Gabriel García Márquez, nga vjen shkrimtari i madh

Nga Aurel Plasari Rrëfimi i mikut të ngushtë Plinio Mendoza Nga gazetar i varfër që lypte në Paris në shkrimtar popullor që fitoi çmimin “No...

Nga Aurel Plasari

Rrëfimi i mikut të ngushtë Plinio Mendoza

Nga gazetar i varfër që lypte në Paris në shkrimtar popullor që fitoi çmimin “Nobel”

Gabriel García Márquez, kur ishte ende gazetar

Plinio Mendoza, shkrimar edhe vetë, ishte njëri nga miqtë më të ngushtë të Gabriel García Márquez-it. Sa për veprën e shkrimtarit, aq edhe për jetën, bashkëbisedimet e tij me Márquez-in mbahen si dëshmitë më të denja për besim. Dikur, në vitet e vështira, kam përdorur disa syresh prej librit “Aroma e guajavës”. Tani që shkrimtari emërmadh nuk është më ia vlen të kujtohen edhe disa të dhëna nga ato që ndihmojnë për t’ia kuptuar diçka më mirë nga njëra anë veprën, nga tjera personalitetin. Mund të shërbejnë edhe si mësim për gjithë ata që ndodh t’i zhgënjejë – për të përdorur shprehjen e gjermanit Feuchtwanger – “rruga e mundshme drejt njohjes”.
Kopertina e librit të Plinio Apuleyo Mendoza
Rioshi provincial Gabriel García Márquez ishte gazetar i talentuar. Por i varfër. Si dokudo në botën moderne të jesh gazetar edhe i talentuar edhe i varfër do të thotë gazetar i ndershëm. Në një situatë të tillë, ndërkohë që punonte gazetar i së përditshmes El Heraldo, shkroi veprën e parë Gjethurinat. Mbas mesnate, kur në redaksi përfundonte puna dhe numri i ditës hynte në shtyp, ai përkulej mbi makinën e shkrimit pothuajse deri në të gdhirë. Kthente në hotel, ku banonte në një dhomë nga më të lirat, siç e ka treguar edhe çmimin: vetëm një peso e disa centavos. Kthinë me një shtrat portativ dhe mure kartonxhesi. Pesë vjet kaluan dhe Gjethurinat nuk ia bonte asnjë shtëpi botuese. Në fund miqtë e tij mblodhën një dorë parash dhe libri u shtyp në një shtypshkronjë të lirë “me shpenzimet e autorit”.
Edhe momenti i tij europian, kur gazeta El Espectador e dërgoi reporter në Paris, po nën shenjën e varfërisë është regjistruar. Mendoza e takoi atë në Parisin e viteve 50 të shekullit të kaluar, ndërsa banonte në një mansardë të rëndomtë të hotelit “Cujas”. E ka përshkruar të dobët, pinte tri paketa cigare në ditë, me pamjen e një algjeriani të skamur që u ngjallte dyshime policëve dhe ata kur e kur e arrestonin gabimisht. Ishte koha e luftës së Algjerisë, koha e këngëve të Brassens-it, e të dashuruarve që putheshin dëshpërimisht nëpër metro, siç e tregon Mendoza. Në mansardën e ftohtë Márquez-i puqte gjunjët te radiatori, shkruante me makinën e shkrimit në prehër dhe, kur ngrinte kryet, mund të kundronte foton e së fejuarës, Mercedes-it. Aty filloi të shkruante atë roman që më vonë do të njihej si Ora e ligë ose Një histori me paskuinë. E ndërpreu dikur sepse e ngacmonte historia e një personazhi tuhaf: një kolonel që priste më kot pensionin e ish-luftëtarit në luftën civile. Ai vetë, si personazhi i tij, vuante nga ankthet e përditshme duke mos e ditur se ç’do të hante të nesërmen. Shkrimtari gazetar priste gjithnjë letrat me mandat pagese dhe ato nuk i mbërrinin asnjëherë. Kështu u shkrua kryevepra e vogël Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë.
Teposhtja ekonomike kishte fillua me një njoftim tre rreshtash në Le Monde: Rojas Pinilla, diktatori që qeveriste atëherë Kolumbinë, e kishte ndaluar gazetën El Espectador. “S’prish punë”, kishte thënë Márquez-i. “Por punë prishte që ç’ke më të”, ka shtuar Mendoza. Pagesa nuk i vinin më dhe mbas një muaji nuk kishte më as me se të paguante hotelin. Brassens-i vijonte të këndonte këngët e tij, dashnorët vijonin të putheshin nëpër metro po aq dëshpërimisht, porse Parisi nuk qe më i mëparshmi: ishte shndërruar në qytetin mizor për emigrantët, posaçërisht për latino-amerikanët që endeshin rrugëve të tij me triko të grira, duke ëndërruar një vakt në tryezë dhe një shtrat të ngrohtë, që Mendoza i ka quajtur lukse. Gabriel García Márquez-i u ndërgjegjësua për këtë situatë në njërën nga ditët më të rëndësishme të jetës së tij, kur në metro u detyra të shtrinte dorën dhe…të lypte. Ia ka pranuar vetë mikut të tij. Pa harruar të shtojë se personi që i dha monedhën, i bezdisur, as që mori mundimin të mbante vesh shpjegimet e tij.
Më se një herë e kam riprodhuar me mend këtë skenë kur më ka qëlluar të jetoj në Paris dhe të hyj e të dal në metrotë. Në cilin stacion, vallë, ishte zhvilluar ajo? As Márquez-i, as Mendoza nuk na e kanë lënë të saktësuar. Kush të ketë qenë, vallë, ai parizian që, në ngut e sipër për të kapur trenin e radhës, i la shkrimtarit monedhën në pëllëmbën e dorës së shtrirë në atë moment historik? Ku ta dish! Por kam përfytyruar që dikur qytetërimi europian do ta kishte detyrë që, pikërisht në atë stacion të nëndheshëm metroje, t’ia ngrinte shkrimtarit një shtatore bronzi ashtu: me dorën të shtrirë.
Tek Aroma e guajavës, duke kujtuar mbresat e trishta të mjerimit të tij parizian, Márquez-i ka përshkruar edhe të parën natë të vet si i pastrehë:

 “Nata nuk kishte të mbaruar, unë s’kisha gjetur vend për të fjetur dhe e kisha kaluar atë natë me kokën varur nëpër stolat, duke u ngrohur në damfin e nëndheshëm providencial që dilte nga grilat e metrove, si dhe duke u ndeshur oreçast me policë. Më dëbonin gjithnjë me shkelma bythës, sepse më merrnin për algjerian. Mandej, në të zbardhur, erëmimi i lulelakrës së zier u hallakat, Sena u ndal dhe isha e vetmja qenie e gjallë e humbur në mjegullën e shndritshme të një të marte vjeshte, në mes një qyteti të braktisur. Atëherë ndodhi: ndërsa kaloja në urën e Sen Mishelit dëgjova një zhurmë hapash, dallova njeriun përmes mjegullës, me setër ngjyre të errët, me duart në xhepa, me flokët e sapokrehur dhe, në çastin kur kryqëzoheshim në urë, pashë fytyrën e tij eshtake e të zbehtë për një të imtë të sekondës: ai po qante”.
Edhe Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë, produkt i asaj kohe, nuk u pranua prej shtëpive botuese. Gazetarin skamës nuk donin që nuk donin ta njihnin për shkrimtar. U botua dikur nga një revistë letrare, pa lejen e autorin, që do të thotë edhe pa i paguar asnjë qindarkë. Për revistën ishte thjesht një akt bamirësie për një tekst që asnjë shtëpi botuese nuk e zinte me dorë. Gabriel García Márquez-i vijonte të ishte i panjohur jo vetëm jashtë, por edhe në vendin e tij, të tillë na e ka përshkruar Mendoza. Elita e Bogotasë që, si çdo elitë, i gjykonte njerëzit nga prejardhja e nga veshja, – ato që vetë Marquez-i ka quajtur “vlera fasade”, – nuk mund t’ia honepste prejardhjen “provinciale”. Po t’i shtohen asaj mustaqet e mbajtura çrregullt, këpucët e kuqe, deri edhe paaftësia për të dalluar thikën e peshkut mes thikave të ndryshme, refuzimi mund të përfytyrohet.
Kur ai të bëhej shkrimtar popullor e të zbukurohej me Çmimin Nobel, të binte në të njëjtat hotele luksoze, të hante écrevisses (karavidhe) në të njëjtat restorante të shtrenjta duke përdorur thikat e veçanta si usta, madje të njihte po aq mirë – në mos më mirë – temperaturën ideale të verërave, gamën e djathërave dhe spektaklet që duheshin ndjekur në Nju Jork, Londër ose Paris, atëherë do të ishte po ajo elitë që do t’ia hapte dyert, e mikluar nëse ai denjonte ta pinte një uiski në shoqëri të saj. Ajo do të tregohej e gatshme t’i mbyllte sytë edhe për pikëpamjet e tij politike, përfshi edhe simpatinë për Fidel Castron etj., këtë i dëshmon ai vetë mikut Plinio Mendoza. Prandaj tek Aroma e guajavës do të jetë shkrimtari që do t’i përçmojë ato farë “elita karavidheve”. 
Gabriel García Márquez-it nuk iu shlye kurrë nga kujtesa “rruga e mundimshme drejt njohjes”. Ajo e ndikoi deri në fund. Prejardhja dhe shpërfillja nga elitat e karavidheve, pësimet e emigrantit, trikot e grira, ëndrrat për një vakt në tryezë e një shtrat të ngrohtë dhe, sidomos, dora e shtrirë në atë metronë anonime të Parisit ia mbresuan përjetë botëkuptimin. Atëherë kur, duke bashkëbiseduar me të për politikën, Mendoza e pati pyetur se ç’lloj qeverisje do të uronte për vendin e tij, shkrimtari i madh është përgjigjur krejt thjesht:
“Çfarëdolloj qeverisjeje që do të ishte e aftë t’i bënte të lumtur skamësit”.     


*Titujt janë të redaksisë. Titulli i autorit: “Nga vjen shkrimtari i madh”

Related

Top Lajm 7970897986256187199

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item