Elita përqendrohet te pabarazia, por njerëzit e zakonshëm kërkojnë rritje ekonomike

Debati ekonomik në politikën amerikane, sot është një betejë mes njerëzve shumë të pasur dhe njerëzve shumë të arsimuar, ku këto të fundit n...

Debati ekonomik në politikën amerikane, sot është një betejë mes njerëzve shumë të pasur dhe njerëzve shumë të arsimuar, ku këto të fundit nuk janë të varfër. Por votuesit e zakonshëm duket se kërkojnë diçka tjetër: rritje ekonomike
Debati
Bill Schneider, Reuters
Charles Koch; Senatorja Elizabeth Warren në Kapitol Hill në Uashington më 14 Nëntor 2013. Foto: Reuters

Debati ekonomik tashmë është shumë i përqendruar në çështjen e pabarazisë në të ardhura. Ky mund të mos jetë debati që demokratët dëshirojnë të kenë. Është negativ dhe ndarës. Demokratët do të dilnin më mirë nëse flasin për rritjen ekonomike – një axhendë që me shpresë do të jetë bashkuese.
Demokratët besojnë se pabarazia në të ardhura është një kauzë populiste. Por ajo mund të jetë më pak çështje populiste sesa një çështje e promovuar nga elita kulturore: profesionistë të mirarsimuar të cilët janë konfort nga pikëpamja ekonomike, por jo të pasur. Ka prova se votuesit e zakonshëm shqetësohen më shumë për rritjen ekonomike.
Rritja dhe pabarazia nuk janë çështje të ndara. Ekonomisti nobelist Xhozef Stiglitz (Joseph E. Stiglitz) ka shkruar: “Politikanët zakonisht flasin për rritje të pabarazisë dhe rritje ekonomike të dobët si dy fenomene të ndara kur në fakt janë të ndërthurura. Pabarazia kufizon dhe mban prapa rritjen tonë ekonomike”.
 Presidenti Bill Klinton zgjedh një reporter për të ngritur një pyetje para bliceve të kamerave televizive, ndërsa jep një konferencë për shtyp në kopshtin e rezidencës së ambasadorit të SHBA-së në Tokio, 9 korrik 1993.

Pyetja është nëse demokratët dëshirojnë të flasin mbi politika ndëshkuese dhe konfiskuese për të shënjestruar uljen e fuqisë së të pasurve dhe interesat speciale apo për një axhendë që synon rritje ekonomike për të gjithë.
Politikat që synojnë reduktimin e pabarazisë tërheqin më shumë votues kur ato janë të lidhura me politikat pro rritjes ekonomike. Çështje të tilla si rritja e pagës minimale, zgjatja e përfitimeve të papunësisë, pagesa të barabarta për gratë, lehtësim të borxheve për kreditë e studentëve, rritje e taksave mbi fitimet dhe mbylljen e vrimave ligjore fiskale për të pasurit.
Argumenti është i drejtpërdrejtë. Më shumë drejtësi nënkupton më shumë rritje ekonomike. Kur të ardhurat për të varfrit dhe shtresën e mesme po rriten, konsumi – faktori kryesor për rritjen ekonomike – rritet. Rriten edhe të ardhurat nga taksat dhe investimet në biznes dhe arsim.
Ish-presidenti Bill Klinton (Clinton), në një fjalim në Universitetin Georgetown, javën e kaluar e cilësoi pabarazinë “një pengesë të madhe për rritjen”. Ai mbrojti axhendën prorritje të administratës së tij. “Angazhimi im qe të rikthehej prosperiteti në bazë të gjerë në ekonomi”, deklaroi Klinton, “dhe për t’u dhënë amerikanëve një shans”. Ai vërejti se 7.7 milionë amerikanë u ngritën nga kufiri i varfërisë gjatë tetë viteve të tij në zyrë.
 Ish-kandidati republikan për president Mit Romnej flet në konferencën e planit të veprimit politik të Konservatorëve në Meriland, 15 mars 2013.

Përgjatë katër viteve të fundit të presidencës Klinton, rritja ekonomike e kombit qe mesatarisht 4.5 për qind në vit – tri herë më e lartë sesa vitin e kaluar. Përveç kësaj ne patëm edhe suficit buxhetor. Po, të ardhurat u rritën për 20 përqindëshin më të pasur të amerikanëve gjatë viteve 1990. Por, siç e vërejti Klinton, ato u rritën më shpejt për 20 përqindëshin e varfër. “Ajo punoi shumë mirë”, tha ai. Edhe pse e majta kritikoi politikat e tij për derregullim financiar, reformë të programeve të ndihmës ekonomike, tregtisë së lirë dhe balancimit të buxhetit. Tashmë ne kemi prova nga GlobalStrategyGroup, një kompani konsulence për demokratët, se axhenda e rritjes ekonomike është më popullore sesa axhenda e pabarazisë. Pyetur se sa shumë prioritet duhet t’i japë kongresi “promovimit të axhendës së rritjes ekonomike në përfitim të të gjithë amerikanëve”, 78 për qind e quajtën atë jashtëzakonisht ose shumë të rëndësishme. Rritja qe në majë të listës.
Në fund për nga rëndësia qe lufta kundër pabarazisë në të ardhura dhe shpërndarja e pasurisë në mënyrë më të barabartë.
A do të pëlqenin votuesit që kandidati të përqendrohej “më shumë në rritjen ekonomike” apo “më pak në pabarazinë e të ardhurave?” Përgjigjja qe e qartë. Rritja mposhti pabarazinë, 80 për qind me 16 për qind. Rritja doli gjithashtu si më e rëndësishme sesa “rritja e pagave,” “zgjerimi i klasës së mesme,” “drejtësia ekonomike në nivelin e fushës së lojës për amerikanët me të ardhura të mesme dhe të ulëta” dhe madje edhe përpara “ndershmërisë ekonomike”.
Kjo nuk do të thotë se demokratët do të duhet të zgjedhin mes rritjes dhe pabarazisë. Sondazhi i GSG tregoi se politikat e demokratëve që synojnë reduktimin e pabarazisë shihen njëkohësisht si politika që sjellin rritje ekonomike.
Shumica dërrmuese (duke variuar nga 54 në 74 për qind) tha se duke siguruar më shumë mundësi për të ardhura për të gjithë, rritja e shpenzimeve në arsim dhe infrastrukturë, më shumë siguri për pensionet, rritja e pagës minimale dhe kërkimi që të pasurit të paguajnë më shumë taksa do të sjellin më shumë rritje ekonomike, jo më pak rritje.
Demokratët sakaq kanë kredibilitet në lidhje me problemet e pabarazisë. Pyetur se cilës parti i besojnë “për zbatimin e politikave që do të sjellin më shumë mundësi në të ardhura për të gjithë”, demokratët udhëhoqën ndaj republikanëve në masën 46 për qind me 34 për qind.
Por ajo që demokratët nuk e kanë, gjithsesi, është besueshmëria në problemin e rritjes ekonomike. Pyetur se cilës parti mund t’i besohet “zbatimi i politikave që do të sjellin më shumë rritje ekonomike”, amerikanët thanë se dy partitë qenë barazim, 39 me 39 për qind. Pas Xhorxh Bushit (George W. Bush) dhe Barak Obamës (Barack Obama), votuesit nuk janë të sigurt se cila parti mund të japë mirëqenie.
Por çfarë po e shkakton fiksimin pas pabarazisë? Komentatori i New York Times, Dejvid Bruks, (David Brooks) shkroi: “Nëse jeni një profesionist i ri në një qytet të madh, eksperienca jote me pabarazinë është e drejtpërdrejtë. Por pabarazia që përjeton më shumë nuk është ajo në krahasim me të varfrit poshtë teje është pabarazia me të pasurit sipër”. Ata janë njerëzit që po blejnë librin e Thomas Piketi (Pikerry) që bën thirrje për rishpërndarje të të ardhurave.
Këto ditë, një pjesë e madhe e politikës amerikane është luftë mes dy elitave. Për vite, sondazhet kanë zbuluar sesa më i pasur të jesh, aq më shumë gjasa ka të votosh republikanët. Por sa më i arsimuar të jesh, aq më shumë gjasa ka të votosh demokratët. Kështu, më 2012 ne patëm një garë mes kandidatit republikan, Mit Romnej (Mitt Romney), i cili përfaqësoi elitën e pasurisë, dhe Obamës, i cili përfaqësoi elitën e të arsimuarve.
Debati mbi pabarazinë është një debat mes këtyre dy elitave në antagonizëm të hidhur. Një ushtri konservatorësh fshati duke luftuar me një ushtri liberalësh qyteti. Vëllezërit Kosh (Koch), të famshëm për nga pasuria, për shembull, përballë senatores së mirarsimuar Elizabet Uorren (Elizabeth Warren), një ish-profesoreshë e Harvardit.
Por çfarë duan votuesit e zakonshëm? Ata duan një bum ekonomik.
Ronald Regan (Reagan) u zgjodh në kohë recesioni dhe dha një bum në mandatin e tij të dytë. Klinton u zgjodh në kohë recesioni dhe dha një bum në mandatin e dytë gjithashtu. Zhgënjimi i thellë i votuesve me Obamën aktualisht është para së gjithash mungesa e përmirësimit ekonomik. Kjo është arsyeja se pse shumica e figurave popullore në vend janë nga Klintonët.
Sillini ato sërish, shpresojnë njerëzit dhe ndoshta “kohët e mira” mund të rikthehen gjithashtu.

Related

Top Lajm 152485781891260863

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item