Papavrami: Sokol Hoxha, garant për vizën e babait në Francë

Gjatë promovimit të librit “Fugë për violinë” në ambientet e UET Promovohet në UET libri me kujtime i violinistit Papavrami: Vetëm diktatori...


Gjatë promovimit të librit “Fugë për violinë” në ambientet e UET


Promovohet në UET libri me kujtime i violinistit

Papavrami: Vetëm diktatori mund të më shpëtonte nga sistemi i tij.

“Rrëfimi i tim eti për Enverin, një goditje e madhe, përmbysje e gjithçkaje brenda një sekonde”
 Largimi përfundimtar në Francë dhe internimi i të afërmve në Shqipëri. “Sokol Hoxha, garant për vizën e babait”  

Disa studentë të zellshëm kanë propozuar të më thyejnë njërën dorë, që të mos luaj më në violinë”




Duke përjashtuar talentin dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm të Tedi Papavramit, ajo çka e bën edhe më interesant portretin e tij është të qenët i drejtpërdrejtë.
Ai flet ashtu si e ndien. Nuk ka nevojë të zbukurojë asnjë. Ai është ai që është, dhe jeta e tij po ashtu. Në librin me kujtime “Fugë për violinë”, botim i UET Press, Papavrami zbulon jetën e fëmijës gjeni. Atë çka ndodhte pas perdes dhe askush nuk e dinte, shikimin e tij të përvuajtur, teksa shihte shokët që luanin, ndjesinë e të qenët një djalë “qullac”, të qenët me “njollë” pa e ditur përse. Përse nuk ishte mjaftueshëm i mirë, përse i ati donte me çdo kusht që ai të studionte jashtë e të mos kthehej më… Si iku e nuk u kthye së bashku me familjen dhe pasojat ndaj të afërmve. Tedi Papavrami vesh edhe një herë pantallonat e shkurtra, si e vishte e ëma dikur dhe shkel në të njëjtat rrugë, në të njëjtat vende, ndien të njëjtat aroma, si atëherë kur ishte fëmijë. Nuk ekzagjeron asgjë, nuk zbukuron… i ati, e ëma, gjyshërit, shokët e shkollës, vijnë ashtu si ai i mban mend dhe si i njeh. Dje në ambientet e UET u bë prezantimi i librit. Botuesit e konsideruan si nder botimin e tij, ndërsa vetë Papavrami, jo me padurim pret reagimin e lexuesit, që sipas tij do të jetë detyrimisht i ndryshëm nga ai i çdo lexuesi tjetër në botë. Këtë prezantim ai e shoqëron edhe me dy koncerte në skenën e TKOB, ku do të luajë pjesë nga Bah, kompozitori që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij. Përmes një interviste, Papavrami përpiqet të shpjegojë se përse e shkroi këtë libër dhe përse në raste si këto një përgjigje asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Nga “Fugë për violinë” kemi shkëputur pikërisht momentin e fugës (arratisë) dhe pasojat te të afërmit e mbetur në Shqipëri. Si donin t’i thyenin dorën bashkëmoshatarët shqiptarë në Paris dhe garancinë që Sokol Hoxha, i biri i diktatorit, dha për të atin, që ai të mund t’i bashkohej familjes.
 
Kopertina e librit të Tedi Papavramit
Kushdo do të pyeste se përse ju duhej një përkthyese, kur librin mund ta kishit shkruar shqip…

Sepse botuesi që ma kërkoi librin ishte francez, kështu që nuk kisha se si ta shkruaja shqip…

Pra, ishte një libër i porositur?

Fillimisht po, po sikur kjo gjë të mos më kishte tërhequr, të mos më kishte pëlqyer, nuk do ta kisha bërë. U mendova gjatë dhe pastaj nisa të bëj diçka që mund të kishte interes. Ajo që i interesonte botuesit francez, ishte veçantia e jetës sime, për sa u përket viteve të para në Shqipëri dhe ikjen në Francë, në një kohë që Shqipëria ishte shumë e mbyllur. E kishte dëgjuar këtë histori dhe i interesonte kjo. Pastaj unë i shtova gjëra të tjera, që ai nuk mund t’i merrte me mend..

Një pjesë e mirë e personazheve në librin tuaj janë gjallë, i druheni disi përballjes me ta?

Them se i kam përshkruar ashtu si i kam perceptuar në atë kohë, me syrin tim fëmijëror. Dhe nuk më tremb kjo përballje..

Tedi Papavrami në moshë 1-vjeçare

Si ishte procesi i kthimit në të shkuarën?

Ishte gjë e bukur dhe e vështirë njëkohësisht, por pak nga pak kujtimet u bënë gjithmonë dhe më të qarta. Kuptova që edhe pse na duket sikur gjërat na kanë humbur, nuk i kemi në mendje kur thellohemi në atmosferat, vendet, sikur ripërtërihet prapë… Ishte një eksperiencë e bukur, edhe për të kuptuar deri diku gjëra që, kur i ke në mënyrë konfuze në mendje, nuk arrin t’i shpjegosh dot. Por duke u përpjekur t’ia shpjegosh lexuesit, deri diku ia shpjegon edhe vetes.

Një shpjegim për fugën…

E kërkova edhe në fjalor, pasi doja të ishte i qartë për lexuesin shqiptar, por nuk munda. E megjithatë, më kujtohet që kur isha i vogël, ne e përdornim fjalën “unë fugova” për “unë vrapova”, por prapëseprapë nuk ka të bëjë ekzakt me formën muzikore.

Kjo arrati do të shënjonte njëherë e përgjithmonë jetën tuaj, apo jo?

Ka qenë një ndërprerje që tani duket e natyrshme, pasi jam ambientuar prej kohësh në Francë, por sigurisht që ka qenë një shok i madh, me dy etapa: mbërritja në Francë dhe qëndrimi përgjithmonë atje, që ishin të dyja shumë të rënda..

Ju vetë e keni thënë se ia detyroni shkollimin tuaj në Francë pikërisht diktatorit të vendit, si e vlerësoni sot?

Këto janë veçantitë e rrethanave. Në fakt ka një logjikë, pasi ai ishte i vetmi që mund të bënte diçka për të dalë nga sistemi i vet. Ishte i vetmi që kishte fuqi dhe që mund të merrte një vendim në atë kohë. Askush nuk kishte guxim, nuk mund ta merrte apo nuk donte ta merrte. Por më shumë besoj se nuk mundeshin, sepse ishte jashtë principeve. Ishte vetë i “zoti i punës”, që mund ta bënte një gjë të tillë.

Si e përjetoi fëmija i dikurshëm përmbysjen e imazhit të “xhaxhit Enver” prej rrëfimit të babait?

Ishte një goditje e madhe, ishte një përmbysje e të gjitha gjërave brenda një sekonde. Por nga kjo mund të kuptosh se sa të manipulueshëm janë njerëzit. Unë kisha fatin që babait i besoja shumë dhe ai ma shpjegoi në mënyrë të fuqishme dhe të argumentuar gjithçka. Edhe pse besimi që kisha tek im atë ishte shumë më i fuqishëm se te sistemi, prapëseprapë pata një tronditje në atë kohë..

Tedi Papavrami me të atin, në Paris, janar 1986

Meqë përmendët babain tuaj, ai ka qenë një lloj “diktatori” në llojin e tij, sa i takon rreptësisë për mësimin e violinës…

Sigurisht. Në fakt, po të marrim biografitë e gjithë muzikantëve të mirë, duke përfshirë edhe kompozitorët, të gjithë kanë qenë nën një lloj presioni… Se sa i justifikueshëm është, nuk mund ta themi, por ato mrekulli kanë dalë vetëm falë një presioni të tillë. Kështu që kjo është pak e paevitueshme… Nëse njerëzit do t’i jepnin fund diktaturës së prindërve, nuk do të dëgjohej më as Moxarti, as Beethoven…

Kjo është sprova juaj e parë si shkrimtar, por ndërkohë e keni sprovuar veten si përkthyes i veprave të Kadaresë. Sa ju ka ndihmuar ky fakt?

Më ka ndihmuar shumë, pasi ke të bësh me një mjeshtëri që të nxit të shkruash vetë. Por gjithsesi është diçka krejt tjetër. Në fillim e pata të vështirë të gjeja një formë, ta plotësoja, deri ku do të shkoja… Për të shkuar diku, gjithmonë është e mundur, por kur nuk ke një tension, një vazhdimësi, një rritje dhe një strukturë, lexuesin e humbet shumë shpejt. Për këtë unë isha i ndërgjegjshëm. Më ka ndihmuar shumë edhe përshkrimi i Shqipërisë nga Kadare dhe përkthimet që unë kam bërë nga librat e tij… Sigurisht nuk është e njëjtë si do ta kisha bërë unë, por është një lloj këndvështrimi si mund ta shprehësh absurditetin e diktaturës. Sigurisht influencat prej tij janë, siç janë edhe nga autorë të tjerë francezë, që të paktën në frëngjisht kanë qenë të qarta.

Është varianti në shqip ajo çka vërtet donit të tregonit?

Jam i kënaqur, sepse përkthyesja Blerta Hyska ka bërë një punë të mirë, Ajola Xoxa ka bërë një punë kolosale për të gjetur natyrshmërinë në shqip, por edhe unë kam ndërhyrë shumë. Sigurisht ka gjëra që nuk mund t’i kuptonin as përkthyesja dhe as redaktorja dhe unë vendosa që në shqip të thuheshin pak më ndryshe, më saktë, më natyrshëm… Kështu që kur e lexoj shqip, është ajo që kam shkruar edhe frëngjisht.

Pse keni zgjedhur ta shoqëroni me Bahun?

Bahu është kompozitori që më ka shoqëruar gjithë jetën, që nga Shqipëria, që më ka bërë të parandiej mrekullinë e artit dhe të një bote përtej, që ishte shumë larg botës komuniste. Nga ana tjetër, ky program në violinë solo, që nuk ka efekte, nuk është spektakolar, është maksimumi i thellësisë shpirtërore të njeriut, m’u duk se lidhej mirë me konfidencën që krijon libri vetë. Pasi është një rrëfim mes meje dhe lexuesit dhe kështu doja që të ishte edhe koncerti, diçka mes meje dhe dëgjuesit.

Pse ajo violinë aq e vogël në kopertinë, do të thotë se ju tashmë e zotëroni tërësisht atë?

Ka pak humor brenda, por i referohet sërish fëmijërisë… Ka të bëjë me zhvillimin e kësaj violine, por nuk ka një simbolikë që lidhet me zotërimin e saj…

ALMA MILE


Nga libri

Pas kthimit në Tiranë për pushimet e verës, si çdo vit, unë dhe babai përfshihemi gjithnjë e më shumë në biseda të një soji të ri. Shqyrtojmë një për një të gjitha mundësitë që do të bënin të mundur të mos mbetesha i bllokuar përfundimisht në Shqipëri verën e ardhshme, pas marrjes së diplomës të Konservatorit dhe kthimit të pashmangshëm në vend. Babai ka pak shpresë në zbutjen e politikës ose në një trajtim të privilegjuar që do të më mundësonte të dilja rregullisht nga Shqipëria për të dhënë koncerte jashtë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Artistët tanë më të njohur kanë mundësi të interpretojnë jashtë vetëm një herë në dhjetë vjet. Madje ata më fatlumët. Shumica nuk dalin asnjëherë. Në mënyrë paradoksale, vdekja e Hoxhës, i vetmi që mund të na mbronte nga vetja e tij – siç kishte bërë duke më lejuar të shkoja të studioja në Francë – në vend që të ndihmojë planet tona, na e dobëson më tepër pozitën. Ajo çka më pret është perspektiva për t’u bërë “solist zyrtar”, rrogëtar i Teatrit të Operës, detyrimi për të dhënë disa koncerte në kryeqytet dhe në rrethe, në një vend me dy milionë e gjysmë banorë, pak më i madh se sipërfaqja e krahinës Poitou-Charentes në Francë.
Tri janë mundësitë e tjera. Unë me mamanë nuk kthehemi më në Shqipëri dhe kërkojmë strehim politik në Francë. E kam shumë të vështirë ta përfytyroj. Nëse ndodh kjo, zemërimi i regjimit do të bjerë së pari mbi babain, i cili do të konsiderohet me të drejtë si nismëtari makiavelik i kësaj tradhtie. Ai do të burgoset, torturohet dhe unë do të duhet të jetoj deri në fund të jetës i pashpresë për ta parë një ditë. Vështirë ta përballoj. Mundësia tjetër do të ishte, sipas planit me barkën prej gome, që ai të arratisej nga deti për në Greqi, ku do ta prisnim unë dhe mamaja. Rezultati i këtij plani është i pasigurt. Nëse do të rezultonte i suksesshëm, ne do të shpëtonim të tre, por nëse babai do të kapej, e pret vdekja sipas kodit penal në fuqi. Dhe hipoteza e fundit: qeveria shqiptare e lejon babain të na vizitonte gjatë vitit të fundit. Babai po përpiqet pa pushim për këtë, një pjesë e bursës sime kalon në blerje dhuratash që ai ua shpërndan me durim një turme zyrtarësh duke u përpjekur të zbutë më kokëfortët me qëllim që të zhbllokojë mekanizmat e një sistemi që ka për parim të mos lejojë kurrë bashkimin e familjeve jashtë. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për mua, por fatkeqësisht duket të jetë edhe më pak e mundshmja. Në të tri rastet unë duhet të përgatitem për faktin që nuk do të kthehem kurrë më në Shqipëri dhe nuk do të takoj më asnjë nga anëtarët e familjes përveç prindërve, që do të jenë pranë meje.

* * *
….Atje shfaqet një siluetë e gjatë veshur me një pallto të madhe të zezë, si e mbirë nga dheu. Babo! Nuk është e mundur! Si ka mundësi që është këtu? Si ka arritur t’i mashtrojë? Turrem drejt tij ndërsa ai nuk lëviz, vështrimin përtokë, një buzëqeshje fajtore në fytyrë. Po kjo pamje e lënduar, pse? I vjen turp që më mbajti të fshehur ardhjen e tij? E ka nga lodhja prej udhëtimit? Ndiej turbullt se shkaku i pështjellimit të tij është deri diku gëzimi im. Ajo që unë shpreh nuk është thjesht lumturia e ritakimit. Për mua kjo do të thotë që tashmë nuk ka asnjë dyshim që do të qëndrojmë të tre në Francë. Lehtësimi është i madh për mua. Nuk do të dridhem më për të duke e menduar në Shqipëri, të burgosur, të torturuar. Prania e tij më heq një barrë që tani po dërrmon atë vetë: tashetutje e ka radhën ai të vuajë për prindërit e tij. Por në këtë çast nuk dua të shoh më larg. Është tepër e rëndë të përfytyroj të gjitha pasojat e ardhjes së tij. Kapem vetëm pas faktit se ardhja e tij në Francë pranë meje dhe mamasë është realizimi i një mrekullie të pashpresuar. Prindërit kanë parapëlqyer të mos më thonë asgjë deri në momentin e fundit, nga frika mos zhgënjehesha nëse babai nuk do të mundte të vinte. Ai shpjegon ndërthurjen e pabesueshme të rrethanave që i mundësuan largimin nga vendi, duke filluar nga konkursi që fitova në Itali, tre muaj më parë, takimet e panumërta dhe drekat me zyrtarët, dhuratat, ftesat.
- Si zakonisht kishte diçka që ngecte tek njëri apo tjetri, por çdo herë në minutën e fundit situata zhbllokohej… sikur të ishte e shkruar, – thotë ai ndërsa tregon përpjekjet e tij gjatë këtyre tre muajve. Në fund fare, kur ka dorëzuar pasaportën për vizë, miku i tij Sokoli, djali i Enver Hoxhës, ka shkuar në ministri për të takuar personin përgjegjës. Ky i fundit, i gjendur ngushtë, më në fund i ka bërë atij me zë të lartë pyetjen që të gjithë bënin me zë të ulët:
- Po kush më garanton mua se ai do të kthehet këtu pasi të ketë kaluar tri javë atje me gruan dhe të birin?
Pyetje fatale që nuk bëhet kurrë në prani të të interesuarit. Vetëm Sokoli mund t’i përgjigjej:
- Dal unë garant.
Nuk i kanë kërkuar asgjë më tepër. Babait i është dhënë viza disa ditë më pas. Teksa e dëgjoj marr me mend ndjenjën e fajit që ai përjeton karshi mikut të tij. Shenjtëria e fjalës së dhënë, që idealizohet edhe më shumë nga popujt që nuk i respektojnë shumë betimet e tyre. Kjo është ndoshta dhe një nga shkaqet e tjera të buzëqeshjes së tij të hidhur kur mbërriti. Për momentin preferoj ta harroj dhe të shijoj lumturinë që më sjell ardhja e tij. Mundësia për të qëndruar të tre në Francë është një shpresë e papritur për të ardhmen, e cila mbetet tërësisht pozitive për sa kohë nuk gjendet e mbuluar nga hija e errët e ndëshkimit që do të shkaktojë realizimi i saj. Sepse kohë nuk kemi. Që kur ka ardhur babai bisedimet me Amojalin shumëfishohen. Prindërit mendojnë se nëpunësit e ambasadës nuk duhet të na gjejnë në asnjë mënyrë pasi të jenë njoftuar mbi vendimin tonë për të qëndruar. Shërbimi i fshehtë shqiptar do të mobilizohet menjëherë dhe në vendin tonë kemi dëgjuar shumë herë të flitet për njerëz të kthyer me forcë ose të zhdukur në vendet ku kishin vendosur të jetonin. Rasti ynë do t’i xhindosë akoma më shumë për faktin që unë jam i famshëm në Shqipëri dhe kam ardhur në Francë me rekomandimin personal të Enver Hoxhës. Tërbimi i shtetit komunist do të jetë proporcional me mashtrimin që ka pësuar. Do të na duhet të largohemi nga Parisi dhe të zhdukemi pa lënë gjurmë.

* * *
Ashtu siç pritej, arratia jonë ka patur efektin e bombës. Të gjithë studentët shqiptarë janë thirrur menjëherë në ambasadë për t’u njoftuar dhe për të marrë udhëzime. Nuk duhet të largohen veçse në rast nevoje të pashmangshme nga banesat e tyre, ku do të bëhen kontrolle të shpeshta për të verifikuar praninë e tyre. U është kërkuar të jenë vigjilentë, të na ndjekin pas nëse na takojnë rastësisht në rrugë dhe të informojnë menjëherë autoritetet për vendndodhjen tonë të re. Disa studentë jashtëzakonisht të zellshëm kanë propozuar të më presin para Konservatorit për të më kapur dhe thyer njërën dorë, që unë të mos luaj më në violinë!
…kur mësova se studentë me të cilët unë para pak kohe qeshja dhe tregoja barsoleta, kishin propozuar, pa i detyruar kush, të më thyenin dorën, ndjeva një shije të hidhur. Gjithsesi fitoj me unanimitet të jurisë në Konservator diplomën në violinë, dhe kthehem menjëherë në Barsak, i lehtësuar që po i largohem Parisit, ambasadës, shqiptarëve të saj dhe urrejtjes së tyre.

* * *

Në shtator mamaja shkon në Paris për të takuar Renaton. Lajmet që ai sjell nga Shqipëria janë të tmerrshme. Dodo dhe Nuci janë internuar në një fshat në jug të Shqipërisë. I kanë marrë me kamion përmes një turme armiqësore. Të gjitha pemët e kopshtit i kanë shkulur, ndërsa tokën e kanë gërmuar me urdhër të qeverisë; qarkullonin fjalë sikur Dodo kishte fshehur një thesar me monedha ari të grumbulluara para ardhjes së komunizmit. Kërkim i kotë. Renato nuk di të na thotë ç’bëhet me shtëpinë. Gjithçka mund të shihej nga jashtë ishin policët që hynin e dilnin; çka ka bërë që në qytet të mendohet se ajo është kthyer në një qendër të sigurimit. Ajo që ka ndodhur me familjen e mamasë është edhe më e tmerrshme. Gjyshërit e mi Maria dhe Spiro, motra e tij Ifgjenia, daja Thomai dhe vajza e tij Marina – kushërira ime pesë vjeçare – janë internuar në Kurbnesh, në malet në veri të Shqipërisë. Vladimiri, vëllai më i vogël, është transferuar gjithashtu në një qytet afër Kurbneshit, ku është caktuar të punojë në ndërtim. Kurse Thomai punon në minierat e Kurbneshit. Ifigjenia ka vdekur pak kohë pas internimit, nga mungesa e mjekimeve. Gjendja vazhdimisht e rëndë ku ndodhej babai para marrjes së këtyre lajmeve, sikur nuk përkeqësohet dot më tej; ndoshta ai rrit dozat e Temestës për të duruar… Efekti është më shkatërrimtar për mamanë, që kishte shpresuar në një reagim më të butë nga ana e qeverisë shqiptare. Ajo shfaq po atë energji si më parë, por mua më duket sikur do të rrëzohet nga çasti në çast dhe fytyrën e ka të hequr. Përveç atyre që janë internuar, disa anëtarë të familjes kanë pësuar dënime të tjera: motrat e saj, Donika dhe Natasha kanë humbur punën, ndërsa kushërinjtë e mi, Evi, Ardi, Ervini dhe Eliana nuk do të mund të ndjekin studimet universitare. Që të gjithë do të jetojnë deri në fund të jetës duke patur në CV-të e tyre njollën e lidhjes së gjakut me “armiqtë e popullit”, që do t’i penalizojë në të gjitha fushat e jetës: në punë, shtëpi, marrëdhënie shoqërore. Dhe ndjenja e fajit të mamasë shtohet nga fakti që nuk i vuri në dijeni për asgjë dhe nuk u largua me pëlqimin e tyre, aq më pak me nxitjen e Dodos, si baba./panorama

Related

Libri 2225384464008723896

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item