Universiteti dhe Tallavaja

Siç flitet për dashuri e mendohet për seks në tekstet e tallavasë, a nuk flasim për universitet dhe mendojmë menjëherë për dipllomoret tona ...

Siç flitet për dashuri e mendohet për seks në tekstet e tallavasë, a nuk flasim për universitet dhe mendojmë menjëherë për dipllomoret tona piramidale? Duke hequr TVSH për arsimin e lartë privat thjesht lehtësohet mbajtja e kapitalit në këtë lloj investimi.
NGA ARBËR ZAIMI

Kryefjala mbizotëruese e muzikës së lehtë dhe asaj tallava është dashuria. Krejt këndojnë për dashuri, ca me dhimbje e ca me aht, ca me gëzim e të gjithë me atë cektësinë që s’ka nevojë për shumë komente, meqë qëndron thuajse kudo, e do e kenë vënë re thuajse të gjithë. Fenomeni interesant është se dashuria nëpër këto këngë në pjesën dërrmuese qëndron si një eufemizëm për epshin banal apo për afshe të natyrave aspak të larta. Sa më shumë që flitet për dashuri, aq më shumë nënkuptohen shalë e cica që shërbejnë si sfond për makina të shtrenjta, ndërtesa kitsch, plazhe ekzotike etj. Dmth. sa më shumë flitet për dashuri, aq më shumë veprohet kah objektifikimi i njeriut. 

Dikush mund të thotë – bravo, u deshe ti të na tregoje se tekstet e tallavasë apo të muzikës së lehtë (pop, siç quhet gjetiu) janë të cekëta e të stërmbushura me klishe e me readymade, e që në analizë të fundit janë hipokrite. A nuk e dimë të gjithë këtë? Mirëpo nuk është ky synimi i shkrimit tim. E nisa me hipokrizinë e cekët të tallavasë për të bërë një analogji. Siç flitet për dashuri e mendohet për seks në tekstet e tallavasë, a nuk flasim për universitet dhe mendojmë menjëherë për dipllomoret tona piramidale? 

Është moment i rëndësishëm për të diskutuar këtë temë, pasi është duke u diskutuar një reformë në arsimin e lartë. Propozimet e bëra qëmoti synojnë me sa duket heqjen e TVSH-së për arsimin e lartë si dhe instalimin e sistemit të çeqeve (voucher system), sipas të cilit do të jenë vetë studentët apo familjet e tyre ato që do të vendosin se në cilin universitet do t’i investojnë paratë që u takojnë prej kthyeshmërisë së taksave në formë çeku. Do t’i çojnë taksat te universiteti publik, apo te ai privat. Thamë universitet, por nënkuptuam sërish dyqanin ku shiten diplloma, grada e status në vendin ku gjithnjë e më shumë thuhet dije e nënkuptohet dhelpëri.

Argumentet e paraqitura kundër kësaj “reforme” janë të shumta e janë ngritur prej zërave jo pak të njohur nga vetë akademia. Së pari është vënë re se si ky sistem i çeqeve është ende në fazë eksperimentale, dhe në ato pak vende ku është eksperimentuar nuk ka rezultuar gjithnjë në sukses. Psh. në Kili - ku sistemi i propozuar nga neoliberalët u aplikua vetëm nën forcën e diktatorit djathtist Pinochet - sot e disa vjet protesta masive studentore synojnë ta përmbysin këtë sistem pervers, dhe lëvizjet studentore nuk është se kanë qenë tërësisht të pasuksesshme. Së dyti, është vënë re se si sistemi universitar europian, në modelin e së cilit është ndërtuar edhe sistemi ynë arsimor, përgjithësisht ka konsoliduar publiken, e jo privaten. Psh. në Gjermani, edhe pse ka mbi 70 universitete private, ato zënë veç 1% sa i përket numrit total të studentëve. Po ashtu në Francë. Argument i tretë është fakti se – ndërkohë që flitet për konkurencë mes universitettheve tona, që do ua rritka cilësinë – universitetet e kontinentit tonë po bashkohen, për të krijuar agjensi më të fuqishme, të afta për të konkuruar me universitete të vendeve të tjera. Pra konkurenca në vend që të konceptohet si garë mes universitetit evropiano-shqiptar dhe atij amerikano-shqiptar, do ishte mirë të perceptohej si garë mes universitetit shqiptar dhe atij të vendit fqinjë, apo të vendit ca më të largmë. E kështu me radhë. 

Por argumentet janë edhe të natyrës ekonomike-politike. Një qeveri si ajo e Ramës, e ardhur në pushtet me kartën e kritikës ndaj djathtizmit e neoliberalizmit sistemik të aplikuar nga Berisha e Nano para tij, nuk do të duhej të përsëriste politikat e vjetra të propozuara nga paraardhësit, por do të duhej të kishte një plan të qartë për orientimin e kapitalit privat drejt prodhimit. Në vend se të krijojë lehtësi që kapitali i çilërve të vazhdojë të akumulohet nëpër agjensi që prodhojnë “ajër” siç janë universitetet private, do të ishte mirë që të “nxitej” transferimi i këtij kapitali në shërbime që mund të eksportohen, ose në industri apo në bujqësi. Sepse kjo do të sillte rritje të vëllimit ekonomik e njëkohësisht do t’i vinte fre pabarazisë që krijojnë ndërrmarje të tilla si “universitetet” private apo si bizneset e ndërtimit. 

Dikush mund të thotë se Rama nuk ka se ç’ti bëjë, pasi në fund të fundit është liria e kujtdo t’i investojë paret e veta ku të dojë, siç ia dikton tregu (Edhe pse kërkesë-oferta duket se funksionon çuditshëm, kur sheh se si përgatiten prej universiteteve “tregiste” kaq shumë juristë, politologë e ekonomistë që do punojnë thjesht si hamej apo si kamarierë...). Nëse do, këmbëngul liberali, privati e çon kapitalin në tallava, nëse dëshiron e çon në universitet privat. Mirëpo është detyrë e shtetit që – në mos të detyrojë – të paktën të orientojë kapitalin. Duke hequr TVSH për arsimin e lartë privat thjesht lehtësohet mbajtja e kapitalit në këtë lloj investimi. Tani mbetet t’i heqin TVSH-në edhe tallavasë, edhe do plasë kultura sheshit, më shumë se dashuria, me të cilën nisëm shkrimin.

Related

Opinione 4680757557791799042

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item