E madhërishmja dhe e bukura, Margarita Xhepa

Nga Ndini R. Bardhi* Margarita Xhepa “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit” në gjithëkohësinë e jetës së saj njerëzore dhe artistike për ...

Nga Ndini R. Bardhi*

Margarita Xhepa “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit” në gjithëkohësinë e jetës së saj njerëzore dhe artistike për pesëdhjetë vjet e ka konceptuar çdo kohë si një hapësirë vlerash, duke mbartur në shpirtin e saj, atë, që është e bukur, e ndjeshme dhe shpirtërore si qenie e lirë hyjnore.
Shpirti i Margaritës është brumi i cilësisë së lartë artistike, ku në thellësi të botës së saj ndizen zjarret e ëndrrave njerëzore. Këto energji aktive, çlirojnë te Margarita artin thellësisht shpirtëror, me të cilën ajo shpreh vetveten dhe ia dhuron njerëzve të tjerë.
Jeta artistike e saj, është hapësirë kohore, ku njeriu vlerëson dhe mediton rreth vetes, duke gërmuar vlera të reja ndjenjash, që pushtojnë botën e tij të brendshme. Perceptimi i Margarita Xhepës është një realitet gjendjesh, që janë produkt fenomenesh në rrethana myzeqare dhe shqiptare. Të gjitha këto, në artin e saj dramatik të gjithëkohshëm, i shikon si subjekte reale dhe shpirtërore në realitetin shoqëror shqiptar. Gjendja shpirtërore e Margarita Xhepës është shumë e ndjeshme dhe shumë shpejt përfshihet prej efekteve të ndjesive dramatike, të cilat krijojnë një situatë të re, që në vijimësi shndërrohet në një histori të dhimbshme.
Arti i Margarita Xhepës është i lidhur pafundësisht me anët e jetës shoqërore, por mbi të gjitha e të drejtpërdrejta me jetën shpirtërore, e cila i sintetizon marrëdhëniet e saj me gjithë fenomenet e tjera të jetës shoqërore në përgjithësi e asaj shqiptare në veçanti. Qenia shoqërore, në artin e saj, përbën objektin dhe subjektin aktiv e dramatik, mënyrën e të jetuarit të njerëzve në realitetin shqiptar në kohë e sisteme të ndryshme të ekzistencës së tij (tyre), të menduarit, e të konceptuarit, të mentalitetit e traditës, e të interpretimit të fenomeneve të jetës. Artin dhe artisten Margarita Xhepa e kanë kushtëzuar qeniet shoqërore, ndryshimet në jetën shpirtërore, në ndërgjegjen e psikologjinë shoqërore, etniko-kombëtare, klasore dhe në ideologjinë e shoqërisë dhe të klasave, përmbajtjen ideore të artit e hera-herës në orientimin e tij ideologjik. Evolimi i ndërgjegjes shoqërore në kohë të ndryshme, reflektohet dhe pasqyrohet si forcë ideologjike, që sjell në shumë interpretime artistike të saj, edhe ndryshimin e përmbajtjes së artit progresiv,emocional dhe shpirtëror.
Artistja Margarita Xhepa, si aktore e madhërishme dhe elitare, në gjithë karrierën e saj pesëdhjetë vjeçare artistike, është e përfshirë në jetën e shoqërisë shqiptare, me dinamikën e saj social-klasore, përthithjen e një botëkuptimi njerëzor të kohës dhe realitetit ekzistues shqiptar, të cilën (të cilat) artistikisht e ka interpretuar në rolet e saj dramatik dhe kinematografik.
Në të gjitha rolet e saj, si në teatër e në film, përmbajtja e artit që nga fillimi e deri në fund, përftohet nga shoqëria shqiptare dhe natyrshëm është pasqyrim i jetës shpirtërore të saj si artiste dhe të vetë shoqërisë. Natyrshëm jeta artistike e Margarita Xhepës, është e kushtëzuar, si të jetë shoqëria e kohës, epoka, sistemi, ideologjia, bota shpirtërore e saj, ashtu ka ecur edhe bota shpirtërore, edukimi ideologjik, psikologjik dhe dramatik i saj.
Në filmat “Vitet e para”, 1965, si “Zyraka”, “Tokë e përgjakur”, 1976, “Pylli i lirisë”, 1976, nëna e Vlashit, “Dimri i fundit”, 1976, “Koncert në vitin 1936 (1978), “Gjeneral Gramafoni”, 1978, “Dollia e dasmës sime” 1978, etj. artistja Margarita Xhepa, e madhërishme në këto role, pasqyron botën shpirtërore të shoqërisë shqiptare, të epokës, kombit dhe klasës në fuqi. Arti i saj, si përfaqësim i një epoke të caktuar, ka një vizion shumë të gjerë; ai ndriçon artistikisht dhe realisht të gjitha dukuritë njerëzore, reale, sociale dhe natyrore shqiptare.
Në artin e saj të madhërishëm dramatik dhe kinematografik përjetohen përmes ndjenjave dhe emocioneve njerëzore, dukuri të realitetit dhe fenomeneve të paimagjinueshme për kohën e sotme.
Në këtë kontekst, arti i realizuar prej saj në shumë e shumë role, pasqyron drejtpërdrejt botën shpirtërore të njeriut shqiptar, që përbën objektin dhe subjektin më të dashur e preferencial të saj në të gjithë krijimtarinë artistike të derisotme. Interpretimet artistike në teatër, Filja tek “Cuca e maleve” e Loni Papës, Dafina tek “Lumi i vdekur”, i Jakov Xoxës, Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën”, dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, Nëna “Përballë vetes”, e Ruzhdi Pulahës të Margarita Xhepës përcjellin para të tjerëve, gjithë dridhjet e shpirtit të shoqërisë shqiptare të djeshme dhe të sotme. Veprat e interpretuara artistikisht prej saj janë realitete të gjalla e të sakta, që shpirtëzojnë botëkuptimin dhe psikologjinë, idealet e idetë, përpjekjet dhe sakrificat e njerëzve në kohë e breza ekzistues, të asaj dhe kësaj jete universale e paradoksale. Në artin e Margarita Xhepës, të dramës dhe filmografisë, shikon në vetvete ndërgjegjen tërësore konkrete të çdo individi në gjendjen e saj reale dhe aktive, që formohet si rezultat i psikologjisë së diktuar sociale dhe ideologjisë zotëruese të kohës së djeshme dhe të sotme.
Dhe pikërisht kjo arritje artistike përbën për artin e saj të jetës shpirtërore të ndërgjegjes shoqërore, madhështinë e vëmendjes së saj për njeriun dhe botën e tij shpirtërore. Përgjithësimi artistik i artit të saj është i pandarë nga konkretja dhe individualja shqiptare dhe botërore. Arti i Margarita Xhepës karakterizohet për tërësinë e ndërthurjeve konkrete ndijesore të personazheve, intelektuale e emocionale, të elementëve psikologjik e botëkuptimorë, të mentaliteteve, të paragjykimeve, të bindjeve, besimeve, përfytyrimeve, zakoneve e aspiratave për jetën. Ajo, si artiste shumëdimensionale, artistikisht, e paraqet jetën shpirtërore të shqiptarit sipas ndërgjegjes së tij reale, mentale dhe zakonore. Këtë, nëpërmjet interpretimit mjeshtëror, e jep botën shpirtërore të njeriut sipas strukturës dhe nivelit të kësaj ndërgjegje, e cila ka qënë në gjendje të skalis me korrektësi në një mënyrë të gjallë e të plotë personazhesh, tipash të individualizuar, psikologjinë sociale të individit, shoqërisë, veçoritë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, gjendjet konkrete shpirtërore të një epoke të diktuar, të politizuar e të ideologjizuar. Arti i madhërishëm i saj i interpreton këto momente delikate me nuancat dhe veçoritë e papërsëritshme, me atë origjinalitet, që nuk mund të shprehet për kohën me mjete e forma të tjera. Historia e artit të Margarita Xhepës është ndërtuar sipas zhvillimit psikologjik shoqëror shqiptar të djeshëm dhe të sotëm. Në këtë vijimësi artistike, edhe jeta shoqërore ka ndikuar mbi artin e saj e sidomos kur ajo ka qenë e ngarkuar ideologjikisht dhe politikisht. Ideologjia e sistemit të kaluar ka ndikimin e vet nëpërmjet elementeve ideologjike të ndërgjegjes së zakonshme njerëzore, të drejtpërdrejta duke e formuar ideologjikisht artisten Margarita Xhepa dhe duke futur në dramat dhe filmat e interpretuar ngarkesa ideologjike në kulturën artistike të asaj kohe. Ideologjia ka depërtuar tek ajo jo vetëm në rolet e saj, por edhe nëpërmjet materialit të diktuar jetësor, në të cilin spikat formimi dhe veçoritë ideologjike të personazheve të shumtë dhe proceset ideologjike të jetës shoqërore shqiptare. Veç roleve në teatër ka realizuar edhe më shumë se tridhjetë e dy role në kinematografi si “Vitet e para”, “Gjurmët”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë”, “Apasionata”, “Gjeneral gramafoni”, “Rrethi i kujtesës”, “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Koncert në vitin 1936”, “E diela e fundit” dhe “I dashuri mik”, ku të gjitha së bashku, si vepra artistike e nxjerrin përmbajtjen e tyre të drejtpërdrejt nga jeta dhe nga ndikimet e pashmangshme të ideologjisë zotëruese të kohës.
Por, ato, për artisten e madhërishme Margarita Xhepa kanë qenë interpretime të jetës njerëzore dhe aspak të ideve të ideologjisë ekzistuese të sistemit politik dhe ekonomik në Shqipëri. Ajo, në rolet e saj, ka qenë vetë vendimmarrëse dhe mendimtare, që me talentin, zgjuarsinë, shpirtin që e karakterizon në gjithëkohësinë artistike, ka ditur të zgjedh rrugët dhe mënyrat specifike të artit, njohjen e jetës në themel duke krijuar vlera specifike të reja për njerëzit dhe shoqërinë, të cilat artistikisht, shprehin si vepra të mirëfillta arti, interpretimin e saj mjeshtëror të realitetit.
Artistja Margarita Xhepa, nëpërmjet gjithë krijimtarisë së saj artistike është e madhërishme në vepër, e bukur në shpirt dhe në portretin fizik të saj. Vendosja e veprës (veprave) në këtë jetë me jetën e thjeshtë njerëzore, për “Artisten e Popullit”, Margarita Xhepa do të marrë atributet e një shpirti të bukur dhe ato në kuptimin universal do të shohin se jeta e njeriut zbulon një melodi të bukur shqiptare, që të bën ta duash në pafundësi. Kjo këngë e shpirtëzuar në artin e Margaritës është një model për poezinë e jetës shoqërore shqiptare në gjithëkohësi artistike të saj. Margarita Xhepa në gjithë jetën e saj është udhëhequr prej parimit njerëzor, se çdo artist i vërtetë s’mund të bëjë art pa dashuruar shpirtin e popullit dhe të vendit të vet. E tillë është edhe Margarita Xhepa, e madhërishme dhe e bukur në artin e saj shpirtëror, njerëzor dhe emocional për çdo njeri në truallin shqiptar e shqipfolës.

*Piktor, studiues arti

Related

Kultura 1426289977323097891

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item