Disa shënime mbi luftën civile në ‘43-’45 në Shqipëri

ROMEO GURAKUQI Një tjetër këndvështrim për Luftën Nacionalçlirimtare Si nisi vëllavrasja mes shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore  “Rev...

ROMEO GURAKUQI


Një tjetër këndvështrim për Luftën Nacionalçlirimtare

Si nisi vëllavrasja mes shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore 

“Revolucioni komunist, i adresuar kundër të gjithë shqiptarëve të tjerë të ndryshëm politikisht”

Periudha e historisë së Shqipërisë, nga kapitullimi i forcave italiane të pushtimit dhe zëvendësimi i tyre me trupat e Gjermanisë hitleriane, deri në fund të vitit 1944 (madje edhe përtej kësaj date deri në stabilizimin e dhunshëm të kuadrit të ri institucional të Shqipërisë), përbën periudhën e një ballafaqimi ushtarak, politik dhe ideologjik, mjaft kompleks për shoqërinë e këtij vendi. Diskutimi më i debatuar është nëse kjo fazë e historisë është karakterizuar nga një konflikt, luftë me karakter çlirimtar apo është periudha e një lufte civile? Përgjigja e kësaj pyetjeje ka qenë përherë e vështirë mbasi, Shqipëria 1943-44 ishte një vend i kontrolluar ushtarakisht nga një ushtri e huaj, ndonëse numerikisht jo aq e qenësishme (vetëm 2.5 divizione të pranishme), e cila zbatoi ndaj këtij vendi një politikë të pangjashme dhe pa shembuj analogë në raport me të gjitha vendet e tjera që ajo kishte pushtuar: njohu pavarësinë e vendit, neutralitetin, kufijtë maksimalë të Shtetit të ëndërruem nga nacionalistët shqiptarë dhe u dha autonomi të plotë autoriteteve shqiptare që u thirrën për të administruar vendin: liri të plotë veprimi në planin e politikës së brendshme. Ndërkohë që në vend (shteti ishte gati në kufijtë etnikë në Veri dhe në Lindje) ndodheshin divizione me ushtarë të huaj, nga Gjermania, Turkmenistani dhe Armenia, që nga koha e pushtimit të urryer italian në mbarë popullatën ekzistonte një lëvizje e organizuar në mënyrë fillestare nga ana e forcave antifashiste, por edhe komuniste. Pushtimi italian i vitit 1939 kishte shkatërruar shtetin shqiptar dhe kishte vënë në tronditje të thellë balancën e strukturës tradicionale të këtij vendi, duke nxitur lindjen dhe përforcimin gradual të forcave të ekstremit të majtë. Lëvizja antifashiste dhe antiitaliane, fillimisht ishte me shumë përbërës politikë, socialë e krahinorë, por që me kalimin e kohës, sidomos me ndërhyrjen në shkallë të gjerë të agjentëve jugosllavë brenda PKSH, filloi të diferencohej. PKSH në rrjedhën e verës së vitit 1943 dhe sidomos vjeshtës së po atij viti, do të largojë gradualisht maskën bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse dhe do të fillojë gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, një politikë radikale, intransigjente brenda FNÇ dhe LNÇ, që do shkaktojë një diferencim të thellë politik brenda organizatës, do të minojë të gjitha përpjekjet e brendshme dhe të britanikëve për një marrëveshje me konsensus të gjerë antifashist edhe me BK dhe elementët e parësisë së vendit, e cila do ta shndërrojë përpjekjen çlirimtare në një pjesë jo të qenësishme të aktivitetit ushtarak të LNÇ, do të thyejë dhe shkatërrojë përpjekjen për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për Shqipërinë post-gjermanike dhe do të zhvillojë më qartësisht brenda segmentit historik nëntor-dhjetor 1943 deri në dhjetor 1944, janar 1945, një luftë të mirëfilltë civile kundër të gjithëve pa dallim. Kjo luftë civile, që është zhvilluar paralelisht me aktivitetin luftarak kundër ushtrive gjermane, ka pasur në njërën anë ushtrinë dhe forcat e LNÇ (të “pastruara” nga nacionalistët) të komanduara nga Enver Hoxha, PKSH dhe emisarët jugosllavë, me bazament themelor në Shqipërinë e Jugut, dhe nga ana tjetër, gradualisht të gjithë pjesën tjetër të grupimeve shoqërore shqiptare, të gjitha forcat politike, individët, bashkësitë qytetare dhe përgjithësisht të gjithë Shqipërinë e Veriut, përfshirë Malësinë, Kosovën dhe viset shqiptare në Maqedoni.

* * *
Më shumë sesa luftë nacionalçlirimtare, lëvizja e ushtrisë së Enver Hoxhës ka qenë, sikurse edhe ai e ka pranuar shumë herë, një revolucion i mirëfilltë komunist, që për mendimin tim diskretitoi në fillesë procesin çlirimtar, që edhe pa luftën e tyre aq barbarisht të programuar, do të kishte ardhur, madje më paqësisht, drejt lirisë. Revolucioni komunist, i adresuar kryesisht kundër të gjithë shqiptarëve të tjerë të ndryshëm politikisht, më pas kundër gjermanëve, i zhvilluar në rrethanat e një procesi tërheqjeje të vazhdueshme të forcave naziste nga Ballkani, pati në themel të vetin një përmbajtje të thellë të luftës civile, ndoqi me rreptësi, me saktësi, vendosmëri dhe largpamësi perfekte, një tabelë të jashtëzakonshme masash. Këto masa të LNÇ-së e çuan atë drejt ndërtimit të një pushteti tipik sovjetik e revolucionar, drejt pushtimit dhe masakrimit të popullsisë së pafajshme civile të Shqipërisë Qendrore e Veriore dhe drejt pjesëmarrjes aktive bashkëpunuese në procesin e  rishkëputjes së Kosovës, Malësisë dhe pjesës veriperëndimore të Maqedonisë nga Shqipëria.
Cili ka qenë pozicioni i forcave nacionaliste dhe më pas i qeverisë së Regjencës së drejtuar nga Mehdi Frashëri ndaj pushtimit gjerman të Shqipërisë?
Invadimi gjerman i Shqipërisë ndodhi në një moment kur pjesa më e madhe e vendit, për shkak të propagandës së aleatëve, prisnin që me kapitullimin e Italisë, të ndodhte zbarkimi i menjëhershëm i trupave anglo-amerikane në Shqipëri. Përpjekje të mëdha u bënë nga britanikët për të koordinuar të gjitha palët, përfshirë edhe divizionet italiane, por oportunizmi politik i partive shqiptare, rivaliteti i tyre tradicional, moskuptimi i saktë i momentit në të cilin kalonte vendi, bënë që avantazhet që mund të merreshin, të eliminoheshin shumë shpejt, sikurse asgjë të mos ekzistonte dhe vendi të shkonte në një anarki të brendshme politike, ushtarake, nga e cila do të dalin gradualisht fitimtarë komunistët, rrënimtarë të të gjithëve dhe të Shqipërisë vetë.
Sipas analistëve të SOE, trajtimi që gjermanët u bënë shqiptarëve menjëherë pas invadimit të trupave, ka qenë delikat, i kujdesshëm, nisur nga tri shpjegime themeltare që ato kishin në rastin e Shqipërisë: së pari, trashëgimia e miqësisë që shqiptarët ndjenin për trupat austriake gjatë LPB, së dyti, gjermanët vinin si pasues të trupave pushtuese italiane mjaft të urryera në vend, dhe së treti, nga njohja e mirë që gjermanët kishin për politikën shqiptare. (PRO.HS 7/70, S.O.E History 37/B, Allied Military Mission, Albania 1942-1945, part I faqe 5). Gjenerali gjerman që drejtoi forcat e pushtimit kërkoi falje publikisht që hyri në Shqipëri pa trokitur, premtoi pavarësinë e plotë politike të Shqipërisë, garantoi ruajtjen e tokave të aneksuara të banuara nga shqiptarët në ish-Jugosllavi, avantazhe të ndryshme tregtare dhe financiare të ofruara me anë të marrëveshjeve. Në kuadrin e njohjes së pavarësisë së mirëfilltë të Shqipërisë, Gjermania do ta ndihmonte këtë vend për të ndërtuar ushtrinë dhe xhandarmërinë e saj të veçantë në mbrojtje të kufijve etnikë. Përndryshe, trupat gjermane, sipas deklarimit të tij, do të ishin në Shqipëri thjesht për nevojat e veta ushtarake dhe se shqiptarët do të ruanin krejtësisht qartë neutralitetin e tyre në këtë periudhë qëndrimi. Fabula politike e Gjermanisë hitleriane u besua nga nacionalistët, ose së paku u përpoq të përshtatej për interesat e paqësimit të vendit. Pushtimi i Shqipërisë nga ana e Gjermanisë pati në fakt dy objektiva kryesore, së pari synoi mbajtjen hapur të rrugëve të komunikimit për të lehtësuar shtypjen e lëvizjes guerile në rritje e sipër dhe për të siguruar shfrytëzimin ekonomik të vendeve të pushtuara dhe së dyti, për të vendosur dhe ruajtur një sistem të përshtatshëm të mbrojtjes bregdetare që mund të përballonte një invazion të mundshëm të trupave aleate. Gjermanët nuk krijuan në Shqipëri një administratë konkrete ushtarake të ngjashme me atë që kishin ndërtuar ata në momentin e pushtimit të Francës, Belgjikës apo Serbisë. Kjo sepse politikat gjermane në Shqipëri u udhëhoqën nga parimi bazë që ky vend duhej respektuar si i pavarur dhe asnjanës (rasti i mbrojtjes dhe paprekshmërisë së hebrejve në Shqipëri tregues i pavarësisë së autoriteteve shqiptare në vendimmarrje), dhe ky parim, sipas shumë analistëve të kohës dhe dëshmitarëve, u respektua në një masë të madhe, me gjithë hapësirën e kufizuar të kuptimit të kësaj sjelljeje të çuditshme e të pangjashme.
Asambleja Nacionale emëroi Këshillin e Regjencës së përbërë nga Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Patër Anton Harapi dhe Fuad Dibra. Këshilli i Regjencës emëroi si Kryeministër Rexhep Mitrovicën, i cili zgjodhi një kabinet ministror me aprovimin e Këshillit, të cilin e themeloi me datën 20 nëntor 1943, gjë që përkon edhe me kalimin e kompetencave edhe në kampin gjerman, nga Ushtria (Zyra e gjeneralit drejtues gjerman në Shqipëri), DGA (Deutscher Bevollmächtigter General in Albanien) tek institucioni civil, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. (Komisioneri i Posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme). (Sonderbevollmächtigter des Ausëärtigen Amtes für den Südosten). Duke u përpjekur të respektojë statusin neutral të Shqipërisë, ky institucion u përpoq të kufizonte ndikimin ushtarak gjerman mbi qeverinë e administratën shqiptare kudo ku ishte e mundur. Analistët britanikë mendojnë se nuk bëhej fjalë për figura progjermane, por ata më së shumti janë nisur nga dëshira për të shpëtuar vendin nga anarkia. Nën presionin e propagandës gjermane, por mendoj edhe nisur nga një seri rrethanash të perceptimeve individuale të forcave nacionaliste të parësisë së vendit, duhet të pranojmë se grupimet sociale shqiptare të traditës e mbështeten qeverinë. E mbështeten si një shpresë për ripërtëritje shtetërore, duke ruajtur forcat e brendshme nga ballafaqimet me një ushtri hitleriane që do të kishte sjellë katastrofa për të gjithë. Në kuptimin e forcave nacionaliste, invadimi gjerman nuk ishte realisht pushtim, por thjesht një mbushje e frontit mbas tërheqjes së Italisë. Në kontekstin ndërkombëtar, Gjermania naziste ishte pushtuese kudo ku kishte vendosur prezencën e saj. Pyetja është: po në rastin e Shqipërisë? Si shpjegohet që figurat më të rëndësishme të elitës së kombit, etërit dhe bijtë e etërve të kombit mbajtën një qëndrim paqësues ndaj invadimit dhe besuan në ofertën gjermane? A mund të konsiderohen kuislingë figurat më të rëndësishme të elitës intelektuale e patriotike, më të sprovuara shqiptare, që ndoqën një qasje të tillë krejtësisht të pangjashme? Pas kujt do të duhej të shkonin shqiptarët: pas Frashërllinjve, Lef Nosit, Pader Anton Harapit dhe djalit të Aqif Pashës, apo pas një njeriu të panjohur që operonte sipas urdhrave të delegatëve të komunistëve jugosllavë, me objektiva kryesisht rrënimtarë të rendit të gjera shekullore në Shqipëri?
…. At Anton Harapi, më 17 maj 1944, në kinema “Kosova” (më vonë “Partizani”) e tregon krejt qartë pse e pranoi detyrën e regjentit: “E pranova detyrën se nuk mujshem m’e pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkijet…nuk dojshem të krijohej nji Babiloni shqyptare me luftë vllavrase qi zhgatrronte katundet, të humbej bagtija e të zhgatrroheshin familjet…ndjeva mëshirë, si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni… Si mund të preferojshem m’e pshtue jetën t’eme për çashtjen e përbashkët? Le të ndodhë ajo qi ka me ndodh, thashë me vedi, rrnoftë populli edhe pa mue, rrnoftë Shqypnia!…E fillueme me nji poezi e po e përfundojmë me nji tragjedi me iu dhimbtë kujdo…e vetmja gja m’u bamun asht m’e pshtuemun Shqypninë edhe popullin. Mjafton t’i paralizojmë fajtorët të mos bajnë ma dame. Nuk duhet të ekzistojnë filogjerman, anglofila apo italofila. Duhet t’jena veç shqyptarë…”.
PKSH nga ana e vet e konsideroi pushtimin gjerman njëlloj të rrezikshëm si ai italian, ndërkohë që forcat nacionalistë bënë ndryshimin mes tyre për një seri rrethanash të kuptimit të ndryshëm dhe vlerësimit nisur nga një seri kriteresh historike dhe politike të brendshme, të ndryshme me komunistët. Nga pikëpamja e strategjisë e rrethanave të pozicionit të nesërm ndërkombëtar të Shqipërisë në kampin antifashist dhe prirjes së rezultatit të Luftës së Dytë Botërore, qasja e nacionalistëve ishte ndoshta jorealiste. Por kjo përzgjedhje ka qenë e vetëdijshme si risk, e imponueme dhe ka ardhur për shkak të prioritetit që ata i kanë dhënë shmangies së rrezikut komunist, shkatërrimit të shtetit dhe ndalimit të përplasjes së një makinerie shkatërrimtare naziste mbi popullin. Në këtë pikë ata nuk arritën të bënin vlerësimin edhe të gjendjes sociale në Shqipërinë e Jugut dhe nivelit të shpëlarjes së trurit që kishin ushtruar komunistët mbi fshatarsinë e Toskërisë: fatale për të ardhmen e vendit e të kombit në liri.A ishte lufta civile tipari përcaktues i segmentit kohor 1943-1944?
Mendoj se ka qenë tipar i rëndësishëm bashkëshoqërues i gjithë segmentit kohor të pushtimit gjerman të Shqipërisë dhe i procesit tërheqjes strategjike së trupave gjermane, përmes Shqipërisë, nga Jugu i Ballkanit. Kjo sepse, PKSH nën udhëzimin e drejtpërdrejtë të legatëve komunistë jugosllavë, prishi njësinë përbashkuese dhe gjithëpërfshirëse të FNÇ dhe e shndërroi atë, në verën e vitit 1943, në rrethanat e kolapsit italian, nga një organizëm i bashkimit mes shqiptarëve në luftën për përballimin e sfidës së mbijetesës në Luftën e Dytë Botërore, në një organizëm politik e ushtarak të majtizmit ekstrem, që eliminoi njësinë përballuese të krahëve antifashistë të shoqërisë shqiptare.
Në rrjedhën e muajit gusht 1943, fillimisht u prish kompromisi i arritur në Labinot më 8 korrik 1943, që konsolidoi FNÇ, u prish edhe Marrëveshja e Mukjes, e realizuar pas mbledhjeve të njëpasnjëshme mes Abaz Kupit, Ymer Dishnicës, Myslim Pezës, Mustafa Gjinishit nga FNÇ dhe Mithat Frashërit dhe Hasan Dostit nga BK, me ndërmjetësimin e Ihsan Toptanit. Përpjekjet për krijimin e një komiteti provizor, mbi bazën e përfaqësimit të barabartë fillimisht u zgjatën në kohë nga ana e KQ të LNÇ, derisa në fillim të shtatorit 1943, Enver Hoxha e hodhi poshtë tërësisht Marrëveshjen e Mukjes mbi bazën e dy arsyetimeve kryesore: 1. Rëndimi i balancës së Komitetit, të projektuar nga ana e djathtë e spektrit politik të vendit, sipas llogaritjeve të Enver Hoxhës; 2. Duke qenë se BK dilte me parullën e “një Shqipërie të pavarur” për të cilën KQ i LNÇ nuk binte në një mendje, mbasi si koncept përfshinte edhe trevat shqiptare të riintegruara në Shqipëri nga blloku italo-gjerman dhe kjo binte ndesh me PKJ, e cila komandonte tërësisht linjën politike të komunistëve shqiptarë.
Duhet të kujtojmë se pas kolapsit të Italisë dhe ardhjes së trupave gjermane, ka ekzistuar si opsion edhe zbarkimi i aleatëve perëndimorë në Shqipëri dhe në Ballkan. Kjo do të thoshte që forcat nacionaliste të përforcoheshin dhe të projektoheshin drejt pushtetit në periudhën post-LDB. Për rrjedhojë, projekti jugosllav dhe komunist për një rikthim të Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913, do të vihej në një pikëpyetje. Në këto rrethana, PKSH që drejtonte LNÇ urdhëroi në shtator të viti 1943 fillimin e luftës kundër organizatave politike rivale shqiptare. Anëtarët e misionit ushtarak britanik kanë siguruar një kopje të urdhrit direktiv lëshuar prej KQ të LNÇ. Sipas kësaj direktive: së pari, ishte e nevojshme që në rast të një zbarkimi në aleatëve në Shqipëri, këshillat nacionalçlirimtarë duhej të ishin institucionet që ta kishin situatën nën kontroll në Shqipëri; së dyti, LNÇ duhet ta paraqiste BK para popullit, si shkaktar i luftës civile dhe duhej të nxiste të gjithë popullin për ta bërë këtë organizatë përgjegjëse para historisë si përçarëse të popullit shqiptarë; së treti, Komiteti Qendror bënte thirrjen që «ne duhet të luftojmë Ballin Kombëtar kudo. Nuk ekziston ma çështja e bashkimit me ata, por vetëm lufta, njëlloj si ajo që jemi duke zbatuar kundër elementeve të tjerë reaksionarë”. Së katërti, populli duhet të bëhej të besonte se reaksioni ishte një instrument në duart e armikut dhe lufta e jonë kundër tyre (reaksionarëve) nuk ishte një luftë ideologjike. Në kuadrin e kësaj taktike të re dhe ndryshimit thelbësor të situatës, u bë çdo përpjekje nga ana e LNÇ për të parandaluar që misioni aleat të kontaktonte me organizatën e Ballit Kombëtar.
Ky dokument konsiderohet nga analistët e SOE si urdhri i fillimit të luftës civile në Shqipëri dhe përgjegjësia e parë e drejtpërdrejtë bie mbi drejtuesin komunist të LNC, Enver Hoxha, i cili siç duket s’e e lëshoi këtë urdhër nën ndikimin dhe nën bashkëpunimin reciprok me përfaqësuesit e PKJ pranë shtabit të tij. Kjo ka qenë taktika që ai filloi për çorientimin e shkatërrimin e BK, e më pas edhe të organizatave dhe individëve të tjerë, hipotekisht kundërshtarë armiq.
Të njëjtën taktikë do të përpiqet ta ndjekë Enver Hoxha më vonë edhe ndaj Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut e të tjerëve, kur, sidomos Kupi, mbetej pengesa e fundit drejt pastrimit të rrugës së pushtetit në verën dhe vjeshtën e vitit 1944. Lufta civile mes LNÇ dhe BK filloi zyrtarisht gjatë muajve nëntor-dhjetor 1943. BK dhe elita e Shqipërisë së vjetër, në mënyrë të pavetëdijshme, por edhe për rrethana objektive, munguan të organizoheshin politikisht dhe ushtarakisht fuqishëm, në linjë politike pro britanike, në koalicionin kundër fashizmit (bën përjashtim pozicioni i Gani Kryeziut të Gjakovës, Abaz Kupit dhe Ihsan Toptanit. Nuk duhet të harrojmë se Kosova ishte nën Shqipëri). BK është munduar të ruajë forcat e veta për të nesërmen e largimit të gjermanëve, por me një llogari krejtësisht të gabuar dhe shumë hapa prapa taktikave dhe strategjive mjaft të stërholluara dhe tinzare të komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës. Madje, letra e 7 tetorit 1943 e Mithat Frashërit bënte thirrje për pushimin e plotë të luftës kundër forcave gjermane, që tregonte naivitetin dhe mungesën e nuhatjes politike në terrenin shumë të ndërlikuar shqiptar të kohës, pamundësisë për të vlerësuar situatën sociale e ekonomike në vend dhe precipitimin e pakënaqësisë popullore në të gjithë Shqipërinë e Jugut.
Ka qenë ndërhyrja e Misionit aleat britanik që ndërmjetësoi te BK dhe Mithat Frashëri, më 11 nëntor 1943, të bindte atë të rifillonte luftën pa kompromis kundër gjermanëve. Por, sapo BK e nënshkroi këtë deklaratë dhe pritej nënshkrimi nga ana e palës së komunistëve, Enver Hoxha bëri prishjen e dytë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga britanikët dhe njoftoi se do ta rifillonte luftën kundër partisë rivale të BK.
 Ky ka qenë hapi i dytë fatal që çoi drejt përshkallëzimit të luftës civile dhe drejt një ndarjeje të thellë mes partive politike shqiptare, që frikësoi anëtarët e kësaj organizate, shkaktar i vendosjes nën pozicionin bashkëpunues të BK me autoritetet e pushtimit. Drejtuesit e BK shihnin te komunistët shqiptarë të drejtuar nga Enver Hoxha, siç edhe ndodhi më të vërtetë, rrënuesit e rendit tradicional të gjerave në Shqipëri, shërbëtorët e një projekti jugosllav për rikthimin e Kosovës, Malësisë dhe trevave shqiptare në Maqedoni, nën Jugosllavinë e drejtuar nga PKJ. Dhe në këtë pikë ata janë mirëkuptuar edhe nga britanikët, që gjithsesi ishin të interesuar për fillimin e luftës sa më parë kundër forcave gjermane. Kjo ka qenë pika e ndarjes mes britanikëve dhe BK. Kësisoj, BK filloi të shihte tek autoritetet zyrtare të instaluara në Tiranë një rrezik më të vogël sesa rreziku sllavo-komunist që kërcënonte Shqipërinë post- gjermanike. Duke mbetur në këtë pikë të vdekur që do t’i çonte edhe ata drejt vdekjes politike në jetën e brendshme shqiptare, pa mundur dot të shikojnë mundësinë e një pozicionimi të ngjashëm me atë që mbajtën Gani Kryeziu, Ihsan Toptani apo Abaz Kupi, të themelimit të një aleance të vërtetë me misionet perëndimore në Shqipëri, Balli Kombëtar me Mit’hat Frashërin, Hasan Dostin, Ali Këlcyrën, njëlloj si Drazha Mihajllovici në Serbi, ra pre e taktikës së stërholluar dhe djallëzore të Enver Hoxhës dhe Josip Broz Titos: u vonuan në marrjen e masave bashkëpunuese me të gjitha forcat elitare të Shqipërisë, për të krijuar një front të fuqishëm jo komunist, por antifashist, vonuan në kërkesën për bashkëpunim me anglo-amerikanët, nuk kuptuan rrënimin e vegjëlisë së Shqipërisë së Jugut dhe ia lanë në dorë Enver Hoxhës shansin të hynte i pari në lojën manipuluese të potencialit shkatërrimtar të rinisë fshatare të varfëruar në ekstrem, sidomos në Jug të vendit. Në muajin shkurt 1944, në konferencën e mbajtur në Berat, BK shpalli zyrtarisht se armiku kryesor i partisë ishte LNÇ. Paralelisht me këtë deklarim, por jo zyrtarisht, BK u bë mbështetësja kryesore e qeverisë së Rexhep Mitrovicës. Me ndihmën financiare të qeverisë u ngrit deri edhe një administratë krahinore e BK dhe e njësive të xhandarmërisë, si pjesë plotësuese e makinerisë qeveritare, të cilët bashkëpunuan me forcat e armatosura gjermane në veprimet e tyre kundër LNÇ.

* * *
5 maji 20014 dhe 29 nëntori 2014 do të duhet të jenë një moment reflektimi i thellë, data e përfundimit të ndarjes së thellë civile në Shqipëri, ditë që nuk do të duhet më të na ndajnë, por të na bashkojë, ditë kur duhet të kujtojmë të rënët për liri nga nazifashizmi, komunistët e vrarë prapa krahëve nga diktatori, një ditë që duhet të na ndajë përfundimisht nga Diktatori, pasuesit e tij fanatikë e trashëgimia e tyre. Mbasi e gjitha kjo nxiti vëllavrasjen dhe tejkaloi aspiratën e lirisë, duke sjellë, pas një pushtimi autoritar fashist e nazist, një robëri totalitare të markës staliniane.
29 nëntori 2014 duhet të jetë një ditë kur do të duhet të kujtojmë viktimat e terrorit të bardhë e të kuq, një ditë që do të duhet të respektojmë mijëra intelektualë shqiptarë që u pushkatuan ose u syrgjynosen dhe vuajtën për atdheun e tyre.
Më 29 nëntor 2014, Shqipëria do të duhet të bëhet gati për të hyrë në Europë si një vend i pjekur dhe me shoqëri të emancipuar mjaftueshëm, që din të analizojë rrugën e saj të vështirë dhe të mundimshme drejt njëjtësimit politik e kulturor, drejt vlerave të lirisë, liberalizmit dhe demokracisë.

Related

Opinione 6660488599332990885

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item