Kujtesa e viktimës apo kujtesa e xhelatit?

Agron TUFA Para pak kohësh me ra të kuvendoja me V.D, një artist të mbijetuar nga burgjet dhe kamp-burgjet e komunizmit. Duke hamendësuar tr...

Agron TUFA



Para pak kohësh me ra të kuvendoja me V.D, një artist të mbijetuar nga burgjet dhe kamp-burgjet e komunizmit. Duke hamendësuar trysninë e përvojave të tij, e pyeta, se “si ballafaqohesh me kujtesën tënde në jetë dhe në krijimtari personale”. Ai m’u përgjigj jo menjëherë, por në një mënyrë lakonike e kuptimplote: “po bëhen 20 vjet që unë fle në dy krevate”. “Në ç‘kuptim”, i thashë: “A mund të ma sqaroni?”. “E thjeshtë fare”, tha. “Përfytyro: bie të fle në krevatin tim, në apartmentin tim, por gjithë natën endem në krevatet e qelive apo kapanoneve të burgjeve. Habitem fort kur gjumi më del dhe e shoh veten në krevatin e apartamentit tim”. Ky dyshtresim paralel përvojash e sqaronte vetevetiu marrëdhënien e tij me kryemuzën e vet dhe pakashumë, mund t’i merrja me mend, çfarë frymëzimesh i sillte atij Mnemozina.

Doza e hidhur e fatkeqësive, që i ra për short pskikes tonë kombëtre, në mënyrë të veçantë përgjatë shekullit XX, ka dhënë më në fund frytet e helmëta në kujtesën individuale dhe kolektive. Me shembjen e “perandorisë së të keqes”, doli në pah krijesa eksperimentale e saj, njeriu me kujtesë të shkalafitur. Mnemozina (perëndesha e kujtesës) jonë, pa rritur dot të krijojë mirëkuptim në përftimin e tërësisë së identitetit të origjinës me të tashmen, pa arritur të krijojë një lidhje ndërmjet vedi, një logjikë, qëoftë të përftuar prej fragmenteve, endet e verbuar dhe e tromaksur nga drita e përvojës që përjetoi. Është pikërisht kjo dritë e përvojës së mënxyrshme ajo pjesa e hadit me të cilën është mësuar, ngase nuk do t’i nxjerrë në sipërfaqe të Letës imazhet mëkatare të terrinës. Mnemozina jonë heterogjene shfaqet e çoroditur e kontradiktore në përditshmërinë tonë, duke e pllakosur atë me kujën e thellë dhe mallkimet, me ckërmitjen e marrë dhe me absurditetin frenetik, ashtu si figura e kërleshur e mbretit Lir në shtrëngatën e stepës. Një pjesë të poteve të saj ajo u vjen si muzë e përvojës dhe ne përftojmë një përmasë të saj si kujë, duke rindërtuar sipas plagëve kujtesën e të mbijetuarit për ta e për të vdekurit e tyre (at Zef Pllumi, Petro Marko, Uran Kalakulla, Fatos Lubonja, Pjetër Pepa, Ahmet Buhati, arshi Pipa, Visar Zhiti, Uran Butka, Pjetër Arbnori, Agim Musta etj), ndërsa një pjese tjetër ajo u vjen si ngërdheshje saturnale, për vete e për të gjithë të mbijetuarit e tyre (Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha si dhe gjithë veglat e diktaturës, sahnalëpirësit e tyre, ish-ministrat me gjithë rekuizitën, me bëmat dhe nostalgjitë). Kujtesën e ringjall përvoja e të mbijetuarve. Nga njëra anë, përrenj të flligësht narrativë që përbëjnë epope më vete, derdhen dhe ushqenjnë mediat e përditshme. Nga ana tjetër - kujtesa e margjinalizuar dhe e sfumuar e breshërive të pushkatimit, e torturave të qelive, e privimit nga ekzistenca, e dhunës dhe e internimit. Një kujtesë lufton dhe eklipson kujtesën tjetër. Cilën kujtesë të pranojmë të na flasë? Çfarë kumti presim prej tyre? Cili është reflektimi ynë? Shpërngulet përballja e kujtesave nga sfera e përditës, duke e vetëprojektuar ekzistencën në vazhdimësi, tek e ardhmja: ajo lyp kohësimin e saj në historiografi, në art, në shkencë, në sistemin shkollor. Duket se sinoret e veta do t’i zgjerojë ajo kujtesë, që është më e ushtruar në sprint, në spektakël, në klip. Sprinti na magjeps me shkathtësinë, zhdërvjelltësinë, duke mos na lënë asnjë çast të kridhemi në meditim, por të shkasim në sipërfaqe të gazetës, të ekranit, për të ndjekur, të molepsur e pasivë, ritmin e këtij galopi marramendës. Kështu narracioni e përshpejton kohën. Spektakli dhe klipi i studiove televizive na mbërthen në pritje ku endet dhe rotulohet kinse njëfarë enigme e premtuar, që na lidh me deshifrimin e saj dhe na le të zbrazët, këtë herë, duke e ndaluar kohën. Kjo është kujtesa mbizotëruese, që i rrok të dyja dinamikat e kohës: përshpejtimin, zgjatjen dhe pezullimin e saj. Është kujtesa e xhelatëve të mbijetuar, ngërdheshja satanike në karnavalin patësosur të përditshmërisë: ajo shumëfishon dhe klonon vetveten duke shpikur forma fetishizuese mbijetese e vazhdimësie, për të mos u kapur asnjëherë gafil. Ajo ndihet mirë në kushtet e shpërqendrimit që i japin mundësi të korruptojë agjentët teknologjikë, të krijojë aleanca më të fortifikuara në institucionet e kulturës, shkencës, politikës, ekonomisë - në instalimin dhe riprodhimin e imazhit të përgjithshëm publik, të bashkëpunimit, bashkëshoqërimit, ndërkalljes së idesë, se jemi një kujtesë me fat e përvojë të përbashkët, me ideal të përbashkët.

Ja se si flet narrativa e kujtesës së xhelatit: “Boll u zhgënjyem! Lavdi Zotit, utopia e re është prapë përpara. Qëllimi i mirë, endërrimi i mirë, meqë nuk na shpuri në parajsën e komunizmit, tani do të shpjerë në parajzën europiane. Kush është armiku, pengesa, përçarja? Ata pra… ATA, që po na e helmojnë të sotmen dhe po na e sterrosin të nesërmen. ATA me kokën prapa… që nuk duan ta shijojnë jetën. Tekefundit, jo mëkot, janë pikërisht ATA, obskurantët, të paaftët, vulëhumburit, që nuk përfitojnë. Janë ATA që nuk ndahen nga fantazmat e tyre, që na hedhin hije në optimizmin tonë të përbashkët, duke na kujtuar plagët e moçme, fyerjet e parëndësishme, që kërkojnë të na mbajnë peng duke bubrruar të djeshmen pa kthim, të cilën ne së bashku e shembëm… se ku ishin ATA? Në burgje, në internime, të shtypur, sa as pika e gjakut s’u bëhej e gjallë. Të ishte për ATA, as një grimë nuk do të shembej “perandoria e së keqes”, sepse as gishtin e vogël nuk mund ta lëviznin. Ashtu, të gërbulur në lotët e qurret e veta, ATA, të leckosurit, brengaxhinjtë, ankuesit e përjetshëm, të pagdhendur e të pashkolluar, nuk do ta nirrnin kurrë qimen prej qullit. Dhe së fundi, çfarë duan KËTA mosmirënjohës? A nuk ua dhuruam NE lirinë? Le ta provojnë sa u vlen lëkura TANI në LIRI, po qe se vlejnë një grosh. ATA nuk e njohin ç‘është liria. Nuk e dinë ç‘do të thotë të gëzosh, të shijosh jetën e të përpiqesh t’ua përcjellësh atë brezave të tjerë, pa u qurravitur për skërkat e paemra ku prehen të parët e TYRE. Ç’faj paskemi ne? Mos duhet të vëmë thesin në kokë e të qajmë bashkë me TA me kuje e logori? Ne krijojmë pulsin e gjallë të kësaj jete. E ATA? Qajnë, rënkojnë, ankohen dhe duan para, para, para, kompensim, rehabilitim, vëmendje për të dëgjuar historitë e tyre me fantazma. Kujt i hyn në punë kujtesa e TYRE, dëshmive të TYRE, veprave të TYRE? Mos do të ndryshonte gjë vallë? Ne u japim mundësinë të rreshtohen krah nesh. U ofrojmë punë sipas aftësisë që kanë, e po u binden, pse jo, edhe pushtet!”.

Po kujtesa e viktimave të mbijetuara? Narrativa e saj bën dy jetë paralele: një të tashme, për inerci, dhe një jetë tjetër, të vegimit, traumës, hapësirës së pamatë të gjumit, e cila, me t’u mbyllur qerpikët, zbret shkallët me shpirtra e hije që kërkojnë të çlirohen nga harresa, duke u zhvendosur në hapësirat e pikëlluara të përvojave ku plasin farëra hidhërimesh pa ngushëllim. Duar, gjeste, fjalë, rënkime, pengje të një kohe tjetër, që lypin shpjegim, që pyesin, pyesin, pyesin… që kërkojnë të zbardhet e vërteta e tyrë e netëve të zeza, kur drejtësia, mëshira dhe shpresa tek Zoti u reduktuan në një frazë të ankthshme amaneti para plumbave, torturave mizore, kalbjes e plakjes nëpër qeli, shfytyrimit nëpër kampet e punës, poshtërimit, terrorit, dhunimit, degdisjes - gjithçka mbeti e tkurrur në një formulë amaneti - “Rrno vetëm për me tregue!”. E narrativa e tyre është veçse monologu i shpërndarë, i përjashtuar, i shpërfillur, i fyer e i përbuzur, i dënuar të vdesë në heshtje bashkë me TA dhe të vërtetat e tyre. Narrativa e TYRE është një tekst pa vlerë për veshët tanë, që uturijnë e shungullojnë nga zhurma e marrë e galopit dhe spektaklit, sepse vëshët tanë janë të pushtuar nga muzika e delirit dhe s’bën ta ndërpresim, s’bën ta ndërrojmë “stacionin”. Muzika e përzishme e funebre e funeralit na shpërqendron, na bën të biem nga ritmi galopant, na kthen në qenie mendore, ndërkaq që ne s’duhet të mendojmë: mendon Partia! A mund të na kthehet vallë, herëdokur në veshë, kjo muzikë e ndaluar, e mohuar, e përjshtuar nga memorja jonë e tredhur? Me çfarë do t’i mbyllim vallë veshët, kur të na kthehet, tashmë me aht hakmarrës, si ndëshkim i sërishëm, i pamëshirshëm, me tërë piskamat e përvojave çnjerëzore të hadit? A do të jemi në gjendje të përballemi vallë me kujën e mbledhur në grykë të Mnemozinës? Mjeshtëria e harrimit veçse do ta deformojë përvojën të marrë forma të përçudshme, derisa ta hedhë në erë depon e eksplozivit të pëngjeve tona. Në Shtëpinë e Harrimit nuk mund të bujë ndërgjegjia. Bujtësi do të përballet me të shkuarën e krimit, sepse kujtesa e krimit nuk mund të shlyhet me asnjë spektakël narrativ. Krimi i shpërfillur dhe shpërfillja e krimit asgjësojnë çdo formacion moral të vetëdijes. Prej një vetëdije të tillë mbahet gjallë vetëmashtrimi kolektiv. Mnemozina jonë na frymëzon të përjetojmë dhe të përballim dy kujtesa të ndryshme: kujtesa e viktimës është e detyruar të riprodhojë kujën e saj, duke krijuar një narrativë ishullore, të papranuar në publik, ndërsa kujtesa e restauruar e xhelatëve, krijon narrativën dominuese me pedagogjikën e vet të mashtrimit dhe alibisë, duke likuiduar të parën. Vend të tretë për marrëdhëniet tona me të vërtetën, nuk ka. Këtë po mendoja në këto festa nëntori, kur demagogët e politikës së manipulimit i ndanë demonstrativisht kujtesat tona në një palë, që duheshin festuar dhe në një palë tjetër, që s’meritojnë të festohen. Paradoksi ynë i Mnemozinës! Kështu zbresin vertikalisht kujtesat tona, duke përshkuar të gjitha poret e hierarkisë së realiteteve kulturore, sidomos në shkencat letrare e historike.


Kush tha që kultura s’është poltikë? Që strofulla me e sigurtë e demagogjisë politike nuk është kultura? Që në kohën e “rënies së ideologjive”, këtë rol nuk e luan kultura? Teksti i saj mbërrin tek ne, si kujtesë dhe si pakujtesë. Mnemozina na dikton kujën e saj: dikush dëgjon, dikush jo, pavarësisht, se një ditë të gjithë e dëgjojmë, me të vetmin ndryshim: dikush më heret, dikush më vonë…

Related

Opinione 1635191504937775911

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item