë gabime në këtë gjuhë por pikas disa edhe në të folurën e tij dhe kjo më qetëson. Shumë i përqendruar, i përgjigjem sa më shpejt që mundem.
Ja, ky është krimineli i madh, njeriu që ka terrorizuar i vetëm një vend të tërë dhe popullin e tij, dhe që në një dorë të vetme mban ushtrinë, rrugët, malet, ujqit, lumenjtë. Ky mendim përshkon natyrshëm mendjen time, ndërsa e dëgjoj të më flasë. Ka mundësi të më ketë dëgjuar? Jo, e pamundur. E kam gënjyer kushedi sa herë babain për studimin dhe ai nuk ka pikasur gjë. Mendimet nuk mund të perceptohen, koka është një fortesë e pamposhtur në të cilën mendimet më të ndryshme mund të struken në puse të pafund, të mbrojtura mirë. Xhaxhi Enver nuk di gjë, ai nuk ka dëgjuar asgjë. Përkundrazi.
- Ne do të dërgojmë mamanë tënde në Francë që të kujdeset për ty -, vazhdon ai ngadalë duke iu rikthyer gjuhës shqipe. – Nuk besoj se do të mund të të shoqërojë gjatë kthimit tënd në Paris javën tjetër, por do të vijë atje shumë shpejt. Për dy ose tri javë, përfundon ai.
Ai e tha! Dhe këtu edhe arinjtë e pyjeve përkulen para fjalës së tij! Ajo që një çast më parë ishte thjesht një mundësi e brishtë është shndërruar befasisht në një siguri absolute. Morën fund ligësitë e P dhe letrat sekrete të njomura me lot! Me fytyrë të ndriçuar e falënderoj. Jo, përfundimisht askush nuk i dëgjon dot mendimet e tjetrit.
Para se të ndahemi ne pozojmë për burrin e thinjur i cili ka shkëmbyer kamerën e tij të vogël me një aparat fotografik. Në fillim vetëm me Xhaxhin Enver, pastaj me dy bashkëshortët. Ata më shtrëngojnë në krahët e tyre dhe më puthin ngrohtësisht. Unë largohem duke vrarë mendjen se si ka mundësi që takimi me vetë Zotin të jetë një gjë kaq e thjeshtë, e ngjashme me momente të tjera të jetës, pra, në fund të fundit, mjaft i zakonshëm.
Jo të gjithë e konsiderojnë kështu, këtë e kam kuptuar që të nesërmen dhe sërish kur kthehem në Paris pranë familjes H. Në Shqipëri lajmi i takimit tim me Xhaxhin Enver ka qenë kryesori në edicionin e lajmeve. Aty më shohin duke luajtur në violinë për Prijësin dhe duke biseduar me të. Nuk ka shqiptar që të mos dijë gjithçka për ngjarjen. Kurse bashkëshortët H shtiren sikur nuk dinë gjë dhe nuk bëjnë asnjë pyetje. Vetëm serioziteti i tyre i tepërt i tradhton. Pak rëndësi ka, ardhja e sigurt e mamasë e bën situatën më të durueshme tani.

Me një ton që më kujton komentet e tij për havjarin, Amojali përpiqet të më shpjegojë se çfarë është “Le Grand Echiquier” dhe unë bëj gjoja sikur e kuptoj. Në fakt më mbetet ne mendje vetëm që bëhet fjalë për të luajtur në violinë përpara kamerave. Disa ditë me pas gjendem në një studio televizive në afërsi të Buttes Chaumont nga një zyrtar i ambasadës. Shumë njerëz kryejnë punë të ndryshme rrotull meje dhe shkojnë e vijnë me ngut nga të gjitha drejtimet. Unë do të luaj një pjesë nga kompozitori shqiptar Pjetër Gaci, Baladën. Shumë gazetarë duan të më bëjnë pyetje. Duan të dinë se çfarë më pëlqen tjetër përveç violinës. Pyetjet më përsëriten disa herë deri sa unë besoj se i kuptoj. U tregoj se më pëlqen të shkoj për gjueti për të gjuajtur shapka…/panorama

Related

Top Lajm 9193910161032213801

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item