A je me mua, a me standardin?

Bardh Rugova Shumë shpesh tema e standardit  të shqipes është bartur nga tryezat e studimit në forume publike, ku i është servuar opinionit ...

Bardh Rugova

Shumë shpesh tema e standardit  të shqipes është bartur nga tryezat e studimit në forume publike, ku i është servuar opinionit mbarë e mbrapshtë. Në këto forume, sidomos kohët e fundit, tema e standardit shfaqet e kapluar nga një perçe e ideologjisë (a të ideologjive) që mbart më vete pasaktësi dhe dekontekstualizime, të cilat, më pas, shkaktojnë huti dhe keqkuptime të ndryshme. Më poshtë janë disa nga shkarjet kryesore në diskutimet publike të kohëve të fundit për standardin e shqipes.

Shkarja e parë: A je me mua a me standardin?
Nxjerrja e temës së standardit në forume publike pashmangshëm e krijon ndjesinë e përshtypjes dhe me të edhe të anësisë. Shoqëria, si paragjykuese përgjithësisht, i sajon dy palë të një problemi dhe pastaj krijon pozicionime apriori, duke u vënë si individë në njërën a në anën tjetër, ndonëse problemi i standardit si çdo problem i studimit, është çështje e kërkimit të së vërtetës dhe, së këndejmi, nuk është punë anësie, dëshire apo bisede fjalamujtas. Disi si për politikën a religjionin, gjithnjë hasim njerëz që kanë qëndrim për të dhe qëndrim agresiv – natyrisht, pa e ditur se çfarë flasin… janë si ata policët e kohës së komunizmit që na rrihnin në emër të statutit të Partisë Komuniste, të cilin, qartazi, as që e kishin lexuar vetë e as që e dinin se çfarë përmbante.
Prandaj, nuk ka fare diskutime për dhe kundër standardit. Nuk ka fare anë. Nuk është film me partizanë e gjermanë, me të bardhë e të zezë. Diskutimet lidhen me përshtatjen e normës kundruall dinamikave të zhvillimit të gjuhës në përdorim. Kjo, natyrisht është një çështje e vështirë shkencore.

Shkarja e dytë: “Standardi është gjuha”
Standardi nuk është gjuha. Standardi është veç një variant i gjuhës, një variant që ka flurudhë të vetën të përdorimit, si edhe variantet e tjera: përdorimin formal. Në Shqipëri, disa herë e përdorin sinonimin ”gjuhë e shtetit”, nocion i pasaktë sa edhe ideologjik: i pasaktë, sepse përdorimi formal nuk i përfshin vetëm përdorimet shtetërore e administrative, as domosdoshmërisht nuk sanksionohet nga shteti. Po e zëmë, ky shkrim që po e lexoni është realizim i një situate krejtësisht formale, por nuk ma do mendja se redaktorëve të gazetës do t’u vinte mirë t’u thoshim se kjo është gazetë shtetërore. Përkundrazi, do të fyheshin. Sintagma “gjuhë e shtetit” është ideologjike – si e pasaktë që është – sepse mëton ta ngrejë një grupim mbi të tjerët. Në Konferencën e Durrësit më 2010, madje kjo qe shtruar troç: “Ju atje në Kosovë bëjeni standardin tuaj, sepse ne këtu (nuk e di kush e ku v.j.) e kemi tonin”. Unë qeshë përgjigjur atje se askush nuk i ka të drejtat autoriale të shqipes. Gjuha nuk është e shtetit. Është e popullit. Atij i përket.
Nuk është si një standard teknik, sepse u përgjigjet identitetit dhe shtresës stilistike, regjistrave të përdorimit dhe gjendjes së folësit. Nuk është njësi e prerë, ka kontinuitet dhe koordinim mes varianteve.
Pra, t’i kthehemi edhe një herë anësisë këtu. Për hir të opinionit, duhet thënë se funksioni i standardit nuk është vetëm bashkues. Ai, siç po shihet, mund të jetë edhe ndarës.

Shkarja e tretë: “Ku-ku, na e prekën standardin”
Tok me anësinë, një shkarje shumë e rrezikshme e interpretimeve të standardit është të konsideruarit e tij si tabu, si diçka që nuk bën të preket, sepse dikur dikush e paska rregulluar njëherë e përgjithmonë. Ne e dimë sot se kush e ka bërë e si e në ç’rrethana dhe sa kanë ditur e sa kanë guxuar të dinin për problemet e standardizimit atëherë (më 1972), por nuk dua të flas për këtë. Kjo është diçka që i takon së shkuarës dhe unë kam qejf të shikoj nga e ardhmja. Të shkuarën nuk mund ta ndryshojmë.
Me këtë rast, dua të sqaroj atë që e di secili individ që merret me studim, se shkenca nuk vë pika, se aty nuk ka të vërteta absolute. Paramendoni, sikur t’i viheshin tabu Dajmlerit dhe të mos lejohej t’i bëhej lexim kritik shpikjes së tij. Sot nuk do t’i kishim automobilat modernë, por do të udhëtonim me makina që shkojnë 17 km/h. Shpikja e Dajmlerit është e arritur e madhe për njerëzimin, por shkenca bën tutje përherë. Paramendoni, po ashtu, po të kishte tabu edhe në farmaceutikë… sa më e lartë do të ishte shkalla e vdekshmërisë së njerëzve, për shkak të ngecjes së shëndetësisë.
Ta trajtosh gjuhën si tabu, do të thotë ta dënosh me vdekje. Tabuizuesit të këtillë e duan: si Neroni, ta djegin e ta vajtojnë pastaj.
Gjuha zhvillohet vetë, nuk i pyet gjuhëtarët. Zhvillohet krahas shoqërisë përgjithësisht. Dinamikat e zhvillimit të gjuhës i përcaktojnë edhe ndërhyrjet normative më pas. Po e zëmë, sipas fjalorit të vitit 1980 dhe atyre ekzistues, nuk mund të komunikojmë shqip për kompjuterët, videolojërat, për aeroportet, mekanikët e automobilave e as për politikën bashkëkohore. Politika është e mbushur me koncepte që nuk ekzistonin (ose nuk i donim të ekzistonin) në kohën e normëzimit, më 1972.
Sot, gegërishtja e toskërishtja janë të parëndësishme, sepse nuk janë të mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e komunikimit krahas ndryshimeve shoqërore. Për shembull, qindra fjalë hyjnë vazhdimisht në përdorim në Kosovë dhe Shqipëri. A nuk duhet të merremi me to?
Fundja, edhe në Kongresin e Drejtshkrimit kërkohej vazhdimi i punës.

Shkarja e katërt: “Gjuhën duhet ta mbrojmë me ligj”
Shumë është përmendur edhe njëfarë mbrojtje me ligj e gjuhës, madje në diskutime disa herë më ka rënë të dëgjoj tek zihen në gojë shtete të tjera që kanë (a që paskan) ligje të tilla. Edhe kjo është pjesë e ideologjisë së dominimit të një kategorie kundruall të tjerëve. Meqë problemin e ideologjisë e trajtuam më parë, le të merremi vetëm me kërkesën për ligjin.
Së pari, kjo formë ndëshkimi lë të kuptohet se njerëzit janë krijuar për gjuhën dhe duhet t’i shërbejnë asaj. Jo. Gjuha është mjet komunikimi i njerëzve. Ajo është për njerëzit, jo njerëzit për të. Së dyti, duhet të kuptojmë se jetojmë në një sistem, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, ku garantohet liria e të shprehurit. Si mund të ketë shprehje të lirë me kufizim gjuhësor? (Wittgensteini do të lemeritej fare nga kjo ide. Ky filozof i madh na ka mësuar: “Kufijtë e gjuhës sime, janë kufijtë e botës sime”). Nëse kemi të drejtë të kemi mendim politik, religjioz, orientim seksual të pavarur, si u bëka që ta kemi të kufizuar mjetin me të cilin shprehen këto bindje?
Është e vërtetë, se më 1972 ka pasur tjetër sistem dhe zbatimi i standardit në atë periudhë ka qenë më i lehtë, krahas shtypjes së mendimit të lirë.
Mirëpo, sot, kërkesa për ligjin dhe këmbëngulja për të, pos ideologjike ose mbetje e të menduarit monist, janë njëherësh edhe antikushtetuese në çdo shtet demokratik, sepse ta shkelin të drejtën e të shprehurit. Ligjet e gjuhëve në civilizimet demokratike bëhen vetëm për ruajtjen dhe kultivimin e dialekteve si mbështetje e diversitetit kulturor.
Para se ta përmbyll këtë syth, dua ta ofroj edhe një argument. Jo më larg se javën e shkuar, pashë disa komente të ndryshme të qytetarëve, të cilët shprehnin mendime në favor të krijimit të “ligjeve për mbrojtjen e standardit”. Secili prej tyre në komentet e tij kishte, së paku, një gabim drejtshkrimi. Po e zëmë se e kemi një ligj për mbrojtjen e gjuhës dhe secili përdorues, përfshirë këta që e duan një ligj të tillë, duhet të paguajë nga dhjetë euro dënim për secilën shkarje – se kështu e thotë ligji. Rezultat i këtij ndëshkimi nuk do të ishte përmirësimi i standardit, sepse standardi është dije si çdo fushë tjetër e jetës. Njerëzit dinë aq sa dinë, aq sa kanë mundësi të mësojnë. Rezultat i këtij ndëshkimi, do të ishte heshtja. Njerëzit do të ngurronin ta thoshin cilindo mendim, sepse do t’i druheshin ndëshkimit në xhepin e tyre. Do ta krijonim një popull memec. Çfarë skenari i tmerrshëm është ky!

Shkarja e pestë: “Prekja e standardit – përçarje kombëtare”
Demagogjia kryesore në bisedat partizane rreth standardit është koncepti se çdo ndërhyrje qenka “përçarje kombëtare”. Natyrisht, është një koncept që e prek ndjenjën më të thellë të popullit, patriotizmin, por, si te të gjitha rastet e shfrytëzimit të emocionit patriotik, shërben për ta gënjyer popullin që, disi i bie të jetë fort antipatriotike, apo jo?
Në të vërtetë, teoria dhe praktika tregojnë se funksionet e standardit janë të ndryshme dhe mes tyre bëjnë pjesë edhe funksioni bashkues, por edhe funksioni ndarës. Po, po, ndarës. Po aq sa bashkues, një standard mund të luajë edhe rol ndarës. Ky standard, si “i pandryshueshëm”, ideologjik, i tabuizuar, merr vetvetiu funksion ndarës dhe përçarës. Pra, në rrafshin “kombëtar” është e kundërta. Përcjellja e dinamikave të gjuhës, e zhvillimeve paralele të saj në Kosovë, në Shqipëri dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarët, si dhe ndërhyrjet sipas këtyre dinamikave, do t’i jepnin standardit të shqipes funksion bashkues. Ai i pandryshueshmi u shkon për shtat atyre që në Durrës, në emër të gjoja mbrojtjes të standardit, thoshin: Ju atje, bëjeni standardin tuaj.
Fakti se shqipja ka më shumë varietete është realitet shqiptar gjithandej; kërkesa për përfshirjen sa më të gjerë të elementeve të ndryshme të këtij realiteti në mjetin e përbashkët që është gjuha standarde, pikërisht për ta rritur kapacitetin komunikues të standardit, nuk mund të jetë antikombëtare, po pikërisht e kundërta. Ekzistencën e dy kryedialekteve dhe të, së paku, tri gjuhëve letrare para se të sanksionohej gjuha standarde nuk na e kanë sjellë të tjerët. Ato janë pjesë e qenies dhe e historisë sonë, e jetës sonë. Ato kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë pasoja, efekte dhe zhvillime brenda shqipes, pavarësisht nga statusi standard ose jo, para të cilave nuk mund t’i mbyllim sytë.

Related

Top Lajm 2467529790197738565

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item